29 October 2018

Komente nga libri

Historia e Ismail Strazimirit, të vrarë në moshën 75-vjeçare dhe kujtimet e tij për Shqipërinë e viteve 1912-1924


Në nëntor të vitit 1943, pra, një vit para se Shqipëria të çlirohej nga pushtimi fashist, u vra nga nazistët Ismail Strazimiri. Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, shkrimtari i njohur, Haki Stërmilli, në ditarin e tij të luftës shkruan: “Katundarët thanë se gjermano-ballistët paskan djegë shtëpitë e Cen Elezit në Sllovë të Dibrës dhe në ndeshjen që qenka bam, paska ra dëshmor heroikisht Ismail Strazimiri, plaku 75-vjeçar që për sigurimin e lirisë së Atdheut kishte rrok armët dhe kishte dalë maleve. Sa hijshëm dhe lavdishëm e paska mbyll jetën ky atdhetar i ndershëm e i ndërgjegjshëm. Në këtë përpjekje gjermano-ballistët paskan vrarë e masakrue më shumë se 30 vetë prej katundarëve të pafajshëm që qenkan gjetur ndër shtëpija”.
Kështu, me këtë shënim të shkurtër, do të shënjohej në histori fundi i jetës së një prej shqiptarëve të mençur dhe të emancipuar të gjysmës së parë të shekullit XX, duke shënuar në të njëjtën kohë edhe një rekord: Ismail Strazimiri është, ndoshta, luftëtari antifashist më i moshuar, 75 vjeç. Përveç këtij fundi “me kapak floriri”, Ismail Strazimiri do të mbetej në histori jo vetëm me aktivitetin e tij prej patrioti të flaktë, por, sidomos, me hedhjen në letër të kujtimeve të tij për Shqipërinë e viteve 1912-1924, të publikuara kohët e fundit nën titullin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”. Ai e shkroi këtë libër para 85 vjetësh, në vitin e largët 1931. Edhe pse për shumë dekada këto shënime mbetën si dorëshkrim nëpër sirtarë, koha që ka kaluar jo vetëm që nuk e ka pakësuar, por e ka rritur rëndësinë e tyre. E ka rritur deri në atë shkallë sa pyetja se cila mbetet ndihmesa më e madhe e këtij protagonisti zhvillimesh parësore të Shqipërisë: puna atdhetare apo përshkrimi i ngjarjeve të saj në këtë libër del e pashmangshme.
Nëse provat e njeriut janë nyjat kritike të jetës së vendit të tij, Ismail Strazimiri pikërisht në nyjat kritike të historisë shqiptare mbajti qëndrimet më të denja. Shpallja e Pavarësisë; dy luftërat dhe dy paqet e paqëndrueshme ballkanike; njohja e premtuar e një shteti shqiptar me kufij shumë në brendësi të hapësirës së vet historike; hapja e çështjes së caktimit të kufijve; projekti i Fuqive të Mëdha për një monarki të re pa monark në rajonin ballkanik; dorëheqja pa shpjegime e I. Qemalit; konkursi i princërve dhe shpërthimi epidemik i vullneteve vetjake dhe fisnore për kurorën e një shteti ende të panjohur ndërkombëtarisht; shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe kryqëzimi i ushtrive të të dyja palëve kundërshtare në Shqipërinë pa zot; janë zhvillime që çoroditin shumë lehtë edhe sot jo vetëm soditësin e historisë, por edhe studiuesin e saj. Ismail Strazimiri dëshmohet në gjithë këto rrjedha të turbullta atje ku i bëhej mirë atdheut të tij. Dhe kjo ndodhte vetëm në një grusht njerëzish idealistë, të cilët: nuk ishin pjesë e ndonjë projekti të të huajve për të sunduar në Shqipëri përmes duarve të zgjatura të tyre; nuk kishin ndërtuar plane vetjake për të shtënë në dorë Shqipërinë apo pjesë të saj dhe për t’i kthyer në pashallëqe; e donin sinqerisht atdheun e tyre pa ndonjë interes vetjak. Strazimiri paraqitet në jetën e vendit me vetëdijen e një rilindësi.
Gjëja e parë që mendon njeriu duke lexuar këto kujtime është se historia e fillimeve të shtetit shqiptar është një histori fatkeqe, apo e mbushur me protagonistë “fatzinj”, sipas një shprehjeje të përdorur me parapëlqim nga vetë Strazimiri. Elita e vjetër që kishte punuar për interesat e ish-perandorisë osmane pjesërisht e kishte kapërcyer të kaluarën, por pjesërisht kishte mbetur brenda idesë se perandoria e reformuar mund të ishte një strehë e shëndetshme për Shqipërinë. Një pjesë e kësaj elite, me mbarimin e “shekullit të romantizmit”, ose ishte ndarë nga jeta fizikisht, ose ishte vendosur pa kthim në kryeqendra të mëdha europiane a gjetiu dhe mendonte ta ndihmonte çështjen e atdheut nga mërgimi. Shqipëria, në kuptimin e plotë të fjalës, pikërisht në kohën e themelimit të saj, kishte mbetur në duar të dallkaukëve.
Ismail Strazimiri i shkroi kujtimet e veta vetëm për një periudhë prej 12 vjetësh: nga Shpallja e Pavarësisë deri te Revolucioni i Qershorit. Në këta 12 vjet, siç del edhe nga libri, ka mbrapshti sa për disa shekuj. Shqipëria u bë, por jo siç e deshën shqiptarët. Aq më pak siç e donte ai. U bë një Shqipëri që zyrtarisht thuhej se vërtitej në duart e Fuqive të Mëdha, por vërtetësisht rrotullohej sipas konkurrencës së parave të dhëna “krenëve” të saj nga Beogradi, Roma, Athina, Stambolli, Vjena dhe kryeqendra të tjera të politikës botërore. Dhe pikërisht kjo është dhe dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit: që Shqipëria u ndërrua prej “krenësh pa krye”, që e shisnin Jugun për “dishir” të Veriut e anasjelltas; që ia falnin dreqit të krishterët për një “Shqipëri të bekueme muslimane”; që i ndanin zotërimet e tyre prej Shkumbinit në Mat, prej Matit në Drin e kështu me radhë dhe në drejtimin jugor. Shqipëria e kujtimeve të Strazimirit është një republikë tribale, një shtet etnografik, ku për të kaluar nga një krahinë në tjetrën duhet “besa-besë” dhe asgjë tjetër! Është një Shqipëri që, sipas shprehjes së Fishtës, nëse vërtet do t’ia dilte të përligjte pavarësinë e vet, kjo do të ndodhte “për inat të djallit dhe të shqiptarëve”, që bashkëpunonin kundër saj.
Gati një shekull prej kohës që kanë ndodhur ato ngjarje; kur gjithsesi ekziston një përfytyrim konvergjent për rendin historik të kohës; pasi janë shkruar dhjetëra artikuj, studime e monografi për Ismail Qemalin; për Qeverinë e Vlorës dhe atë të Durrësit; për Esad pashën, rebelimin dumbabist të Shqipërisë së Mesme, Musa Qazimin dhe Haxhi Qamilin; për mbrojtjen e Shkodrës dhe luftën e Kolesianit; për dërgatën e Turhan pashës në Versajë dhe luftën e Vlorës; për atentatin në Paris dhe Kongresin e Lushnjës; është e lehtë të thuash se cili do të kishte qenë rreshtimi atdhetar më i denjë. Strazimiri dëshmohet në gjithë këto rrjedha të turbullta atje ku i bëhej mirë atdheut të tij. Dhe kjo ndodhte vetëm në një grusht njerëzish idealistë, të cilët: nuk ishin pjesë e ndonjë projekti të të huajve për të sunduar në Shqipëri përmes duarve të zgjatura të tyre, domethënë vetë shqiptarëve; nuk kishin ndërtuar plane vetjake për të shtënë në dorë Shqipërinë apo pjesë të saj dhe për t’i kthyer në pashallëqe; e donin sinqerisht atdheun e tyre pa interes pragmatik. Ismail Strazimiri paraqitet në jetën e vendit të vet në kohën kur ai sa e kishte nisur historinë shtetërore, me vetëdijen e një rilindësi. Ai vetë është dëshmues i së vërtetës së pohuar, se ata që i kanë ndërtuar veprimet e tyre ashtu si do të kishin dashur të vepronin rilindësit, si rregull nuk kanë gabuar.
Shqipëria e viteve 1912-1924, siç na e dëshmon me dhimbje autori i këtij libri, ishte në kuptimin e plotë të fjalës një shtet etnografik-tribal, ku ligjin e bënin krerët e fiseve; një shtet që nuk ishte as monarki as republikë; një shtet ku krahinat shpallnin pavarësinë prej atdheut dhe ruanin me ushtarë vullnetarë “kufijtë” e tyre, urat, shtigjet e kalimit. Në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit; mbështetës i princit europian, Wied që kundërshtarët e paraqitnin si një katundar austriak dhe të dërguar të krishterimit; njohës dhe kundërveprues i drejtpërdrejtë dhe i ballëpërballtë ndaj politikave të ringjalljes së pashallëqeve, në krahun e revolucionarëve fanolistë në vitin 1924 dhe paralajmërues i rreptë i dështimit të tij; larg qeverisjes republikane dhe mbretnore; Ismail Strazimirit, megjithatë, i kishte mbetur dhe një sfidë e fundme: pjesëmarrja në luftën antifashiste. Ai njihet si dëshmori më i moshuar i kësaj lëvizjeje: ishte 75 vjeç kur u vra në Sllovë prej ushtrive të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke pasur në krah si bashkëluftëtarë të dy djemtë.
Mare nga Gazeta Shqip
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/21/deshmori-moshuar-antifashist/

No comments:

  Lufta kunder pavaresimit te Shqiperise: 1900-1924 nga   Ismail Strazimiri Përshkrim i shkurtër Libri ndjek hijen e autorit, i cili është n...