25 October 2018

Disa momente nga libri ne version origjinal


Pjese te zgjedhura ne versionin e paredaktuar nga Libri i tij me kujtime

Ismail Strazimiri*

Shqiperia 1910 -1931 : Shpresa dhe zhgenjime 
Si një fryt t’atij shërbimi që dëshirova, por nuk munda me i ba atdheut e Kombit aq sa desha po e la këtë vepër, ku kam me provue se dibranët - në kundërshtim me sa flasin e mendojnë disa njerëz shpirt liq e me gjykim të cekët - i kanë shërbyer çështjes shqiptare prej kohesh tue bashkëpunuar me ata që i vunë themelet e indipendecës sonë.
***
Në Vlonë u ngrit kurani, i thojshin popullit injorant. Populli çohet me u falë ndër kisha. Drita e mylimanizmes po shkëlqen në Durrës. Esad Pasha* e qiti ushtrin e vet nga Shkodra me armë në krah e dëboi Serbin nga këto vise dhe e nbardhi shqipen. Aq e forte e skaterriten popullin e ngratë me propagandat e tyne sa e banë të bante hallve për shpirt të të vdekurve dhe ti shpërndante ndër varre.
*Essad Pasha (1868 -1920) *https://en.wikipedia.org/wiki/Essad_Pasha_Toptani
***
Arif Hiqmeti* po u fliste ketyne dhe po u thoshte: ‘ Princ Vidi** asht austriak. Banon në një katund të Austris, ashtë emrue në Shqipni pa pelqimin e popullit. Po të dojë e të bashkohet populli, Europa ka vendosë me çue në Shqipni një Princ, në mos osmanlli, mysliman .
Une jam dërgue këtu prej fuqive të mëdha për të bashkpunue me popullin që të kërkojnë të drejtën e zgjedhjes së Princit. Në këtë çështje kanë gisht shumë njerëz të përmendur të Shqipnisë. Qellimet do të arrihet vetëm kur të tregohet ekzistenca e jona këtu.
Me fjalë të tilla, Arif Hiqmeti po ua gicilonte dejte e zemrës dhe po ua nxente nervat kryengritëse këtyre injorantëve, të cilët kishin mbetë si të mahnitur. 
Princ Wiedi asht gjerman u thashë, asht nga qyteti Pedestan dhe zbret prej familjes imperiale. Na s’mundem me mbajtë sundimin otoman, veç kësaj kurrë s’mundemi me tregue ekzistecën tonë kombëtare. E kaluem kohën me marrëzina. Edhe unë do të deshirojsha që të jemi nen protektoratin e osmanllinjve e të kemi nje Princ mysliman. Por e drejta e popullit tonë për të zgjedhë vete nje princ i asht marrë prej Europës, mbasi na u pushtuem prej të tjerëve. Me gjithë këtë populli shqiptar e ka dhënë pëlqimin e vet për Princ Wiedin.
Shqipnia nuk mund të konsiderohet si nji vend që ka fitue indipendencen tue e tregue eksistencën e vet dhe tue derdhe gjak ashtu si shumë kombe të tjerë. Shteti i ri i Shqipnis ashtë shqiptar e jo mysliman. Prandaj, s’ashte mirë që të shkaktohen trazime e turbullime për të sjellë nje princ mysliman.
***
Betohem mbi nderin tem se nji pjesë e gjindarmëve që ndodheshin përpara zjarrimit për kundrejt fyqive t’Arif Hiqmetit s’kishin opinga në kambë dhe shpesh herë mbeteshin pa buke. E këta njerëz vetëm me fuqi morale q’i nepte Jusuf Beu, me argëtimet e Elez Jusufit e të disa të tjerve prej parisë mbaheshin në vijat e luftës. Ky ushtar fatzi që luftonte kundër fuqis Arif Hiqmetit e shifte se kundërshtari i tij i kishte plot grushtat me napolonat e marrun prej Arifit, kurse ky ishte zbathë, ç’vesh, i unët dhe fëmijn në shtëpi e kishte pa hangër e pa dritë. Ky qyqar d.m.th.malësor që ishte rritë me besimin e pa tundun se n’atë jetë ka vetem nji zot dhe me këtë vetëm nji mbret-sulltan-tash shifte, ndëgjonte se gati krejt populli i Shqipnisë ishte çue në këmbë për me kërkue Mbret-Sulltanin dhe me këtë mënyrë me e mbrojt fenë e Atdhenë.
Ky i mjerë që ishte rritë tue kullote dhi e dhen ndër bjeshkë, ose i ngunjuem në nji kullë për ta përballue armikun e vet e ndëgjonte se vullnetarevë mirditas të grumbulluem në Lezhë u pagohesh rregullisht nga tri napolona rroga mujore kurse këtij nuk i pagoheshin as në tri muaj nji herë ata dy napolona rroge në Lezhë.
E përse gjithë kjo mos përfillje për këta ushtarë që me sakrificat e veta arritën të ngjiten në shkallën e nji idealisti, të nji heroi. Ky malësuer injorant mjerisht u ba viktima e gabimeve dhe fajeve t’atyne që kishin marrë në Durrës frenat e shtetit dhe s’mendojshin, a s’dojshin të mendojnë apo s’dishin me mendue e me veprue për të mirën e këtij populli. Me gjithë atë nuk u trondit ndërgjegja e malësorit dibran dhe nuk e humbi kurajën.
Qendroj dhe luftoi deri në fund dhe nuk ju shtrue atij armiku që bani t’arratisen e të zbrazin Durresin ata zotenij qi s’e përfillën këtë.
***
Mbas gjithë këtyne q’u shpjeguam me naltë, vetvetiu vjen pyetja se a mund të shpëtojnë nga përgjegjësia nenpunsat respenabel q’u benë shkakëtarët e atij kobi dhe qeveria qëndrore e Durrësit a mund të shpëtoj pa u ndëshkue si e pazonja në administrim?
***
Esat Pasha tha: Nuk di se si kemi me e administrue Shqipninë, se në jugorët s’kam besim, e tek veriore s’kemi njerëz të zotët. Iu përgjegj Xhelal Beu. O Pasha, mos bani dyshim, nuk kemi nevojë për njerëz me zotësi, do ti zgjedhim ato në të cilët kemi besim. O e mjera Shqipni, o i mjeri shqiptar, prej kuj prêt shpëtim ose përparim….
***
Man Picari që pretendonte se punonte për fe e të drejtë, që t’i lejonte me kalue nga Tirana, u kërkonte gjashtëqind napolona shpërblim. Në këtë mënyrë humbet rasti ma i mirë për me pakësue fuqinë Esatit. Lum na në çfarë duer rrotullohet puna.
***
Në ditët e fundit të sundimit serb, Dibra kaloi nji jetë fare të turbull e plot shqetësim, sepse në nji anë luftonte me ushtrinë serbe për të marrë shpagim e aq mije viktimave që ishin masakrue qysh nga lufta ballkanike dhe n’anën tjetër, priste ardhjen e ushtrive Bullgare në qytet. Me 2 Dhjetue 1915 qenë dërmue ushtrit serbe prej Elez Jusufit dhe me 6 Dhjetuer patën hy në qytet ushtritë bullgare, të pritun prej banorëve të shumë vuejtur si përkrahsit e nji Shqipërie të madhe e të vetësundueme ashtu si i ishte premtue, ma para prej organeve të Imperatorisë austro –hungareze.
***
Ahmet bej Zogu*, që kishte vendos me mos u kthye në Mat, pa u lirue vendi prej njerezëve të Sheh Hamdiut, e mblodh gjithë parinë e Dibrës në Peshkopi, dhe mbas shumë bisedimesh formoi nji komision kombëtar – për administrimin e vendit nën kryesinë e Emin Beut. Vellau i Jusuf Beut, Emin Beu s’ishte i zoti për këtë punë, por paria e vendit e zgjodh si kryetar, mbasi nuk u përshtatesh me sedrën e vet, zgjedhja e nji Beut jo dibran si i pari i vendit të tyne. Formimi i komisionit nuk vlejti për asgja, mbasi s’mundi me ba kurgja që ta tregonte ekzistencë kombëtare të vendit.
*Ahmet Zogu ose Zogu (1895-1961) https://en.wikipedia.org/wiki/Zog_I_of_Albania
***
Bejlerët e Pashallaret bajnë lloj lloj intriga e reklama për të zanë ndonjë kulltuk dhe për këtë shkak s’pajtohen por zihen me njani tjetrin. E na, populli shtypemi e dridhemi. Shqipnia e mjerë me këtë mënyrë bahet skenë e ngjarjeve ma të kobshme, të turpshme dhe të dhimbëshme.
***
Ky kob që nuk mund të përshkruet nisi keshtu:
Katër a pesë cuba nga Kalisi i Lumës, nga injoranca, nga nevoja u futën nga Reka e Gostivarit dhe rrëmbyen do bagëti. Kjo ngjarje qe mjaft për Serbinë që të shfrynte në popullin e këtyre krahinave për të nxjerre dufin e shpagimit të ngjarjes të zhvilluar me 2 Dhjetor 1915, kur ushtria serbe po ikte nëpër Diber. Nji ushtri e pajisur me topa e mitroloza dhe e forcue edhe me katundar vendit, niset nga qëndra e Lumës dhe nji tjetër si ajo e para nga Tetova. Këto dy fuqi aty kah maji i vitit 1920, u futën në krahinën e Kalisit dhe nisën nga operacioni, vranë çdo njeri që ndeshën dhe grabitën çdo kafshë apo bagëti, që u pa syni.
***
Me 1920 un, im vlla Bajrami, për shkaqe politike qemë internue e mbajte në qytetin Kraleve të Serbisë së vjeter. Mbas tre muajsh si ne ashtu dhe nja njëqind të tjerë, u falëm me dekret mbretnor.
Me qenë se serbet nisën me marrë erë nga mbledhjet e parësisë së Dibres zunë me e shtri rreptësinë dhe e dyfishuan barbarizmin. Un nga droja se mos pësoj ndonji rrezik ose mos internohesha edhe nji herë, ika dhe u fshefa në Dardhe ke Elez Jusufi.
Këtu mu dha rasti të lexoj letrat që i çonte Elez Jusufit Ahmet Zogu, atëherë Ministër i Mbrendshëm në Tirane. Në këto letra Ahmet Zogu e njoftonte Elezin se me mjete diplomatike do të kërkohet prej Serbise lirimi i tokave shqiptare që jane brenda kufirit 1913 dhe që padrejtësish mbahen prej saj, gjithashtu i thoshte se mbasi do të bahet organizimi i administratës civile në Dibres e do të çohen nënpunsat e nevojshem, të përpiqesh si me e bashkue popullin e Dibres në nji bazë që të lehtësohesh të kryemit e këtij qellimi. Shtonte, veçanarisht e thoshte që ai të kishte kujdes mos me i dhanë shkak ndonji ngatërrese me Serbinë deri sa të bahesh organizimi në fjale e të çoheshin nenpunësat.
***
Vallë kush qenë shkaktarët e këtij kobi dhe të këtij mjerimi të përgjakshëm që kaplloi Dibren për herë të tretë qysh nga lufta ballkanike?
Vallë cilin ka me e qortue e me e mallkue historija? Apo do t’i nderojë për këtë ngjarje t’Arrasit, mbasi me gjithë që u banë shumë dame mjerime të pa numërta për shkak se e pastruen vendin e varret e të parëv tona prej qelbsinave serbe. S’dihet se kush do të quhet fajtor ose do të jetë i lavduem prej njerzisë për këtë kryengritje të përgjakëshme.
Unë po e kënaq ndërgjegjen time tue nxjerre në shesh e në dritë këtë ngjareje me gjithë hollësinat perkatëse. Me këtë mënyrë po e kryej detyrën para njerezisë e historisë. Kërkush s’ka të drejt të zemrohet në qoftë se e kam fye dhe asnjeri nuk lypset të gëzohet në i gjan se e kam lavdue. Jam përpjekë të shprehem tue e pershkrue. Të pakënaqurit natyrisht janë të lire të kundërshtojnë. Vetëm duhet të dijnë se në përshkrimin e këtyne ngjarjeve nuk më ka nguce as ndonji ndjeje mënije sa dhe nuk me ka gilicue ndonji prirje dashunije apo miqësije. I vetmi qëllim që me ka shtue me i hye nji pune të kësaj natyre ka qenë dëshira me e qetësue ndergjëgjen time kombëtare dhe veçanarisht me i sherbye historisë.
***
Atëherë kur luftojshin vlonjatet kundra italianve edhe dibranët luftojshin kundra serbëve. Vlonjatët ngadhnyen, por dibranët humbën e u thyen. Vallë përse? Mos u mungonte dibraneve guximi e trimëria, këtë s’besoj të ketë shqiptar që të mund t’a thotë, mbasi ajo asht provue shumë herë në shumë rasa. E përse ata fituen e këta humben ?
Ja sepse:
Italianet nuk janë trima e luftëtare si janë Serbët.
Levizja socialiste e bamë ne’ Itali në favor të Vlonjakëve dhe pengimet e mbëdha q’i sollën ato qeverisë italiane për këtë ekspedite
Vlonës i shkoi fuqi ndihmuese nga Shqipnija e Mesme e shumë anë të tjera, kurse Dibres nuk i erth ashkush në ndihmë.
Nji numër i konsiderueshëm oficerësh u çveshën dhe u çuen në Vlonë, ku morën pjese aktive në beteja të ndryshme, kurse dibranëve iu çue vetëm Major Shefkiu, i cili gjet rasë të volitëshme të prehesh në Peshkopi dhe jo vetem që nuk na ndihmoj, por edhe nuk na i dha as mitrolozat që ti përdorshim kundra armikut.
Disa qindra barrë municioni ashtu edhe arme u çuen në Vlonë, kurse Dibrës nuk u çuen as edhe njiqind fishekë.
Kryengritja e Vlonës u suvesionue prej qeverisë shqiptare tue lanë në dispozicion të drejtuesave me qindra mije frang ari, kurse në Dibrës jo të holla, por as pergjigje nuk i çojshin.
Për kryengritjen e Vlonës u mblodhën në shumë vise të Shqipnisë ndihma të hollash dhe propaganda u zhvillue aq mire dhe u ba aq e efekshme sa grat e Elbasanit i hoqën vathët nga veshi dhe unazat e gishtave dhe i dhanë për atë qëllim, me të vërtetë, vepër e naltë patriotike. Por për Dibrën e ngratë kërkush nuk dha makar nji dysh.
Në Vlonë shkuen edhe banda muzikore të viseve të ndryshme për me e dyfishue guximin e luftëtarëve, por në Dibër nuk erth makar jevgjet a-enkçi të Tiranes me lodrat e qemanet e tyne.
Në Vlonë shkuen, mbas propagandas së zhvillueme, nga shumë vise edhe zonja për të bamë sherbime infermerije, por në Diber s’erth njeri dhe Dibranët e plagosur vete i lidhshin plagët. Zonja e Doktor Krastës nga Elbasani asht njana nga të parat që me vullnet të vet shkoi në Vlone për me ja kushtue sherbimin e vet luftëtarëve të plagosun.
Qeverija Qendrore në Vlonë pat çue nji sasi të madhe ushqimi kurse në Dibër nuk çoj asnji kothere bukë dhe nji kokër qepë.
Po të meret parasysh gjithë këto fakte që përmenda ma nalte, kuptohet fare lehte sepse fitoi Vlona dhe humbi Dibra.
Ato që shkrova ma sipër nuk janë pjellë e imagjinatës s’eme, por janë fakte që provohen me dokumenta, të cilat natyrisht e sigurisht ndodhen n’arshivat e shtetit tonë e të shtetit Italian e Serb.
N.q.s. malesorët e Veriut janë injorant, janë përgjegjës ata që i kanë lanë në këtë gjendje të mjerueshme dhe jo ato vetë. Na s’duhet t’i urrejmë për këto mungesa të trashigueme prej nji regjimi të huej dhe ti keq përdorojmë tue i fye e tue shnderue deri me rrafje sa me e cenue edhe sedren personale. Përkundrazi, duhet t’i afrojmë e t’i drejtojmë në rrugën e mbarë të qytetërimit. Sa herë që asht paraqit ndonji rasë e volitshme, ata jane përbuzë prej autoriteteve ushtarake e civile të Shqipnisë dhe s’asht lanë dhunë e pa drejtë pa u bamë mbi ta.
Moskujdesi për shpëtimin e këtyne malsorëve nga zgjedha e injorancës, për fat të keq vazhdon të tregohet edhe nga shteti shqiptar.
Edhe ligjet e shteteve ma fort se me i ba të vuejnë, kanë për qëllim me i përmisue, me i zbutë dhe me i urtësue keqbërsit. Me fjalë të tjera, nuk i gjejnë t’arsyeshme e të dobishme me i dhanë fajtorit nji vuajtje vdekjepruese e me i shue jetën, por dëshirohet përmisimim dhe shpëtimi i tije nga pushteti i vesit të lig. E kur nuk shihet i denjë nji veprim i egër për nji fajtor që ka vra ose ka vjedhe, si mund të shifet e udhës nji sjellje e ashpër për nji pjesë të popullit, që s’ka tjetër faj veçse lëngon prej etheve t’injorancës? Prandaj, lypset që qeverija t’u kushtoj kujdesin ma të madh edukimit dhe ndriçimit të tyne me anë të shkollave, të çoje ndër krahina të tyne nenpunësa të drejtë e të ndershëm që t’i afrojnë kah qeveria, t’ua lehtësojnë vuajtjet, t’ua ambëlsojnë jetën dhe ti naltësojnë në shkallën e vllazenve të vet. Ateherë do të ndrydhet fatkeqësia e tyne, do të zhduket injoranca dhe nuk do të dëmtohet ma as financa as dhe qetësia e shtetit. E këta malësor sigurisht do të jenë mirënjohës për këtë shërbim të çmueshëm dhe do ti shpërblejnë Atdheun e bashkë atdhetarëve këtë nder tue e derdhë gjakun për ta.
***
Kujtoj (1924) se asht e tepërt me u zgjatë në përshkrimin e gjendjes s’administrarës kur ishte Ahmet Zogu Kryeminister e Minister i Punëve të mbendshëm, mbasi të interesuemit e dinë fare mirë.
Veprimet arbitrare dhe ilegale, provokuen që të bahesh antentati kundër Ahmet Zogut në parlament. Ahmet Zogu shpëtoi me nji plagë të vogël në dorë. Por përveç disa pak besnikeve të tij gjithë populli dhe ushtrija u çue kundër tij dhe banë revolucionin e Qeshorit i cili përfundoj me fitimin e kryengritësve dhe me ikjen jashtë Atdheut të Ahmet Zogut me shokët e vet.
***
Nuk arrihet qëllimi tue i marrë armën nji populli ose nji njeriu por tue e bamë atë që të mos e përdori. Lupset me ju dhanë të kuptoje popullit se arma i ka hije vetëm ushtarit dhe me e bindë atë që ta hudhi ai vet.
Sa herë janë mbledhë armet por në sejcilin herë ashte vue re se prap populli ashtë armatosë dhe në vend të nji pushke që ka pasë tash ka pasë dy. Padija dhe vobeksija e shtyjnë malesorin tonë me e mbajtë armën. Malsori me pushkën e vret armikun dhe e mbron vehten prej tij. Ky ashtë nji zakon i egër që duhet të zhduket tue u deftue nji drejtësi shembullore prej gjykatoreve tona dhe t’arrijë populli me e kuptue se e drejta e tije sigurohet e shpërblehet prej shtetit. Prap malsori e don pushkën se me anë të saj siguron jetesën e familjes së vet, vjeth ose grabit dhe i ushqen, famijet mbasi asht i varfer dhe s’ka ndonji burim të ardhunash. Tue i gjetë punë lypset ti zhduket dhe ky ves. Pa u zhduke këto dy pengime kur nuk do mundet me i vue urdhni i sigurimit. Prandaj kemi nevoje për nji regjim diktatorial të rrepte, por të drejtë. Ndërkohe lypset të luftohet injoranca tue hape shkolla dhe të zhduket varfëria tue sigurue pune. Atehere vetvetiu katundarët do t’ lenë armët, përndryshe gjithë mundimi kanë për të na shkue kot. Na, me të vërtete, jemi nji shtet i ri, por s’jemi axhami d.m.th.s’jemi të pa stërvitun. Për shembull nji nënpunës civil ose ushtarak dijnë me u vesh shik e te stoliset me tualet, ashtu lypset të dije e të mendojë se çfarë përfundime e fryte do t’i api sot e nesër vepra e tij e bame mbi ato malsorë që prej shekujsh nuk e kanë shijue besimin e qeverisë dhe u ashtë ngacmue e cënue edhe sedra kombëtare prej saj. Kur t’i kërkohet pushka nji katundari lypset të mbahet parasyshe gjendja shpirtërore e ati që i kërkohet arma dhe nuk duhet fye e përbuzë tue e shamë e rrafë sidomos faqe grues e femijës se tij. Ndërgjegja e nenpunsave lypset të jetë e pastër dhe ta kryeje detyrën me nji mjeshtri të holle tue e zbatue ligjin, por edhe tue mos e preke shtefnin vetiake të atij që ka të bej me të. Asht nji fyemje e randë dhe e pa durueshme për malsorin shqiptar rrafja. Shqiptari preferon të vritet se sa të rrifet, mbasi ai e humbë sedrën e burrnise, prandaj ai s’vlen ma fare. Pushka ose revolja që i merret nji katundari s’lypset t’i falet ose shitet nji tjetri, mbasi nji punë e tillë jo vetem që ështe kundër ligjit e ndërgjegjes por e egërson dorëzuesin e armës i cili pa tjetër do ta quej si nji fymje dhe do të kërkoje ta vej në vend nderin e marrun nëpër kambë. Le të thonë ato që kanë ndergjegje e prestigj se a mundë t’api frute të dobishme dhe a munde të kenë qellime te mira veprimet e tilla?
***
Nji historian kur ta përshkrueje nji ngjarje, nuk duhet të mundet prej sentimenteve. Nuk lypset ti shkryej ndiesit e veta, por të përshkruej ngjarjen ashtu si asht e si e din dhe me nji pa anësi të plotë. Me qenë se unë e dij këtë rregull, ngjarjet i kam pershkrue ashtu si kanë ndodhë pa pjerrë as kendej dhe as andej. Me këtë mënyrë kam dashtë tu la si kujtim, në mos bijve t’atdheut, djemeve të mij, nji vepër të tillë, me gjithë se të pavleshme. E dij e se historiani për ngjarje të tilla ka me kërkue dokumenta e argumenta për me e besue, por mue me mungojnë dokumentat përkatese që do ta bindshin historianin në vërtetësine e këtyne kallezimeve. Për fat të keq ato u dogjën, kur ma dogjën serbët dy here me rradhë dhe pa pandehur. Por nuk di se a mund të dalë kush me e provue, makar pa dokumenta dhe vetëm me nji gjuhe arsyetuese e bindese, të kundërten e ketyne që une kam pershkrue në këtë vepër. Sigurisht kërkush s’do të këtë nji guxim të tillë, mbasi nuk do të mundet me e shtremërue të vërtetën, atë të vërtetë që dijne me mijra njerëz qe ende janë gjallë.
***
Tue gjykue mbi gabimet e Dibraneve s’duhet lanë mbas dore edhe këto:
1. Mbetjen e qytetit të Dibrës së Madhe nen zgjedhën serbe
2. Inorancën 
3. Varfni dhe 
4. Pozita gjeografike buzë kufinit shqiptar –serb.

Të gjitha këto, ashtu dhe nenpunsat e liq, e shtynë dibranin edhe në gabime. Këtu pyes, në viset tjera a nuk bahen të tilla faje e gabime ose lloj lloj felliqsina të ndryshme ?

No comments:

  Lufta kunder pavaresimit te Shqiperise: 1900-1924 nga   Ismail Strazimiri Përshkrim i shkurtër Libri ndjek hijen e autorit, i cili është n...