29 October 2018

Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë

Nga Prof. dr. Shaban Sinani

Librin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë” atdhetari Ismail Strazimiri, një prej protagonistëve të rendit parësor në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, e shkroi para 80 vjetësh. Koha që ka kaluar jo vetëm që nuk e ka pakësuar, por e ka rritur rëndësinë e tij. E ka rritur deri në atë shkallë sa pyetja se cila mbetet ndihmesa më e madhe e këtij protagonisti zhvillimesh parësore të Shqipërisë: puna atdhetare apo përshkrimi i ngjarjeve të saj në këtë libër del e pashmangshme. Nëse provat e njeriut janë nyjat kritike të jetës së vendit të tij, Ismail Strazimiri pikërisht në nyjat kritike të historisë shqiptare mbajti qendrimet më të denja.

Shpallja e Pavarësisë; dy luftërat dhe dy paqet e paqendrueshme ballkanike; njohja e premtuar e një shteti shqiptar me kufij shumë në brendësi të hapësirës së vet historike; hapja e çështjes së caktimit të kufijve; projekti i Fuqive të Mëdha për një monarki të re pa monark në rajonin ballkanik; dorëheqja pa shpjegime e I. Qemalit; konkursi i princërve dhe shpërthimi epidemik i vullneteve vetjake dhe fisnore për kurorën e një shteti ende të panjohur ndërkombëtarisht; ardhja dhe ikja e pagjurmë e princit trashëgimtar Wied; shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe kryqëzimi i ushtrive të të dy palëve kundërshtare në Shqipërinë pa zot; janë zhvillime që çoroditin shumë lehtë edhe sot jo vetëm soditësin e historisë, por edhe studiuesin e saj. Ismail Strazimiri dëshmohet në gjithë këto rrjedha të turbullta atje ku i bëhej mirë atdheut të tij. Dhe kjo ndodhte vetëm në një grusht njerëzish idealistë, të cilët: nuk ishin pjesë e ndonjë projekti të të huajve për të sunduar në Shqipëri përmes duarve të zgjatura të tyre; nuk kishin ndërtuar plane vetjake për të shtënë në dorë Shqipërinë apo pjesë të saj dhe për t’i kthyer në pashallëqe; e donin sinqerisht atdheun e tyre pa ndonjë interes vetjak. Ismail Strazimiri paraqitet në jetën e vendit me vetëdijen e një rilindësi.

Libri i kujtimeve të Ismail Strazimirit, botimi më i ri i shtëpisë botuese “Naimi”, për shkak të vërtetësisë së thellë dhe denoncuese; për shkak të palavdisë së shtetit dhe të shtetarëve në dorë të të cilëve gjendej Shqipëria; për shkak të dëshirës për të mos i bërë të njohura botërisht ato që quhen psikoza dhe komplekse shqiptare; këto kujtime nuk u botuan asnjëherë deri më sot. Kjo ka dhe të mirën e vet, sepse kështu objektivisht ato kanë ruajtur vërtetësinë burimore, duke shpëtuar prej konformizmave të gjithëfarshëm që ka njohur historiografía shqiptare: të lartësimit të parësisë, të madhështimit të traditës revolucionare, pa përjashtuar dhe konformiza të kohëve më të reja.

Gjëja e parë që mendon njeriu duke lexuar këto kujtime është se historia e fillimeve të shtetit shqiptar është një histori fatkeqe, apo e mbushur me protagonistë “fatzinj”, sipas një shprehjeje të përdorur me parapëlqesë nga autori. Elita e vjetër që kishte punuar për interesat e ish-perandorisë osmane pjesërisht e kishte kapërcyer të kaluarën, por pjesërisht kishte mbetur brenda idesë se një perandoria e reformuar mund të ishte një strehë e shëndetshme për Shqipërinë. Një pjesë e kësaj elite, me mbarimin e “shekullit të romantizmit”, ose ishte ndarë nga jeta fizikisht, ose ishte vendosur pa kthim në kryeqendra të mëdha europiane a gjetiu dhe mendonte ta ndihmonte çështjen e atdheut nga mërgimi. Shqipëria, në kuptimin e plotë të fjalës, pikërisht në kohën e themelimit të saj, kishte mbetur në duar të dallkaukëve.

Libri i Ismail Strazimirit është i mbushur me protagonistë që mbajnë me lavd të madh titulaturën e trashëguar nga perandoria. Autori ua shkruan me shkronjë të madhe madhe ofiqin, sepse kjo titulaturë kishte zëvendësuar mbiemrin e tyre. Kjo elitë kishte dhënë shenja të një rehatimi të dukshëm otoman qysh në shekullin e 18-të. Gjithë kësaj elite të dështuar nga të gjitha pikëpamjet: morale, politike, intelektuale, Ismail Strazimiri gjen t’u vendosë përballë një atdhetar të formuar pa bajrak a pashallëk nën sundim, me një flamur të vetëm, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë: Elez Isufin, që përbën figurën më të rëndësishme të gjithë librit të tij. Ai është modeli i njeriut shqiptar që ia kushton gjithçka të vetën vendit të tij dhe, së fundmi, i jep lamtumirën kësaj bote me një dëshpërim të thellë, me tragjizmin e njeriut që vërente se sakrifica i kishte shkuar dëm. Megjithatë, Elez Isufi mbetet e vetmja dritë e panjollë në gjithë botën e ndërlikuar të karaktereve të groteskë të librit të tij.

Ismail Strazimiri i shkroi kujtimet e veta vetëm për një periudhë prej 12 vjetësh: nga Shpallja e Pavarësisë deri te Revolucioni i Qershorit. Në këto 12 vjet ka mbrapshti sa për disa shekuj. Shqipëria u bë, por jo siç e deshën shqiptarët. Aq më pak siç e donte Ismail Strazimiri. U bë një Shqipëri që zyrtarisht thuhej se vërtitej në duart e Fuqive të Mëdha, por vërtetësisht rrotullohej sipas konkurrencës së parave të dhëna “krenëve” të saj nga Beogradi, Roma, Athina, Stambolli, Viena dhe kryeqendra të tjera të politikës botërore. Dhe pikërisht kjo është dhe dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit: që Shqipëria u ndorua prej “krenësh pa krye”, që e shisnin Jugun për “dishir” të Veriut e anasjelltas; që ia falnin dreqit të krishterët për një “Shqipëri të bekueme muslimane”; që i ndanin zotërimet e tyre prej Shkumbinit në Mat, prej Matit në Drin e kështu me radhë dhe në drejtimin jugor. Shqipëria e kujtimeve të Ismail Strazimirit është një republikë tribale, një shtet etnografik, ku për të kaluar nga një krahinë në tjetrën duhet “besa-besë” dhe asgjë tjetër! Eshtë një Shqipëri që, sipas shprehjes së Fishtës, nëse vërtet do t’ia dilte të përligjte pavarësinë e vet, kjo do të ndodhte “për inat të djallit dhe të shqiptarëve”, që bashkëpunonin kundër saj. Kjo është një pikëpyetje e madhe për historiografinë shqiptare: ndoshta jo tepëria, por pamjaftueshmëria e ushtrimit të pushtetit qeverisës, i çoi shqiptarët tek një qeverisje e tillë etnografike-fisnore-politike.

Shqipëria e viteve 1912-1924, siç na e dëshmon me dhimbjen e një protagonisti autori i këtij libri, ishte në kuptimin e plotë të fjalës një shtet etnografik-tribal, ku ligjin e bënin krerët e fiseve; një shtet që nuk ishte as monarki as republikë; një shtet ku krahinat shpallnin pavarësinë prej atdheut dhe ruanin me ushtarë vullnetarë “kufijtë” e tyre, urat, shtigjet e kalimit.
Revolucioni i Qershorit më 1924 është dëshpërimi i fundmë i Ismail Strazimirit. Ai nuk qe shumë besues se një ndryshim i vërtetë do të ndodhte, por gjithashtu nuk e kishte parashikuar se nëpunësia fanoliste, brenda një gjysmë viti, do të ndërronte krah e devocion prej njërit tek tjetri, prej kryepeshkopit tek monarku i ardhshëm i vendit. Në kuptimin e plotë të fjalës autori na tregon në mënyrë gati anatomike se si e pa revolucionin duke dështuar nga dita në ditë dhe nga ora në orë. Dështimi i këtij revolucioni përbën një kufi kohor përmbi të cilin Ismail Strazimiri nuk ngrihet. Dhe kjo shpjegon dhe faktin që ai, gjatë gjithë periudhës mbretnore, nuk mori asnjë shërbim a funksion, megjithëse një prej njerëzve më të formuar të asaj kohe.

Në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit; mbështetës i princit europian Wied që kundërshtarët e paraqitnin si një katundar austriak dhe të dërguar të krishterimit; njohës dhe kundërveprues i drejtpërdrejtë dhe i ballëpërballtë ndaj politikave të ringjalljes së pashallëqeve, në krahun e revolucionarëve fanolistë në vitin 1924 dhe paralajmërues i rreptë i dështimit të tij; larg qeverisjes republikane dhe mbretnore; Ismail Strazimirit, megjithatë, i kishte mbetur dhe një sfidë e fundme: pjesëmarrja në luftën antifashiste. Ai njihet si dëshmori më i moshuar i kësaj lëvizjeje në shkallë botërore: ishte 75 vjeç kur u vra në Sllovë prej ushtrive të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke pasur në krah si bashkëluftëtarë të dy djemtë.

No comments:

  Lufta kunder pavaresimit te Shqiperise: 1900-1924 nga   Ismail Strazimiri Përshkrim i shkurtër Libri ndjek hijen e autorit, i cili është n...