29 October 2018

Gazeta Shqiptare per Ismailin

Ismail Strazimiri, të fshehtat
“përvëluese” të patriotit në një libër

    .

Ismail Strazimiri (1868-1943), megjithëse një figurë jo shumë e popullarizuar prej studimeve dhe shkrimeve, jashtë çdo dyshimi është një protagonist i rendit parësor për rolin që ka luajtur e peshën që ka mbajtur në rrjedhat e turbullta të historisë së lëvizjes kombëtare, prej shfaqjes së saj në formën e një ideologjie dhe përfytyrimi romantik deri në Luftën Antifashiste
Nëse pranohet si një e vërtetë parimore se provat e njeriut janë nyjat kritike të jetës së vendit të tij. Ismail Strazimiri pikërisht në nyjat kritike të historisë mbajti qëndrimet më të denja, duke i bërë nder vetes dhe historisë shqiptare, e cila shumë shpesh errësohet pikërisht prej mbrapshtisë, tinëzive, kurtheve e dredhive të flamurmbajtësve të saj. Ismail Strazimiri e përfundoi së shkruari librin me kujtime kushtuar zhvillimit të lëvizjes kombëtare në vitet 1900-1924 qysh në vitin 1931. Megjithëse këto kujtime janë përmendur e vlerësuar shumë shpesh prej studiuesve në arkivat e familjes, por vonw e pa dritwn e botimit. Botimi i parë i tyre u realizua vetëm dy vjet më parë nën titullin "Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë-kujtime historike 1912-1924”, botimet “Naimi” në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Libri “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, me dëshmitë tronditëse të tij, është një provë se shqiptarët shpesh e kanë përdorur energjinë e tyre për të ndërtuar pushtet vetjak me ndihmën e faktorëve më keqdashës ndaj shtetit shqiptar; prandaj, duke kërkuar parësinë në krye të shtetit, në fakt e kanë plagosur rëndë pavarësinë e tij, dhe kjo është një prej arsyeve themelore pse Shqipëria, edhe sot, pas 100 vjetësh si shtet, mbetet sërish vendi më i prapambetur në Europë, megjithëse me burime natyrore të lakmueshme në shkallë botërore.

Si e tradhtuan nëpunësit e tij Fan Nolin
Ismail Strazimiri i shkroi kujtimet e veta vetëm për një periudhë prej 12 vjetësh: nga Shpallja e Pavarësisë deri te Revolucioni i Qershorit. Në këto 12 vjet ka mbrapshti sa për disa shekuj. Shqipëria u bë, por jo siç e deshën shqiptarët. Aq më pak siç e donte Ismail Strazimiri. U bë një Shqipëri që zyrtarisht thuhej se vërtitej në duart e Fuqive të Mëdha, por vërtetësisht rrotullohej sipas konkurrencës së parave të dhëna “krenëve” të saj nga Beogradi, Roma, Athina, Stambolli, Viena dhe kryeqendra të tjera të politikës botërore. Dhe pikërisht kjo është dhe dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit: që Shqipëria u ndorua prej “krenësh pa krye”, që e shisnin Jugun për “dishir” të Veriut e anasjelltas; që ia falnin dreqit të krishterët për një “Shqipëri të bekueme muslimane”; që i ndanin zotërimet e tyre prej Shkumbinit në Mat, prej Matit në Drin, prej Drinit në Valbonë a në Kir e kështu me radhë dhe në drejtimin jugor, ku Mihal Grameno e Mid’hat Frashëri bënin, në të njëjtën kohë, polemika vetjake në shtypin e huaj e vendës, njëri nga Bari dhe tjetri nga Sofja.

Shqipëria e kujtimeve të Ismail Strazimirit është një republikë tribale, një shtet etnografik, ku për të kaluar nga një krahinë në tjetrën duhet “besa-besë” dhe asgjë tjetër! Është një Shqipëri që, sipas shprehjes së Fishtës, nëse vërtet do t’ia dilte të përligjte pavarësinë e vet, kjo do të ndodhte “për inat të djallit dhe të shqiptarëve”, që bashkëpunonin kundër saj. Kjo është një pikëpyetje e madhe për historiografinë shqiptare: ndoshta jo tepria, por pamjaftueshmëria e ushtrimit të pushtetit qeverisës, i çoi shqiptarët tek një qeverisje e tillë etnografike-fisnore-politike, që ka simptoma të saj deri më sot. Shqipëria e viteve 1912-1924, siç na e dëshmon me dhimbjen e një protagonisti autori i këtij libri, ishte në kuptimin e plotë të fjalës një shtet etnografik-tribal, ku ligjin e bënin krerët e fiseve; një shtet që nuk ishte as monarki as republikë; një shtet ku krahinat shpallnin pavarësinë prej atdheut dhe ruanin me ushtarë vullnetarë “kufijtë” e tyre, urat, shtigjet e kalimit.

Revolucioni i Qershorit më 1924 është dëshpërimi i fundmë i Ismail Strazimirit. Ai nuk qe shumë besues se një ndryshim i vërtetë do të ndodhte, por gjithashtu nuk e kishte parashikuar se nëpunësia fanoliste, brenda një gjysmë viti, do të ndërronte krah e devocion prej njërit tek tjetri, prej kryepeshkopit tek monarku i ardhshëm i vendit; edhe kjo një traditë e mbrapshtë dhe jetëgjatë shqiptare. Në kuptimin e plotë të fjalës autori na tregon në mënyrë gati anatomike se si e pa revolucionin duke dështuar nga dita në ditë dhe nga ora në orë. Dështimi i këtij revolucioni përbën një kufi kohor përmbi të cilin Ismail Strazimiri nuk ngrihet.

Dhe kjo shpjegon dhe faktin që ai, gjatë gjithë periudhës mbretnore, nuk mori asnjë shërbim a funksion, megjithëse një prej njerëzve më të formuar të asaj kohe. Në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit; mbështetës i princit europian Ëied që kundërshtarët e paraqitnin si një katundar austriak dhe të dërguar të krishterimit; njohës dhe kundërveprues i drejtpërdrejtë dhe i ballë përballtë ndaj politikave të Esad Pashës dhe Ahmet Zogut, në krahun e revolucionarëve fanolistë në vitin 1924 dhe paralajmërues i rreptë i dështimit të tij; larg qeverisjes republikane dhe mbretnore të beut të Matit; Ismail Strazimirit, megjithatë, i kishte mbetur dhe një sfidë e fundme: pjesëmarrja në luftën antifashiste. Ai njihet si dëshmori më i moshuar i kësaj lëvizjeje në shkallë botërore: ishte 75 vjeç kur u vra në Sllovë të Dibrës prej ushtrive të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke pasur në krah si bashkëluftëtarë të dy djemtë.


Pëllumb Xhufi: Shënjime të rëndësishme për njohjen e procesit historik

Libri i Ismail Strazimirit, shprehet historiani Pëllumb  Xhufi, nuk është thjesht një libër kujtimesh. “Në përmbajtjen e tij autori ka tejshkruar biseda shumë të rëndësishme me veprimtarë të kohës, vendës e të huaj, të zhvilluara nga ai vetë; letra të pritura e të dërguara; shenjime të rëndësishme për njohjen e procesit historik; informata dhe të dhëna që nuk gjenden në shkrimet teknokratike historiografike. Midis argumenteve themelorë ku shfaqet zbulimi i Ismail Strazimirit janë: përhapja e esadizmit nëpër Shqipëri; konflikti i anadollakëve me europeistët për qeverisjen e saj. Gjëja e parë që mendon njeriu duke lexuar këto kujtime është se historia e fillimeve të shtetit shqiptar është një histori fatkeqe, apo e mbushur me protagonistë “fatzinj”, sipas një shprehjeje të përdorur me parapëlqesë nga autori i saj”, thotw Pëllumb Xhufi.
 
Shaban Sinani: Të çmojmë kurajën e njeriut që e deshi shumë Shqipërinë


“Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë” është parë me shumë interes nga studiuesit dhe historianët, si një thesar të fshehtash “përvëluese” për intrigat që kanë gërryer luftën e drejtë të patriotëve për liri dhe pavarësi. “Në këtë libër, shkruan studiuesi Shaban Sinani, gjenden shumë të vërteta të rezervuara prej studimeve historiografike deri më sot, nga droja se mos historia kombëtare mos po bëhet jo aq kombëtare, nga vetë karakteri monumentalizues i historiografisë tradicionale, nga presionet që ushtrohen mbi historishkrimin për shkak të protagonizmit të zgjatur nga koha në kohë. Në këtë kontekst, le të çmojmë kurajën e një njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje, nuk arriti “ta shohë zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë, dhe u përpoq që edhe me fjalën të shërojë dhe të mos përsëritet pjesa e keqe e së shkuarës”.

 Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

No comments:

  Lufta kunder pavaresimit te Shqiperise: 1900-1924 nga   Ismail Strazimiri Përshkrim i shkurtër Libri ndjek hijen e autorit, i cili është n...