17 korrik 2009

Gjeneologji Familjare

The Balshaj (or Balsha) was an important family ruling over the northern Albanian territory from 1360 to 1421. Balsha the Elder was a vassal of the Serbian lord Etienne Dusan. After Dusan’s death, Balsha grew more independent politically and, after subjugating all the Albanian and Serb lords of northern Albania and Montenegro, he created a vast chiefdom with Shkodra as its capital. His three sons Strazimir (1362-1372), Gjergj (1372-1378), and Balshaj II (1378-1385) ruled after him. Balshaj II was replaced after his death by his grandson Gjergj II (1385-1403), and then by Rugine, daughter of Balshaj II, and Balshaj III (1403-1421) (Institut d’Histoire et de Linguistique, 1967: 12-14, 17, 58-59, 61-62). They became rich through trade and marriage....

Figura historike te librit


Ahmet Zogu


Esat Pasha







13 korrik 2009

Harta Etnike e Ballkanit 1920

Sipas kesaj harte e "shqiperia e madhe" eshte shume me ndryshe nga propaganda

Pak histori : Lufterat Ballkanike (anglisht)

Fakte historike


Kush ishte Ismail Strazimiri?



http://users.skynet.be/fa021227/bashwebsite/histori/histori.htm


LIBER KUJTIMESH 1914-1931

Ju ftoj te lexoni librin ne formen e tij origjinale. Do munduhem te nxjer ne pah informacionet kryesore me vlere historike per kohen e atehershme dhe te sotme. Ne nje kohe kur informacionet qe kemi jane kontradiktore eshte interesante te vihet ne pah pikeveshtrimi "gjyshit" mbi shum ngjarje ku ai ka mare pjese. Eshte interesante gjithashtu gjykimi i tij mbi figura te rendesishme te historise Shqiptare te paraluftes se II-te

Artikujt me siper mund tju ndihmojne per tu futur sadopak ne ambientin e atehershem. Mos harroni jemi ne vitet 15-30 ..

My God...it was almost a century ago ...


PARATHENIE

Si një fryt t’atij shërbimi që dëshirova, por nuk munda me i ba atdheut e Kombit aq sa desha po e la këtë vepër, ku kam me provue se dibranët - në kundërshtim me sa flasin e mendojnë disa njerëz shpirt liq e me gjykim të cekët - i kanë shërbyer çështjes shqiptare prej kohesh tue bashkëpunuar me ata që i vunë themelet e indipendecës sonë. Dihet se gati gjashte-dhjetë e sa vjet me parë, Fuqitë e mëdha, sipas vendimeve të Traktatit të Berlinit patën pjestue token shqiptare ndër shtetet e Ballkanit. N’atë kohë në Dibër, piksëpari, u bënë bisedimet paraprake dhe u morën vendimet themelore të Lidhjes së Prizerenit; t’atij Kongresi të famshëm që i bëri Fuqitë e mëdha të mendohen dhe i shtrëngoi me i ndrrue vendimet e dhanuna me parë për coptimin e Shqipërisë të Rumelise, vetë Abdyl Frasheri i pat shkrue Iljaz Pashë Dibrës tue thanë se vendimet e marruna në Dibër u priten me gëzim e kënaqësi të madhe prej parisë së Jugut; porse Mustafa Pashe Vlora . delegatët e Prevezes, të Gjirokastrës dhe të viseve të tjera deklarojshin se nuk mund të shkojshin në Stamboll, po të mos shkonte edhe Iljas Pasha. Prandaj kërkonte që edhe ai të nisej me shkue në Stamboll. Edhe Sabri Rushiti prej Ohrit dhe Riza Bej Cermuzi prej Mati patën ba shërbime të mëdha n’atë Kongres si me fuqinë e pendës, ashtu edhe me atë të mendjes.
Prapë Dibra, mbas lakmive pushtuese të shfaquna prej shteteve të Ballkanit zu nje vend deri në historinë kombëtare tue mbledhë në gjirin e vet delegatët e Kongresit që u hap me 22 Korrik 1910, ku u perfaqësue gjithë Shqipnia tue përfshi mbrënda edhe vilajetin e Selanikut dhe ku u muerren vendime me rëndesi mbi të drejtat kombëtare si mësimit te gjuhës shqipe ndër shkolla e të tjera. Kur plasi Kryengritja në Kosovë me 22 qershor 1912 shumë intelektuale Dibran u tërhoqen nëpër male dhe disa muej me rradhë banë që të valvitej madhështor flamuri i kryengritjes. Aso kohe, në mes tone ndodheshin t’e arratisur nga ushtria turke edhe kapitenet shqiptar; Ismail Haki Libohova, Ismail Haki Peqini, Ismail Haki Korça dhe Ibrahim Jakova. Bashke me ne qenë Sadulla Strazimiri, Hafuz Sherif Langu, Shyqyri Bej, nipi i Ilajas Pashës, Eqerem Cami, Dan Cami, Shahin Cami, Dervish Latifi, Shehi i teqes Shaban Deda, Qamil Daci, Nurçe Xhuglini, Rifat Mizoja e të tjere nga qyteti i Dibrës së Madhe, Dine Beu dhe i vellai i Izet Bej Maqellares, Nazif Grezhdani, Abdulla Begu, Dalip Pajku, Sefedin Ilnica e të tjerë nga krahina e Maqellares.
Kur ishim ngujue ke Livadhi i Zogut në krahinën e Gollobordës na rrethuen tre batalione t’ardhur nga Mati, Manastiri e nga Dibra e Madhe. U ndoqëm rreptësisht dhe kaluem përmes shume rreziqeve. Ma vone, kur u bashkue me ne edhe Elez Jusufi nga katundi Dardhë i Dibrës, u përhap kryengritja në të tanë Dibrën dhe u pushtuem qytetin e Dibrës së madhe. Ndërkohe, me nënshkrim të Jakup Camit prej katundit Sofraçan e të Selman Kurtit prej katundit Buçevë iu telegrafue Hasan Prishtines në Shkup dhe u pyet mënyra e veprimit. Në përgjigjen që morën, këshilloheshim me u shpërnda mbasi të gjitha kërkesat kombtare ishin pranue me dekret mbretnor. E deri sa u muerr kjo përgjigje, nuk u shue flaka e kryengritjes.
Përveç nja dy a tre bejlerëve të Tiranës e Mustafa Asimit nga Kruja si në Gegeni ashtu edhe në Toskëri, asnjeri s’mori pjesë, sikundër duhej në këto kryengritje.

Përveç kësaj edhe mos pajtimi i parisë së Kosovës ndër mendime u ba shkak që të mos parashtrohet pika ma me rëndësi e kërkesave që ishte caktimi i kufijve politik e të Shqipënisë. Me qënë se mbas pak kohe plasi Lufta Ballkanike, horizonti i Shqipenise u mbulue me re të zeza e të frikëshme.

Le ta gjykojne të tjerët se deri në ç’shkallë ka pasë efekt shërbimi i dibranëve në çështjen kombëtare, por në këtë rast duhet ta kenë parasysh randësinë e vendit dhe natyrën e veçantë të tyne.

TIRANE 25 NANDUER 1931
ISMAIL STRAZIMIRI

Pushtimi i DIBRËS prej ushtrisë Serbe herën e parë dhe të dytën

Mënyra e pushtimit

Në luftën Ballkanike që u hap në mes të Turqisë e të shteteve aleate të Ballkanit, mbasi u pushtue Shkupi, Manastiri, Tetova, Gostivari, Perlepi, Kerçova, Ohri e Struga q’ishin kufitarë me Dibrën dhe mbasi disa qytetarë e katundarë Dibranë luftuen nja dhjetë ditë në grykën e [Radikës] me komitët e udhëheqësit Sërbe, gjithë ashtu mbasi Elez Jusufi nga Dardha e Dibrës, me nji fuqi që mundi me mbledhë, luftoi burrnisht e trimnisht në qafë të Kolosjanit të Lumës kundër Serbëve, të cileve u dha shumë të vdekun, si edhe mbasi prej as ndonji anë nuk priteshe asnjë dobi e shprese, me 27 Nanduer 1912 populli i Dibrës u shtrëngue t’i dorzohej ushtrisë së rregullshme të Serbisë me qenë se s’kishe mbetë ma tjetër rrugë shpëtimi dhe me kondita që të mos cënohej nderi, pasunija dhe jeta e njeriut.

Po në këtë ditë të kobshme Dibra zgjodh dhe çoi si përfaqësuesin e vet z. Myfti Vehbine për të marrë pjesë në Kongresin historik që do të shpallte indipendencën e Shqipnisë.

Mënyra e administrimit të qeverisë Serbe

Qeveria Serbe, herë mbas here, i bahej barrë popullit me taksa të randa dhe i binte në qafë tue i shkaktue ngjarje t’ ashtuquejtuna politike. Drejtimi politik i administratës serbe me këtë mënyre aprovohesh prej katër a pesë krenëve të Dibrës, të cilët ishin stërvitë me i sigurue interesat e tyne në dam t’ interesave të përgjithshme. Këta njerëz për fat të keq, kishin arri ta sakrifikojnë edhe shtefnin e vet për intersa personale.

Veç kësaj, gjithë jetën e kishin kalue tue ba mizorina e krime të ndryshme dhe mbasi s’kishin kurajo civile, me qëllim që të shpëtojnë nga bajonetat serbe, i bindeshin çdo urdhëri që epte qeveria serbe dhe sikur t’ishte ai në dëm e mjerim të gjithë popullit.

Si konsekuencë e kësaj administrate të keqe mund të rrëfehet levizja fatale e Malesisë së Dibres së Madhe, e cila përfundoj me mjerim të plotë të banorëve. Një patrollë serbe shkoi në katundin Mazhiç dhe pa asnje shkak ose arsye ligjore grabiti bagëtinë e Osman Çokut.
Ai natyrisht kundërshton dhe banorët e katundit i vinë në ndihme. Mbrenda pak kohe gjithë krahina alarmohet dhe i venë pushkën ushtrisë serbe. Në këtë mënyrë ngjarja muarr ngjyrën e një kryengritje serioze. Qeveria serbe menjeherë çoi fuqina të mëdha ushtarake kundër tyne dhe mbasi u banë lufta të rrepta e të përgjakshme në mes t’ushtrisë e t’popullit, u dogj gati krejt krahina, u vranë me qindra njerëz, u grabit pasunija dhe bagëtija, gjith’ ashtu u cenue nderi dhe u shue jeta e atyne rrezikzive, që s’mundën me ikë. Kuptohet vetvetiu se deri në këtë ditë populli i Dibres kaloi nje jetë sa për sy e faqe, të qetë, por të mërzitshme nga shkaku i robnisë së mënishme.

Si u afruan Dibranet me Esat Pashe Toptanin

Me qe qeveria dhe populli i Shkodrës, sa plasi lufta Ballkanike kërkojshin ndihmë, Jusuf Bej Hysen Agolli nga Dibra e Vogël dhe Elez Jusufi nga Dardha, mblodhën nja tremije Dibrane dhe u nisën për në Shkoder. Në një kohë kur batalioni i Elez Jusufit, n’udhëtim e sipër, ndodhej në Mat, ushtria serbe nga ana e Prizerenit po marshojshin drejt Lumës, punë të cilin e muarr vesh Elez Jusufi.

Elez Aga muerr me vete gjysmën e kësaj fuqije dhe u nis për nat’anë. Me qenë se Ali Bej Zajmi, rastësht pat ndodhë n’atë batalion e komandoj fuqinë e mbetun prej Elez Jusufit, vetvetiu u hap shtegu për me u afrue ke Esat Pasha. Esat Pasha tue dijte fare mirë se sa do t’i vlejshin Dibranët n ‘arritjen e qëllimeve të vet, i perkrahu dhe nderoi përmbi të gjithë sa kohë që ndejtën në Shkodër. Me këtë mënyrë i tërhoq nga vetja Dibranët. Këtu nuk due të rrëfej shërbimet qi ka ba Esat Pasha në Shkodër, as edhe nuk dua të flas për vrasjen tragjike të Hasan Riza Pashës, i cili duket me siguri se u ba viktimë e ambicjes së Esatit që donte me e marrë në dorë fuqinë. Por dua të çfaq dyshimin mbi nje çështje: Si u dorzue Shkodra. A me të vërtetë qe shtrëngue nga mungesa e mjeteve luftarake, e ushqimeve dhe ndihmave, apo u ba viktima e ambicjes personale t’ Esatit, mbasi Shkodra me gjithë sulmet e pareshtuna të Malaziasve sikur flitej në ato ditë, kishte ushqim e fuqi për me qëndrue edhe katër- pesë ditë, me qenë se edhe demostratat detare të fuqive të mëdha ishin në favor të saj. Përgjigjen e kësaj pyetje ja le t’a apin kompetentët.
Në këtë kaptine, ma fort se çdo gja tjetër, due të shpjegoj se si disa Dibranë u gabuen e u banë vegla e Esatit dhe me këtë mënyre, dua ti veçoj nga Dibranët e tjerë për mos randue faji mbi të gjithë. Mbasi e dorzoi Esat Pasha Shkodrën, ai duel me të gjithë ushtrinë e vet prej andej i percjellun prej princit të Malit të Zi dhe i nderuar deri në Lezhë prej ushtrisë Malaziase. Malsorët e Dibrës, të cilët përbajshin një pjesë t’ushtrisë s’Esatit u habitën nga kjo përcjellje e nga ky nderim i madh q’iu ba Esatit. Ato besuen se Esat Pasha me të vërtetet ishte njeri i mençëm, ushtar i mbaruem dhe besnik i atdheut. Kur erdhi Esat Pasha në Tiranë, i nderoi edhe ma tepër Dibranët, të cilët i grishte në gostina dhe me në fund i siguroj se do t’ua lironte Dibrën e pushtueme prej Serbëve…..
Batalionet e Turqisë që i kishte sjellë nga Shkodra në Tirane dhe që më vonë u largun mbas shtrëngimit të Austo Hungarise, nji kohe i mbajti me qëllim që ti përdorte për të përmbushë ambicjet e veta. Banda muzikore të kësaj ushtrie herë mbas here u bijshin pjesë të zgjedhuna, në pallat t’ Esatit, i cili me këtë mënyrë deshti t’i api të kuptojë popullit se vetëm ai ishte i meritueshëm për tu ba Princ i Shqiperisë. Ndërkohe ,që u ba lëvizja e Malësive së Dibrës së Madhe q’u përmend ma nalt. Me qenë se paria e malësisë të Dibrës kishin ardhë në Tiranë, Esati përfitoj nga rasa, i muarr besën, përpos Elez Jusufit, parësise së Dibrës se do ti ndihmonte në çdo rastë. Aso kohe, në Vlone ndodhej Myftiu i Përgjithshem z.Vehbiu. Në një letër që i pat çue Esat Pasha këtij, tërthorazi i jep të kuptoje se sa zotësi e fuqi ushtarake ka, se si komandant i ushtrive otomane që ishte, nuk mundë të ndahej nga fuqija. Esati, veç kësaj i kishte thanë Mustafa Krujës se Toskënia e Gegënia lypsej të punojnë veçmas. Këto mendime ia pat shprehe Mustafa Krujes, sjellësit të letrës për me ia thanë Myftiut gojarisht. Shkurt, Esati qysh aso kohe kishte nisë me u përgatit për t’u ba Princ i Shqipnisë.

Si u shkaktue kryengritja e Dibrës dhe perfundimet e kobshme të saj
Me 21 Shtator 1913 një katundari nga fisi Xhedik i Dardhës i quejtun Selahedin, tregëtari i katundit, një vllah, i ra nji shpullë, për këtë shkak katundari e vrau tregetarin. Kjo ngjarje ordinere që muer trajtën e një kryengritje u konsiderue si kryengritje prej qendrës së prefekturës Serbe, e cila burgosi tridhjet e gjashtë vetë nga paria e qytetit të Dibrës së Madhe, të cilëve u thoshte se do t’i vriste po të mos dilshin me e ndalue Isa Buletinin. Simbas mendimit të tyne, ai kishte marshue me një fuqi të madhe drejt qytetit. Në realitet s’kishte kurrgja që t’i tmerronte Serbët. Autori i kësaj vepre ato dite ndodhej në katundin Maqellare afër qytetit . U takue me Halil Kaloshin e Selman Aline, prinjsa të kryengritjes, të cilët i pyeti mbi kryengritjen e fillueme. Përgjigja e tyne qe helmatuese, sepse ata, të mërzitun nga përdhunimet e administratës Serbe dhe t’inkurajuem nga premtimi i përkrahjes me fuqi te Esat Toptanit, në një raste të tillë, i kishin kundërshtue armikut. Kjo ishte nji katastrofë për gjithë Dibrën, sepse këta burra trima por injorant o naive, të mbështetun në premtimet gënjeshtare t’Esatit kishin dashtë t’ja kthejnë vendit lirinë e grabitun, por mjerisht e plandosën në humnerën e tmershme ku veproi çnjerëzimi, padrejtësija, paburrnija a mjerimi dhe vdekja. Ushtria Serbë po prapsej rregullisht. Malësorët që s’ishin ma shumë se dyqind vete tue luftue heroikisht me ushtrinë serbe po sulmojshin dhe po pushtonin qytetin e Dibrës së Madhe.

Ndërkohe, serbët vunë në plumb tridhjet e gjashte vetët që kishin burgosë. Ndërkohe, u vranë Sheh Hysen Kuci, Sadulla Strazimiri, Ramiz Bej Allabegija, Safet Bej Kodra dhe Cane Liman Hasani. Sa u lirue qyteti prej ushtrive serbe, u formue nje komision për adminisrimin e vendit. Një pjesë e malësorëve bashkë me qytetarët e ndoqën ushtrin serbe qi po ikte e shkatrrueme dhe e mundur plotësisht drejt grykës së Radikës. Shtatëmbedhjet topa, disa mitraloza e një sasi e madhe municioni mbet në duart të shqiptarëve prej ish fuqive zotnuese të këtij vendi. Fuqit popullore apo kombëtare patën përparue nga ana e Shkupit deri ke hanet e Zdunjes afër Gostivarit, nga ana e Manastirit deri ke mali i Petrinës që ashte ndërmjet Ohrit e Resnes dhe nga ana e Kerçoves deri në malet e James.

Komisioni i formuar për administrimin e vendit me nje anë çonte ndër ballina ushqim e forca ndihmëse dhe mbanë tjetër hynte në korespondencë me qeverin e përkohshme të Shqipnis në Vlore, prej së cilës kërkonte ndihme. Por për fat të keq prej kërkundi nuk mirte ndihmë, vetëm njani nga kryetarët e Komitetit Maqedonas i quejtun Miladon, q’aso kohe kishte ndodhë n’Elbasan arrin në Dibër dhe u dha kushtrimin, Maqedonasit të Qarkut. Por si mbas zakonit tradicional malësorët u vunë në plaçkitje, qytetarët duke mendue përfundimin e kobshëm të kësaj aventure të rrezikshme zunë me i ngritë familjet dhe nuk po shkojshin ma në ballë të luftës. Selman Alia nga Qidhna që thoshte se Serbin do ta dëbojme deri në Beligrad u shkëput nga balli i luftes tue thanë se do të shkonte me mbledhë fuqina të reja dhe i vellai i tij Fejzi Alij po kthehesh në shtëpi me një tufë bagëti q’i kishte rrëmbye andej.

Aso kohe pat ardhë nga Tirana në Dibër Ali Bej Zajmi. Ky tha se në qoftë se Komisioni i formuar në Dibër, i shkuen Esat Pashës, ai ka për t’arri me ndihmë me fuqi të madhe. Shtonte se edhe Esat Pasha e kishte njoftue popullin me anë të kacnecëve që të rrinte gati për me shkue në ndihmë të Dibrës e të mblidhesh me një herë, po sa të ndëgjoj krizmën e topit që do të zbrazej në rasë nevoje. Mbasandaj qe marrë vesh se Esati këtë fuqi në vënd që ta niste në ndihmë të Dibrës e çoi nga ana e Lushnjes me qëllim që të rrëzonte qeverinë e përkoshme t’Ismail Qemalit. Ali Beu mund e kishte dijeni mbi lidhjen pansllave të bërë në Shkodër ndërmjet Esatit e shteteve fqinj. Mënyra e lidhjes meriton të thellohet; përsa kemi ndegjue lidhja ishte kjo: ‘Serbët merrshin krejt Prefekturën e Dibrës dhe ngjiteshin deri në Qaf - Bullë e Qafe Murrë, Shkodra i lëshohej Malit të Zi, Kthella e Mirditës deri n’uje të Malit do të përbajshin një farë principate, e cila do të sundohej prej Preng Bib Dod Pashës, Shqiperia e Jugut coptohej në pjesë të vogla kantonesh dhe të gjitha këto do të lidheshin me Shqipnin e mesme, e cila do të ishte si kryeprincipate dhe Esat Pasha Princ.
Ali Bej Zajmi fliste pa pra për patriotizmin e pashoqe t’Esat Toptanit dhe perpiqesh me i tërheqë e zemrat e Dibranëve kah Esat Pasha.
Suksesin e parë e siguroi me këtë mënyrë: Mbas insistimit të tij iu shkrue letra Esatit. Kjo iu dërgue me anë të Hafuz Hysni Kerliut, i cili u ngarkue që të sjellë edhe municion nga Tirana. Me gjithe që në Tiranë ndodhej një sasi e madhe armësh dhe shumë municion, kuajt e dërguem u kthyen zbrazët, sepse Pasha kishte qenë i okupuar me ekspeditën që bante në drejtim të Lushnjes kundër qeverisë së përkohshme të Vlonës.Veç kësaj, Pasha shkaktoj edhe vonesën e nisjes pë në Dibër t’Ahmet Bej Zogut i cili ma në fund arrini në ndihmë me një fuqi.

Serbët suallën fuqina të mëdha ushtarake për me e shtypë kryengritjen e Dibrës. Fuqit tona kombëtare nga ana e Gostivarit u thyen. Po sa u muer vesh ky lajm, komisini kombëtar ngarkoi Ali Bej Zajmin, Kurt Hoxhën nga Muhrri dhe autorin e kësaj vepre me shkue në ballët e luftës por me i rregullue fuqit dhe me rifillue nga veprimet luftarake. Na, mbas disa përpjekjeve te vogla që bamë në disa vise, u kthyem prap dhe erdhëm në mal mbi qytet të Dibrës.
Nata e fundme e katastrofës qe me 1. Gusht 1913. Ishim rreth qytetit dhe në brigjet e katundit Radiçiçë. Atë natë Ahmet Bej Zogu na kishte ardhë në ndihmë me nja njiqindë e pesëdhjet Matjane. Këtë fuqi e vendosi ndër pozicione për qëndresë. Qytetarët atë natë po emigroshin dhe me lot ndër sy e me helm në zemër, po i thojshin lamtumirë prehjes, pasunisë dhe vendlindjes që po lejshin mrapa.
Serbët po i diqshin katundet që pushtojshin. Tymi dhe flaka ngjitej deri në qiell. Ma në fund dogjën Shadrinjen dhe Kosovrasin.
Të nesërmen, kosovrasasit, për herë të fundme, i vunë pushkën ushtrisë Serbe që po djergesh nëpër grykë të Radikës, por pa dobi. Ahmet Beu i dha urdhen fuqisë që të prapsej, sepse qyteti ishte zbrazë, municionet , ushqimet dhe ndima mungojshin.

Aso kohe Elez Jusufi ndodhej në Shkoder. Mbas lajmit që merr prej Vlores me nje herë u nis dhe erth në Diber me nji shpejti të madhe. Ky mblodhi nja pes a gjashtëqind vetë prej Kalisi, Dardhë e Reçi dhe vrapoj e shkoi deri te malet e Mavrovës, por ishte tepër vonë mbasi ushtrit serbe ishin djergë poshtë dhe populli ishte arratisë. Shpedita e Elez Jusufit nuk i vlejti çështjes, por u zbraps si të tjerat Ushtrit Serbe therën e masakruen në Gostivar nja pesëdhjete e gjashtë Dibrane ndër të cilët Riza Elmas Hiskun, Idris Etehem Prapanikun e Muharrem Bajram Prapanikun që u ndodhën aty për pune private.Gjithashtu ushtria serbe që vinte nga Manastiri kundër Dibres së robnueme mbyti në Resne tue i varrue për së gjalli këto Dibrane që ndeshi në Manastire; Sherif Ibrahim Dacin, Murat Jahja Dacin, Shyqri Qapen, Fuat Hajredin Hoxhe Imeri ,Rakip Pitarken dhe Vehbi Ali Fishekun.Veç këtyne fuqit Serbe vranë në rrugë ndëmjet Ohrit e Strugës edhe Hamit Hajredin Haxhi Ymerin, Uko Prapanikun, Mustafa Prapanikun dhe Behxhet Hoxhmedin Prapanikun, të cilët i mbyti tue i lidhë për fyti me tela telefoni dhe i gropuen në nje grumbull plehni.
Shaqir Bej Jegeni q’aso kohe pat qellue në Manastir qe arrestue prej autoriteteve Serbe dhe qe nise për në Diber nën nje roje të forte. Mbas nje udhëtimi të gjatë dhe kur arrin afër Trebenishtes së Strugës ia prenë kryet me bajonetë dhe e hudhën në nje greminë.
Të gjithë këto viktima qenë nga qyteti i Dibres së Madhe dhe shumë ma para se të plaste kryengritja patën shkue në viset e përmendura për tregëti e pune private. Shumica e këtyne martirve qenë djeme te rinj që s’e kishin kalue moshën njezet e pes vjeçare dhe të gjithë të pafajshëm, s’kishin asnjë dije as lidhje me kryengritjen e kobëshme.
Malësorët në luftë e sipër patën zenë rob nja treqind serbe, banorët e qytetit të Dibres së Madhe i mbajtën fare mire këta, e jo vetëm që i ushqyen e i sheruen ata që ishin te plagosun, por nuk banë as ndonji vepër që tua cënont shtefnin personale ose sedrën kombëtare. Për këtë arsye ata qenë ma se mire njoftës prej këti honsiptaliteti, punë të cilën e çfaqën, kur u kthyen ushtrit serbe dhe e ripushtuan Dibrën.
Gati të gjithe banorët e qyteti sikurse të krahinave që përfshin Dibra qenë arratisë e emigrue. As nje e njezeta e qytetarëve s’kishte mbetë në Diber dhe këta perbajshin nje turmë pleqsh, të shumtët të gjymtuem e të sëmurë. Megjithë këtë që të gjithë kishin dale para ushtrisë serbe që po futesh në qytet, ngadhnjyese. Por bashkë me keta fatzinj kishin dalë përpara edhe treqind e disa serbe të robnuem prej malësoreve që ishin hospitalizue fare mire prej qytetarëve. Këta serb që kishin një farë detyrimi moral kundrejt Dibraneve, i u lutën komandantit serb që të mos cënohesh qytetarëve e drejta e jetës dhe e pasunisë mbasi ata jetën e vet ua detyroshin këtyne. Lutjet e tyne s’ban as me të vogli efekt. Komandanti serb sa hyni në qytet vrau me plumb kryetarin e Bashkis Behxhet Xhemal Agollin, Kurtish Erebaren, Reshit Kusarin, Gani Reshit Bojaxhin, Selim Kodren, Nexhmedin Kodrën që kishin dale me i pritë në shenjë nderimi e bindjeje. Disa nga ata që kishin dale me pritë si Hysni Halil Qilafku, Reshit Pocesta, e shoqja e Tahir Trepces, Dudija, të gjallë u futën e u mbytën ndër puse.
Qyteti i Dibrës u plaçkit krejt mobilet e kushtueshme u çuan në Beligrad. Edhe Luma tue pandeh se kryengritja e Dibres ishte e përgatitun muer pjesë edhe i ndoq serbet deri në Zhur, afër Prizerenit, për këtë shkak edhe ata pësuan dëme të mbëdha; Edhe atje si në Diber u dogjën me mija shtëpi dhe u vranë me mija njerëz.
Qytetarët e Dibres së Madhe pësuan ma shumë dëme, sepse shumë zotnij s’qenë të zotët me i marrë të hollat nga kasat dhe shumë zonja s’mundën me i marrë stolit e kushtueshme që kishin ndër arka, për arsye se ikja u ba befas dhe tmerri i armikut të pamëshirshëm që ma i madh se sa vlefta e të hollave dhe gjanave të kushtueshme.

Koha e emigrimit

Gati krejt banorët e qytetit dhe një pjesë prej katundeve, siç thamë edhe ma nalte, u arratisën. Pjesa ma e madhe e emigranteve u refugjue në Tirane, tjetra n’Elbasan. Bashkia e Tiranes ashtu edhe ajo e Elbasanit zunë me dhanë buke për ushqim emigrantëve.
Emigrantëve që ndodheshin në Tirane Esat Pasha u nipte mjaft ushqime dhe me qellime djallëzore i gabonte tue i ngushllue. Kso dore “Mos u mërzitni ju se nuk ju la që të vuni, në mos ju mjaftoftë buka që ju nep bashkia, jam gati ti hap hambarët e mij, në të cilat kam njizetmije qase kallamoq. Unë pasunin do ta ha me ju, dhe Dibren, në mos me luftë me të holla kam me e lirue”.

Me gjithqë këto premtime djallëzore s’duhet ta mashtrojshin edhe ato ma të humbunit prej Dibraneve, për fat te keq, një pjesë e dorës të dytë të parësisë dhe e qytetarëve të Dibrës i besoi dhe nisën me i urue jet e fat Pashës shpirt zi. Aso kohe, autori i kësaj vepre fati e pat hedh në Elbasan si emigrant. Komisioni i formuem në Bashki, për ushqimin e emigrantëve me dy tre të tjerë e pat thirrë një herë dhe e pat pyete se cilët Dibrane ishin ma nevojtarë per ushqim dhe cilet ishin ne gjendje te mire e s’kishin nevoje për ndihmën e Bashkise.
Emigrimi i Dibraneve, u tha, u ba befas. Edhe unë që me kujtoni për të pasun, jam nevojtar. Tetëmbëdhjet para buke për fryme u epni në dite. Nuk duhet t’ia kurseni ati që ta zgjat dorën. Qeveria duhet ta ketë parasysh, edhe pikpamjen politike me ndihmën që i ban emigrantëve.
Në këtë mënyrë qe mundue me i dhane të kuptojnë që të pengojnë prerjen e Dibranëve kah Esati, por qe e pa mundur me u marrë vesh. Mbas disa kohe u ndalue ndihma. Per këtë shkak shumica e emigranteve që ndodhej në Elbasan shkuen në Tiranë. Edhe kjo ngjarje i ndihmoi Esatit për realizimin e qëllimeve të tij.

Mbas shpalljes së qeverise së përkohshme të Shqipnisë së mesme prej Esat Pashes,Esat Pasha e kishte shpallë qeverinë e përkohëshme të Shqiprisë së mesme dhe vet ishte bamë kryetar i saj. Mbasi u lirue prej serbeve luftimi i 1913-tes nga ana e Dibres, punë e cila u ba mbas presionit t’Europes me 23 Tetor1914, une shkova në Diber të Vogel si nën prefekt i emnuem prej Aqif Pashes, Prefekt i Elbasanit.

Aso kohe, pat ardhë nga Vlona në Durres Myftiu i përgjithshëm z. Vehbiu për me përshëndetë komisionin që do të caktonte kufit e Shqipnisë dhe pat qindrue aty. Esati, Myftiut të përgjithshëm, z. Vehbi, përveç kësaj pune i dha edhe një nder tjetër tue e bamë senator. Me këtë mënyrë e mbajti në Durrës. Gjithashtu bani senator edhe Sefedin Pustinen dhe të nipin e Ali Bej Zajmit, Faik Beun e bani sekretarin e Senatit.

Të gjitha këta Esati i bënte me qëllim qe ti fitonte Dibranët për vehte, të cilave prej kohesh u kishte dhanë rëndësi të madhe. Po me këtë qëllim çoi në e rrethet e Dibres Hafiz Hysni Kerliun, Eqerem Camin e disa të tjere tue propagandue në favor t’ Esatit, për të cilin thoshin se asht fetar, atdhetar, mbrojtës i fes dhe i popullit. Besnikerit e tij kundrejt fesë e Atdheut, thojshin ata. Esati e provoi me shërbimin që i bani në Shkodër në kohë të luftës, kurse për ata që e perbajshin qeverin e Vlonës flitshin liksht dhe i bajshin të pa fe. Që ta përforcojshin propagandën e vet tregojshin si shembull largimin e Myftiut të Përgjithshëm z. Vehbi nga Vlona dhe bashkëpunimin e tij me Esatin mbasi ata të Vlonës ishin të pafe.
Veç kësaj, qenë dërgue njerëz ndër katunde të Dibrës të cilëve u qe propozuar që të shkruejshin aq gjandarë sa të dojshin dhe të niseshin për në Tirane. Me këtë mënyrë Esati e turbulloi opinionin publik t’atij vendi dhe futi farën e urrejtjes kundër qeverisë së Vlonës.
Tue pamë këtë gjendje kaq të trazeme se nuk do te mundesha ta kryej, me ndërgjegje, detyrën e nënprefektit që m’ishte ngarkue u ktheva në Elbasan dhe i raportova gjendjen Aqif Pashës të cilit i thashe: Ju tue kujtue se jeni në rregull e në rrugë të drejtë, vazhdoni të jeni të plogët, Esadi e din se s’ka të drejtë, por punon me energji të çuditshme dhe tue i përdorë të gjithë mjetet e tij djallëzore. Ai po derdh shuma të mëdha në Diber, kurse ju me thoni se do të çoni ma vone nja pesëdhjet napolona që të rregjistroj nja tridhjet- dyzet gjindarë, prandaj mue me falni se s’munde ta kryej detyrën e nen prefektit të Dibres.

Ndërkohe Ali Bej Zajmi shkon në Diber. E mbledh parësin e malësisë dhe u thotë që duhet te bashkohen e të kërkojnë nje Princ me fest e kuq, por n‘ atë dite arrin nga Tirana besniku i Esadit Man Kruja dhe mbasi muer pjesë në mbledhje i thotë parësis që të mos i varnin veshin fjaleve t’Ali Beut, Ali Beu i turpnue ndahet prej parësis tue u thane se kanë me u vertetue fjalët e tija, mbas pak kohe.
Ali Beu qe çue në Dibër prej Esadit me këtë detyrë. Përgënjeshtrimi i fjalëve të tij, me këtë mënyrë prej të dërguemit të dytë të tij, dha të kuptohet se ai aso kohe s’gjet të përshtatshteme gjendjen politike për të dalë në shesh si kanditat për Princ dhe kështu u pendue ose desh të mos i zbulojë krejtësisht gjurmat e vete. Sidoqoftë në këtë kohë kësillioj u mbjell në Diber mendimi për me emerue nje princ me fest e kuq d.m.th. musliman.

Mbas kësaj ngjarje Esadi çoj në Diber një komision të perbam prej këtyre zotrijve: Jusuf Bej Hysen Agollin, Xhelal Bej Mati, Ali Bej Zaimi dhe Sefedin Pustinen. Këta qenë ngarkue me detyrë që ta çojshin popullin e Dibrës e Lumës kundër Ismail Qemalit ose ma mirë me thanë kundër qeverisë së Vlonës dhe për këtë qellim patën marrë me vehte njimije e pesëqind lira turke. Xhelal Beu e Sefedin Pustina u rrasën në krahinën e Gollobordes. Këta të fundit në Gollobordë nisën me ba një organizim dhe përdhunisht u përpoqën me e kthye popullin kah Esadi, që t’ja mërrishin këti qëllimi emnuen krahinor nje kriminel të famshëm të Sebishtes dhe bani oficera shokët e tij gjaksore. N’anën tjetër Jusuf Beu e Ali Beu nën preteksin se do ta lirojshin Dibren prej Serbëve u futën në qytetin e Dibrës së Madhe në Jugosllavi dhe qysh aso kohe hynë në relasione miqësore me Serbët.
Gjithashtu aso kohe me nxitjen e ketyne u ngrit nje fuqi malesorësh nga Dibra për me sulmue Elbasanin. Kjo fuqi shkoi në Mat, por u kthye prap me që s’u pa nevoja. Po n’ ato ditë Dervish Bej Elbasani dhe i vellai i tij Qamil Beu të zemerum prej Aqif Pashes për një tokë që kishte shkaktue një grindje të vjetër në mes të tyne ishin arratisë nga Elbasani dhe kishin dalë në Çermenike, ku bridhshin katund në katund tue propagandue në favor t’ Esadit e në disfavor të qeverisë së Vlonës. Në këtë mënyrë dy vëllezrit me nj’anë dojshin të shpagohen me Aqif Pashen dhe me m’anë tjetër t’ i shërbejnë Esadit.

Në Vlonë u ngrit kurani, i thojshin popullit injorant. Populli çohet me u falë ndër kisha. Drita e mylimanizmes po shkëlqen në Durrës. Esad Pasha e qiti ushtrin e vet nga Shkodra me armë në krah e dëboi Serbin nga këto vise dhe e nbardhi shqipen. Aq e forte e skaterriten popullin e ngratë me propagandat e tyne sa e banë të bante hallve për shpirt të të vdekurve dhe ti shpërndante ndër varre. Si këta ashtu edhe Qamil Fejza e të tjerë e tërbuan popullin dhe i banë të ngihen kundër qeverisë së Vlones. Bashkimi i banorve me popullin e rretheve tjera dhe marshimi i kësaj force drejt Elbasanit si dhe kercënimet e bamë nga ana e Krrabës qenë perfundimet e kësaj propagande, të cillen i dhanë shkak që t’epte dorheqjen Ismail Qemali dhe të tërhiqet me nj’anë.

Arif HIQMETI në DIBËR dhe veprimet e tij

Pata marrë vesh se nje i quejtun Arif Hiqmeti dy tre herë kishte dale nga Serbia dhe tue kalue përmes Matit kishte shkue në Tiranë e në Durrës.
Veç kësaj isha lajmue se ky njeri, morali i të cilit ishte fare i dobët qenka takue edhe me Ahmet Bej Zajmin e me Jusuf Bej Hysen Agollin në shtëpi t’ Ahmet Zogut në Mat dhe paska lidh besë me ta.
Ish fundi i Frrorit të vitit 1914. U nisa me shkue në Dibër të vogël. Në këtë rast u ndalova në Tirane dhe u takova me Myftiun e Prgjithshm z. Vehbiun, të cilit ia thashë të gjitha ato kisha marrë vesh për Arif Hiqmetin dhe se në Dibër po baheshin mbledhje kinse për të caktue qendrën e prefekturës. Ku çfaqa edhe dyshimin që kisha në qellimin e mirë që mund të ndiqesh në këtë punë dhe me anë të tij ia terhoqa vrejtjen prefektit të Durrësit Z.Mehdi Frasherit.
Z. Mehdi Frasheri në përgjigjen që i çoi Myftiut të përgjithshëm z Vehbi i thoshte se Ahmet Bej Zogu ashtë thirrur në Durrës, se çështja e Arif Hiqmetit s’ka ndonjë rendësi dhe për përcaktimin e qendrës së Prefekturës së Dibrës do të çohet nji komision i posaçëm, i cili ka për të marrë parasysh poziten gjeografike e politike të vendit në përcaktimin e qendrës. Mbas kësaj pergjigje, un u nisa dhe shkova në Diber.
Kur sosa në Dibër mora vesh se Arif Hiqmeti kishte zanë vend në shtëpi të Liman Lleshit në Reshan, një katund nji gjys ore lark kufiri te qytetit t’ Dibrës së Madhe dhe prej andej po e helmonte popullin tue ia ngacmue dejt e fanatizmit fetar dhe tue ia argtue prirjet revolucionare, kur i mora vesh këto shkova dhe u takova me Liman Lleshin. Ai me tha se Arif Hiqmeti, ishte nje atdhetar i flaktë, besnik dhe i dërguem prej fuqive të mëdha t’ Europës në Dibër, që të sigurojë sjelljen e nje Princi mysliman në Shqipni, gjithashtu tha se Ahmet Bej Zogu ishte kryetari i tyne dhe se rrogat, armët e municionet e gjindarmeve që regjistrohen, çohen prej tij.
S’kishte nevoje që të vijshin prej Ahmet Beut të hollat, armët e municioni, mbasi këto çoheshi nga Serbia. Më në fund me tha se Arif Hiqmeti premtonte të me bante Senator po të bashpunojsha me te.
Me qenë se atë ditë Arif Hiqmeti ndodhesh në qytet të Dibrës, nuk u takova me te, por me Limanin ramë dakort që të vijsha me bisedue me Arifin kur të kthente dhe po t’a desha une e ta fitojsha të drejtën ky do ta dëbonte nga shtëpija, por të me bindte ai mue të bashkëpunonjsha me ta dhe në rast se do të ishim në kundërshtim pikpamjesh do të shkojshim në Durres bashkë me Arifin dhe do të bashim arbitër komisionin e kontrollit që aso kohe ndodhesh atje. Kështu u ndamë.
Mbas katër a pesë dit shkova dhe u ndesha me Arif Hiqmetin, aty ndodhesh edhe kapiten Xhemali, ish komandant i Gjindarmarisë në Dibër në kohë të rregjimit turk. Ku njeri ishte i njoftë me parinë e Dibrës, i vërtetonte fjalët e Arif Hiqmetit sa herë që ai fliste. Ato ditë aty ndodheshin nja tridhetë dyzetë malsorë. Te rrijtë kishin qendrue në kembë para tij me duar në zemër dhe pleqt ishin perkule në shenje nderimi. Arif Hiqmeti po u fliste ketyne dhe po u thoshte: ‘ Princ Vidi asht austriak. Banon në një katund të Austris, ashtë emrue në Shqipni pa pelqimin e popullit. Po të dojë e të bashkohet populli, Europa ka vendosë me çue në Shqipni një Princ, në mos osmanlli, mysliman .
Une jam dërgue këtu prej fuqive të mëdha për të bashkpunue me popullin që të kërkojnë të drejtën e zgjedhjes së Princit. Në këtë çështje kanë gisht shumë njerëz të përmendur të Shqipnisë. Qellimet do të arrihet vetëm kur të tregohet ekzistenca e jona këtu.
Me fjalë të tilla, Arif Hiqmeti po ua gicilonte dejte e zemrës dhe po ua nxente nervat kryengritëse këtyre injorantëve, të cilët kishin mbetë si të mahnitur.

Princ Wiedi asht gjerman u thashë, asht nga qyteti Pedestan dhe zbret prej familjes imperiale. Na s’mundem me mbajtë sundimin otoman, veç kësaj kurrë s’mundemi me tregue ekzistecën tonë kombëtare. E kaluem kohën me marrëzina. Edhe unë do të deshirojsha që të jemi nen protektoratin e osmanllinjve e të kemi nje Princ mysliman. Por e drejta e popullit tonë për të zgjedhë vete nje princ i asht marrë prej Europës, mbasi na u pushtuem prej të tjerëve. Me gjithë këtë populli shqiptar e ka dhënë pëlqimin e vet për Princ Wiedin.
Shqipnia nuk mund të konsiderohet si nji vend që ka fitue indipendencen tue e tregue eksistencën e vet dhe tue derdhe gjak ashtu si shumë kombe të tjerë. Shteti i ri i Shqipnis ashtë shqiptar e jo mysliman. Prandaj, s’ashte mirë që të shkaktohen trazime e turbullime për të sjellë nje princ mysliman.

Masandaj shtova se për ta ndriçue të vërteten mund të shkojshim me pyete në Durrës. Unë e dij të vërteten m’u përgjigj Arifi dhe s’kam nevoje që të shkoj në Durrës. Mbas kësaj përgjigje i thash atyne që ndodheshin aty: ‘Arifi i ditka të gjitha, prandaj s’paska nevojë me shkue në Durrës, unë mund të mos i dij punët si ai, por ma mirë se ju i di. Kuptohet vet vetiu pra se vetëm ju nuk i dini punët. Tash po të doni besoni Arifin e veproni verbërisht, ose simbas marrëveshjes që kemi pasë të shkojmë në Durrës për me e marrë vesht të vertetën dhe mënyrën e veprimit që duhet m’u ndjekë.

Na i kemi besue Arifit thanë. Kjo përgjigje me dha të kuptoj se mori fund bisedimi. Megjithë këtë u thash se veprimi i tyne do të kishte perfundime të kobshme për Atdheun, mund të provokonte një invazion dhe për të gjithë këto kobe të pafalshme ato ishin dhe do t’ishin përgjegjës.
Por ata ishin verbue e shurdhue dhe zemrat e tyne ishin helmue.
Në këtë mbledhje ndodhesh prezent edhe Selman Ballia prej Çermenikës t’Elbasanit. Qenija e tij aty me dha të kuptoj se propaganda e dëmshme dhe influenca e Arif Hiqmetit i kishte zgjanue kufijtë e vet e deri në Çermenikë, si e tillë, natyrisht me kohë do të merte një ngjyrë politik me rendësi. Prandaj menjihere i shkrova nje leter Z.Sadik Germenit, i emnue nen prefekt në Dibër të vogël, dhe i parashtrova çështjen; gjithashtu shkova dhe vete në Peshkopi dhe në një mbledhje të Këshillit administrativ bana një ekspoze të situatës të ndëlikueme dhe ua tërhoqa vrejtjen, por më thanë se çashtja s’ka randësi dhe me gjith ata i paskan shkrue Prefekturës së Durrësit.
Me gjithë këte unë i shkrova edhe Myftiut të Përgjithëm Z.Vehbi q’aso kohe ndodhesh në Durres dhe përsëri ia shpjegova rëndësine e punës.

Mbas ardhjes së Princ Wiedit në Durrës

Princ Wiedi kishte ardhë në Durrës. Ministri i Posttelegrave Hasan Prishtina i kishte çue një letër Elez Jusufit, për të ba nji organizim komitash.Për ta marr programin e këtij organizimi e për t’u marr vesh me Hasan Prishtinën, pata shkue në Durrës, aty kah fillimi i Marsit të vitit 1915. Me qenë se ato ditë ishte emnue Jusuf Bej Dibra Prefekt i Dibrës, Hasan Beu s’më dha rëndësi. Jusuf Beu mue me kishte emnue drejtor të korespondencës së prefekturës se Dibrës. Unë here mbas here ia kujtojsha Jusuf, Beut çështjen e Arif Hiqmetit tui i thanë se po pergatiteshe një kryengritje. Një dite në prani të drejtorit të financës se Dibrës, Hysen Beut dhe sekretari dytë i kryeministrit Faik Beu e hapa rishtas çështjen e Arif Hiqmetit, por ata m‘u përgjigjen me mos përfillje, tue thanë se çështja s’kishte ndonjë rëndësi dhe se kot behem merak.

Me 26 Prill 1915 u nisëm për në Peshkopi unë, prefekti, Jusuf Beu, drejtori i financës Hysen Beu dhe komandanti i gjindarmarisë Ali Beu.
Ndërkohe kish shkue në Maqellarë nen prefekti i Lumës dhe ay i Dibrës së Vogël me disa nga parësia dhe me nja njëmijë vetë me qellim që të përballojnë e ta shtypin levizjen e Arif Hiqmetit, e cila tash kishte pas marrë një ngyrë serioze dhe të rrezikshme. Disa here i ishin drejtue Durrësit dhe kishin kërkue armë e municion për të nisë nga operacini.. Por me qenë se s’kishin marrë pergjigje e as municion ishin shpërndarë tue besue se në këtë çështje luente rol Esat Pasha.
Fuqia e Arif Hiqmetit u ndihmue prej qeverisë serbe me municion, me ushqime, bomba e ushtarë të mveshur me petka shqiptare mandej marshon drejt Peshkopise dhe arrin mbas disa perpjekjeve të bame, një orë afër saj.

Nen prefekti Z.Sadiku që më parë s’kishte dhanë fare as me të voglën rëndësi çështjes se Arif Hiqmetit tash ishte bamë gati me u arratisë.
Sa sosëm mblodhëm nje fuqi prej popullit dhe bashkë me fuqin e gjindarmarisë i çuam para rebelave. Me këtë rastë e njoftuen Ministrin e Mbrendshëm Esat Pashen mbi ngjarjen duke theksue randësinë e saj dhe i kerkuem që të na dergonte sa me parë nje sasi municioni. Esati atë ditë kishte pasë ardhë në Tirane. Na u përgjegj tue na porosite që të çojshim kafshë në Tiranë për të marrë municion dhe këtë përgjigje e dërgoi me besnikun e vet, Man Krujën, i cili mbasi u takue tinës me Jusuf Beun u kthye pa u vonue fare qysh atë ditë. Me qenë se plasi kryengritja e rebeleve në Tiranë, kafshët që çuem per të marrë municionin u kthen të zbrazët dhe na mbetem në nje pozite kritike. Në Diber kryengritja dita dites po përhapesh e po merrte proporcione të rrezikshme, mbasi Arif Hiqmeti po shpërndante shume të holla.
Edhe Elez Jusufi te cilit ja maste mire fuqinë i propozonte me mija napolona, por ai në vend të napolonave i kërkonte fishekë e armë me qëllim që të sulmonte e ta shtypte gjarpërin e helmues. Me dekret mbretnuer qe urdhnue Prefektura e Dibres që t’organizohesh nje batalion gjoja për të shtypë kryengritja e Beratit, kjo qe me nje qëllim të mshefët t’Esat Toptanit, d.m.th. me rasë nevojës por me e perdorue kundër Princ Wiedit. Na këtë fuqi, mbasi e forcuem e përdorëm për me e përballue fuqin e Arif Hiqmetit. Ashte e vërtet se nuk mundem me e shtypë,por të paktën nuk e lamë që të perparonte.
Jusuf Beu përpiqej të shuante zjarrim e kryengritjes, kurse Ali Beu tinzisht mundohej me e frye.
Mbasi u debue Esat Pasha prej Durresit,Osman Bali ,me cilesinë e komandantit të fuqisë kombëtare në Tirane u dërgoi nga një letër Jusuf Beut e Dine Hoxhes.Me këtë letër Osmani,tue bamë fjalë për besnikun e afrimit që kishte me Esatin kërkonte ndihme prej tyne. Veçanarisht Jusuf Beut i lutesh që të shkonte në Tirane për me marrë në dorë frenin e qeverisë dhe komandën e fuqive të mbledhuna aty.
Selim Lika Halil Kaloshi,Ali Tahiri,Kurt Hoxha,Sheh Sehit Brezhdani, Reshit Sejfullahu,Sheh Hasani nga Tomini e disa të tjerë nga paria e Dibres dojshin ta ndrrojne sjelljen apo situaten e tyne në favort’ Esatit por s’guxuen me që Jusuf Beu ishte besnik i qeverisë dhe Elez Jusufi qendronte serioz.
Fuqia rebele e Arif Hiqmetit, herë mbas here, bante përpjekje me fuqitë tona.
Nga ky shkak u pakësuen dhe gati u mbaruan municionet tona. Si nga ky shkak nga edhe nga droja se mos ndërhynte qeveria serbe me fuqi ushtarake, kinse me qetësue vendin, qemë hutue mjaft.
Në dikasterin e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme kishte ardhë Aqif Pasha.
Me këtë cilësi prej Elbasanit i çonte nje urdhër Jusuf Beut tue ba fjale mbi fisin që kishim në mes e i thosh që të perpiqej edhe ma forte me e shue zjarrmin e kryengritjes në Diber. Gjithashtu e njoftonte se do t’i çonte, mbasi të shkonte në Durrës, edhe nje rregullore veprimi, e cila s’muer kurrë.
Fuqia e Arif Hiqmetit ishte prej ma se njimije vetesh dhe komandohesh prej këtyre kryetarëve; Liman Lleshi, Halil Lleshi, prej Zogjaj, katund i Dibres, Taf Kaziut prej katundit Selisht të Matit, Beqir Shiti prej Gjurasi, Sinan Krosi prej Bllace të Dibres së Madhe, Rahman Lika, Daut Mera e Mane Mera dhe Sadik Mura nga Lusnija e Dibres së Vogel, Mexhit Toqi, Shahin Xhafa nga Kovashica, Destan Uka nga Sullukiqi, katunde te Dibres se Madhe, Haziz Kaca nga Dardha dhe Hasan Shabani nga Reçi i Dibres se Vogel.
Arifi, si thashe dhe ma naltë, derthte para të mëdha dhe me këtë mënyrë e shtonte influencën e vet. Imameve t’atyne katundeve që kishte pushtue i paguente nga 3 napolona dhe muzinëve nga nje napolon rrogë në muaj.Taktikë kjo që e bante me fitue për vetëhe turmat injorante të popullit.
Një ditë Jusuf Beu, merr urdhën prej Kryeministrit Turhan Pashës që ta merrte me vehte municionin që kishte e të nisesh për në Mat. Bashkë me Jusuf Beun shkuem në Mat.
Aty na erdh letra me instruksionet e Kryeministrit. S’kishte as datë as nenshkrim. Përbahesh prej katër a pes nenesh. Simbas këtyne intruksioneve porositeshim që të bashkoheshim me Ahmet Beun dhe të niseshim për në Qafë Murrizë, nji mal ndërmjet Tiranës e Matit, prej ku të hyjshim në marreveshje me rrebelët për ato kërkesa që mundë të pranoheshin. Shtonte tue thanë edhe se n’asht se kjo korespondencë asht marrë vesht nga kryengritësit, ateher të pushtoheshin majat dominuese të Krues dhe të priteshin deri në nje urdhen të dytë.
Në një letër që i çonte Ahmet Beu, Jusuf Beu porositesh që të merrte me vehte nji fuqi prej pes a gjashtëqindë vetësh. Mirpo batolioni i milicisë q’ishte afër njëmije vetësh ishte lanë përballë rebeleve të Arif Hiqmetit, po të merresh kjo fuqi, do t’i nepesh shkak që të përhapeshin rebelët në të tanë qarkun e Dibres dhe atehere Arif Hiqmeti do të përmblidhte, nje fuqi aq të tmerëshme sa as populli i Matit as trimat e Shqipnisë së Mesme nuk do të mundeshin me qëndrue. Me gjithë që Jusuf Beu nuk e dinte këtë të vërtete t’ idhet, nuk kishte marrë me vehte nje fuqi sa duhej dhe i kishte porosite e lutë paresinë e Dibres që ta mbajshin statu-quo-në deri sa të kthehesh ai nga Mati, ku thoshte se s’kishte me ndejtë ma tepër se dy ditë. Gjithashtu me këtë qëllim bani nji armë pushim për katër pes ditë me rebelet. Jusuf Beu nuk i dha dhe aq rëndësi instruksioneve të kryeministrit por tue e dijtë se një pjesë të madhe të rebelevet’Arif Hiqmetit e përbajshin matjanët, mendonte që të kthehesh në Diber bashkë me Ahmet Beun dhe mbasi ta shypeshin krengritjen të niseshin për në Tirane me një fuqi të madhe të perbame prej dibranesh e matjanesh dhe t’arrihesh qellimi sa me mire dhe ma shpejt.
Por Ahmet Beu pretendonte se nuk pritte koha me bamë nje operacion në Dibër dhe mandej me marrshue mbi Tirane. Veç kësaj thoshte se e kishte lajmue popullin e Matit që të mblidheshin të nesërmen për t’u nisë drejt Tiranës, prandaj ishte antar për t’nisë me njëherë. Pikpamja e Jusuf Beut, në realitet ishte ma e drejtë dhe me vend. Mbas nesërmen, Ahmet Beu me nje fuqi matjanësh u nis në drejtim të Tiranës për Qafë Murriz dhe Jusuf Beu e Xhelal Beu u nisën për në Durrës në drejtim të Mirditës e të Lezhës.

Ç’pamë në DURRËS
Pozita e Jusuf Beut qe shumë e vështirë, sepse jo vetem nuk kishte çue municion prej Durrësit, por edhe gjindarët kishin për të marrë nga tri e katër rroga, mos pagimi i të cilave do t’i pezmantonte ata. Prandaj vendosi për me shkue në Durrës për ta ekspozue verbalisht situatën në Dibrës.
Në ditët e para të Qershorit 1914 sosëm në Durrës, Kryeministri Turhan Pasha i terhoqi vrejtjen Jusuf Beut, pse kishte ardhë në Durrës pa leje.
Pashaj i Turqisë së vjetër edhe në ato kohe kritike kërkonte të respektonte rregullat…. Mbas nje bisede që u zhvillue në mes të Jusuf Beut me Aqif Pashën e me organizatorin e gjandarmaris Kolonel Tomsonin u vendos të paguen rrogat e gjandarmëve të Dibrës, t’i nepen Jusuf Beut nja dyqind arka me municion dhe një top që ndodhesh n’ Elbasan të çoheshin në Diber. Këto masa qenë fare të arsyeshme se Arif Hiqmeti propagandonte tue thanë se nuk e lejonte Europa qeverinë e Durrësit që t’çojë në Diber municion e t’ua paguajë gjindarmëve rrogat. Po të pagueshin rrogat e po të çohesh në Diber municion do të përgënjeshtrohej propaganda e Arif Hiqmetit dhe me këtë mënyrë do të shtohej prestigji dhe fuqia e qeverisë. Në një rasë të tillë, do të ishte me e lehte me mbledhë në Diber nje fuqi të madhe dhe tue kalue nëpërmes t’ Elbasanit të zihej vend në Qaf Krrabë, prej ku të kërcënohesh Tiranës së rebelueme. Ndoshta nuk do t’ ishte e mundun që të shtypeshe plotësisht kryengritja, por të paktën mund të shtrëngoheshin rebelët për me u marrë vesh me qeverinë. Por mjerisht ndryshoi puna dhe vendimi nuk u zbatue për këto shkaqe:
Atë ditë e mesyn Durresin rebelët dhe ra dëshmor i vlefshmi e i çmueshmi Kolonel Tomsoni, gja e cila paralizoj punën.Veç kësaj, të nesërmen Mark Kapidani me qëllim që ti shtypë rebelët u nis drejt Rrashbullit me nja njëmije e pesqind mirditas dhe nja treqind kosovare. Kjo fuqi e nisun prej Durresit me aq madhështi, ndeshi në pritat e rebeleve që kishin zanë vend në Shkozet ndërmjet urës së Dajlanit e Rashbullit dhe u mund e u dërmue aqë keq sa nuk gjendet fjalë për me e theksue plotësisht. Përpos kosovarëve që e mbajtën vehten, të tjerët u tmeruan prej rebelëve të Shqipnis së mesme dhe ikën të shkatrruem fare keq, me një mënyrë të turpëshme. I mbrapni e shkelte të parin dhe nuk vërente veçse t’a shpetoj vehten. Ishin zhytë nëpër moçalet dhe ishin ndragë kambë e krye me baltë. Populli i Durresit me gjithë që i pezmatuem nga disfata e fuqisë qeveritare, kur pa Mirditasit të kthehen të ndragun fytyrash me baltë nuk mundi me e mbajte gazin dhe i vunë në lojë. Vetë Marka Kapidani që komandonte Mirditasit iku me të katërta dhe s’patën guxim me i tërheqë jasht rrethit as të plagosnit.
Kjo disfatë i turbulloi tepër autoritetet qeveritare si dhe popullin. Ndërtesa e madhe ministeriale u kthye në spital dhe ministrat mbledhjet e veta zunë me i bamë ndër shtepijat e tyne tue shkue herë tek njeri herë ke tjetri, plotësisht i ngjante dikur netëve të dimnit në mes shokëve që bajshin mbledhje shoqënore. Jusuf Beu si me goje ashtu dhe me shkrim kërkonte të zbatohet vendimi i dhanun, por kush ji varte veshin se….Kjo mospërfillje e dëshpronte Jusuf Beun. Veç kësaj, qeveria qendrore, herë mbas herë, bante dhe gabime tjera dhe kësisoj i a cënonte sedrën e tij personale e zyrtare. Për shëmbull ato ditë kishte ardhë në Durrës Islam Spahiu nga Luma. Me gjithë që Jusuf Beu si Prefekt i Dibres ishte nenpunës përgjegjës dhe i nenprefekturës së Lumës dhe njofës i gjendjes të saj, keta as ja muerën mendimin, por tue shpresue se Islam Spahiu do ti’u çonte fuqi nga Luma, e çojnë n’audiencë ke mbreti dhe e dorovisin me pesëdhjet napolona.
Por mbi të gjitha Jusuf Beun e mbajshin si në vrejtje, si njeri të dyshimtë. Nje ditë, në vend që të thirrshin nji tjetër, gabimisht e sikur me u thirre nji prej turmës të popullit, u ftue Jusuf Beu në gjyqin ushtarak dhe e muern në pyetje si të pandehun për nje çështje që s’kishte të baje fare me të.

Ç’rregjim i çuditshëm që ishte
Jusuf Beu tue çmue fare mirë gjendjen delikate të Dibres, të krijueme prej Arif Hiqmetit, si me goje ashtu edhe me shkrim i propozonte qeverisë qendrore që të nisej vet sa më parë ose të çohesh një tjetër në Diber.
E pra mbasi Dibra kishte mbete në nje situate të rrezikshme, sa me shpejt duhej dërgue Jusuf Beu në krye të detyrës që pat, ose me qënë se bajshin dyshime mbi të, duhej të çohej nji tjetër Prefekt e të mos lihej vendi zbrazët e dibranet pa krye e si jetima të habitun. Për fat të keq, s’u ba as njena as edhe tjetra. Vetëm u banë gabime trashanike, si për shembull, në vend që të çohej Jusuf Beu, u çuen n’audience njerëz si Islam Spahiu. Kur po niseshim nga Durresi për në Diber i thamë Mehdi Frasherit Prefekt dhe Z. Midehat Frasheri, Minister:
‘Kot na mbajtët këtu kaq kohe. Tashti po kthehemi pa municion, këta ngurime e dyshime s’jane të mira, argëtimi i Islam Spahiut asht gabim i rrezikshëm, sepse mund të shkaktoj dame.
Paria tjetër e Lumës, kur ta marrë vesh këtë preferim qi i ashte bamë atij, ashtë droja se mund të ushqenje mendime të tjera, mbasi ata, për natyrë, s’e durojnë superioritetin e njanit prej tyne, e një gjë e tillë ashtë në kundërshtim me qëllimin që ndiqet për sigurimin e interesave të pergjitheshme’.
‘Shkaku kryesor që korespondojme drejt për drejt me nenprefektyrën e Lumës - na u përgjegjen -asht të qenurit e saj ma afër me qendrën’.
Me këtë fare përgjigje pa qenë nevoja ja shtuen kuptimin Jusuf Beut se nuk e besojshin dhe zbuluen se ato korrespondojshin drejt për drejt me Lumën. Mbasandej e ndrruan bisedimin dhe thanë:
Në Çermenikë t’Elbasanit ka dalë nji farë Qamil Fejza. Ky njeri po e turbullon popullin me propaganda të damshme, me qenë se ju jeni afër me Çermeniken dhe keni të bani me banorët e saj, shkoni dhe i thoni popullit se Qamil Fejza asht nji njeri pa kurrë farë merite dhe i zhdukni efektet e propagandës se tij sepse Atdheu ashtë në rrezik.
Çudi e madhe….. Njeni nga këto që po na e bante këtë porosi ishte Mehdi Frasheri, ai njeri që disa kohë më parë, mbas letrës që i pat dergue Myfti Z. Vehbi si u shpjegue ma naltë për çështjen e Arif Hiqmetit, iu përgjegj se s’kishte ndonjë rëndësi çashtja e Arifit prej të cilit mueren guximin e ndihme tashti Qamil Fejza e të tjerët.
Po të themi se Mehdi Frasheri aso kohe s’mundi me e gjykue rrjedhjen që munde të shkaktonte çashtja e Arif Hiqmetit, lipsesh t’ia mohojmë preftësinë e mendjes, me të cilën mburrej. Po ta pranojme se e mati rrezikun, po ashtu i interesoi të përgjigjesh, duhet të dyshojmë se mos ishte edhe ay i një mendimi me Arif Hiqmetin, me atë njeri që vepronte në dam të interesave të Atdheut tonë, mu në rranzë të kufirit serbo –shqiptar, tue tërheqë drejt katastrofës, për herën e parë, Dibrën e mjerueme qysh nga lufta Ballkanike. Me gjithë këtë ndoshta jemi gabim se ndoshta mospërfillja e tregueme prej Z.Mehdi Frasherit mund të këtë qenë për sy e faqe, ashtu si bajnë disa herë e në disa raste prindërit para femijve, apo dipllomatët para tjerëve… Sidoqoftë na u nisëm nga Durresi për Diber, të ngjeshun jo me armë e topa që kërkojshim për me e shtypë rebelët e Arif Hiqmetit, por me këshilla e mesime si ato që marrin nxenësit prej mësuesve. Kësilloj do të shtypesh levizja e rrezikshme e Arif Hiqmetit që sa vinte po përhapej dhe po lëshonte rrënje te nje vrime helmuese që do të linte vrragë farmaku, për shumë kohë në zemrat e popullit shqiptar e do t’ishte tema e burimit të shumë fatkeqësinave e vlla vrasjeve, nji trashëgim i kobshëm e tepër i kushtueshem për kombin tonë fatzi që e lau me gjakun e vet disa herë me rradhë.

Mbasi u kthyem nga DURRESI në DIBER
Nëpër det, prej Shengjini tue ndjek rrugën Lezh-Shkodër-Mirdite, kthyem në Diber. Por në Mirdite për pak gja qemë tue humbe jetën prej banorve, të cilët me preteksin se gjoja na u çojshim ndihme e municione rebelëve dhe me qëllim që të shkëpusnin prej nesh ato të holla që zotnojshim, dojshin me na çvesh e me na vra. Për fat të mirë, shpëtuem vetem e vetëm nga dobësia e mungesa e guximit të këtyne njerëzve, të cilët përmenden për veprat e tyne të liga.
Kur arritëm në Diber muerm vesh se Arif Hiqmeti ishte rëzue prej kali dhe shpirti i tij i lik kishte shkue në skëterrë. Vendin e tij e kishte zanë Kapiten Xhemali, por fatmirësisht lëvizja e tyne tash s’e kishte at vrull të fortë që kishte më parë dhe kishte nisë disi me u dremite. Një nga faktorët kryesorë të dremitjes të kësaj lëvizje përveç vdekjes se pa pritur të Arif Hiqmetit, ishte dalja në shesh e Elez Jusufit në favor të qeverisë kombëtare dhe veprimi i tij i zhvilluem për këtë qëllim:
Elez Jusufi e kishte mbledhë parsinë e vendit dhe mbasi këtu ishte lidhë besa e bashkimi, për ti mbrojtur interesat e Atdheut, kishin nisë me i djegë shtëpijat e atyne që baheshin antarë të levizjes s’Arif Hiqmetit dhe u kishin marrë dorëzanës besnikë gjithë atyne që kishin me u shkëput nga rrethi i robe. Parësia e Dibrës e mbledhun rreth Elez Jusufit po vepronte me aq sa ua kishin djegë shtëpijat e forta dy reçjaneve të fuqishëm, për shkak se këta kundër përmbajtje së besës kishin hangër dreke në shtëpi të nji kundërshtari në Mat.
Sa sosi Jusuf Beu në qendër të Prefekturës e mblodhi paresinë e Dibrës dhe bani nji mbledhje të përgjithshme, aty u foli mbi gjendjen kritike e të rrezikshme, në të cilin ndodhej Atdheu dhe u propozoi në mënyrë të preme, që të mblidheshin e të çojshin në Durres nji fuqi kombëtare m.q.s. Ali Beu, prej kohesh, kishte propagandue në favor të t’Esat Toptanit me anën e Dine Hoxhes e t’Abdyl Vleshes edhe në këtë mbledhje u çfaqën shenjat e hidhta të t’asaj bime. Selim Noka, Sheh Sehiti, Ramazan Zasku nga Luma thanë që ta kërkojnë me u kthye Esat Pasha në Shqipni, mbasi vetëm ai qenka i zoti për me ia gjetë mënyren e rregullit të këtyre çashtjeve. Kur ndëgjoi Jusuf Beu këtë propozim u nxe e u ba tepër nervoz.
- Në këtë kohë, kur Atdheu ndeshej para nji rreziku të madh, Esat Pasha para meje s’ka rëndësi as sa nji qen, tha i zemruem.
A thue se përjimend e seriozisht e shante Esatin Jusuf Beu? Apo e kishte për sy e për faqe dhe n’anë tjetër mbjellte farën e propagandës së vet pro esadiste me anën të Ali Beut, Abdyl Vleshes, Dine Hoxhes e të tjerve? Kjo s’dihet. Vetëm mund të them me bindje të plotë, se Jusuf Beu mund t’ishte marrë vesh e bashkue me Arif Hiqmetin për me nxjerrë në Shqipni nji princ musliman. Edhe Esat Pasha ma parë i kishte dhanë nji premtim të tillë. Por, nëpërmjet të nënpunesisë që pata, tue i ndjekë rrjedhjet e punëve e tue i studjue me kujdes korespondencat e zyrës, si edhe mbas provave të tjera, forcova besimin se Jusuf Beu, ma në fund, ardhjen e nji princi në Shqipni e konsideronte si nji punë që ishte vetëm në kopetencat e fuqive të mëdha dhe nuk ishte besnik ma i premtimeve që i kishte dhanë Arif Hiqmetit ashtu edhe Esat Toptanit. Mirpo, sjellja e ftofte dhe dyshimt e Ministrave në Durrës kundrejt tij si dhe pazotësia n’administrimin e tyne e banë efektin e duhun në disfavor të tyne.
Deshiri i shpagimit me personat që sundojshin në Durrës e shtynën që ta ndihmojë Esatin dhe me këtë mënyrë njollosi jetën e vete politike.
Asht e vërtetë se autoritetet e Durrësit e pritën tepër keq Jusuf Beun dhe ai si njeri me sedër vetiake, qe fye e prekë në nder. Por me gjithë këtë për hirë të interesave të nalta t’Atdheut, duheshin ta shkilte ndjenjen e shpagimit q’i u ngjall kundër atyne që mundoheshin me e sundue Shqipnine. Këtë qëndrim lypsjej t’ia impononte inteligjenca, ndërgjegja dhe fisnikëria, cilësina këto që e karakterizojshin.
Jusuf Beu në administrimin e vendit ishte nji mjeshtër i mbaruem, n.q.s. Jusuf Beu dënohej si trathëtar, në këtë faj kanë pjesë dhe janë përgjegjës gjithë ato që aso kohe rrotullojshin maqinën e shtetit nga bregu i Durrësit, sepse nuk qënë të zotët t’a përdornin si duhet dhe t’ia çmojshin vleftën e tij.
Përfundimin e vendimeve të marruna nga parësia e Dibres, Jusuf Beu ia njoftoi Durrësit, dhe me këtë rasë, kërkoi që të çoheshin rrogat e prapambetuna e të gjithë krenëve dhe nji sasi municioni. Gjithashtu shtonte që po të dërgoheshin rrogat e municioni i kërkuem do të mundej me ia mbrimë qëllimit tue mbledhë nji fuqi të madhe në Dibër për me shtypë Golloborden, ku ishte ngritur flamuri i Turqis, dhe të marshonin për në Elbasan. Mirpo ku e çajshin kryet zotnit e Durrësit për kërkesat e propozimet e Dibres….
Mbas disa javësh, mezi arrin nji përgjigje e shkurtër, në të cilën thoshin se do të çojshin të gjitha ata që kërkoheshin, por mbasi të marshonte për në Tiranë e t’a hapte rrugën. Shkurt qeveria qëndrore e Durrësit vazhdonte të mos e përfillte çështjen dhe të dyshojë në Dibrën. Me gjithë që në tri a katër ditë nji herë nisnim postë për në Durrës prej andej s’merrshim fare përgjigje ose ndonji e vetme që çohesh si lamshi, ajo dërgohesh dore me dorë me anë të udhëtarëve privatë.
Thojshin Jusuf Beut t’ecte mbi Tirane, por me se? Pa municione e pa mjete financiare, për këtë shkak guxojnë me akuzue Jusuf Beun dhe harrojnë se si i shërben çashtjes, tue mos e lanë Dibrën që të bashkohet me rebelët e Shqipnis së Mesme. Duhet të flasim me dorë mbi zemër dhe të mbeshtetimi në fakte. Përpara se të gjykojmë të shpjegohemi:
Kërkush s’mundet me e mohue se Arif Hiqmeti në Dibër po shpërndante me grushta napolona flori. Themelet e kryengritjes së ardhëshme ishin vu aq thëllë dhe propaganda ishte bamë me aq mjeshtëri sa edhe disa intelektuale kujtojshin se nji levizje apo kryengritje e tillë me të vërtetë do të ishte në interes të fesë e Atdheut.
Betohem mbi nderin tem se nji pjesë e gjindarmëve që ndodheshin përpara zjarrimit për kundrejt fyqive t’Arif Hiqmetit s’kishin opinga në kambë dhe shpesh herë mbeteshin pa buke. E këta njerëz vetëm me fuqi morale q’i nepte Jusuf Beu, me argëtimet e Elez Jusufit e të disa të tjerve prej parisë mbaheshin në vijat e luftës. Ky ushtar fatzi që luftonte kundër fuqis Arif Hiqmetit e shifte se kundërshtari i tij i kishte plot grushtat me napolonat e marrun prej Arifit, kurse ky ishte zbathë, ç’vesh, i unët dhe fëmijn në shtëpi e kishte pa hangër e pa dritë. Ky qyqar d.m.th.malësor që ishte rritë me besimin e pa tundun se n’atë jetë ka vetem nji zot dhe me këtë vetëm nji mbret-sulltan-tash shifte, ndëgjonte se gati krejt populli i Shqipnisë ishte çue në këmbë për me kërkue Mbret-Sulltanin dhe me këtë mënyrë me e mbrojt fenë e Atdhenë.
Ky i mjerë që ishte rritë tue kullote dhi e dhen ndër bjeshkë, ose i ngunjuem në nji kullë për ta përballue armikun e vet e ndëgjonte se vullnetarevë mirditas të grumbulluem në Lezhë u pagohesh rregullisht nga tri napolona rroga mujore kurse këtij nuk i pagoheshin as në tri muaj nji herë ata dy napolona rroge në Lezhë.
E përse gjithë kjo mos përfillje për këta ushtarë që me sakrificat e veta arritën të ngjiten në shkallën e nji idealisti, të nji heroi. Ky malësuer injorant mjerisht u ba viktima e gabimeve dhe fajeve t’atyne që kishin marrë në Durrës frenat e shtetit dhe s’mendojshin, a s’dojshin të mendojnë apo s’dishin me mendue e me veprue për të mirën e këtij populli. Me gjithë atë nuk u trondit ndërgjegja e malësorit dibran dhe nuk e humbi kurajën.
Qendroj dhe luftoi deri në fund dhe nuk ju shtrue atij armiku që bani t’arratisen e të zbrazin Durresin ata zotenij qi s’e përfillën këtë.
Sikur t’u çoheshin dibranëve ato të holla e municion e kërkuem që shpenzoheshin për me i gostitë Mirditasit e mbledhun në Durrës me birrë dhe ato fishek që këto digjnin natën duke gjujtë nga frika gomerët e Shkozetit, sigurisht do të ndryshonte gjendja dhe katastrofa e Durrësit mund të mos ngjante fare. Mjerisht sa herë që u kërkue, merresh nji përgjigje të thatë dhe porositeshin me hapë rrugë. Po na thuesh se rrogat e milicëve dhe municioni i kërkuem do të çoheshin vetëm mbasi të hapesh rruga. Shkalla e Tujanit, Qafë Kraba e Qaf Shtamba qysh mund të kanoseshin prej Dibranëve pa armë e municion? Po t’arrinte zotësia luftarake e dibranëve sa me i ça këto vise strategjike me pesë fisheket e brezit e mbasi t’i shtypte rebelët të futesh në Durrës, vallë a ishte sigur kabineti i Durrësit se dibranët nuk do të merrshin, bashkë me rrogat e prapambetuna e me municionin e kërkuem edhe qeverinë në dorë? Sigurisht ky dyshim që u mbrente zemrën zotnijve të Durrësit i shtynte që të mos u çojshin rrogat e municionin e kërkuem. E për këtë janë përgjegjës! Megjithë këte mos bashkimi i dibranëve me rebelët e Shqipnisë së mesme qe nji shërbim shumë i madh. Ashtë e vërtetë se Beqir Shiti prej Gjurasi dhe Sinan Krosi prej Bllace patën shkue në Tiranë si perfaqësues të Dibrës, por këta s’patën as ndojë fuqi përfaqësimi e aspak nuk mund të përfaqësojshin popullin e Dibrës.
T’ishte bashkue populli i Dibres me rrebel, kush mund të thotë se mbrenda njizet e katër orëve nuk kishte me ra Durrësi në duart e tyne ?
Ata që dijtën t’i përdorin dibranët gjithmonë me sukses a nuk i luajtën rolet e intrigat e tyne ? A nuk ua arrinë qellimeve të veta ?
Mjerisht askush nuk dijti dhe dikush nuk deshi t’ua mprojë e t’ua forcojë ato cilësina e karaktere të dobishme e të nevojshme. Përndrazi ua prishën me qëllim që t’i kenë si vegla për ambicjet personale të veta tue perfitue nga injoranca e tyne.
Jusuf Beu mendoi e projektoi me shkue në Durrës me nji fuqi të madhe tue kalue nëpër Mirdite e Lezh. Por me qenë se kur u veprue kundër rebeleve t’Arif Hiqmetit dhe me rasën e besës së lidhun me Dibër qenë djegë disa shtëpi në Reç e Dardhë, u tremb Mirdita tue pandehun se dibranët do t’a sulmojshin atë dhe forcoi kufitë e saj me Dibrën. Po të nisej fuqija e Dibrës për me kalue nëpër mes Mirditës pa u njoftue me parë qëllimi, kishte propabilitet që të ngjante ndoji balbe. Prandaj Jusuf Beu i shkoi dy herë me rradhë Kapidan Mark Gjonit, të cilin e pyeti se cila rrugë ishte ma e shkurtën për me shkue në Durrës me nji fuqi ndihmëse. Me këtë mënyrë donte t’a njoftonte se nuk ushqente ndonji qellim të lig kundër Mirditës ose Durrësit e t’ja hiqte dyshimin që t’ja priste hovin ndonji gabimi në rasë se kalonte nëpër Mirdite. Kapidani e njofton Prek Pashën e Aqif Pashën q’aso kohe ndodheshin në Durres dhe ato, pergjigjen që t’a lajmeroj Jusuf Beun për mos me u nisë deri në nji urdhër të dytë. Ndërkohe edhe Ahmet Beu Mati, mbas urdhërit të marun prej Aqif Pashes, i shkruante Jusuf Beut që të mos nisej për në Durrës me fuqi. Ahmet Beu n’atë shkrese veçanarisht i lutesh Jusuf Beut për mos me djegë Halil Lleshin sikur qenë djeg ato që bashkpunojshin me Arif Hiqmetin. Me gjithë ketë Jusuf Beu tue ba fjale mbi njoftimin e Kapidanit Mark Gjonit e t’Ahmet Bej Matit, e pyetën Ministrin e Mbrendshëm se si qendron e vërteta dhe mbi mënyrën e veprimit. Por, aso kohe, kur pritej pergjigja, muaren vesht prej udhetarëve qe princ Wiedi kishte ike prej Durresi dhe se qyteti kishte ra në duar të rebeleve. Kështu u shue për një kohe drita e shpreses për njerëzit me ndërgjegje kombëtare dhe u hap sheshi i poshtërësive për ata aventurierë që dojshin me i thithë gjakun popullit.
Mbas gjithë këtyne q’u shpjeguam me naltë, vetvetiu vjen pyetja se a mund të shpëtojnë nga përgjegjësia nenpunsat respenabel q’u benë shkakëtarët e atij kobi dhe qeveria qëndrore e Durrësit a mund të shpëtoj pa u ndëshkue si e pazonja në administrim? N’ashtë se kabineti i Durrësit dronte me i çue municion Jusuf Beut nga frika se mos marshonte kundër Durrësit, ky dyshim ishte i papajtueshem me arsyen, mbasi ai edhe herën e parë patë marrë 40 arka municion por nuk u bashkue me rebelet. Përkundrazi këtë municion e shpenëzoi për me e shtyp lëvizjen e Arif Hiqmetit. Këtë prove e kishe ba kabineti i Durrësit. Veç kësaj, edhe sikur të donte me trathtue Jusuf Beu, s’guxote sepse kishte pengime që nuk e lejojshin për nji veprim të tillë, kishte nje grumbull dibrane nacionalistë që do t’a luftojshin pamëshirshëm e deri në vdekje. Gjith këto arsye qenë bë shkak që të vente kot mundi i Ali Beut i bamë tinëzisht në favor të Esatit. Për gjithë ato shkaqe q’u shpejguan me naltë, deshpërimi i Jusuf Beut po shtohesh dita ditës dhe dalëngadalë sa me lakue nga besnikëria e maparëshme. Aso kohe, propagandisti i Esatit, Abdulit Velsha, që ishte inspektor i kufirit kishte bamë disa paudhësina politike. Për këtë shkak i propozova Jusuf Beut që ta pushonte nga puna. Tue thanë Jusuf Beut se veprimi i pushimit të tij do t’ishte nji farë zvoglimi përpara të pushuemit, e vonoi. Mbas disa kohe merren vesh se Abdyl Vlesha tinëzisht korepondonte me qeverinë serbe. Prandaj, kërkova dënimin e tij, por edhe kësaj rradhe s’u ba gja, prandaj, në korrik te vitit 1914 dhashë dorëheqjen tue thanë se s’mund të vazhdojsha deri sa të ndodheshin punë të pa pëlqyeshme në qeveri.
Jusuf Beu mu betue mbi nderin e vet se i ka shërbye e se do t’i sherbente edhe mbasandaj besnikërisht Atdheut dhe Princi Wiedit. Kështu më prapsi dorëheqjen dhe me gaboi për herë të parë.

Ardhja e Hasan PRISHTINES në Dibër me qëllim qe të sulmojë Serbine
Kah mbarimi i Korrikut të vitit 1914 erth në Peshkopi Hasan Bej Prishtina me nja njiqind e pesëdhjet dibranë e kosovarë që kishte sjellë nga Durrësi me vehte. Mbas tij arrinë edhe Hasn Basriu, ish Deputet i Dibrës.
Hasan Prishtina kërkoi prej Jusuf Beut që të bahesh nji mbledhje e përgjithshme e parisë së Dibrës. Mbledhja u ba. Hasan Prishtina mbasi foli mbi dobësimin e Sërbisë dhe mbasi njoftoi se qeveria Austro –Hungarese kishte nxjerrë në Shqipni, në Shengjin, municion me sasina të mëdha, propozoj që të sulmohesh Serbia. Hasan Basriu e pëlqen propozimin dhe kërkon sa më shpejtë të nisi veprimi kundër Serbise, por ishte i mendimit që ky sulm të mos bëhesh me përkrahjen e Austro Hungarise ose te Italise, për arsye se në nji rastë të tillë mundë te provokohesh ashpërsimi i mardhënieve në mes të dy shteteve e të plaste nji luftë. Prandej ishte i mendimit që levizja të bahej thjesht kombëtare, pa pasë përkrahje e asnji ane, tue deklarue para përfaqësuesve të huej në Shkodër se ajo është provokue vetëm nga shtrengesa ekonomike, politike dhe kombëtare e vendit. Gjithashtu propozoj që përmbajtja e kësaj deklarate t’i njoftohet Serbisë dhe ti kërkohej lirimi i këtyne viseve të banueme prej nji popullësie thjesht shqipëtare dhe që ajo s’ishte e zonja me e qeverisë tue theksue se, në rasë se nuk lirohen me hirin e saj, jemi të shtrënguem me e pushtue me forcë. Në këtë mënyrë tha Hasan Basriu ngjallet propabiliteti i shpresës se mund te lirohen pa luftë.
Jusuf Beu e pëlqeu mendimin e Basriut dhe me nji za të naltë e të nxehtë kërkoi të veprohet n’atë mënyrë, vetem se s’dihet ky preferim a ishte i sigurt apo msheftas luente role të kundërta, nga shkaku se ndronte se mos i bahet ndonji dam familjes se vet që ndodhej në Ohër, apo prej ndonji mendimi tjetër.
Ali Beu, natyrisht, si dashamirë i Serbisë, nuk donte të sulmohej shteti Sërb.
N’anë tjetër këtë kërkonte Elez Jusufi që të sulmohet Serbija për ta shpëtue Shqipninë e robënueme, aq kundërshtonte Selim Noga, Halil Kaloshi, Dine Hoxha e Ali Tahiri. Në bisedim e sipër Hasan Prishtina propozoi me naivitet që të bahesh nji pajtim i përgjithshëm edhe me antarët e Arif Hiqmetit që kështu lëvizja të përbahesh e perplotë.
Ky propozim i erdhi për shtati prefektit të Matit Xhelal Beu e përkrahësit të tij Kurt Kadisë prej Lisi të Matit, i cili ishte mik i ngushtë i Serbevë. Me gëzim e pranon këtë propozimin dhe bashkë me tre a katër perfaqësues shkuen në shtëpin e Rahman Alise në Luzni që të mereshin vesh me krerët e kundërshtarëve.
Xhelal Beu ishte ndërmjetës i rebeleve të Tiranës për me u afrue me Dibrën. Por nji pajtim e për nji veprim te tillë në mes të Dibrës e të Tiranës ai i kishte shkrue Jusuf Beut nga Luznia dhe i kishte kërkue që të çoheshin përfaqësuesit e Dibrës në Mat ku ishte caktue vendi i takimit dhe ku do të zhvilloheshin bisedimet në mes të perfaqësuesve rebele dhe të Dibrës.
Unë po e shifsha se çfarë ngjyrë e drejtimi po merrte puna, por s’kisha se ç’baj, mbasi Hasan Prishtina nga pakujdesia për ta, ia kishte besue punën Xhelal Beut. Iu shkrue nji letër Xhelal Beut dhe ju njoftue se do të çohen në Mat përfaqësuesit e Dibrës me kusht që të mos bisedohet kurgja veçse besnikëria kundrejt Princ Wiedit dhe bindja ndaj qeverisë së sotme. Mbas përgjigjes së pranimit që erdh u çuen në Mat si përfaqësues të Dibres; Sheh Hasani, Sheh Sehiti, Selim Noga, Kurt Hoxha dhe Zejnel Bej Dohashishta.
Hasan Prishtina pat shkue në Lumë që të presi përfundimin e marveshtjes.
Me qenë se rebelët e Shqipnisë së mesme s’u bindën me hy në marrëveshtje, u kthyen përfaqësuesit e Dibrës. Edhe kjo qe nji fakt për besnikërin e Jusuf Beut ndaj qeverisë së princit. Nga shkaku që aso kohe gjindja luftarake e Serbisë pat ndrrue dhe nga shkaku se populli i Shqipnisë ishte i përçamë dhe në luftë me njani tjetrin, vet vetiu mbet pa u ba lëvizja kundër Serbise.
MBASI IKU Princ WIEDI PREJ DURRESIT
Mbasi iku Princ Wiedi prej Durrësit, në Dibër e humbi autoritetin qeveria. Jusuf Beu s’deshi t’a diftonte dobësinë e qeverimit dhe me e ndrrue situatën. Por me gjith këte u pa edhe që takohesh me krenët e kryengritësve e besnikët e Esatit si me Rahman Liken, Selim Demen e Islam Feten.
Pak para se t’ikte Princ Wiedi nga Durrësi, Shahin Bej Dinoja ish këshilltar i Ministrisë punëve të mbrendëshme në Durres i dërgoj nji letër Jusuf Beut nga qyteti i Dibrës së Madhe që ishte ende nën pushtimin e shtetit Serb. Me këtë letër kinse për nji çështje toke ai kishte kërkue prej Jusuf Beut nji bashkëpjekje dhe ky shkoi në kufi dhe u takue me të. Jusuf Beu u përpoq që të mos i zbulojë ato që bisedoj atje me Shahin Bej Dinon. Edhe mbas largimit të Princit nga Shqipnia, ata u takue në kufi dhe po n’atë vend. Herën e dytë mbas korespondencës së bamë me Esatin që ishte në Selanik ishte vendosë në mes tyne që të kthehet Esat Pasha në Shqipni dhe Jusuf Beu kishte dhanë sigurime se do të mirpritet nga populli i Dibrës.
Edhe mbas kësaj Jusuf Beu mundohesh të mos çfaqë rëndësinë e çështjes dhe përpiqesh me mbajtë të fshehte lidhjen. Edhe prej meje s’kishte besim ma dhe harronte se e kishte pengue fenë e nderin e vet me nji betim solem se do ti besnik i Atdheut dhe i Princ Wiedit.

Si erdhi Esat PASHA nga Serbia ne PESHKOPI
Pasha kishte ardhë në qytetin e Dibrës së Madhe. Veglat e tij si Liman Lleshi, Halil Lleshi, Taf Kaziu, Islam Feta e disa të tjerë e presin. Edhe prefekti i Matit Xhelal Beu dhe drejtori i finances së Dibrës Hysein Beu nji ditë me parë shkuen në qytetin të Dibrës së Madhe për t’i paraqit Pashës nderimet e sigurimet e besnikërisë.
Esati vetem nji natë qëndroi në qytet, të nesërmen d.m.th. me 26 shtatuer 1914, i përcjellun prej autoriteteve ushtarake e civile të Sërbisë, duel në kufi ku e priti Jusuf Beu e Ali Beu.
Në këtë mënyrë shkeli në Shqipni ai njeri që disa kohe më parë vetëm e vetëm për të sigurue interesat personale dhe për t’i ngopë ambicjet e veta e pat shtye të rrokulliset në gremine e të mbaronte për gjithnji.
Simbas udhenit që kishte dhanë më parë Jusuf Beu, afër njimijë vetë kishin dalë me e prite gjatë rrugës Dibër –Peshkopi. Kësisoj Pasha hyni në Peshkopi me bujë të jashtëzakonshme.
Esati nuk takonte krenët me njani tjetrin, por u merrte besë që ta ndiqshin.
Sa erth Esati, dy here çoi kalorës për ta thirrë Elez Jusufin, ma në fund ai erdh, por kur i kërkoi besë Esati dhe i propozoi që të shkonte me të në Durrës, iu përgjegj: Une kam punë e s’mundte vij, na late në errsinë Pashë. Deshiri i shpagimit asht i madh ne ju, kam frike se do të na gremisni në humnerë. Me duket se ju përgaditet kryengritjen e Shqipnisë së mesme dhe atë t’Arif Hiqmetit.
Pasha bani sikur nuk i kuptoi fjalët e Elezit dhe hudhi fjalën ke Ahmet Bej Mati, të cillin tue e sha randë zue me e akuzue si fajtor për të gjitha lëvizjet që kishin ndodhë në Shqipni.
Edhe kur Kurt Hoxha në nji bisedim i thotë Esatit: Pashë pse nuk na lajmove me kohe. Kësaj pyetje i përgjigjet Ali Zajmi. Pasha u ka lajmue. Ali Zajmi, me kësilloi, përgjigje, ka dashtë të përmendi fjalën që tha në mbledhjen e maparëshme. ‘Të kërkojmë nji princ me fest të kuq’.
Nji ditë Pasha me Jusuf Beun, Xhelal Beun, Hysen Beun, Shahin Dinon shkuen në Dohahisht ka paska çfaqë dëshiren për me i pa ndërtesat e Jusuf Beut, të cilat i kishte djegë e rrënue Serbi Pasha me këtë mënyrë deshte me i dhanë të kuptoj Jusuf Beut se ai kishte për t’i ndreqë sa me mirë. Tue shkue, në rrugë, me kishte pyete Shahin Dinoja se a ka me u mbeshtjellë e me ardhë populli që asht thirrë? Iu përgjegja dhe i thashë: Mbase kini qitë në shesh napolonat të pa numurta, do të vinë, po zotnija e juaj më diftoni ç’asht ai flamuri i Osmanllisë që keni varë në derë? M’u përgjegj me buzëqeshje: Për me rrejtë mendjelehtët e kemi vu, më tha, po të mençëmeve çdo t’u thoni, i thashë. Të mënçmit janë të pakët më tha dhe e mbylli bisedimin.
Tue qenë në Dohashisht, Pasha tha: Nuk di se si kemi me e administrue Shqipninë, se në jugorët s’kam besim, e tek veriore s’kemi njerëz të zotët. Iu përgjegj Xhelal Beu. O Pasha, mos bani dyshim, nuk kemi nevojë për njerëz me zotësi, do ti zgjedhim ato në të cilët kemi besim. O e mjera Shqipni, o i mjeri shqiptar, prej kuj prêt shpëtim ose përparim….
Elez Jusufi, Mersin Dema, Shaqir Dema, Sheh Sulejman Zerqani e disa të tjerë qenë marrë vesh në mes tyne që të vijshin në Peshkopi me nji fuqi të veçantë kinse për t’i bamë disa pyetje Pashës dhe t’ia shpërndajshin fuqinë për t’i ba të pa zbatueshme qëllimet. Mirpo, simbas thanjeve të Mersin Demës, Shaqir Dema tradhëtoi dhe e njoftoi Pashën. Atëhere Pasha s’e priti ma Elezin, por menjiherë u nis për në Tirane. I daroviti me nga dhetë, pësëmbëdhetë napolona disa krenë me influence, u premtoj se kur të arrinte në Tiranë, do t’ua paguente rrogat, e prapambetuna milicëve të Dibrës, gjandarmëve t’Arif Hiqmetit dhe tu jepte nga nji rrogë në dorë, gjithë atyne që do ti vinin në ndihmë. Gjithashtu Pasha s’mungoi të përmendi me nji gjuhe lakuese se ata që nuk do të baheshin anëtarët e tij besnikë nuk do të ishin të siguruem se nuk do të ngiten prej Serbisë. Në këtë farë kërcënimi futi në rrepinën e poshtërsise së vet shumë mendjeshkurtën dhe tue ngritë flamurin e Turqisë i argëtoi ndjenjat fanatike të popullit injorantë, i cili i shkoi mrapa që të bahesh vegla e realizimit të djallëzive dy tre vjeçare t’asaj kulçedre që projektonte me e përpi Shqipninë e ngratë.
Elez Jusufi mbas marrëveshjes që kishim bamë me shokët, niset për në Peshkopi me nji fuqi prej njimijë e sa vetesh, në rrugë e merr vesh se Pasha ishte nisë me shpejtësi të madhe për në Tiranë, me qëllim që të mos e arrij Elezi, simbas lajmit që i dha Shaqir Dema. Prandaj Elezi kthehet prap. Prej fuqisë së tij nja njiqindë e disa malësorë me shpresë se kanë me marrë rrogat e prapambetuna shkëputen prej Elezit dhe bashkohen me fuqin e Esatit. Nipi i Elezit Suf Xhelili, e sheh të nevojshme, me pa dashje të bashkohet me ta e të jetë kryetari tyne.
Mbasi shkoi Pasha në Durrës, si me anë të Jusuf Beut e të Suf Xhelilit ashtu edhe vet për së drejti i shkroi Elez Jusufit dhe i kërkoi të shkonte në Durrës tue i premtuem shuma të mëdha të hollash dhe besniki kundrejt Atdheut, por Elezi përgjigjet tue thanë: ‘Une jam besnik e qëndroj në fjalën që kam dhënë për Atdhen e nuk gabohem fjalëve që nuk i përshtaten të vertetës. Sikur thamë edhe më sipër edhe Sheh Sujeman Zerqani, nenprefekti asaj krahine, qe në mejtim të Elez Jusufit, por ma vone ndrroi mejtim dhe ndoqi Esatin, nuk e dij a prej frike apo prej lakmisë ngjau ky ndryshim.
“Për ty më ka folë shumë mirë Jusuf Beu. A do të vish me mue? Unë prej teje pres shërbime të çmueshme” më tha Pasha me që nuk besonte të më linte në Dibër dhe me këto fjale argëtuese donte me më trembë. ‘N’anë tjetër me tha Sheh Sula dhe Ismail Haki Peqini se ishte bamë gati nji kalë për mue që të udhëtojsha bashkë me Pashën, m.q.s. edhe Elezi e gjet t’arsyeshme që unë të shkojsha në Durrës, për ta pamë vetë rrjedhjen e punëve, u shtrëngova ti bindem urdhnit të Pashës.
Ali Beu, Esat Pasha si shpërblim të shërbimeve që kishte bamë, e emnoi komandant të përgjithshëm të fuqive të përmbledhuna dhe në vënd të tij në Peshkopi emnoi dhëndrrin e tij, Mystafa Bej Serdari nga Deshati. E kur ra i sëmurë ky, vëndin e zuri i biri, ashtu si t’ishte nji pasuni prej t’ et.
Kur erth Pasha në Dibër, që t’ia kënaqë turmën injorante, i mbylli shkollat shqipe dhe pushoi nga puna z.Sali Vuçiternin, deri atëhere drejtor i arsimit në Dibër, i cili u vu nën vrejtje t’antarëve të tij. Të gjithë nëpunësat të administrative të ndryshme iu paguen rrogat, vetëm arsimtarve të shkretë s’u pague asnji cantim.

Gjendja e DURRËSIT
Në ditët e para tetorit sosëm në Durrës. Mbas disa ditësh u rrethue qyteti prej ushtrisë. Mbasi muer fund puna, Jusuf Beu me rrëfen se qëllimi në rrethimin e qytetit kishte qenë për me e shtrëngue këshillin adminisratv të Durrësit t’epte dorëheqjen.
Këshilli dha dorehëqjen. Mustafa Ndroqi u emne nënkryetar.
Esati ato ditë e shpalli, me anë të afisheve se me ndihmën e zotit e me dëshiren e popullit[?] ishte zgjedhë si kryetar i shtetit si komandant i përgjithshëm fuqive ushtarake. Ky qe suksesi i pare i tij. Urimet e përgëzimet e kunorëzuen këtë sukses. Sa ishin shumzue banorët e tij të Durrësit aq ishin shumzue e shtue punët e Jusuf Beut, të Xhelal Beut, të Shahin Beut, t’Ali Beut e të Faik Beut.
Jusuf Beu përpiqesh shpesh me krenët e Dibrës, të cilëve u komunikonte emnimin me gradën toger, kapidan ose major, gradat ishin aq të lira sa njerëz që qysh në vogli kishin kullotë dhi, me njiherë u banë rreshterë e nëntogera.
Selim Noka, Selman Alia, Reshit Brezhdani e të tjerët ishin emnue me grada kapidani. Veç kësaj, këta si edhe të tjerët kishin deklarue se kishin nën komandën e vet nëntogera e togera që në realitet nuk ekzistojshin fare. Gjithashtu numërin e njerëzve që përbajshin fuqin e tyne e kishin dyfishue e trifishue tue tregue emna e personave të pa qenun. Me këtë mënyrë, e dyfishuen ose e tre fishuen marrjen e të hollave nga arka e Esatit.
Thohet se Halil Lleshi, Taf Kaziu, Liman Lleshi dhe Selim Dema kur bahej numërimi i forcave të tyne në Durrës, i sillshin aty njerëzit që kishin në Tirane që ta tregojshin të madh numërin e njerëzve, gjithashtu veprojshin kur bahej numërimi në Tirane. Veç kësaj, për ta shtue këtë numër, për kundrejt nji shpërblimi të vogël merrshin dhe gjind të huej sa për ta shtue numerin e forcës vetëm në kohën e kontrollimit e të numërimit.
Xhelal Bej Mati mundohej me imitue Jusuf Bej Dibren. Kurt Kadiu nga Lisi i Matit përpiqej me konkurue Selim Noken e Qidhnës së Dibrës me vepra të tilla turpi e poshtësie.
Maliqi i vogel i Shaqir Bej Jegenit kishte marrë titullin si komandant i grupit të Lleshit. Ky megjitheqë i vogël nga mosha e i shkurtër nga trupi, përpiqej të tregohet i zoti për detyrën dhe besnik i Pashës.
Shahin Bej Dinoja tue luejte bixhoz, ironikisht e qante hallin e popullit.
Faik Beu me pozën e vet prej dipllomati, ma parë se për çdo tjetër gja, përpiqej të siguroje pozitën e vet, si komandant, i kësaj fuqije që qe natyrisht.
Ali Beu, natyrisht si komandant i përgjithshëm dëftonte nji sjellje madhështore e kështu, ma shumë se të tjerët, terhiqte të holla për vehte.
Kur nisi me u sigurue Pasha për pozitën e vet, zuni me i dhane leje me shkue në Dibër disa krenëve, të cilët i doroviti tue i dhanë nga disa grushta të holla dhe tue u thanë se pë së shpejti do t’a lironte qytetin e Dibrës së Madhe.Veç kësaj, i porositi që të mos i varin veshin komisionit që kishte ardhë prej Stambollit, punë e cilla e tronditte dhe i interesonte tepër.
Ky flori që derthte Esati me kaq lehtësi për të sigurue interesat e veta kush e din se si do të paguej ma vonë prej popullit të ngratë të Shqipnisë.
Zemra e mendja e Mersin Demes ende s’ishte për vënerë prej helmit t’Esatit. “Nëqoftë se asht koha e favorshme mund t’ia prishin punët’ - më tha nji ditë dhe kërkoj t’ja çfaq mendimin tim.
- Që të dëftojmë ekzistencën tonë kombëtare e shtetnore para botës së huej asht e domosdoshme që të kemi nji qeveri të formueme e të kryesueme prej kujdo qoftë, sepse vazhdimi i zhurmës së turmave injorante kam frikë mos e dhantë zoti, mund t’i japi shkak që të bahet nji ndërhyrje e huej dhe të rrezikohej jeta e Atdheut: ‘Sot për sot sa të jetë gjalle Esati ashtë e veshtirë që nji tjetër ta formoje qeverinë, tash per tash le të heshtim tue e quejt ardhjen e Esatit si nji short i së thanës’ i thashë Mersinit. Mundet që aso kohe në nji mendim të tillë gabova.
Mbas tri javesh që patëm sosë në Durrës me dhane leje me u kthye në Dibër ndoshta, s’kishin nevoje me më mbajtë ma gjatë në Durrës, apo gjetën të dobishme largimin tim prej andej. Kur po ndahesha, me tha Esati se Sali Vuçiternin që ndodhet në Dibër do ta kërkonte prej meje dhe prej Hysen Beut. Tue u nda prej Jusuf Beut, me qëllim që t’i tërheqë vrejtjen i thashë: ‘Vepra që e keni gjetë të përshtatshme me u ba kundër Sali Vuçiternit asht e gabueshme. Ma fort se personi i tij mënyra e administrimit të rregjimit më banë të mendohem, mos pezmatoni zotni zemrat e të pa fajshëmve. Në vend që të bani mizorira, veproni me drejtesi, n’asht se doni me ja mbrri qëllimit.

Si u çue fuqia ndihmëse në KRUE
Kryengritja e dytë kishte plasë në Tiranë. Xhelal Beu e Selim Dema që ndodheshin në Tiranë ishin largue. Mbas kësaj ngjarjeje, Esati Jusuf Beu e Ali Beu i shkruejshin Prefekturës së Dibrës që të mblidhesh e të çohesh nji fuqi më e madhe për të shpëtue fenë e Atdhenë. Feja e Atdheut në këtë mënyrë po ndrakeshin. Njoftohesh edhe se ata që do të përbajeshin këtë fuqi do të merreshin nga tre napolona rroge dhe nga nje bukë në ditë.
Drejtori i financës Hysen Bej Golja që ishte zavendës prefekti me nji herë i mblodh parinë e Dibrës që ishin partizane të Esatit dhe au njoftoi këto urdhëna, të cilat, gati me ate frymë u kishin ardhë edhe atyne prej Durrësi. Me këshillat e Sheh Hasanit nga Tomini, të Sheh Musait nga Brezhdanit dhe të Sheh Abzit nga Dohashishti dhe simbas nxitjeve dhe porosive të Hysein Beut u mblodh nji fuqi nja 800 vetësh dhe u çue në Krue.
Kjo fuqi komandohej prej Halil Kaloshit, Kurt Spates, Xhaferr Nokes, Fejzi Alisë, Ali Tahirit, Oman Araciut, Destan Tafes, Shahin Deshatit, Feta Bajram Dohashishtit e Ymer Reçit.
Ndërkohe don me thanë me 13 Dhetuer 1914, për herën e dytë dhashë dorëheqjen tue thanë se nuk mund të bashkëpunoj me atë qeveri, mbasi e kam kuptue së në krye të saj ka njerëz pa meshirë, pa njerëzi e pa ndërgjegje n’ushtrimin e misionit të vet para këtij populli injorant e të mjerë që s’ka sigurim në ndonji pikëpamje dhe që s’do mundet kurrsesi të bashkojë popullin e gjithë krahinave që përfshin Atdheu në nji administratë të vetme. Kësisoj e kënaqa ndërgjegjen time dhe fitova lirinë personale.
Mbasi dhashë dorëheqjen hyna në korespondence me Ahmet Zogun në Mat, i cili nuk kishte shkue mbas Esatit. Mbas marveshjes që bana me të bamë nji mbledhje në shtëpi të Elmas Nanes në Sohodoll. Në këtë mbledhje muerrën pjese Izet Bej Maqellara n’emen të krahinës Maqellare, Sefedin Shehu, Halil Shehu e Mud Shehu nga Peshkopia, Abaz Bej Deshati, Feta Bej Brezhdani, Hysen Lika, Maliq Xhari, Selman Xhuka nga Qidhna, Tahir Tafa nga Sohodolli dhe disa zotni të tjerë në prezencë të Elez Jusufit. Në këtë mbledhje u vendosë që të formohet në Shqipni nji qeveri e përkohëshme që ta sundoj vendin deri sa të mbaronte lufta botnore. Që të përgjithsohesh ky mendim e të bashkoheshin të gjithë krahinat e Shqipnisë u pa e arsyeshme që kjo barre ti ngarkohet Ahmet Bej Zogut, i cili do të merrej vesht me krahinat e tjera për të bamë nji mbledhje të përgjithshme për këtë qëllim iu shkrue nji letër nga mbledhja Ahmet Beut. Që të bisedohej me Ahmet Beun mbi mënyrën e veprimit, unë bashkë me Izet Bej Maqellaren e morrëm letrën dhe shkuem vet në Mat. Prej Mati kishim vendosë me shkue në Tiranë prej ku do të përpiqeshim me e gjetë mënyrën me u marre vesh me nipin e Elez Jusufit që ndodheshin në Durrës për me i tërhekë, prej Esatit me fuqin e tyne që të paksohesh forca e të lehtësohej përmbysja e tij.
Aso kohe, kur na ishim në Mat, marrim vesh se dibranët që kishin shkue në Krue ishin thye në nji luftë që kishin bamë me rebelet e Tiranës dhe kishin ikë, sigurisht flitet se kjo ikje ishte shkakëtue mbasi dibranët kishin mbete pa mjete luftarake, mbas nji bisedimi që bamë me Ahmet Beun vendosëm që me pare se të nisim nga puna, t’a pyesim mendimin e këshillit administrative të Tiranës. Për këtë qëllim, Ahmet Beu i shkroi nji letër Këshillit në fjalë dhe na u kthyem në Dibër për me pritë deri sa të vinte përgjigja.
Nga nji letër që mora prej z.Sali Vuçiterna që kishte qenë ke Ahmet Beu në Mat m’epesh të kuptoj se keshilli i Tiranës i ishin përgjigj Ahmet Beut se kanë me u përgjigje mbasi te vijshi në Tirane disa krenët e komandantët që mungojshin.
Mbas pak ditësh, kishte ardhë nga Tirana në Dibër Xhil Zimuri, ky njeri me këshilloj te mos shkojë në Tiranë, sepse kishte ndëgjue se thot populli atje që Ismail Strazimiri kishte ardhë në Mat bashkë me Izet Bej Maqellaren për me ardhë në Tirane, por ne nuk u besojmë atyne mbasi Ismail Strazimiri asht Shqiptar dhe Izet Beu të vëllanë e ka ke Esati në Durrës.
Për fat të keq Atdheu po rrukullisesh për t’u perplasë me nji greminë. Populli injorant e fanatik i nxitun prej intrigave te mbrendëshme e të jashtëm ende vazhdonte t’i fyej me përbuzje vllaznit e vet nacionalistë shqiptarë e vehten e quanin osman. Në nji kohe kur bota po digjesh në flakën e luftës së kobshme q’u shkaktue me fort se çdo tjetër prej ngacimeve të ndiesive kombëtare Pansllavismës e Pangjermanizmës, na vriteshim me njani tjetrin marrëzisht që t’a mohojmë kombin tonë dhe në këtë mënyrë t’ja hekim vehtes të drejtën e independencës e të lirisë kombëtare q’e u fitue mbas aq sakrificash e mjerimesh.
Po në këtë kohë Liman Lleshi e Shaqir Dema që ndodheshin në Durrës, tue pamë se kryengritja po vijonte si nji natë e gjatë e e merzitshme, kërkojnë prej këshillit të Tiranës me anë të Faik Sheh Halitit nga qyteti i Dibrës së Madhe që të lihen të lire me ike prej Durrësi bashkë me fuqit e veta e me shkue në Dibër tue kalue nga Tirana.
Man Picari që pretendonte se punonte për fe e të drejtë, që t’i lejonte me kalue nga Tirana, u kërkonte gjashtëqind napolona shpërblim. Në këtë mënyrë humbet rasti ma i mirë për me pakësue fuqinë Esatit. Lum na në çfarë duer rrotullohet puna.
Njeni nga autorët ma influentë të këshillt administrative t’Elbasanit qe Beqir Efendi Elbasani. Me ket zotni kisha miqësi kur ndodhesh si llogaritar i batalionit të gjindarmarisë në Dibër në kohë e Turqisë, këtij i shkrova nji letër dhe i thashë që të bajshim gjithshka asht e mundun për nji bashkim kombëtar e me shpëtue Atdheun nga rreziku që i kërcenohet, sepse Serbët po përpiqeshin me mbledhë nji fuqi në malësi të Dibrës së Madhe për me sulmue Elbasanin. I thashë gjithashtu që të pranojshim propozimet e disa krerëve të Shqipnisë qe ishin mbledhë në Shkoder dhe kërkojshin me ba nji qeveri të përkohshme tue lanë Durrësin të rrethuem. Ai këtë letër ja difton Këshillit dhe me nji qarkore telegrafike i njoftojnë krejt rrethet e sundimit të tyne mbi permbajtjen e saj tue i këshillue që të kenë menden me mos u mashtrue me propozime te tilla. E kur e invaduen dhe e pushtuen Serbet Shqipnine, kjo letër ra në dore t’Esatit, i cili atë letër e dha për në gjygj ushtarak.
Për fatin tim, nuk e di se si qe, apo s’mbeti kohë, prej kësaj letre të rrezikshme nuk pata ndonji dam personal.

Mbas disfatës KRUES
Të thyemit në Krue, s’u kishte dhanë mesim dibraneve, zevëndës Prefekti i Dibrës Hysein Beu mbasi u takue disa here me nënpunësit politik të Sërbise, i mblodh krenët e Dibrës që kishin qenë në Krue dhe u tha që përsëri të mbledhin nji fuqi për me shkue në Durrës tue ndjekë rrugën Starove - Elbasan dhe u njoftoj se qeveria Sërbe për këtë qellim kishte vue në dispozicion të tyne nji sasi të madhe të hollash e municion. Edhe Mersin Dema që kishte qenë në Durrës në Krue nuk e i sepse i udhehiqte këta te poshtër.

Mënyra e veprimit të komisionit që erdhi nga STAMBOLLI
Kur shkonte Esat Pasha nga Dibra në Durrës, kishte dalë në Durrës nji komision i ardhun prej Stambollit. Ky komision i perbamë prej Hajredin Bej Pustina, Sali Bej Jegeni e tre a katër tjereve, tue ndjekë rrugën Durrës – Elbasan kishte ardhë në Dibër - Peshkopi dhe ishte përpjekë me e bashkue popullin për me mësye Serbine, por me qenë se këta se shifshin mirë shpirtin e popullit, me qenë se s’ishin të zotët me realizue nji plan kaq me rëndësi dhe me qenë se s’kishin me vehte të holla s’munden me ia arri qëllimit mbasi kundërshtarët i luftojshin dhe i tallshin.
Intrigantët që kundërshtojshin iden e sulmit që duhesh me i bamë Serbisë, gjetën rasë me fut fare dasije e mënije në mes të popullit për me deshtue propagandën e komisionit në fjalë.
Këta njerëz që kishin për mjeshtri me e tradhetue Atdheun e me punue për interesat e të huajve me qëllim që të tërhiqshin shuma të hollash prej qeverisë Serbe, banë shumë poshtërsina kundër këtij komisioni dhe ma në fund natën e gjuejtën me gurë e me pushkë shtepine ku banojshin pjestarët e komisionit. Nji ditë tregu, kur populli ishte grumbullue në shesh, nji i quejtun Xhel Banushi nga Brezhdani që disa ditë më parë ishte çmend, shtiu disa herë me pushkë kundër turmës së popullit dhe vrau e plagosi pesë a gjashtë vete. Qeverija e vendit që administrohej prej zv.Prefektit, Hysein Bej Goles në vend që të bante hetime për me zbulue, se ky njeri me të vërtete ishte i luejtun mendsh apo i shtyem prej Serbisë për të shkaktue nji grindje të kobshme në mes të popullit, krejt fajin ia ngarkoi komisionit me qëllim që të ngjallte nji urrejtje në popullin kundër tij.
Komisioni vetëm mbas gjashtë a shtatë muejsh e muerr vesht se nuk kishte mundë me i sherbye bashkimit, por dasisë së popullit në atë vend, prandaj u ngrit prej Peshkopisë dhe erth në krahinën e Maqellares ku ishte ma i qetë dhe ma pak i ngacmuar prej intrigantëve.
Mbas disa kohe erth në Peshkopi, me detyrë inspektimi, sekretar privat i Esatit, Faij Bej Kodra. Ky kishte ardhë nga Durrësi në Greqi dhe prej andej kishte kalue në Sërbi. Sa sosi në Peshkopi, i mbledh krenët besnik t’Esatit dhe mbasi u kominikoi urdhnat e eprorit të vet, ua ndau gjandarëve nga nji rrogë prej të mbrapambetunave. Mbasandaj Hysein Bej Golja, zv. Prefekti i Esatit, hyni dy a tri herë në Serbi, për këtë vajtje e ardhje u thosh antarëve të Esatit se shkonte me u takue me nji farë Tofiku që ardhka ay i dërguem prej Pashës me të holla. Ndërkohë, u banë përpjekje të mëdha për me mbledhë nji fuqi që t’ja çojshin në Durrës nga ana e Elbasanit, por s’mundën me ja mbrri qellimit. Ma në fund, qeveria e serbe me të hollat e mëdha që derdhi me ndermjetësin e Halit Lleshit, të Taf Kaziut dhe Mersin Demes, të Riza Demes të Rahman Likes, të Fehte Camit,t ë Hamit Tunuzit e të Rakip Tunuzit mundi me mbledhe nja njimijë vete. Kësaj fuqije që do të shkonte në Durrës tue kalue nëpër Elbasan, qeverija Serbe i bashkoi edhe nga njiqind ushtarë Serbe të mveshun me petka shqiptare dhe i pajisi me municion te mjaftueshëm.
Kryekomandant i kësaj fuqie ishte zgjedhë nji i quejtun Mlladen, nënpunes i politikës serbe në rrethit e Dibrës dhe ky qe mveshë me kostum shqiptar. Kur po bahej gati fuqia me u nisë, Mersin Dema zhvilloj nji prapagandë të rreptë në mes të popullit e të atyne që do të shkojshin në Durrës dhe arrini me e shpërnda krejt fuqinë e mbledhur, kështu shkoi dam e kot krejt mundimi i Serbive dhe i veglave të tyne. S’dihet se ç’shtyni Mersin Demen me bamë nji veprim kaq të guximshëm. Ndoshta e çmoi ma në fund rrezikun që i vinte atdheut prej Esatit ose e bani për kundër Halit Lleshit, me të cilin ishte armiqësuem. Sidoqofte, aktiviteti i Serbise për këtë qëllim s’pat fryt dhe përpjekja për me çue në Durrës nji fuqi dështoi kryekëput. Por as Esati as Serbia s’e harruen dhunën e Mersin Demes. Ma vonë kur kapërcen kufitë Serbia dhe pushtoi nji pjesë të Shqipnisë, Mersini i trembun shkoi në Durrës për me i ra ndër kambë Esatit që t’a shpëtonte. Por ai e arrestoj dhe ua dërgoi serbëve, të cilët ia prenë kryet dhe me këtë mënyrë shfrynë në të.

Mësymja që i bani HASAN PRISHTINA Sërbisë dhe përfundimet e kobshme të saj
Hasan Prishtina, si thamë edhe ma naltë u tërhoq në Lumë, kur pa se mbledhja e Dibrës nuk dha ndonji fryt. Prej andej merresh vesh me Elez Jusufin, me komisionin e ardhur prej Stambollit dhe me emigrantet e Ohrit e të Strugës, që aso kohe ndodheshin kah Starova, të cilit i nxiti për të msye Serbinë. Komisioni i Stambollit ashtu edhe emigrantet e Ohrit e të Strugës, nisjen e veprimit të sulmit kundër Serbisë e kishin lanë e mbështetë në dëshirë t’Elez Jusufit. Me fjalë të tjera ato ishin të nji mendimi për me e sulmue Serbinë atëhere kur ta gjente të përshtatshme Elez Jusufi. Vetëm Sali Bej Jegeni, që ishte njeri nga antarët e komisionit të Stambollit, tue mos e përfshi e gjykue mirë gjendjen, ngutesh dhe kërkonte të mos vonohesh lëvizja. Mirpo, Elez Jusufi, që gjykonte thellë dhe i parashikonte punët ashtu si ishin, u përgjegjesh se nuk duhet sulmue Serbia pa arri në Nish e në Mitrovice ushtritë Austro –Hungareze. E në rasë të tillë ai kishte vendosë me e qëllue Serbinë edhe sikur mos ta ndihmojshin besimlidhësit e tij. Prandaj, këshillonte me pritë. Por Hasan Prishtina mërzitesh e s’munde të duronte me pritë. Nga ky shkak kërkonte të shpikë e të trilloj çeshtje për me u nisë sulmi nji orë e me parë. Ma në fund i bindi Lumasit e gjorë e disa Kosovarë të shkretë që banojshin në Lumë si emigrantë dhe i sulmoi Serbinë. Mbas disa dite luftimesh arrini në Zhur, nji vend afër Prizerenit, por aty nga padisiplina dhe nga shkaku që ende Serbia ishte e forte, u thye. Populli u tremb tepër dhe Konsulli i Austro- Hungarise në Shkodër u pezmatue, sepse edhe ky kishte pranue mendimin dhe planin e Elez Jusufit dhe veprimi i Hasan Prishtines e cënoi mjaft projektin e tij. Kësisoj Hasan Prishtina në vend që ti sherbente qellimit të vendit, shkaktoi dame dhe provokoi që të pësojne të zezat Lumjanët ashtu edhe emigrantet e Ohrit e te Strugës që i shtynë të luftojnë kundra Serbisë.
Me qenë se Serbia trembesh tepër nga nji sulm i bamë prej Shqipnie, gjithmonë përpiqesh me futë në mes të popullit tone grindje e dasi. Nji fletore e ndyet që dilte turqisht në Manastir dhe që mbante emrin ‘Hakikat’e verteta, me paqeta i çoheshin Hysein Bej Goles zv.Prefekt në Peshkopi dhe ky ua shpërndante antarëve të vet. Kjo Lepushke, që ishte organ i Serbisë lavdëronte regjimin Serb, fitimet e ngadhnimet e ushtrisë serbe në lufte dhe kësisoj propagandonte në favor të Serbisë. Gazetat e tjera Turqish që vijshin nga Turqia përpiqeshin me i ndalue. Edhe kunati i Hysein Beut, Hafuz Raifi që ishte Myftiu i Peshkopise s’mbetesh mbrapa në propagandë për llogari t’Esatit e të Serbëve. Aso kohe, kishin ardhe në Dibër disa Fetfaja prej Stambolli. Me këta Fetfaja thirreshin muslimanet me marrë pjesë në luftë kundra armiqeve të Turqisë muslimane. Por myftiu këtë fetfaja i interpretonte ndryshe dhe thoshte se përmbledhja e tyne nuk ka të bejë me muslimanët e Shqipnisë, mbasi ata jane lidhë mbas Esat Pashes, i cili asht shkakëtar i shpëtimit të tyne. Kur e ndëgjova, nji ditë tue fole në këtë mënyre i thashë: “Në qoftë se ti nuk don me e nxitë popullin që të marrë pjesë në luftë tue mbajtë krahun muslimanëve, perpiqu qi ai të mbetet asnjianës, se fjala e jote si fetar qe je, ban efekt. Mos fol as në favor t’Esatit për hir t’asaj rroge që merr, se edhe ajo del nga kurrizi këtij populli dhe Esati asht nji njeri që e çoi Shqipninë drejt humnerës.
Por ay s’donte të marrë vesh nga fjalet e mia dhe vazhdoi n’udhën që kishte marrë.
Hysein Bej Golja ishte serbizue kryekëput dhe që të provonte se s’asht ma shqiptar vu në kokë nji kësule serbe. Por bashkimi Hafuz Raifit në mend të tij dhe mënyra e ligjerimit të Hoxhes lente vragë të hidhet në popullin e urtë. Për këtë arsye Hafuz Raifi për mue ngjante si nji Arif Hiqmet i dytë.

Si hyni ushtria Serbe në Peshkopi dhe pushtoi krahinën e disa pjesë të Shqipërisë
Tash kishte ardhë koha që Serbia ta korte prodhimin e asaj fare që kishte mbjellë në Shqipni prej kaq kohesh me anë të Arif Hiqmetit e kompanisë së tij tue derdhë aq flori. Tash deshte me përfitue nga propaganda e dasisë dhe menisë që kishte zhvillue në vendin tone me anë të agjentevë të vet, kërkonte shkak e preteks per me e pushtue Shqiprinë.
Rranzë kufirit shqiptar-serb nga ana e qytetit te Dibrës së Madhe ndodhet katundi Spas. Hysen Duka , nji nga banorët e këtij katundi, ishte njeri nga prisat e gjandarmarisë esadiste, apo ma mire me thanë serb n’ato anë. Në mes të këtij dhe të Halil Lleshit kishte shkue mace e zeze nga shkaku i perpjekjeve e i lakmisë që kishin për me terheqë sejcili ma fort kah vetja simpathin e armikut të atdheut dhe kështu kishte plasë nji grindje midis tyre. Hysen Duka, në atë kohe sekretar kishte Rustem Ymerin, ma pastaj kryetar bashkie nëpër prefekturat e Shqipnisë, Rustem Ymeri i shpërdhihet për opurtunitet politik q’ai e kishte gjetë t’arsyeshem me u shkëput nga rrethi i parë dhe hidhet n’anën tjetër tue u bashkue me kundershtarët e Serbëve.
Kjo shperngulje e bame prej ish besnikëve e shqetësoi dhe e vuri në kujdes qeverin Serbe për ato pjesë te kufirit, sepse në këtë mënyre rujtja e kufirit po binte në dorë t’atyne që nuk i shërbejshin qëllimeve të Beligradit, punë e cila mund të shkaktonte pengime me kembimin e postës dhe pamundëshmërinë e vazhdimit te mardhënijeve me qeverinë e Esatit, e cila, sikundër dihet ishte si nji dega e Beligradit në Shqipni. Ajo që i trembte serbët dhe veglat e tyne mbrenda kufirit shqipetar, në të vërtete ngjau dhe të gjitha marrëdheniet u këputën.
Aty kah mesi i marsit 1915, u ndodha në çiflikun t’im Maqellare. Kur isha këtu mora nji letër prej Myftiut të Përgjithshëm z.Vehbiut, q’aso kohe provizorisht gjindesh në Peshkopi. Sikundër kishte marrë vesh thoshte në letër se në fushë të Dibrës së Madhe qenka tue u ba disa demostracione kundër Serbis, ashte e drejtë, thoshte ai që një punë e tillë mund të ape shkak që Serbia të kaloje kufirin dhe më thoshte që t’i keshilloj katundarët për me ndejt urët e mos me e ngacmue Serbinë në mënyre që mos me dhanë shkak nji invasion nga ana e saj.
Ju përgjigja dhe i thash se mbledhjet që bahen s’kan asnji qëllim për kundër Serbisë, ato kishin qëllim vetëm me gjetë mënyrën e stabilizimit të qetësisë së vendit nga që mungonte qeveria në realitet. Bashkë me komunikatën mashtruese t’Esatit që u ka tregue Hiresis s’uej Hysen Bej Golja për me sigurue se qeveria serbë nuk e kapërcen kufirin, do t’i bënte ma mirë sikundër t’ua tregonte edhe kopja e letrës që disa ditë ma parë i çoi komandantit serb në qytetin e Dibrës së Madhe, me të cilin u lutesh autoriteteve serbe që në qoftë se donin me ndihmue Esatin ose dishirojshin me e pushtue Shqipninë mbledhjen e gjindarmve që janë tue regjistrue n’anën e Shqipnisë me anë të Halit Lleshit e të shokve të tij, t’ia ngarkojshin njerëzve që do tu tregonte ky, mbasi ky ishte besniku i Esatit [Njerëzit që u propozonte Hysen Bej Golja serbëve ishin Hamit Tonuzit e Rakip Tonuzi nga Allabegija fis me to]. Gjithashtu Hysen Beu, u lutesh Serbëve që ti çojshin edhe pesëqind napolona për t’i pague rrogen e gjandarve. ”Kjo letër u zu prej Hysen Dukes kur futesh dërguesi n’atë anë të kufinit dhe u kofiskue’
Ma në fund i thashë se po ta kishte lexue këtë letër dhe po ta matte ambicjen e mbretnimit q’ushqente Esadi, me nji herë do ta kuptonte se invazioni i drashtun i Serbisë, n’asht se do të bahet, do të ngjasë vetëm nga provokacioni i Esadistëve që nergut e kanë turbullue dhe vazhdojnë ta turbullojnë vendin. Po ti kishje marrë vesh këto që thashë, nuk do të me epesh nji sigurim t’atillë për qëllimet e serbëve dhe nuk do të bahesha vegla e propagandës së nji tradhëtari të jashtëm si Hysen Bej Golja.
Nuk iu ndie zani ma Myftiut të përgjithshëm
Pa kalue dhetë dit ushtria Serbe kaloj kufirin dhe u rras në Gollobordë tue i bombardue të katër anët. Gollobordasit që u gabuen nga propaganda e Arif Hiqmetit dhe e Qamil Fejzes, deri atëhere e kishin pritë ushtrin e Osmanllijve si kryengritësit e Shqipnisë së Mesme, tash të shtangun e të trembun shifshin se po përhapesh në vendin e tyne ushtria Serbe, e cila vriste e priste, therte e mbytte , digjte e shkatërronte pamëshirshëm.
Krizmat e topave Serbe të zbazun mbi katundet e Gollobordës dhe klithmat e banorve të pafajshëm që u mashtruen, shkreptima e bubullima u ndëgjuen në të e katër anët e prefekturës së Dibrës. Populli iu drejtue zv. Prefektit Hysen Bej Golja dhe e pyeti për këto ngjarje të kobshëshme.
Invazioni Serb në Gollobordë-iu përgjegj prefekti fillo serb asht shkakte nga ngacmimet që kanë bamë Gollobordasit shtetit Serb. Në këtë anë pa u ngacmue e pa u dhanë ndonji provokacion nuk mund të bahet ndonji invadim. Prandaj qetësohuni.
Parsia e Dibrës së vogël për herën e dyte iu drejtue Hysen Beut dhe kërkoi të dije se a e priste edhe atë anë fati i gollobordës.
Hysen Beu i siguroj se nuk do të ngjante nji gja e tillë deri sa të rrishin urtë e të mos e sulmojshin kufinin. Në mes të krenve që i ishin drejtue zgjodh Hysein Beu, Sheh Seitin nga Brezhdani, Sheh Sefedinit nga Peshkopija, Tahir Alkut e Bajram Kadiut nga Dohashishti dhe i çoj ne krahinën e Maqellares për me e këshillue popullin që të rrinte urtë e të mos i nepte shkak ndonji invadimi. Të nesërmen, kur këta në Maqellare po e keshillonin dhe po e siguronin popullin, u arrestuen prej ushtrisë serbe që befas e kishin kalue kufirin dhe ishin fut në katundet e Shqipnisë.
Batalionet e ushtrisë serbe të nesërmen e asaj dite qi nepte sigurime mos invadimi Hysen Bej Golja due me thanë ditën e parë të Qershorit 1915, po marrshojshin drejt Peshkopise t’udhëhequn prej Rahman Likes prej Luznije, e Dine Hoxhes nga Muhri, zv. Prefekti Hysein Bej Golja dhe komandanti i gjindarmarisë Mustafa Bej Serdari, tepër të kënaqun e të gezuem kishin dalë në Qenok me pritë ushtrinë mike, Myfti Hafuz Raifi, Sheh Hasni nga Tomini, keshilltari besnik i Hysein Bej Goles, Fetah Bajrami nga Peshkopija kishin dalë në Llasen për me e përshendete ushtrinë Serbe dhe me i paraqitë sigurimet e besnikërisë së patundëshme. Në mes të kësaj turme të shitun dalloheshin fytyra e habitun dhe e trishtueshme e Myftiut të Përgjithshëm z.Vehbiut. Ata që e drojshin këtë kob dhe ishin puntorë të palodhur në fushën kombëtare u arratisën dhe u refugjuen në Mat. Edhe unë pata shkue në Mat. Por mjerisht edhe Mati ishte ndrydhë nën forcën kërcënuese të armikut të fes t’atdheut dhe ankonte nga plagët e randa të hapuna prej kuçedrës që po perpinte iden e kombësisë e të vet sundimit. Ai armik ishte Serbi dhe kuçedër Esati. Prandaj t’arratisunit u kthyen prap dhe iu perkulen Serbisë. Vetëm Elez Jusufi u mshef dhe tue mos u dorëzue edhe këtë herë tregoi nji burrëri te veçantë.
Mbasi pushtoi krejt Dibrën ushtria Serbe, Hysein Begu doli drejt për drejt, u njoft nga autoritetet e nalta Serbe si Prefekt i Dibrës. Me këtë mënyre u shpërblye shërbimi i tij. Edhe besnikët e tjerë si Sheh Hasani prej Tomini, Sheh Farullai nga Brezhdani, Rahman Lika nga Luznija, Zyber Hoxha nga Muhrri, Osman Huraeni nga Sohodolli, Kurt Spata nga Qidhna, Sul Shehi nga Peshkopia, Sul Marku nga Reçi, Hamit Tonuzi nga Allajbegija, Halit Lleshi nga Resani, Osman Poljaku nga Kllobçishti, Pullum Lleshi nga Zogaj dhe Shermedin Koleci u shpërblyen tue u emnue krahinarë. Edhe Dik Xhelili i nipi i Elez Jusufit u emnue krahinor por ky e pranoi këtë nënpunësi vetëm për të mundë me i shpetue rrezikut serb.
Mizoritë e padrejtesitë e qeverisë Serbe të bame kësaj rradhe në Qarkun e Dibrës, gjithashtu taksat e randa, me të cilat u ngarkuan banorët qenë aq të mëdha sa nuk mund të përshkruen në nji libër të vogël si ky i joni.
Mbas ofensivës së fundme që i banë Dibrës ushtrit Austro- Hungareze e Bullgare, e dërmuen fare dhe e shtrenguen ushtrine Serbe që të arratisesh për me dalë jashtë Atdheut. Tepricat e ushtrisë serbe shtek kalimi për shpëtim gjetën në Shqiperi q’aso kohe sundohej prej Esatit. Një pjesë e kësaj ushtrije dilte në Durrës tue kalue nga Prizereni përmes Lumës e Dibrës. Tre rregjimente nga divizioni i Nishit që kishin mbetë të fundit, kur po kalojshin nëpër Dibër ndeshen me nji fuqi civile që Elez Jusufit mbodhi nga krahina e vet e pak nga Luma. Në nji luftim të rrepte që u ba vetem njimijë ushtarë mundën me e shpëtue jeten tue ra rob në dorë të Shqiptarve. Të tjerët u vranë të gjithë, shumë kafshë, topa, mitroloza, armë e municion ranë në duert të Shqiptareve, të cilët gjetën rasën e volitshëme për me shfry n’atë armik që i kishte shkaktue Atdheut e sidomos Dibrës aq mjerime. Kjo luftë që ndodhi me 2 Dhjetor 1915 i shtoj nji kunor mburrje, burnisë s’Elez Jusufit dhe nji faqe të shkelqyshme historisë s’onë kombëtare.


Mbasi ikën Serbët
Në ditët e fundit të sundimit serb, Dibra kaloi nji jetë fare të turbull e plot shqetësim, sepse në nji anë luftonte me ushtrinë serbe për të marrë shpagim e aq mije viktimave që ishin masakrue qysh nga lufta ballkanike dhe n’anën tjetër, priste ardhjen e ushtrive Bullgare në qytet. Me 2 Dhjetue 1915 qenë dërmue ushtrit serbe prej Elez Jusufit dhe me 6 Dhjetuer patën hy në qytet ushtritë bullgare, të pritun prej banorëve të shumë vuejtur si përkrahsit e nji Shqipërie të madhe e të vetësundueme ashtu si i ishte premtue, ma para prej organeve të Imperatorisë austro –hungareze.
Në këtë kohe, kur Dibranët luftojshin me mllef kundër ushtrive serbe dhe shteti serb rrukullisesh me vrull në tëposhtmen e nji humnere vdekje, Sheh Hamdi Shijaku nga krahina e Shqipërisë së Mesme kishte sulmue Matin për me e shtrua nën zgjedhjen e Esatit. Prap në këtë kohë kur Sheh Hamdiu përpiqesh me e shtue rrethin e sundimit t’Esatit në Mat Ahmet Bej Zogu po largohesh nga vendlindja e tij, tue deklarue se do t’i sulmonte serbët dhe po rrotullohej nëpër malet e Lures me nja pesë a gjashtëqind Matjane. Kur u pastrue Dibra nga ushtrija serbe ,Ahmet arrini në katundet e Dibrës se vogël dhe e vendosi fuqin e vet me u preh ndër shtëpi sikundër kishte kthye prej frontit të luftues.
Ahmet bej Zogu, që kishte vendos me mos u kthye në Mat, pa u lirue vendi prej njerezëve të Sheh Hamdiut, e mblodh gjithë parinë e Dibrës në Peshkopi, dhe mbas shumë bisedimesh formoi nji komision kombëtar – për administrimin e vendit nën kryesinë e Emin Beut. Vellau i Jusuf Beut, Emin Beu s’ishte i zoti për këtë punë, por paria e vendit e zgjodh si kryetar, mbasi nuk u përshtatesh me sedrën e vet, zgjedhja e nji Beut jo dibran si i pari i vendit të tyne. Formimi i komisionit nuk vlejti për asgja, mbasi s’mundi me ba kurgja që ta tregonte ekzistencë kombëtare të vendit.
Në krye të javës, bashkë me Ahmet Beun shkuem në qytet të Dibrës së Madhe dhe u takuam me komandantin e ushtrisë Bullgare. Në biseda e sipër i thamë komandantit se po të na jepte dhjetmijë manzera dhe dymij manzera turke dhe municion ishim gati të sulmojmë me nji fuqi Dibranësh e Matjanësh ushtrinë serbe q’ishte grumbullue n’Elbasan e në Tiranë. Komandanti kërkoj të presim deri sa të marrë përgjigje nga Sofia ku pyeti.
Mbas nja dhjetë ditësh Ahmet Beu mbledh nji fuqi nga malsia e Dibrës së Madhe dhe nga Mati dhe u nis për me i ndjek serbët, por çuditërisht e ndaluen Bullgarët dhe u kthyen nga rruga.
Me 29 Dhjetor 1915 nga Ahmet Beu mora nji letër nga Dibra, në të cilin me shkruente për me ndrue komisionin e Peshkopise me që i pari s’ishte i zoti me diftue nji ekzistencë kombëtare dhe me që armata bullgare do të marshonte drejtë Dibrës së vogel për me pushtue Qarkun e Peshkopise ku ishte vu Flamuri i Shqiperisë.
Me 1. Kallnor 1916 batalioni i parë i rregjimentit të dymbëdhjet të Bullgarisë hyni në Peshkopi. Me 10 Kallnor 1916 komandanti i këtij batalioni major Kolerefi u njoftua telefonisht se të nesërmen do të vinte në Peshkopi Hasan Basriu dhe u porosit që ta presin mire. Te nesërmen, me të vërtetë, erth Hasan Basriu.
Ato ditë mora prej Ahmet Beut nji letër për me ja dorzue Elez Jusufit. Letra që përmbante datën 23 Kallnuer thoshte kështu: “Po pergatisim me e sulmue në këto dit ushtrin Serbe që asht mbledh në Shqipnin e Mesme dhe qeverinë ilegale t’Esatit në Durrës. Për nji veprim të tillë janë marrë vesh me Imperatorinë Austo- Hungarez dhe ajo e pëlqen këtë projekt të cilin na e dha ajo vete. Ky projekt do të jetë për të provue se Shqipnija nuk mbetet indiferent para armiqve të vet. Mbasi ta bisedoni çështjen me Ismail Strazimirin, iu lutem mu përgjegjni me dërguesit e kësaj letre se a do të merrni pjese edhe ju ne këtë veprim apo jo”
Me datën 30 Kallnuer ju përgjigja:
“Simbas lejes që me kishin dhanë e këndova letrën q’ i drejtohesh Z. Elez Jusufit. Veprimi që doni me bamë ka rëndësi. Që të mos pengohemi si herën e parë, lypset me e mendue mirë. Elez Jusufi e pres që të vij nesër këtu. Por veprimi që thoni se do të bahet me pelqimin e Austro- Hungarise a nuk duhet të njoftohet edhe aleatja e saj Bullgaria?
Qeveria Bullgare deri tash nuk na ka thanë gja mbi nji punë të tillë. Jam i mendimit që na duhet të mbështetemi në mënyrë të barabartë në përkrahjen e të dy shteteve mikesha dhe asndonjeni të mos preferohet ma shumë se tjetri, për shkak se po të ngjaje ndonji mosmarveshtje në mes të tyne, dami do të rëndoje mbi ne shqiptarët e ngrate. Natyrisht edhe z.e juej gjykoni kësisoj. Nisja e Z.suaj vallë a pajtohet me mendimin e Hasan Basriut që këto ditë erth këtu, mbas vizitave që bani në Zvicer, e në Vjene, në Rumani e në Sofi, ku u prit mire. Që të mos i nepet shkak ndonji gabimi, jemi të mendimit që të vini në nji mendim me Basri Beun dhe mbasandaj në Dibër ka me u krye çdo punë ç’asht në përshtatje me interesat e vërteta e të nalta t’Atdheut”.
Hasan Basriu që të merresh vesh me Ahmet Beun e kishte çue në Mat Izet Bej Maqellaren. Ahmet Beu pa e marrë letrën teme që përshkrova ma nalte, me çonte nji letër tjetër, e cilla përmbante këto:
Në qoftë se do te na lejojë koha në këto dhjetë dit do të nisim nji veprim të përgjithshëm, i cili asht i pelqyeshëm dhe i frymezuem prej Austro –Hungarisë e Bullgarisë, për këto çështje ka me u fole edhe Izet Beu dhe kam me u shkrue prap. Qëllimi që me shtyni me ua shkrujtë këtë letër asht ky:
Flamurin që mundem me e ruejtë prej armiqve e prej tradhëtarëve, s’duhet ta ndrojme e ta zhdukim. Flamuri i Shqipnisë s’asht nji simbol i trilluem apo i shpikun, por nji shenjë e shenjtë kombëtare e pranueme mbas rrjedhjeve historike të vendit tonë. Veç kësaj asht si simbol q’e kanë pranue edhe shtetet e huaj, qofshin këta miq ose armiq. Fuqija gjykuese e juej asht garanti për mue se nuk do të bani ndonji lajthim aq të madh sa me e zavendesue atë me nji tjetër. Mos harroni se në nji rast të tillë do të gjindemi para kritikës të rreptë të historisë së pamëshirshme që s’din me u gabue e lakue keq.
Në qoftë se Flamuri i Shqipnisë do të rrëzohet në Peshkopi me pelqimin e të gjithëve, ju lutem ma ktheni prap se jam i sigurt se edhe ati kam me i gjetë nji vend që të valvisi. Pres letrën tuaj të përbashkët me Z.Elez Jusufin.”
Kjo letër kishte datën 24 Kallnuer 1916.
Unë e Elez Jusufi qemë besatue me Ahmet Beun për të punue për çështje kombëtare, por Ahmet Beu ishte zemrue kundër nesh se Ramiz Daci i kishte pas thanë se në Peshkopi e ulëm flamurin e Shqipnisë. Atë flamur që kishte çue ai nga Mati dhe e kisha vu unë me dorën teme në zyrë të Prefekturës. Ramizi i kishte thanë se në vend të flamurit të Shqipnisë paskemi vu nji flamur të rekomanduem prej Hasan Basriut dhe ay qenka me kande të kuqe, me truel të zi dhe me nji yllë të bardhë në mes. Kjo s’ishte e vërtet. Ishte nji shpifje e trillueme prej Ramiz Dacit. Për këtë shkak Ahmet Beu me shkruente aq egër në letrën e tij dhe i idhnuem për së tepërmi edhe pse i shkruejta në letrën që diftova ma naltë, të mos pengohemi si herën e parë, e preu korespondencën ma me mue.
Hasan Basriu, thoshte se Gjermanija, Austro –Hungarija, Bullgarija dhe Rumanija ishin të mendimit, që të formohesh, sa më parë, në Shqipni nji qeveri, për të dhanë zytarisht prova të nji ekzistence kombëtare që të mundet me u njoftë rishtazi indipendenca e Londrës. Për t’ja mbrri këti qëllimi, shtonte se ai asht ngarkue me ba organizimin. Midhat Frashëri e Pandeli Culi në Jugë, Bajram Curri në Veri dhe ay vet në Dibër për rëndësinë e veçante qe paraqit vendi. N’ato dit shkruente Hasan Basriu letra frengjisht dhe këto i çonte në Manastir, në Shkup, në Prizeren e në Shkodër. Këto letra thoshte ay i drejton shteteve të interesume, të cilat i njoftonte se ka nis ga puna e organizimit.
Kur erdh Elez Jusufi, me u takue me të i dha nji flamur me rreth të kuq, në mes i zi e me nji yllë të bardhë në mes dhe Elezi u përcuell tue u përshëndetë me nderime prej ushtrisë bullgare ’ishte në Peshkopi.
Mbas pesë a gjashtë ditësh që Hasan Basriu kishte ardhë në Peshkopi, mora nji letër të dërgueme me anë të Mud Shehit nga Peshkopija mik i Elezit e i Basriut. Letra ishte kjo:
Simbas dekretit të kryesisë së përkohshme të fuqisë ekzekutive të shtetit Shqiptar, njoftun nga Kryeministrija e Qeveris Kombëtare, Z.juej emnohet prefekt i Dibrës dhe qysh nga data 26 Kallnuer 1916 jeni të lidhun drejtpër drejt me kryesin ekzekutive q’u përmend, ma naltë. Ky urdhër do të këndohet me ceremoni të posaçme, para komisionit administrative. Lutemi gjithashtu të na dërgoni sa më parë propozimi për emnimin e nenprefektve e të krahinarve në rrethet e Prefekturës”.

Zv. i Ministrit të P. të Mbendëshme
Elez Jusufi
Pata vendosë që t’a mbajë mësheft çështjen, deri sa të marr vesh të vërtetën. Por major Kalerofi vjen e më uron dhe më këshillon që ta pranoj pa u matë detyrën e re. Me gjithë këtë unë e mbajta veten dhe nuk e shpalla.
Major Kalerofi e kishte thirrë në qendër gjith parësinë e Dibrës për me i dhanë disa urdhna. Në mes këtyne u tha dhe këto fjale: Z.Ismail Strazimiri asht emnue Prefekt i Dibrës shteti Bullgar e pranon këtë emnim prandaj ju detyroheni me ju bindë plotësisht urdhnat të tij.”
Këtë njoftim major Kalerof e mbaroi tue brohorit: Rroftë Shqipnia. Kjo brohori që shenjente, shprehimisht qe Shqipnia njifesh si e papjestueshme dhe indiferent, ma hoq dyshimin që pata në Hasan Basriun për disa inisiativa të rënda të tij. Me qenë se qellimi ishte me i shërbye shpetimit t’Atdheut dhe me qenë se duhesh pranue çdo propozim i bamë për këtë ideal dhe sikur ai të vinte prej nji shteti të huej, me ndërgjegje të pastër e të qetë, vendosa me e pranue detyrën e prefektit dhe fillova nga puna.
Hasan Basriu, kishte shkue në qytet të Dibrës së Madhe ku ishte ba nji mbledhje, në të cilin kishte marrë pjese ai vet, Ahmet Bej Zogu, nji gjerman i quejtun Princ dhe delegatët e Austro-Hungarisë e të Bullgarise. Të nesërmen, Ahmet Bej Mati shkon në Mat dhe Hasan Basriu u kthye në Peshkopi. Nuk mund të dij pikë për pikë ato q’u biseduen në qytet të Dibrës së Madhe. Vetëm di se në të gjitha çashtjet e bisedueme kishin mbetë dakord. Por ma vonë në mes të Ahmet Bej Zogut e të Hasan Basriut leu nji konflikt. Kur e pyeta me tha Hasan Beu, se Ahmet Beu me qëllim që t’i emnonte prefekta enturazhin e vet si Ivanain nga Shkodra, Irfan Bej Ohrin e Ramiz Dacin, kishte dashtë të emnohet vetë Ministër i Mbrendshëm, kurse ati i qenka propozue dikasteri i Ministrisë së drejtësisë.
N’anën tjetër Ahmet Beu thoshte se mos pajtimi në mes tij e të Hasan Basriut paska rrjedhe nga shkaku që ky nuk paska deshirue t’i lihet Hasan Basriut dikasteri i Ministris së P. të Jashtme dhe nga arsyeja që ai –Ahmet Beu- nuk e kishte pranue dikaserin e Ministrise .P. Mbrendëshme.
- Une jam i ri dhe kam nevoje t’i mbaroj mesimet. Përpjekja dhe kujdesi jem asht vetëm shpëtimin i Atdheut e jo për sigurimin e interesave të mija personale, thoshte Ahmet Zogu. Në disa letra q’u çonte disave, u thoshte që të mos i varnin veshët llomotitjeve që ban ndokush dhe me këtë mënyrë e qellonte Hasan Basriun.
Mbasi ktheu Ahmet Beu nga qyteti i Dibrës së Madhe në Mat, ia çoj komisionit të Peshkopise notën e pershkrueme këtu me poshtë me nenshkrimin e tij si kryetar i Dibrës dhe i Matit. Nota përmbante datën 7 Fruer 1916.
1. “Me ndermjetsinë e ndihmen e fqinjve tanë miq, Austro –Hungarisë e Bullgarisë, në këto dhjet dit, për hir të shpëtimit të Athdheut do të bahet nji operacion i përgjithëm mbi Shqiprin e Mesme.”
2. ”Në këtë operacion do të marrë pjesë Mirdita, Kthella, Luma, Mati, Dy Dibrat, Kosova, me nji fjale gjithë Shqiptarët.”
3. ”Edhe ushtrit Austro- Hungareze do të marrshojn n’atë drejtim d.m.th. mbi Shqiprin e Mesme.’
4. Asht e detyrueshme të marrin pjesë në këtë ekpeditë gjithë ato shqiptare që mund të mbajnë arme e sidomos dibranët, për të cilët ka tepër nevoje. Shpetimi dhe interesi i Atdheut impozon nji veprim të tillë. Pozita nderkombëtare e dibraneve e ban më të nevojshme marrjen pjesë të tyre në këtë veprim.”
5. ‘Me qenë se kjo ekspedite do të bahet nën flamurin kombëtar, kurrsesi, të mos i nepet shkak, ose të zavendësohet ai. Aspak s’asht e lejueshme që të ndrrohet ai flamur që kanë njoftue e pranue zyrtarisht shtetet e huaja miq e armiq. Veç kësaj edhe populli asht i interesuem drejt për drejt për këtë çështje”.
6. Mbasi kemi shumë shembuj që na tregojnë perfundimet e damshme e të kobeshme të veprimeve që janë bamë pa i mendue mire, medeomos, lypset t’i shmangemi nji gabimi të tillë dhe të kini kujdes ma të madh.”
7. ”Mos i vini veshin propagandave që bahen kundër këti qëllimi dhe bahuni gati për t’u nisë.”
8. “Ata që nuk do të marrin pjese në këtë ekspedite do të pendohen dhe ato që propagandojnë kundër këti qellimi do të ndëshkohen, sepse asht fare e natyrshme që të shkoqiten çashtjet e kësaj dore po sa të formohet qeveria kombëtare. Prandaj, duhet me u ruejte nga nji gabim i tillë.
9. Ky urdhër t’u njoftohet të gjithëve.
10. Mbrenda javes pritni letrën teme, me të cilen do t’u njoftohet mënyra e veprimit.’
Mbas kësaj note Ahmet Beu i çonte nji leter tjetër komisionit të përmendun ma naltë dhe krenëve të vegjël e të mëdhej të Dibrës.
Në këto letra që permbajshin datën 8 Frruer 1916 Ahmet Beu i porositte me i ndjekë ato të gjithë ata që ishin të zotët me mbajtë armë dhe kërcënohesh se do ti konsideronte si mohuesa të tij ata që nuk do ti bindeshin këtij urdheni, të cillëve do tu digjte shtepijat për me i ndeshkue.
Në këtë farë stili Ahmet Beu e cënoi sedrën e dibraneve dhe i largoj ato që e simpatizojshin. Këto letra u banë shkak që të ngjallesh nji mejtim i keq në popull, i cili thoshte: Kush e ka zgjedhë Ahmet Beun kryetarin e Dibres? Kush e druen atë që thotë se do të djegë shtepijat e do të na qyej sikurse kemi mohue po të mos i shkojmë mbrapa? Kush ja ka dhanë këtë të drejtë? çfarë sherbimi i ka bamë Atdheut e Kombit që ja kanë dhanë këtë kompetencë? Vallë a asht i pari në Mat, atje ku ka le, apo tri të katërtat janë kundërshtarë e tij? A me të vërtetë deshiron të shërbej për hir të Perëndisë, apo me këtë mënyrë don me mbulue gabimet e vjetra e të fitoje famën? Kush u besonte fjalëve që thoshte se nuk i lakmon pozitat e nalta e famën, por mendon e vepron vetëm për shpëtimin e Atdheut? Ky, pa qenë, pretendone të jetë kryetar i Dibrës….
Goja me goje endeshin në popull këto fjalë me nji farë pakënaqësie të theksueme.
Mbas këtyne zanave Hasan Basriu i shkroi nji letër Ahmet Beut, përmbajtja e të cilës qe kjo.

Qendra e Drinit 23 Frruer 1916
Urgjent
A nuk e patëm çmue nevojën me i dhanë rëndësi Bashkimit të mendimit e të veprimit të bashkatdhetarëve tanë katolikë me t’onin? A nuk qetë ju ai që trumbetuet nevojen me ardh unë deri në Mat për me u takue me parinë e Matit? Kthimi i jem nga Luma mbas organizimit që bana atje u ngut vetëm prej qëllimit të këtij udhetimi. Për fat të keq, këtu s’gjeta tjetër veçse përshtypjen që kishin lanë letrat tuaja të çueme parisë së Dibrës. Sidoqoftë, qenkeni ngut me u ndame prej Matit. Tashti ju lutem, me lejoni t’ju pyes përse vepruet kështu veçmas? Ky veprim pa tjetër nuk do të jete për hesap të viseve t’errta, apo jo, atëhere pse nuk pritet të vinte Ministri i Luftës e Komandanti i Përgjithshëm Bajram Curri që po pergatit projektin e Bashkimit Kombëtar në Shqipni? Nji vend sidomos shtet i vogel, ma fort se nji urdi mundte t’i shpetojë forcat e nalta, ç’u ba ushtrija serbe. Ajo fuqi, po pa humbe kohe ua komunikoj shteteve të interesueme ekzistencën zyrtare të Shqipnisë tue u çua nji note, sot asht tue administrue e zhvillue politiken e Shqipnis para miqve e armiqve të saj me nji mënyrë të persosme e t’admirueshme.{Sa për fuqin e zotnisë që pëmendëm do t’ju shtoj: Ç’përgjigje tu ap atyne që thonë se ju nuk i dhatë ndihme jo me pesëmij e me pesëqind matjane, por as me pes veta Bajram Currit e Elez Jusufit që e dërmuen ushtrinë serbe kur po riterohesh.} Përse i gënjuet Basrin që pat tregue nji dashuni vllaznore dhe sot me ndihmën e Atdhetarëve të njoftun Bajram Curri, Midehat Frasherin, Pandeli Cali, Elez Jusufi po e mban dikasterin e Ministrisë së jashtme të shtetit shqiptar? Përse i besuet atij vagabondi internacional Ivanait që me atë mënyrë djallëzore të tij u fut në trut e juej ende të njome? Përse i varet veshin Irfan Ohrit, ati grabitsi të thesarit shtetnuer që perfiton nga urtësia e Aqif Pashes. Ma në damësi i dhatë besim Ramiz Dacit, që sikundër e dini vet ju gënjen për çeshtje e Flamurit tue trillue shpifje? Në çfarë gjaje do të mbeshteteni për me interpretue mos njohjen e kabinetit prej anës s’uej në nji kohë që Atdheu ashte tue u rrezikue me coptim? Njerëzit e të vertetës dhe të së drejtës që gjinden drejt për së drejti përgjegjës para ndergjegjes së përgjithshme a i mvarin veshin zhurmës së njerëzve pa gjykim? A u nepet leje me bertit dhe a lihet dorë e lire këta njerëz që s’kanë qëllim tjetër veçse me perfitue nga ujët e turbull? Në nji kohe të kthjellët që këputet nga thellësia e shpirtit tim, me këto fjalë due t’u njoftoj se mua e shokët e mij, perveç vdekjes asnji forcë tjetër s’mundet dhe nuk do të mundet kurrë me na bamë të shmangemi nga vendimi që kena marrë për t’i shërbyer Atdheut e me e shpëtue atë nga rreziku i coptimit. Kaq. Ata që krijuen Esadin kundër qeveris së Ismail Qemalit nji herë e varruen Shqipnin. Ata që duen me ja bamë {me kuptimin e plotë të fjalës} nji Esat të vogël për me e kundërshtue kabinetin tone, lupset të mësojnë se na, me gjithë që s’jemi në naltësin e Ismail Qemalit, por edhe s’jemi të durueshem sa ai. E dimë detyrën tonë përsa i përket shpëtimit të Atdheut kur qëllon rasa, flasin vetë ngjarjet nuk denjoj t’ju kercënohem kam për qëllim vetëm t’ju terhek vrejtjen sinqerisht. Shtoj edhe se këtë fjalë kanë me mbet në mes tone. Kur unë mendohesha me jua besue dikasterin e Ministrisë së Mbrëndshme ose të Drejtësise u sulmova dhe u kundërshtova ashpër tue m’i përfytyrue skenat e Krrues, të zhvillueme prej jush në kohën e Princ Wiedit. Unë ju mbrojta energjikisht dhe i bana të heshtin. Tash a kështu do ta marr unë shpërblimin tem moral? Prandej kam të drejtë tua them haptazi se asht e rrezikshme të gjykoni me dobësi qendrimin tonë kaq të lejueshëm për kundrejt Jush. Tue kalue nga Gostivar ndëgjova, andej e këndej, të thonë se i kishit thanë ju karrocjerit që ju kishte sjellë nga Nishi në Gostivar, Gjermanija e Bullgarija i janë versulë Serbit tani na lypset ta mbrojmë vendin tonë kundër tyne. Rreptësisht i kundërshtova këto fjalë që ju atriboheshin dhe desha me e ndalue qeverin e Gostrivarit për me mos ba hetime rreth kësaj çështje. Gjithë këta që ndigjova e që pashë këto dite duket se janë shperblim për atë sinqeritet që tregova atëherë. T’a pres shkurt:S ’ashtë koha e thash e themeve, mos u varni veshin atyre që llomotisin posht e lart, se juve s’ju vjen asnji dobi prej atyne por prej nesh që jemi njerezit e së vërtetes. Para flagëve të rrezikshme që i janë hapë Atdheut çdo gjë duhet të heshti dhe klithma e çdo femijë duhet të pushohet.
Jemi në nji kohë që për hir të interesit të Atdheut lypset të baheni therorët e sakrificës e herojt e interesit. Këshillat e lutjet e mija të përzemerta kanë për qëllim të nderojnë qëllimin e nderimin e naltë të z.s’uej dhe për të shërbyer bashkarisht. Atyne që nxjerrin pengime për shkak të llogarive të tyre personale as u behemi udheheqes as edhe prisa. Sikur kam marrë vesh nji kohë të shkurter u manhiten. Me cilesinë e nji vellau te madh dua t’u ndriçoj.
Lus prej zotit që t’i mbrojë e t’i shpërbej me të dy jetët shokët e mij që për ti shërbyer Atdheut e kane bamë therror dhe e kane true vetveten e tyne tue u përpjekë vetëm e vetëm për me i arri atë ideal të shenjtë.

Poshtë –Shenim:
Le të mbetet në mes tonë, por ju rrëfej nëpër letrat tueja të dergueme këtu me nënshkrimin kryetar i Dibres dhe i Matit, gja e cila asht bamë nergut prej atyne që duan ta përlyjnë emrin tuej, mora nji grumbull protesta si me shkrim ashtu edhe me gojë nga gjithë rrethet e Dibrës. Nuk u kufizue me puna me kaq, por edhe gjysma e Matit m’u drejtue po me atë mënyra. Në s’ka gjë, t’a lamë menjanë këtë. Prefektura e Dibrës asht organizue në mënyrë zyrtare. Si prefekt asht emnue nji zotni që njifet prej të gjithë malet tue perfshire mbrenda dhe gjithë Lumën.
Emnimi i tij sipas propozimit të bamë prej Zv.Ministrite mbrendshëm u vërtetua edhe nga kryesija e fuqis Ekzekutive. Edhe Ministrija e Jashtme i ka njoftue shtetet e interesuem mbi këto veprime. Ky organizim vazhdon të bahet edhe në Shqipërin e Veriut e të Jugut. Me qenë se do të bahen ndjekje të rrepta kundër atyne që prishin qetësinë e vendit dhe shkaktojnë pakënaqësi, lutemi me mos hy në relacion me njerëz të tillë.

Kryeministrija
Zyrtare 18 Frruer 1916
Prefekturës se Dibrës
Qeverija e tashme e formue për të provue ekzistestencën zyrtare të shtetit me qenë se për interesat të nalta të Atdheut kërkon që çdo veprim kombëtar të bahet nëpërmjet qeverisë dhe kësaj pike i nep rendësine e meritueshme. Ndërkaq, marrim vesh se dikush me titullin Kryetar i Dibrës shpërndan në Prefekturën tuej disa letra ngacmuese për ta prish qetësinë. Prandaj që të bahen ndjekje ligjore, të nisni nga hetimet rreth kësaj çeshtje dhe përfundimin të na njoftohet tue u ngjite dhe dokumentat përkatëse si ato letra ngacmuese e ngatruese që janë çue prej Matit nën maskën e flamurit patriotik. Duhet me veprue kundër armiqve të mbrendshëm e të jashtëm t’Atdheut, çdo veprim lypset të bahet n’emen të Shqipnisë dhe të jetë bamë në përshtatje të urdhnave që ka me dhanë Ministri i luftës e Kryekomandanti Gjeneral Bajram Curri. Kjo e drejtë e shenjtë, tash vone ju asht njoftue me nji note zyrtare edhe shteteve të interesueme, çdo veprim i bamë jashtë e këtij caku asht ilegal dhe në dam t’ interesave të kombit e t’atdheut. Urojmë që zotnija e juaj t’i jepni të kuptojë mbi këto hollësi cilido anë që të shifet nevoja mbrënda prefekturës s’uaj.

Kryetar i Përkoheshëm i fuqisë ekzekutive dhe
Kryeministër e Minister i jashtëm qeveris së tashme: BASRI
Basri Beu, ndodhesh në katundin Dardhë ke Elez Jusufi, simbas telegramit të Popoderofit, nji nënpunës Bullgar në qytet të Dibrës së Madhe, Hasan Basriu u ngrit e shkoj në qytet. Ky telegram epesh simbas lajmërimit zyrtar të bamë prej Komandantit të Divizionit të Ohrit, se mbasi të takohesh aty me delegatët e Austrisë e të Bullgarisë do të shkonte në Manastir për t’u marë vesh me delegatin e Gjermanisë. Mbasandaj tue e ndjekë rrugën e Shkupit kishte për t’ardhë në Prizren, ku do të merrte Bajram Currin dhe bashkë me të, mbrenda javës do të arrinte në shtepi të Elez Jusufit. Mbasi të soste këtu me milicët e stërvitun dhe me nji fuqi të madhe civile do të marshonte mbi Elbasan.
Mbas notave që pati çue Ahmet Beu e pata pyet Elez Jusufin se si do të vepronte, ai mu përgjegj kështu: Ahmet Beu më shkruente se ka me shkue në Tirane, por unë s’kam me e ndjekë, tash për tash nuk do të shkoj gjëkundi, pres që të vij këtu nashti shpejt, Bajram Curri, mbasi të vij ai e të marrim vesh mbi gjithë rrjedhjet e punët , veprojmë si të jetë nevoja.
Mbas nji jave që Hasan Basriu kishte shkue në Ohër, u thirra në qytet të Dibrës së Madhe prej komandantit të ushtrisë Bullgare. Ky më tha se s’munde të bahesh qeveri shqipëtare, n’ato vise ku ka ushtar Bullgar. Ja rrefeva me hollësina komandantit rrjedhjen e punëve.
“Hasan Basriu jo për të formue qeveri por për të oganizue çeta ka dale aty më tha:..“-S’kam ç’te i them në asht se Hasan Basriu më ka kabue mue bashkë me komandantin e oficerët tuej në Peshkopi ose në qoftë se tashti ashtu e don nevoja. Megjithatë ju lutem të me jepni një urdhër zyrtar për sa me njoftuen gojarisht”.
Më tha se do të merresh vesh me komandantin e Ohrit. Mbasi u ktheva në Peshkopi e mora këtë urdhen :

NR.51 Peshkopi 14.Shkurt 1916.


Z. ISMAIL STRAZIMIRI
Peshkopi

Simbas urdherit telegrafik Nr.1453 të departamentit të dytë ushtarak ju njoftojmë se në ato vende që ka ushtri Bullgare nuk mund të krijohet nji qeveri prej atyne që s’kanë leje prej qeverisë Bullgare.
Prandaj prishni qeverin e formue në Peshkopi dhe pushoni veprimet tueja.
Në rast të kundërt jeni përgjergjës përpara ligjit bullgar.

Komandanti i kompanise1 i regjimentit 12
Peroçik Toderof
Me 16 Shkurt 1916 erth në Peshkopi nënprefekti i Dibres se madhe Ivan Olqsi dhe nen kryesine teme formoj nji komision komunal, gjithashtu e uli flamurin e Shqipnisë dhe e nguli atë të Bullgarisë.
Për milicinë mora këtë urdhen:

Nr. 52 Peshkopi 22.fruer1916

Z.Ismail STRAZIMIRI
Kryetar i komisionit Peshkopi

Simbas numerit telegrafik Nr.142 date 22 shkurt 1916 ardhun nga komanda e qendrës së Dibrës së Madhe ju njoftojme se ato çeta shqiptarësh që deshirojnë me ndjekë ushtrit Serbe e Italiane, janë të lira, vetëm ju nuk duhet të përziheni me u thane të shkojne ose jo. Pritni urdhërin e nënprefektit të Dibrës mbi këto çashtje.
Komandant i Qendres

Peruçik Todorof

Ahmet Beu vazhdonte ti çonte popullit të Dibrës letra kercënuese dhe kërkonte që të njofin për kryetar “Ato që s’me njofin e me mohojnë do ti djeg me zjarr”u thoshte.
Basri Beu m’anë tjetër në letra që çonte bante fjalë mbi kabinetin e famshëm dhe i shifte punët të mbarueme.
Ky gjithmonë mbante në xhep nji vulë të madhe me këto fjalë:
“Shteti Shqiptar, qeveria Provizore” dhe këtë e përdor sikur me qenë vula e Profitit Sulejmanit tue dashtë që të sundoj gjith botën….
Ma në fund njofton se për aportunistët politike asht emnue Prefekt në Durrës se do t’i shkruen letra Esat Pashes që ti japi lajme mbi gjendjen e armikut dhe këtë letër ja jep Dine Hoxhes për me ja çue Pashës.
Bejlerët e Pashallaret bajnë lloj lloj intriga e reklama për të zanë ndonjë kulltuk dhe për këtë shkak s’pajtohen por zihen me njani tjetrin. E na, populli shtypemi e dridhemi. Shqipnia e mjerë me këtë mënyrë bahet skenë e ngjarjeve ma të kobshme, të turpshme dhe të dhimbëshme.
Hasn Basriu në kohë të Turqise ishte drejtor i korespondencës në prefekturën e Dibres. Vetëm me ndihmën teme u zgjodh deputet, u tregue antar i nxehtë i së drejtës, patriot dhe Shqipnin e mbrojti fare mire, me këtë mënyrë u shque në mes të shokëve. Shkurt dha prova se kishte fuqi oratorike, shkrimtari dhe gjykimi.
N’operacionin e rreptë që banë Turqit në Shqipni me anë të Turgutit, patën djegë e rrënue, patën vra e therë, patën dhunue e përbuzun tepër. E në këtë kohë asnji deputet Shqiptar, Kosovar, nuk guxoi me ardhë n’ato vise ku baheshin ulurima, për t’i qa hallet e popullit që i kishte zgjedhe, veç Basriu erdhi në Diber, tue mos qenë vendas dhe me nji fjalim që mbajti në fushë para nji publiku të madh ku qenë prezent edhe autoritetet civile e ushtarake të vendit tha:
“Shqiptarët që prej shekujsh kanë jetue e kanë vdekë bashkë me Turqit e që lypset të jetojne e të luftojnë edhe mbas sodi bashkarisht, ushtrija s’lupset të bajë veprime që provokojnë urrejtej e meni, por dashuni”. Me këtë fjalim Hasan Basriu e tërheq kah vetja mënin e oficerave Ithiatçi dhe vu në rrezik veteveten, por dha prova të nji kuraje civile e të ndergjegjes që zotnonte.
Me gjithë që këtë njeri t’atillë dhe me gjith që atij i bana shumë të mira, m’erth keq që më gaboi me gëzimin e nji hipokriti. Vetëm tue mendue se mendimet e Basriut i pata pranue me qellimin e mirë që vjen prej ndiesisë patriotike, me lehtësohet shpirti nga mërzitja e shkaktueme prej aktit gabues të tij, mbasi për interesat t’ atdheut lypset të marrim në sy me ba sakrifica të mëdha dhe jo me gelltitë nji kosh me mashtrime. Veç kësaj duhet mendue e veshtrue edhe nga ana tjetër e këtij fakti. A thue se Basriu pa u mbeshtetë kundë muer nji inisiative të tillë për nji veprim kaq të madh dhe veproi foshnjerisht?
A nuk pati ky njeri nji bazë legale e morale për me e mbeshtetë gjithë atë aktivitet të luejshëm që kishte lidhje me fatin e me jetën e nji kombi?
A thue se Basriu qe nji kandidat i ri me zëvendësue Esatin që të rëndonte si nji ankth i tmerrshëm mbi krahnorin e Shqipnisë fatzezë që nuk mundi me u çlirue prej brengash? Vepra e tij, a thue se ishte pjelle e mërzisë apo ndryshimi që ngjau ishte forma e politikës së fundme që gjetën më të përshtatshme me e zhvillue në Shqipni shtetet e interesueme? Me rasën e fundme Basriu na paraqitet i pafajshëm dhe si viktimë e asaj politike e ndrroi drejtim për interes të protagonistëve. E vërteta s’dihet atë me kohë do të na e zbuloi historia, pasqyra e pagabueshme e ngjarjeve.
Me 16 Mars 1917 komandanti Bullgar i Peshkopis, i mbështetun në nji urdhër telefonik që kishte marrë nga Dibra e Madhe na njoftoi se Ahmet Bej Zogu i fton parësinë e Dibrës për të marrë pjesë në nji kongres që do te bahet n’Elbasan me 18.Mars 1917. Lajmi i ftimit menjiherë u shpall. Në këtë kongres shkoj me marrë pjesë Riza Bej Maqellara, Maliq Kerçishta, Sadik Murra nga Luznija dhe nja dy veta nga Gryka e vogel.
Kongresi ishte shty për nja dhet dit ma vonë, thanë delegatët e Dibres që u kthyen. Shkaku i vonimit të hapjes Kongresit mbas njoftimit të bamë prej Aqif Pashës e Ahmet Beut, qenka pengimi që sjellkan bullgarët për organizimin e administratës civile shqiptare në disa vise si në Diber, Starovë e Qukës. Për arritjen e këtij qëllimi paskan çue delegate në Sofi dhe pritkan që të kthehen s’andejmi.
Disa detashmente ushtarësh austriak, herë mbas here vijshin nga Prizereni dhe Mati në Peshkopi.
Ne 12 Prill 1917 ushtria Bullgare u ngrit nga Peshkopia dhe shkoj në Diber të Madhe, kurse n’anën tjeter erdhi nji detashment austriak nën komandën e nji oficeri me emen Penri Rih Pajiç. Ky detashment mbas triditësh u ngrit e shkoj në Prizeren. Me 2 Maj 1917 u kthye rishtaz në Peshkopi dhe vu flamurin Austrise. Ato dite edhe nënpunsat civil të Bullgarise i forcuan marëdhënijet dhe u mbarten për në qytet të Dibres Madhe. Njikohesisht administrata civile u ba n’emën të Shqipnisë.
Mbas disa kohe erth në Peshkopi Ali Fehmi Kosturi si nenprefekt i Dibres, i emnue nga Shkodra. Qendra e fuqive ushtarake që ndodhej në nenprefekturën e Lumës e të Dibres ishte në Kullat e Lumës.
Ali Fehmiu, pa marrë parasyshë vorfnin e popullit e ngarkonte ata me taksa të rënda e kërkesa të ndryshme që bajshin austriakët. Gjithashtu pa marrë parash kombësin e banorëve të vendit dhe vetëm për të fitue simpatin e austriakëve, në krye të vet e futi në programin të shkollave mësimin e gjuhës gjermane, së cilës i nepte rendësi ma fort se gjuhës Shqipe. Shkurt që ta forconte pozitën e vet akuzoj popullin. Për këtë shkak qemë përfole dhe u ankua kundër meje deri në Korparmatën austriake në Shkodër.
Aso kohe Ahmet Beu ndodhej në Shkoder, edhe Elez Jusufi që të shkonte në Vjene për të marrë pjese në nji feste t’Imperatorit si delegate i Dibres kishte shkue në Shkoder.
Ahmet Beu fajin e mos njohjes se tij si kryetar prej dibraneve ma ngarkonte mue. Edhe Elez Jusufi ishte idhnue kundrejt meje për shkak të mos pajtimit tim me Ali Fehmin, mbasi ai kishte sigurue interesa prej Ali Fehmiut dhe fitonte mija napolona nga të dhetat q’i jepte Ali Fehmiu. Për këto shkaqe Ahmet Beu dhe Elez Jusufi u bashkuen me veprue kundrejt meje. Ankimet që kishte bamë Ali Fehmiu kundër personit tim, këto i përdorën para nenpunësit politik t’Austris Monsiem Karlit, që të më largojshin nga Peshkopija, me fjalë të tjera që të mos e besdissha Ali Fehmiun tue më dijtë kundër, me emnuen krahinor në Peqinit. Ky emnim natyrisht që internim.

Mbasi mbaroi lufta botnore
Mbasi u kthyen dhe u mundën ushtrit e shteteve qëndrore me 1918, arriu ushtrija serbe dhe pushtoi dhe pjesën shqiptare të Dibres të cillën e mbajti deri me 1920. Në këtë kohe me mizorinat që bante i dha shkak që të pelciste në Diber nji kryengritje e tretë kundër Serbisë dhe ta mbulonte vendin nji mjerim i perplotë, mbasi u derth gjak i madh, u dogjën për herë të tretë me qindra katunde, u shuen dhe u shkretuen gati nanddhjet për qind të familjeve që mbeten pa strehe dhe pa banim, u grabit dhe u plaçkit pasunija e tyre. Ky kob që nuk mund të përshkruet nisi keshtu:
Katër a pesë cuba nga Kalisi i Lumës, nga injoranca, nga nevoja u futën nga Reka e Gostivarit dhe rrëmbyen do bagëti. Kjo ngjarje qe mjaft për Serbinë që të shfrynte në popullin e këtyre krahinave për të nxjerre dufin e shpagimit të ngjarjes të zhvilluar me 2 Dhjetor 1915, kur ushtria serbe po ikte nëpër Diber. Nji ushtri e pajisur me topa e mitroloza dhe e forcue edhe me katundar vendit, niset nga qëndra e Lumës dhe nji tjetër si ajo e para nga Tetova. Këto dy fuqi aty kah maji i vitit 1920, u futën në krahinën e Kalisit dhe nisën nga operacioni, vranë çdo njeri që ndeshën dhe grabitën çdo kafshë apo bagëti, që u pa syni. D.sh. vetëm në katundin Çaj të Kalisit rrëmbyen 17000 kafshë e bagëti, vranë me pushkë e therën me bajoneta këta rezikëzi Sheh Abdullain nga Vila bashkë me dy bijt e vet Mehmetin e Islamin dhe të shoqen me dy bijat, Xheladin Vehapin dhe Galip Balilin nga Rusmadhja, Hafuz Brushtin, Ramazan Sulin, Maliq Kasharin, Riza Ploshtani, Skender Veselin, Esat Veselin, Namik Ramazanin, Osman Dakan, Mehdi Lushin dhe Maliq Rexhepin nga Ploshtani, Skender Veselin nga Cereni, Shaban Hoxhen e Ismail Shabani, Muharem Zeqirin, Hajredin Idrizin nga Pullasmani, Ibrahim Seiti dhe Seit Arelleni nga Shumbati, Shaqir Demen prej Sllove e dogjën në kasolle mbrënda bashkë me të shoqen .
Në vënd të ligjit e drejtësisë, Qeveria serbe vepronte barbarisht tue bamë mizorina te tilla. Prap n’ato ditë, pa ndonji shkak internoi në Manastir familjet e bejlerve të Maqellarës. E randoi popullin me taksa të reja që s’ishin edhe në propocion me gjendjen e tij ekonomike e financiare dhe zu me shtrengue vendin për të zbulue armë të mshefuna.
Parsija e Dibres e shtërnguar nga këto padrejtesi që përsëriteshin dit për ditë nisi me u marrë vesh në mes të saj për të vendosë mënyrën se si me shpetue nga ky regjim barbar.
Me 1920 un, im vlla Bajrami, për shkaqe politike qemë internue e mbajte në qytetin Kraleve të Serbisë së vjeter. Mbas tre muajsh si ne ashtu dhe nja njëqind të tjerë, u falëm me dekret mbretnor.
Me qenë se serbet nisën me marrë erë nga mbledhjet e parësisë së Dibres zunë me e shtri rreptësinë dhe e dyfishuan barbarizmin. Un nga droja se mos pësoj ndonji rrezik ose mos internohesha edhe nji herë, ika dhe u fshefa në Dardhe ke Elez Jusufi.
Këtu mu dha rasti të lexoj letrat që i çonte Elez Jusufit Ahmet Zogu, atëherë Ministër i Mbrendshëm në Tirane. Në këto letra Ahmet Zogu e njoftonte Elezin se me mjete diplomatike do të kërkohet prej Serbise lirimi i tokave shqiptare që jane brenda kufirit 1913 dhe që padrejtësish mbahen prej saj, gjithashtu i thoshte se mbasi do të bahet organizimi i administratës civile në Dibres e do të çohen nënpunsat e nevojshem, të përpiqesh si me e bashkue popullin e Dibres në nji bazë që të lehtësohesh të kryemit e këtij qellimi. Shtonte, veçanarisht e thoshte që ai të kishte kujdes mos me i dhanë shkak ndonji ngatërrese me Serbinë deri sa të bahesh organizimi në fjale e të çoheshin nenpunësat.
Elez Jusufi, i pergjigjet si Ahmet Bej Zogut ashtu edhe Ramiz Bej Iljaz Pashës e Ramiz Dacit. Në këto përgjigje të cilat i pata shkrue une u thoshte se m.gj.s. ai po përpiqej për me bashkue dibranet këshillonte që të mos çohen nënpunsa në Diber pa arritë koha e volitshme. Sa për tash propozonte që të çohen në Mat, sidomos në Lurë nga nji fuqi ushtarake për të pasë nën zotërim Mirditë, banorët e së cilës përpiqeshin me ngritë krye.
Këto dite Vlonjaket luftojshin me Italianet për me lirue vendin dhe po tregojshin nji trimni heroike. Vepra kreshnike e Vlores u ngjalli lakmi dhe ua nxiti ndjenjën patriotike dibranëve që ndodheshin në Tirane e sidomos deputeteve Ramzi Dacit, Dine Deme, Dine Bej Maqellares, Osman Lites që i drejtohen qeverisë dhe kërkojnë me kambngulje, që të bahet organizimi i administratës civile të Dibrës e të çohen nenpunësat. Qeveria e shtrenguem nga informimet e tyne vendos të bajë organizimin dhe të çoj nenpunsat, por me konditë që këta nënpunsa të qëndrojshin në Qafe Murë dhe të mos i nepshin shkak as ndonje konflikti me Serbët.
Ramiz Iljaz Pasha emnohet prefekt i komisionit të Dibres ky bashkë me nenpunësit e tjerë dhe bashkë me 150 vete xhandarë e civile gjithmonë të shoqeruem prej zotnive q’e u përmendën me naltë nisen nga Tirana. Kur sosin te pazari i Ures së Matit, Ramiz Iljaz Pasha e Ramiz Daci i harrojnë ato që q’u kishte thënë Elez Jusufi në letrat e tij dhe porosinë e Ahmet Bej Zogut.
Sikur më kanë thënë edhe vetë ata ke pazari i Urës marrin dhe nje letër të dytë prej Elez Jusufit, i cili i këshillonte që në as ndonjë mënyrë mos ta kapërcejshin Qafën e Murës. Këta nuk i napin rëndësi këtyne vrejtjeve e porosinave të përsërituna, po pa qendrue as dhe për pushim në Qafë Murrë, kapërcejnë kufinin dhe kah mbarimi i Korrikut 1920 vijnë në katundin Arras mbrenda kufinit 1913 ku zunë vend.
- Gjendja e fjalët e tyne më dhanë të kuptojme se s’kishin gja në rregull por bamë e shkuem ma.
- Mbas thirrjes që na u ba shkuem bashkë me Elez Jusufin e me krenët e Reçit e të Dardhës.
Ramiz Bej Iljaz Pasha që kishte cilësinë e prefektit e të komandantit, pa na tregue neve, i çon një letër me ton note qeveris Serbe dhe i kërkon, n’emen të shtetit Shqiptar që t’i leroje mbrenda 24 orëve tokat e pushtueme prej saj e këndej kufirit 1913-tes, n’anë tjetër i çon letra parësisë e kreneve të Dibres dhe i thërret të vijnë në Arras për të marrë pjesë në veprën e shpëtimit t’Atdheut. Shumica e gjindarmëve që kishin sjelle me vete kishin armë turke e austrie, kurse trembëdhjetë katërmbedhjet arka me municion që kishin sjellë dalin me fishekë t’armëve italjane. Shumë nga krenët drujtën prej autoriteteve serbe dhe nuk erdhen.
Kryeministri Sulejman Delvina dhe Ministri i Mbrendshëm kohe mbas kohe çojshin letra dhe përsëriteshin që deri sa të merrte fund lufta eVlonës me as ndonjë mënyrë të mos i nepesh shkak konfikti me Serbine, e cila me gjithë se kryengritja e Vlones ishte tu e përfundue me sukses na nxirrte ngaterresa nga ana e Shkodrës.
Elez Jusufi e përfshiu mirë situatën dhe e gjykoi mire fundin e kobshëm të nji veprimi kundër Serbise. Prandaj, mendoi të dëboje nga Arrasi nënpunësit e ardhun prej Tiranës, por kjo mase nuk u pëlqeu, sepse pak kohë më parë se të vishin këta, Qeveria Serbe me qëllim që të ruante kufinin e 1918 nga ana e Qaf Bullit, Qaf Murrës, Lumes e Lurës, i pat propozue paresis s’ Dibres për me rregjistrue tremijë gjandarë me nga katër napolona në muej. Me të vërtet nuk e pranojmë kërkush këtë propozim, por po të e dëboheshin nenpunësit shqiptare, populli këtë gjest do ta interpretonte në damë të Qeverisë shqiptare tue e kujtue atë të dobët dhe s’ishte larg mendjes që nga nevoja e shtërngesate të pjerrte nga Serbia. Ky propabilitet e bante të mendohet mirë Elezin. N’an tjetër Dine Hoxha njeni nga majorët reserve të Serbise, thoshte se edhe ai do të merrte pjesë po të bahesh nji kryengritje kundër serbeve. Kjo fjale nuk besohesh plotësisht dhe s’dihet në se ai do të merrte pjese aktive në luftë dhe në se do ti këputte krejtësisht marrëdhënijet me shtetin serbe. Mbasandej, sjellja e dyshimtë e Selim Nokes dhe e disa tjerëve përbajshin shkaqe për t’u mat e për t’u mendue shumë. Në nji situatë të tillë, me të vërtete njeriu s’guxon me marr përgjigjësi para nji populli e ta hudhi zjarrin tue e shtyem atë në lufte me nji shtet. Duhej me qenë kokkrisun për me bamë nji hap aq guximtar. Por nga ana tjetër Hasan Prishtina i shkruente Ramiz Bej Ilaz Pashës e Ramiz Dacit se ai kishte marrë pjesë në nji kongres të mshefet që ishte bamë ato dit prej delegatëve fuqiplotë e dipllomatëve të kombeve: Italiane, hungareze, bullgar, të cilët kishin pergatitë programin e nji kryengritje së përgjithshme në Serbi. Ky Kongres kishte vendose që dibranët t’a sulmonin Serbine me 15 Gusht 1920, por mendoj datën e ofensivës së dibraneve e kishin shtye me 21 gusht, mbasi kryengritja e kombeve të tjerë e në vise të ndryshme do të pëlciste ma parë. Prandaj, data e sulmit të dibraneve ishte caktue për me 21 gusht. Hasan Prishtina i njoftonte të sipërpërmendunit se ma vone do t’ua shkruente se si duhej me veprue dhe se çfarë masash lypsen marrë.
Ka asish që thanë se shtyes e faktori kryesor i sulmit t ‘Arrasit asht Hasan Prishtina. Edhe ngjarja vetë ashtu vete duket sepse Hasan Prishtina shkruen se në pragun e kryengritjes së përgjithëshme data e ofensivës që do bajnë Dibranet u caktue nji herë me 15 gusht 1920 e mandej me 21 Gusht dhe me të vërtetë sulmi i dibranëve u ba me 15 gushte 1920. Prandaj, forcohet besimi se shkakëtari i vërtete i kësaj levizje asht Hasan Prishtina. Por sambas mendimit tim nuk asht ashtu. Në të vërtetë Ramiz Daci ishte i këtij mendimi dhe e nxiste Ramiz Bej Iljaz Pashën. Por Elez Jusufi, kurrsesi, s’i afrohej këti mendimi, sepse nuk i jepte besim e randësi fjalëve t’Hasan Prishtines. E pa marrë pjesë Elezi kurgja s’mund të bahesh, këtu vetiu vjen pyetja se si e pse u ba kryengritja atë dite, mbasi punët qendrojshin ashtu siç thamë ma naltë? Përgjigja ashte e thjeshtë dhe e kuptueshme.
Në ngjarjen e Luznis u kujtue se Serbet vetë kërkuen të ngasin dhe lufta plasi rastësisht. Letra e Hasan Prishtines kishte ardhë tet - nandë ditë përpara se të kriste pushka, por nuk i ishte dhanë rëndësija e meritueshme, me nji fjalë nuk ja varën veshin Hasan Prishtinës, por me 13 gusht 1920, kur nisën Serbet me e bombardue me top stacionin e gjindarmarisë sonë në Luzni dhe ato ditë u ba nji luftë e rreptë dhe e vazhdueshme në mes të serbeve e të gjindarmarise sonë ndodhën, para nji akti të kryem. Kështu u shtrënguem të bajmë nji kundra sulm. Simbas lajmeve që kishim marrë dhe sambas shenjave që dukeshin, merresh vesh së Serbet edhe sikur të mos i sulmojshin na, kishin me e bombardue Arrasin ku ndodheshim ne. E nji bombardimi tillë për ne do t’ishte ma i tmerrshëm dhe ma i kobshem. Po të pritshim që të bombardohesh edhe qendra e jonë Arrasi, vetem e vetem për ta justifikue kundra sulmin tonë do të humbshim edhe do të diskretitoheshim sepse do të pranojshim të prishej fuqia morale e popullit e t’ikte qeveria nga Arrasi, punë e cila natyrisht do të ishte e papajtueshme me sedrën kombëtare dhe si njollë për prestigjin e Qeverisë.
Shkurt qeverija Serbe, më 13 gusht 1920 bombardoj nga Lisi i Trenes shtepin e Hazis Merukes që na e kishim bamë stacionin gjindarmarie dhe çoj nji detashment ushtar, të cilët e rethuen stacionin në fjale dhe banë pushkë gjith ditën me gjindarmët tone të ngujuem mbrenda në shtepi. Njikohësisht qeverija e serbe tue dyshue nga sjellja e Dine Hoxhes çoj nji detashment të fortë dhe e vendosi mbi kodrat që zotnojshin mbi shtëpinë e Dines. Mbas kësaj lajmerohet Dine Hoxha prej nji burimi të sigurte se do te msyhesh dhe mandej do t’i digjesh shtëpija e tij. Atëhere ai kërkon prej nesh që nji ore e ma pare të pregatitemi e të nisim sulmin.
N’an tjetër Murat Kaloshi na njofton se: me gjithë që për sy e faqe nuk i kishte këput marrëdheniet me Serbët, po të mos nisesh kryengritja ato dy ditë, ai do të ndodhesh para rrezikut të jetës se vet prandaj ai do me marrë pjesë në luftë që do ti bahesh pastaj Serbisë.
Edhe në këto lajme q’erdhen prej këtyne dy njerëzve të fuqishëm e shtojshin nevojën e nji sulmi sa më parë.
Simbas këtyne ndodhjeve dhe simbas veprimeve Serbe që kishin me u zhvillue me mjete t’ashpra, për ne kishte vetëm dy rruge, o t’ikshim prej Arrasi drejt Matit ose ta sulmojshim Serbinë. Mbasi u bisedue çështja u vendos që të nisim me e sulmue, por me parë d.m.th. me 14 gusht 1920 iu dergue nji ultimatum qeverisë serbe nga ana e Ramiz Bej Iljaz Pasha dhe iu njoftue se po të mos liroheshin mbrenda 24 orëve tokat t’ona të grabituna me përdhune nuk do mundeshim me e ndalë popullin që do të vërsulesh me armë për me e lirue vendin.
Me 15 gusht 1920 nisi sulmi me zjarr.
Herën e parë u msy prej Suf Xhelilit, i nipi i Elez Jusufit qendra e ushtrisë serbe në katundin Shumat. Mbasandaj u ba sulmi nga Arrasi. Dibranët u vërsulën kundër serbeve me atë urrejtje që kishin për tu shpague dhe nën breshnin e plumbave që shpërndajshin mitralozët e armikut kapërxyen lumin Drin dhe u ngjitën kodrave të fortifikueme, të cilët i pushtuen tue brohorit “besa bese”.
Deri në mbramjen vazhdoi lufta atë ditë. Kur perendoi dielli kishte perendue kryekeput edhe fati i Serbëve në Dibër. Pesë batalione që përbajshin fuqinë serbe në qarkun e Dibrës qenë debue e dorzue prej Dibranëve. Lufta e nisun prej katundeve Shumat, Arras në mbramje mbaroi me ngadhnjimin e plotë të forcave shqiptare.
Shumica e malsorëve tone s’kishin në brez veçse dhjet pesëmbëdhjet fishekë dhe nji pjesë ishte e pa armatosur fare. Ma fort se mjetet guximi dhe heroizma që shquhet në Dibranët, ndër rasa të tilla, e siguroi dhe e kurorëzoj ngadhnimin e shqiptareve. Pak armë e gjithë topat, mitrolozat e municioni i Serbisë ranë në duert e shqiptarëve. Nga ana e Serbëve, me gjithë që në difensivë qenë vramë katër a pesqindë dhe qenë zanë robe nja shtatë a tetëqind ushtarë, të cilët ma vone i dërguem në Tirane. Nga ana e jonë vetëm Murat Kaloshi muarr nji plumb në krah të djathtë.
Me 16 gusht1920 gjith qarku i Dibres deri në rranzë të kufinit të caktuem prej konferences së Londrës me 1913 qe çlirue plotesisht nga ushtrit Serbe dhe shkëlqente dielli i lirise dhe lumnisë.
Autoritetet Serbe të Dibrës së Madhe të trembun nga sulmi i Dibranëve, e liruen qytetin dhe ikën në Gostivar e në Shkup. Elez Jusufi u dërgoj nji letër me ane të nji kapteri Serb q’ishte zanë rob dhe i njoftoj se fuqitë shqiptare që luftuen me e lirue viset mbrënda kufinit te vitit 1913-tes nuk do të kapërcejnë tej atij kufini. Mbas këtij njoftimi u kthyen rishtazi autoritetet civile e ushtarake në qytet.
Pak dit para se të bahesh sulmi i përgjithshëm kundra serbëve kishte ardhë nga Tirana Major Shefkiu me nja dyqind ushtare dhe kishin marrë pjesë në ofensivën e përgjithshme q’u ba nga ana e Bulqizës dhe e Gollobordës. Majori mbasi u çlirue vendi erth në Peshkopi dhe u shtrue të prehet e të qetohet si të kishte qenë kohë paqe.
Shtigjet e kufinit ishin zanë prej popullit, për ta ruejte kufinin nga ana e qytetit ishte vendosë Dine Hoxha në katundin Spas me nja njiqind Murakë, edhe unë ndodhesha me ta bashkë.
Ramiz Bej Iljaz Pasha që kishte cilesinë e Prefektit e të Komandantit, ishte vendos në Peshkopi, prej ku korespondonte me Tiranen dhe kërkonte fuqi municioni e të holla. Por ajo nuk përgjigjesh fare.
Parsija e Dibrës e mbledhun në Peshkopi, projektonte mbi masat mbrojtëse që do te merreshin kundër çdo kundërsulmi që munde të bajshin serbët. Por kur erth festa e Bajrami shkuem nëpër shtëpija vetem Elez Jusufi tue e çmue randësin e kohës dhe përgjigjësin morale të ngjarjeve që zhvilloheshin preferoi të qëndroj në Peshkopi e të mos shkoj ndër shtëpija.
Unë me qëllim që të shtohesh fuqija morale e popullit shkova në Peshkopi dhe ju luta Major Shefkiut që të vinte me zanë vend gjatë ujnavet të banjavet me ato dyqind ushtar që komandonte, por ai s’luente vendit….kishte nevojë të prehet edhe ma.
Ramz Bej Iljaz Pasha ishte merzit tepër nga mos interesimi që tregonte Tirana, prandaj u nis tinëzisht shkoi në Tiranë për t’u thanë verbalisht se nuk do mundet me e përmbajt situatën, po qe se nuk i çojne fuqina ndihmëtare, municon e të holla. Nisja e Ramiz Beut u muerr vesh prej popullit, i cili këtë e interpretoi si arratisje dhe kështu u pezmatue shumë.
Me 27 Gusht 1920 ishte dita e dytë e Bajramit. Në mëngjez t’asaj dite Serbët nisën me i bombardue rreptësishit të gjitha pozicionet tona gjatë kufinit dhe mandej filluen nji ofensive të përgjithshme. Në mbrëmje të asaj dite unë dhe Izet Bej Maqellara tue udhetue natën shkuem në Peshkopi dhe i kërkuem nji mitraloz Major Shefkiut.
-Këtu ka mitraloz të vegjël që i kemi marrë prej Serbëve, por s’ka fishekë për ta, për mitrolozët e mëdhej ka fisheke, por duhet pesëdhjet ushtarë që t’i përdorin e unë s’mundem me e pjestue fuqinë, e mbaj tok gjatë vehtes për me e përdorë ku të çfaqet nevoja na tha Majori.
Ç’pritni atëherë? Përse nuk merni pjesë në lufte? I thashë, por ai m’u përgjegj se ishte i zanun tue u përgatit me ikë dhe po i pregatitte plaçkat.
Miftar Kaloshi e Cen Bellova me nja shtatdhetë- tetëdhet vetë që ndodheshin në majën e malit Skertec, ashtu dhe Suf Xhelili që ishte në majat e maleve Kalis me disa Dardhjanë e Reçjane banë nji luftë të rreptë me ushtrinë serbe tue u shkaktue humbje të konsiderueshme. Si këto ashtu edhe disa prita të tjera, vetëm kur u mbaruan fishekët u zmbapsen dalngadalë dhe me nji rregull të pëlqyeshëm.
Me qenë se disa pika strategjike ishin lanë pa roje për shkak se katundarët kishin shkue nëpër shtëpija për me festue Bajramin, ushtria serbe u rrasën këtej kufirit pa ndeshë ndonji kundërshtimi serioz veçse në dy pika q’u përmendën ma nalt. Jemi në gjendje të deklarojmë se fuqija serbe që sulmonte Dibren kësaj rradhe përbahesh prej dyzet batalioneve.
Edhe kësaj rradhe ushtrija serbe dogjën shtëpijat e katunde, vranë e therrën burra e gra e fëmije.
Shkurt, masakruen ashtu si u ka hije vetëm atyne dhe në nji mënyrë që banë popullin ta harrojë katastrofën e 1913-es. Disa pleq, plaka, që për arsyena të ndryshme s’munden me ikë dhe që mrekullisht kishin shpëtue nga bajonet serbe, i mblodhën autoritetet serbe dhe i vunë me punue në rrugë dhe me ngritë gurë kot në prrue të Peshkopise. Edhe kjo qe nji toturë dhe nji vdekje e vazhdueshme, me dhimje trupi e shpirti.
Gjithë ato që patën mundësi ose qenë të zot me ecë u arratisën dhe u refugjuen në Tiranë.
Vallë kush qenë shkaktarët e këtij kobi dhe të këtij mjerimi të përgjakshëm që kaplloi Dibren për herë të tretë qysh nga lufta ballkanike?
Vallë cilin ka me e qortue e me e mallkue historija? Apo do t’i nderojë për këtë ngjarje t’Arrasit, mbasi me gjithë që u banë shumë dame mjerime të pa numërta për shkak se e pastruen vendin e varret e të parëv tona prej qelbsinave serbe. S’dihet se kush do të quhet fajtor ose do të jetë i lavduem prej njerzisë për këtë kryengritje të përgjakëshme.
Unë po e kënaq ndërgjegjen time tue nxjerre në shesh e në dritë këtë ngjareje me gjithë hollësinat perkatëse. Me këtë mënyrë po e kryej detyrën para njerezisë e historisë. Kërkush s’ka të drejt të zemrohet në qoftë se e kam fye dhe asnjeri nuk lypset të gëzohet në i gjan se e kam lavdue. Jam përpjekë të shprehem tue e pershkrue. Të pakënaqurit natyrisht janë të lire të kundërshtojnë. Vetëm duhet të dijnë se në përshkrimin e këtyne ngjarjeve nuk më ka nguce as ndonji ndjeje mënije sa dhe nuk me ka gilicue ndonji prirje dashunije apo miqësije. I vetmi qëllim që me ka shtue me i hye nji pune të kësaj natyre ka qenë dëshira me e qetësue ndergjëgjen time kombëtare dhe veçanarisht me i sherbye historisë.
Tash le të vijme me i kerkue rishtazi shkaqet e shkaktarët e kryengritjes q’u organizue nga Arrasi: Korespondencën që rrodhi në mes të ministrit të mbrendshëm Ahmet Zogut e të Ramiz Bej Iljaz Pashes, Ramiz Dacit e Elez Jusufit e parashtrova me naltë shkurtazi. Përpara se të vinte Ramiz Bej Iljaz Pasha me shokë në Diber, parësija e vendit u mblodh tinës nji natë në shtëpi të Sel Bajraktarit n’Arras, mbas shumë bisedimesh që ta njoftoj Ramiz Bej Iljaz Pashën për mos me e kalue të ashtu quejtun kufi te 1918-es, por të zinte vend tash për tash, në Qaf Murr: Krenët e Dibrës do të merreshin vesh me të ardhunit nga Tirana që të bajshin qendër veprimi qafën e Murrës, dhe do veprojshin simbas nevojave që do të çfaqeshin. Për këtë qëllim u vendos që t’i shkruet e të çohet nji letër Ramiz Bej Iljaz Pashës.
Kjo detyrë iu ngarkue Dine Hoxhes, i cili e pranoi. Dine Hoxha shkruen letrën dhe i thot Ramiz Bej Iljaz Pashës se krenët e Dibrës, simbas deshirit të çfaqun të qeverisë qendrore u bashkuen në nji besë, por e kanë pa të arsyeshme, tash per tash, deri sa të vij koha e volitshme q’i ai me nënpunësit e tjerë të qëndrojshin në Qafë të Muhrrit. Kjo letër që çue Ramiz Bej Iljaz Pashës me anë të Liman Gjonit. Ramiz Bej Iljaz Pasha e Ramiz Daci, të mbështetur në këtë letër, thanë: Ne erdhëm këtu mbas kërkimit të ‘parisë së Dibrës’ me të vërtetë Dine Hoxha gabimisht nuk e kishte sqarue në letër çështjen e qëndrimit të tyne në Qafë Murr. Por Liman Gjoni thotë se nevojën e qendrimit të tyne në Qafë Murre ua ka thenë jo me gojë. Por kjo nuk mundë të bahet nji mbeshtetje për të justifikue sepse edhe Elez Jusufi, në fuqinë e të cilit dy Ramizët e kishin mbështet shpresën më të madhe, u pat shkrue që të mos nguten me ardhë në Dibër e me kapërxye Qafën e Murrës, këtë letër ato e patën marrë ke pazari i Urës në Mat. Veç kësaj Ministri i mbrendshëm Ahmet Zogu u kishte dhenë urdhër të premë që në as ndoji mënyrë të mos e kapercejshin qafën e Murrës. Por ato s’i perfillën këto urdhna e ato porosi dhe pa u ndalue, erdhën në Arras, ky qe nji gabim që s’mundë të meremetoheshin veçse me humbje të rrezikshme morale ose materiale.
Gabimi ma i madh, simbas mendimit tim, u takon atyne që emnuen prefekt e komandant nji njeri si Ramiz Bej Iljaz Pashën, i cili sa naltë qendron me ndërgjegje e moral, aq poshtë bie në pikpamje të gjykimi e administrimi. Veç kësaj Ramiz Bej Iljaz Pasha, si njeri naïf, u rrëmbye prej Ramiz Dacit, i cili qe nji ambicioz i pa frenuem dhe i pa provuem në punë të tilla me rëndësi të posaçme. Ky qe ai, që e nxiti Ramiz Bej Iljaz Pashën për me mos qendrue në Qafë Murrë e me shkue në Arras.
Gjithë populli ishte emigrue dhe kishte ardhë në Tiranë e në rrethet e saj. Ahmet Bej Zogu aso kohe ndodhej në Shkoder. Nje ditë bashkë me Elez Jusufin shkuem ke Ministri i drejtësisë Hoxhë Kadriu të cilit tue i përmend rëndësinë e pozitës strategjike të Lurës dhe sidomos gjendjen dominuese të saj mbi Mirditen që pjerte me ngritë krye, i propozuem që të mbahesh atje nji fuqi sado e vogel tue folë mbi dobin që do të siguronte qendrimi i nji fuqie në Lure dhe tui i numërue shërbimet që munde ti sjellte qeverisë ajo fuqi, i erth nji telegram, Z. Minister, e kendoi telegramin me buzë në gaz, mbasandej u kthye dhe na tha tue nenqeshë:
- Gati ato që na thoni ju, na i porosit edhe antari i këshillit të naltë Imzot Bumçi me këtë telegram që çon nga Shkodra. Këtë telegram Z.Minister ja çoj me letër përcjellse si edhe ne, na dërgoj bashkë me kryetarin e shtat madhnuer Ali Shefqetin ke kryeministri Sujeman Delvina. Gjithashtu na këshilloj me folë mbi këtë çështje. Shkuem dhe ato që i thamë Z.Ministrit të drejtësisë ia porositem dhe Z.Kryeminisrit.
- Dine Hoxha thotë se qeverija e merr në qaf Dibrën, përgjigjet z.Kryeminister në bisedë e sipër, por qeveria s’ka asnji faj në këtë çështje, sepse Dibranët vetë e nisën lëvizjen pa i ardhe koha.
- Mbasi nuk i kishte ardhun koha porse emnuet e çuet nenpunsa, e pyeta?
- Myftiu dhe deputet tuaj na imponuan.
- Myftiu i jonë s’asht kompetent për çështje me natyrë politike por ato që i përkasin fesë. Sa për deputet tone z. e juaj e din fare mirë se sa vleftë mendore e kulturore kanë. Mbas insistimit t’ atyne njerzve që s’kane ndonji meritë dhe se njofin përgjegjsinë ju nuk duhet të bani organizim për administratën e Dibrës e të çojshi nenpunsa.
Kur nuk ec e nuk shkon mbarë puna asht e natyrshme të ndëgjohen fjalë të tilla, tha tue u ndrydhë.
Nuk na ndihmuet që të shkonte mbare puna ia prita.
- Me se? pyeti
- Me ato që ishte e mundun.
- S’kishim kurgja.Vlonjatët vetëm me përpjekjet dhe të hollat e veta u orvatën dhe e shpetuen vendin e tyre.
- Kemi marrë vesh se ndihmën që i keni bamë Vlonës ka arri në atë shkallë sa t’zbrazni edhe kosharet me kallomoq t’Esat Pashes e t’ia çoni. Neve jo vetëm që nuk çuet fishekë e pare, por as nuk u jepshi përgjigje letrave që dërgonte Ramiz Bej Iljaz Pasha. Me këtë situate i dhatë shkak që të na prishet edhe fuqia morale.
E kapërceu bisedimin dhe e hapi rishtazi çështje e Lurës. Na porositi që të shkojshim me u marre vesh me Ministrin e Luftës për atë pune.
Nji popull si ai i Dibres që ashtë dërmue nga okupacionet e ndryshme dhe që s’kishte disiplinë as edhe mjete luftarake, nji popull i varfër që mezi siguronte kafshatën e bukës, ai ishte e mundun që ta përballonte me javë ushtrinë e rregullshme të Serbisë që ishte e pajisun me të tana mjetet luftës? Vetëm heroizma e dashurija e lirisë patën fuqi per me ba nji rezistencë aq të gjatë.
A mund t’u thojshin Dibranët nenpunsave t’emnue e të çuem prej qeverisë shqiptare ‘kthejuni prapa se gjëndja e politikës se jashtme s’ashte e favorshme, se situata e jone e mbrendëshme s’ashte kënaqëshme dhe se fuqia jonë ekonomike financiare nuk asht e volitëshme për me bamë nji kryengritje kundra Serbeve? S’kemi të holla, municion, ushtarë, ushqime dhe ato që përmendet ma nalte mund ti thojshin ato që drejtojshin fatin e popullit e jo dibranet.
Tue shkue në Tirane ndesha në Mat nji oficer me nja 20 kalorës.
Ky pyetë se kah ishte rruga e Dibrës dhe kërkonte nji udhëheqës nga emigrantët e Dibrës. Gjithashtu pyeste se ku ndodheshin topat që kishin marrë dibranët në luftë e sipër prej serbëve dhe i kritikonte dibranët me nji gjuhë të ashpër pse nuk e kishin përballue armikun. Kuptohet se oficeri shkonte në Diber për me i marrë e me i çue në Tiranë topat e marruna prej Serbëve.
- Mbas të vjelave jeni kujtue zotni me ardhë e me i marrë topat. Prej kaq javësh ato ndodheshin në duart tona dhe ju s’erdhët me i marrë.
Tash po të shkoni në Dibër keni me i gjetë bashkë me topat serbë që kanë ardhë tashti. Sa për atë që thoni se nuk qëndruem përpara armikut, jeni gabim se ju s’na çuet as municion që të luftojshim e jo ma tjetër.
- Dhe ju të qëndrojshit si Vlonjatet q’u kapën fyt e fyt me armikun dhe e shqyen me thonj, -më tha.
Oficeri nga dialekti dukesh se ishte prej Shqipnisë së Jugut, ai kur thoshte se lypsesh të luftojshim me armikun, kishte të drejtë, mbasi na veç thonjve s’kishim as ndonji mjet në dorë për me e perballue armikun q’ishe i pajisun me të tana mjetet luftarake dhe në numër disa herë me i math se ne.
Ai, oficeri, si shqiptar që asht, ma në fund, kishte të drejtë me e përçmue dhe me ba nul trimënine e dibranëve, mbasi këta me përjashtim të disa përpjekjeve pa ndonji rëndësi të veçante, kurrë s’kanë bamë ndonji luftë serioze me bashkëkomasit e vet. Me fjale të tjera, atij nuk i kishte dhanë rasë me i njoftë dibranët n’atë fushe ku mbretëron mortja. Trimerinë e dibranëve e njojtën Turqit, Grekët, Serbët, Malazest e jo shqiptarët dhe na urojmë që kurrë të mos provojmë me i njoftë vllaznit tonë nga gjaku e nga gjuha këtë dhanti të veçantë që u ka dhanë natyra atyne që rrojnë në të dy anët e Drinit Plak.
Ato ditë për shkaqe të pajustifikueshme prej nesh kishte ardhun në Tiranë nji oficer serb, i cilli ishte lanë me u shoqnue prej Major Xhavit Leskovikut. Një ditë unë bashkë me Myftiun e Pergjithshëm z. Vehbiun kishim shkue për vizitë në shtëpi të Ahmet Zogut. Nderkohë erth edhe Major Xhaviti. Kur e pyeti Ahmet Zogu se ç’thoshte oficeri serb, ai tha: “na nuk dënjojmë me luftue, tha ai, me këtë popull që trembet nga krisma e nji topi.”
Nuk dij se këto fjalë me të vërtetë, ishin t’oficerit serb apo trilloheshin prej Major Xhavitit, sidoqoftë i thamë Majorit:
- Edhe ju atij oficerit serb lypsej t’i përgjigjeni e t’i thoni se ai popull me të cilin nuk dënjoni me luftue, qysh nga lufta Ballkanike e këndej disa herë ju ka sulmue tue brohorit “besa bese” dhe ja ka marrë topat e mitralozat, ju ka mundë e ju ka dërmue ushtrinë tuaj, ju ka shtrëngue të viheni në ikje 10-15 orë dhe me armët që ka rrëmbye prej ushtarëve t’uaj ua ka vramë ushtarët t’uaj. E keta janë dibranët.
Lufta e Vlones asht nji kunore nderi e mburrje për kombin shqiptar. Na s’mund veçse të gunjezohemi para atyne kreshnikëve që ranë dëshmorë për lirinë e vendit Kryengritja e Vlonës duhet, dhe medoemos lypset të zajë nji vend të shkëlqyeshëm në historinë tonë kombëtare. Përpjekja e trimërija e vlonjateve e tregume në këtë rast meriton të duartrokitet e të brohoritet.
Atëherë kur luftojshin vlonjatet kundra italianve edhe dibranët luftojshin kundra serbëve. Vlonjatët ngadhnyen, por dibranët humbën e u thyen. Vallë përse? Mos u mungonte dibraneve guximi e trimëria, këtë s’besoj të ketë shqiptar që të mund t’a thotë, mbasi ajo asht provue shumë herë në shumë rasa. E përse ata fituen e këta humben ?
Ja sepse:
Italianet nuk janë trima e luftëtare si janë Serbët.
Levizja socialiste e bamë ne’ Itali në favor të Vlonjakëve dhe pengimet e mbëdha q’i sollën ato qeverisë italiane për këtë ekspedite
Vlonës i shkoi fuqi ndihmuese nga Shqipnija e Mesme e shumë anë të tjera, kurse Dibres nuk i erth ashkush në ndihmë.
Nji numër i konsiderueshëm oficerësh u çveshën dhe u çuen në Vlonë, ku morën pjese aktive në beteja të ndryshme, kurse dibranëve iu çue vetëm Major Shefkiu, i cili gjet rasë të volitëshme të prehesh në Peshkopi dhe jo vetem që nuk na ndihmoj, por edhe nuk na i dha as mitrolozat që ti përdorshim kundra armikut.
Disa qindra barrë municioni ashtu edhe arme u çuen në Vlonë, kurse Dibrës nuk u çuen as edhe njiqind fishekë.
Kryengritja e Vlonës u suvesionue prej qeverisë shqiptare tue lanë në dispozicion të drejtuesave me qindra mije frang ari, kurse në Dibrës jo të holla, por as pergjigje nuk i çojshin.
Për kryengritjen e Vlonës u mblodhën në shumë vise të Shqipnisë ndihma të hollash dhe propaganda u zhvillue aq mire dhe u ba aq e efekshme sa grat e Elbasanit i hoqën vathët nga veshi dhe unazat e gishtave dhe i dhanë për atë qëllim, me të vërtetë, vepër e naltë patriotike. Por për Dibrën e ngratë kërkush nuk dha makar nji dysh.
Në Vlonë shkuen edhe banda muzikore të viseve të ndryshme për me e dyfishue guximin e luftëtarëve, por në Dibër nuk erth makar jevgjet a-enkçi të Tiranes me lodrat e qemanet e tyne.
Në Vlonë shkuen, mbas propagandas së zhvillueme, nga shumë vise edhe zonja për të bamë sherbime infermerije, por në Diber s’erth njeri dhe Dibranët e plagosur vete i lidhshin plagët. Zonja e Doktor Krastës nga Elbasani asht njana nga të parat që me vullnet të vet shkoi në Vlone për me ja kushtue sherbimin e vet luftëtarëve të plagosun.
Qeverija Qendrore në Vlonë pat çue nji sasi të madhe ushqimi kurse në Dibër nuk çoj asnji kothere bukë dhe nji kokër qepë.
Po të meret parasysh gjithë këto fakte që përmenda ma nalte, kuptohet fare lehte sepse fitoi Vlona dhe humbi Dibra.
Ato që shkrova ma sipër nuk janë pjellë e imagjinatës s’eme, por janë fakte që provohen me dokumenta, të cilat natyrisht e sigurisht ndodhen n’arshivat e shtetit tonë e të shtetit Italian e Serb.
N.q.s. malesorët e Veriut janë injorant, janë përgjegjës ata që i kanë lanë në këtë gjendje të mjerueshme dhe jo ato vetë. Na s’duhet t’i urrejmë për këto mungesa të trashigueme prej nji regjimi të huej dhe ti keq përdorojmë tue i fye e tue shnderue deri me rrafje sa me e cenue edhe sedren personale. Përkundrazi, duhet t’i afrojmë e t’i drejtojmë në rrugën e mbarë të qytetërimit. Sa herë që asht paraqit ndonji rasë e volitshme, ata jane përbuzë prej autoriteteve ushtarake e civile të Shqipnisë dhe s’asht lanë dhunë e pa drejtë pa u bamë mbi ta.
Moskujdesi për shpëtimin e këtyne malsorëve nga zgjedha e injorancës, për fat të keq vazhdon të tregohet edhe nga shteti shqiptar.
Edhe ligjet e shteteve ma fort se me i ba të vuejnë, kanë për qëllim me i përmisue, me i zbutë dhe me i urtësue keqbërsit. Me fjalë të tjera, nuk i gjejnë t’arsyeshme e të dobishme me i dhanë fajtorit nji vuajtje vdekjepruese e me i shue jetën, por dëshirohet përmisimim dhe shpëtimi i tije nga pushteti i vesit të lig. E kur nuk shihet i denjë nji veprim i egër për nji fajtor që ka vra ose ka vjedhe, si mund të shifet e udhës nji sjellje e ashpër për nji pjesë të popullit, që s’ka tjetër faj veçse lëngon prej etheve t’injorancës? Prandaj, lypset që qeverija t’u kushtoj kujdesin ma të madh edukimit dhe ndriçimit të tyne me anë të shkollave, të çoje ndër krahina të tyne nenpunësa të drejtë e të ndershëm që t’i afrojnë kah qeveria, t’ua lehtësojnë vuajtjet, t’ua ambëlsojnë jetën dhe ti naltësojnë në shkallën e vllazenve të vet. Ateherë do të ndrydhet fatkeqësia e tyne, do të zhduket injoranca dhe nuk do të dëmtohet ma as financa as dhe qetësia e shtetit. E këta malësor sigurisht do të jenë mirënjohës për këtë shërbim të çmueshëm dhe do ti shpërblejnë Atdheun e bashkë atdhetarëve këtë nder tue e derdhë gjakun për ta.
Të kthemi prap atje ku qemë.
Simbas porosis së Kryeministrit shkuem e takuem me Ministrin e Luftës Ali Pashë Kolonjën dhe komandantin e përgjithshëm të gjindarmarisë Mustafa Aranitasin e me Major Xhavit Leskovikun. Si unë ashtu edhe Elez Jusufi, Murat Kaloshi, Osman Lita e Maliq Kerçishta folëm tue theksue rëndësinë strategjike të Lurës dhe nevojen e mbajtjes se nji fuqie atje. Në përgjigjet që na dhanë na u dukën sikur e pranuen propozimin tonë.
Kur u kthye Ahmet Zogu nga Shkodra shkuem bashkë me Elez Jusufi dhe u takuem me të. Me gjithë që ai e dinte ma mirë se na rëndësinë e Lurës, ia parashtruem çashtjen. Edhe atë e gjetëm me nji mendim me ne.
Mbas dy tri ditesh Ahmet Zogu kishte dalë me inspektue kufite. Ndërkohe i çon nji letër Dine Bej Maqellara dhe i thotë se Elez Jusufi ka qellime e mendime të fshehta me propozimin që banë për të përqendrue në Lure nji fuqi. Në këtë mënyrë Dine Maqellara don të vej në dyshim Ahmet Zogun për kundrejt Elez Jusufit, t’a forcoj pozitën e vet në sy t’Ahmet Zogut dhe ti siguroj interesat e veta personale.
Mos pandehet se Elezi përnjimend kishte qëllime të tjera dhe të mos kujtohet, se Dine Maqellara me të vërtetë zbuloi nji tinezi në zemër të ligë, se ai s’e kishte atë hollësi mendjeje sa me u futë në tru e në zemër të tjetrit, por ai e bante për me çvleftesue meritën e Elezit para Ahmet Zogut dhe me zhdukë simpatinë që gëzonte ai.
Sidoqoftë levizja q’u ba në Mirdite, provoi se Elez Jusufi me propozimin që bani për përqëndrimin e nji fuqije në Lure, kishte qëllime të mira, e kishte parashikue gjendjen dhe kishte qenë i zoti ta kuptoje e t’a zbulojë të nesërmen.
Po t’ishte marrë parasyshe propozimi Elezit e t’ishte çue në kohë nji fuqi e rregullt në Lurë, sigurisht kryengritja e Mirdites o s’kishte ndodhun ose do të shtypet me lehtë e ma shpejtë.
Qofshin të mallkuar ata njerëz që të mundun nga menia e lakmia mbollën farën e dasisë e t’urrejtjes në mes të personit të vlefshëm t’Ahmet Zogut dhe të njeriut të plot fuqishëm e të ndërgjegjshem të Elez Jusufit. Këto injeksione helmatuese u ban kohë mbas kohe dhe arrinë ta bajnë efektin e deshiruem prej intrigantëve, sepse Ahmet Zogu e Elez Jusufi qenë hidhnue ma në fund. Kjo ftohtesi e urrejtje arrini n’atë gradë sa nisi të duket e të nxjerrë krye edhe në vepra të cilat natyrisht ishin në dam t’atdheut dhe për pak qenë tue e pezmatue dhe politikën e jashtme të shtetit me ngjyrat që merreshin herë mbas here. Ata që me intrigat e tyne të poshtme arrinë me i përkeqë marrëdhanëjet e të përmendurve dhe asisoj me e përshkue Shqipninë nëpër faza të kritikëshme as u tronditën as patën turpe prej kuj. Por vazhduen të përfundojn rolin e tyne prej dreqi tue i ndamë atdhetarët në “shqiptarë” e në “partizane” me këtë mënyrë me i veshtirësue jetën popullit dhe e pengue zhvillimin e tij në pikpamje të ndryshme..

U përket kompetenteve me i grrye e me i zbulue shkaqet e shkaktarët e levizjes së Mirditës, me gjithë këtë edhe na do të flasim pak mbi këtë kryengritje të kobshme, mbasi ajo lidhet me luftën e tmershme q’u ba ma vonë në malet eLurës, në mes t’onë e t’ushtris serbe.
Po kryengritja e Mirditës pat marrë nji ngjyrë politike dhe nji rendësi të madhe. Për ta shtypë atë dhe për te bamë nji operacion te mire qe çue atje komandanti i gjindarmarise Ali Fehmi Kosturi. Disa muaj u rrok e u orvat ky atje me ba ndjekje. Por nga shkaku i pozitës topografike të vendit e të tjerave fitimi dhe humbja herë pjereshin në njenën ane, herë në tjetrën. Me fjalë të tjera, situate nderlikohesh por nuk bante nji ndryshim të njimend në favor të njenës ose tjetrës pale. Vetëm mbas disa kohe kryengritësit zunë me tregue shenja lodhjeje e dobësimi. Qeverija serbe, e cila kishte përgatit kryengritjen me qellim që tu ndihmoje e tu napë kurajo Mirditasve nisi për atje nji fuqi nja 1000 vetash nen komandën e Halil Lleshit, Taf Kaziut e te Selim Noges. Kjo fuqi e mbledhun në Diber, dash pa dash, u nis për Mirdite, me 30 Korrik 1921, tue ndjek rrugen Diber –Lurë –Mirdite. Në këtë mënyre qeverija serbe dëshironte të siguroje nji lidhje me Mirditën nga ana e Lurës dhe ta linte çelë shtegun për Mirditë. Komandat e dorës të dytë të kësaj fuqije ishin Selim Kaloshi, Dik Spata, Elmaz Koltraka nga Qidhna, Ali Tahir, Mustafa Pirra nga Muhrri, Hysen Ndreu nga Dardha dhe Jusuf Islami nga Lura.
Në perendim të Dardhës dhe ndërmjet Lurës e Dardhës ndodhet shtepija e Nezim Ahmetit, e ndertueme mbi nji kodrine. Atë dite ndodheshin ke Nezimi, të grishun në nji gosti i nipi i Elez Jusufit, Dik Xhelili, Kalosh e Lazim Sajari, dy vllezër t’arratisun prej kohesh nga vendi i tyre që ndodhesh nen zgjedhën serbe. Në këtë kohë turma mercenare e serbëve q’u përmend ma naltë, i fikas dhe u pa se po marshonte në drejtim të Lurës. Këta, të grishunit e Nezim Ahmetit q’u permend ma naltë, me nji herë murrën ato 30 shok që kishin me vehte dhe duelen ke kodra e gelqeres ku zunë pritë. Njikohësisht e çojnë Xhelal Hakikun prej Dardhe ke ura e Vezirit për me e njoftue Kapidan Prek Jakun. Kur u afrue fuqija mercenare këta i vunë pushkën me qellim që ta prapësojne. Por ata zunë vend dhe qendruen. Lufta u ba e rreptë dhe vazhdoj deri sa u ngrys e u errësue fare. Por në këtë kohe trimat tone të ndergjegjshëm ishin rrethue ma prej fuqis mercenare që ishte 40-50 here ma e madhe se e ketyne. Mu në çastin kritik, arrin në ndihme të tyne Sheh Halimi nga Reçi me disa shokë dhe mbas nji beteje të egër shthuret rrethimi. Po në këtë kohe arrin edhe Kapiten Prek Jaku me batalionin e tij e me nji top nga ura e Vezirit që ishte plot 8 ore larg prej andej, me qenë se ishte natë dhe rrugët e veshtira e të rrezikshme, malësoret tone ia ndriçojne udhën ushtrisë së Kapiten Prekut tue ndezë pisha si stërgjyshat e tyne kur veprojshin në kohe të Skenderbeut.
Prenk Jaku q’arrini në ndihme me shpejtësinë e rrufes, sa sosi e vendosi topin mbi kodrinën e kishës së Lurës dhe të nesërmen sa gdhini d.m.th.me nji gusht 1921 u vu pushkën mercenarëve të Serbise. Në këtë lufte muarën pjesë edhe nja treqind Derjane e Reçjane që qenë thirrë ashtu edhe Ibrahim Gjoci nga Lura me nja 30 burra. Kapiten Prenku i ndihmuem edhe prej këtyne që permendëm i rrethoj mercenarët dhe nisi luftën me terbim. Mbas nji beteje t’egër që vazhdoi ma tepër se pesë orë mercenarët u thyen dhe ikën të mundun plotësishit tue lane nja 40 -50 plagosun.
Fuqija mercenare e serbëve n’Arras mundi me qendrue e me zanë vend. Kapitani kreshnik Prenk Jaku e vendosi fuqin e këtyne malsorëve të pa shkolla e të padisiplinuem, por trima e të provue në rasa të tilla në gryk Noke e në Kodër Leshë tue i vu nën komandë të nentoger Luigj Shantojes, të cilit i la nja tridhjet ushtarë e dy mitralierë nga të vehtët. Mbasandej u nis dhe shkoj për në vend te vet te ura e Vezirit.
Nja nji jave nuk ngjau kurgja. Gjendja vazhdoj të jete e qetë. Ndërkohe erth Toger Shefki Shatku, i cili ishte nisun prej Tirane me detyrë që ti çonte municion ushtrisë së rrethueme në Mirdite, por me qenë se s’gjente shtek për me u fut erth këtu. E morri komandën e fuqisë prej nentoger Luigj Shantojes dhe e shpërndau municionin ndër ushtarët e vullnetarët që përbajshin fuqinë. Mbasandaj, muer dhe e nxiti për me i sulmue mercenarët q’ishin ngujuen’Arras. Me nji fuqi të perbame prej 200 Derjane dhe nja 300 nga Gryka Nokes i mësyen kundërshtarët, të cilët u thyen aq keq sa u vunë në t’ ikun, të tmerue dhe e kapërcyen Drinin të veshun me petka, nji numër i konsiderueshem nga komitët u vranë, nga kjo anë mbet deshmor vetëm nëntoger Osman Elez Mara nga katundi Suhadoll.
Toger Shefkiu mbasi e kurorëzoi këtë vepër patriotike me ngadhnjim e armëve shqiptare vendosi nji fuqi në Arras nën komandën e oficerit z. Qemal Frasherit dhe vet u kthye në Tirane, me këtë mënyre Serbet u shporrën n’anen tjetër të Drinit, i cili u ba vetvetiu kufi. Nja gjashtë javë nuk ndodhi as ndonji ndeshje ose ndryshim me rëndësi në këtë anë të kufirit.
Këto dite, në Mirdite, prap ishte perkeqë gjendja. Kryengritësit e kishin pushtue Oroshin dhe e kishin zanë rob kapiten Fert Dervishin bashke me 200 ushtarë, të cilit i shpien në Spas. Gjithashtu komandantit të operacionit Ali Fehmi Kosturit, që ndodhesh ke ura e Vezirit ia presin shtigjet e prapsimit dhe e venë në gjendje gati të rrethuem. Edhe Rexhep Doçi……., që ishte çue prej Tirane me municion për Mirdite kapet rob bashkë me 100 e disa ushtarë dhe ja marrin krejt ushqimin e municionin. Rrugët e veshtira të Mirditës e mbyllin kryekput dhe pritet e pengohet dërgimi i fuqive.
Qeverija Qendrore shqetësohet nga situate e nderlikuar e Mirditës prandaj mbledh nji fuqi prej Shijaku, Kruja e Tirana dhe e çon për në Mirditë nën komandën e toger Shefki Shatkut. Me këtë fuqi ishte çue edhe nja 40-50 ushtare të xhenjos, edhe Haxhi Jusuf Dani, deputet i Tiranes si dhe nentoger Mazar Bej Delliallisi komandant i rreth komandës gjandarmaris Shijakut [1] me fuqin e Shijakut kishte shkue. Kjo forcë e re vjen në Kthellë tue kalue nëpër Milot. Mbasi e pushton majën e kulmit që ndodhet në rrugë të Oroshit vjen në Rreshen, ku i marrin pjesërisht ato kafshë që i ishin grabit me parë Rexhep Dacit. Kjo fuqi qendroj këtu gati nji muaj dhe mbrenda kësaj kohe u rrethue dy herë prej kryengritësve, por pa u sigurue ndonji fitore rrethimtarve.
Qeverija çon rishtzi nji fuqi prej nja 200 vetash të perbame prej dibranesh. Kjo fuqi e komandueme prej të nipit te Elez Jusufit, Suf Xhelilit, Murat Kaloshit nga Qidhna, Osman Lites nga Kalisi, Ibrahim Gjecit nga Lura, pat si kryekomandant Ali RizaTopallin. Mesyni kjo fuqi dhe me trimërin që tregoj u fut n’ Orosh nga ana e Selitës. Kësisoj u shkatërua rrethimi që ishte bamë Ali Fehim Kosturit dhe u sigurue udha e komunikacionit. Mbasandej fuqia erth në Lure. Ato mblodhen nja 700-800 vete nga banorët e Lurës e të Dardhës dhe formuen nji batalion. Osman Lita me fuqinë që dispononte, sipas urdhënit të komandantit Ali Fehmi Kosturit, shkoi ke ura e Vezirit për me e ruejtë pikat stategjike gjatë Drinit. Kapiten Ali Rizai bashkë me Jusuf Xhelilin e Murat Kaloshin muarrën udhën e shkuan ke shkalla e Gjonit, nji vend strategjik e tepër i fortë ku ishte përqendrue e ngunjue nji fuqi e madhe prej kryengritësve. Fuqija e Dibranëve i msyni kryengritësit të cilët qëndruen me kokfortësi. Por ma në fund u mundën. Edhe fuqit qeveritare e pushtuen pozitën e rëndësishme të shkallës së Gjonit. Njezet e tre veta ranë deshmor e u plagosen prej dibraneve. Dami i kryengritesave qe i math por s’dihet me përpikmeni. Kjo luftë e rreptë e ndrroi fatin e kryengritjes, sepse Mirditasit u tmeruan nga shuplaka e dibranëve dhe e humbën ma atë fuqi morale që kishin pasë ma parë.
Në atë anë, ku ndodhesh Osman Lita zunë me u përkëmb e me leviz banoret të cilleve u çoj ndihmë Kapiten Mark Gjoni dhe serbet q’ishin n’atë anë të Drinit. Pozita e Osman Lites u veshtiresue si nga këto shkaqe ashtu dhe nga tradhetija qe i banë disa ushtarë vendas. Situata kritike e krijueme rreth Osman Lites e shqetësoj Ali Fehmi Kosturin, prandaj urdhërroj dibranët me i shkue në ndihme. Dibranët u nisën dhe shkuen me shpejtësin e vetëtimes, i sulmuen kryengritësitdhe i mundën në mënyrë që naltësuen forcën e prestigjin e qeverisë. Ndërkohe, arrestuan nji kryengritës që u fut kendej prej anës tjetër të Drinit dhe e varën natën mbi nji peme. Serbet ashtu dhe Kapidan Mark Gjoni kur e panë të nesërmen të varun i prenë shpresat e ngadhenjimit. Me sakrificat që banë Dibranet në Mirdite e hapen dhe e siguruen shtegun e nji pushimi e veprimi të dobishëm për qeverinë.
Si qeverija, ashtu dhe populli jane të detyruem t’u falen nderit ketyne herojve dhe ata kanë të drejtë të mburren për sherbimin që i banë Atdheut. Personalitetet e nalta të shtetit e të popullit, aso kohe në vend që ti nepnin rëndësi çështjes se Mirditës për me mos e bamë ma vonë nji plagë e rrezikshme, gjithë fuqin mendore dhe aktivitetin e tyre e patën shkri per ti ruejte pozitat e tyne. Kërkesat e shumta të nji njeriu të damshëm si Marka Gjoni e të Bajraktarëve të tjerë vetem me ndërmjetësimin e Elez Jusufit u gjymtuen. U ulen në minimumin e privilegjeve të kërkueme dhe mjaftuen të kenë njerëzit e vendit në postin e nenprefekturës dhe gjindarmët, dy favore këta që deri sa të merrshin masa të tjera nuk mund të bajshin reperkusione në politikën tonë të mbrendëshme e të jashtme. Ky far pajtimi i arritur me zotësinë e Elez Jusufit, u pranue prej qeverisë qendrore, por mbas pak ditesh u denoncue dhe i dha shkak që të turbullohesh situata e të rifilloj kryengritja. Në këtë rasë u hap rruga të përfitojnë, nen dorë, ata që janë mësue ti sigurojnë interesat e veta personale në dam të interesave të pergjithshëm dhe ngadhenjeu intriga e ati dreqi q’u ba vegla e realizimit të qëllimeve pushtuese të Serbisë në vendin tone. Me fjalë të tjera, u hap rishtazi ajo plage që qe mbylle me aq sakrifica.
Kur pa Marka Gjoni se dështoi programi që kishte përpilue çoj të birin bashkë me bajraktar Zef Doçin ke kapiten Ali Rizai e Suf Xhelili për të hy në marveshje me qeverinë qendrore me konditë që të ndërmjetesonte Elez Jusufi. Me fjalë të tjera Mark Gjoni kërkonte që të pajtohet me qeverinë, por në besë t’Elez Jusufit. Kapiten Ali Rizai me nji leter, ia transmetoj Ministrisë së luftës kërkesën e Marka Gjonit dhe u lut që të pranohesh për interesave t’Atdheut. Gjithashtu i shkroi edhe Elez Jusufit për me marrë përsipër këtë mision të nalte. Letra që ju çue Elez Jusufit që nenshkrue edhe prej Ibrahim Gjocit nga Lura, mik i perzemert i Ali Rizajit i Elez Jusufit dhe i Marka Gjonit. Me nji urdhër që caktonte gradën e kompetences për marveshje, Elez Jusufi u nis për me u marrë vesh me Mark Gjonin. Urdheni i ngarkimit t’Elez Jusufit me këtë mision përmbante nënshkrimin e kryeministrit, Iljaz Bej Vrioni, të ministrit të mbendeshem Sulejman Delvina dhe të ministrit të luftës Selaudin Shkoza.
Elezi shkoj në Lurë dhe e çoj Ibrahim Gjocin ke Marka Gjoni për ta caktue vendin e kohën e takimit. Kur u kthye Ibrahim Gjoci e njoftoj Elez Jusufin se Marka Gjoni kishte dredhue dhe nuk deshironte me hy në marveshje me qeverinë.
Qeveria Serbe tue pa se s’po mundet me i realizue qellimet e veta me anën të Marka Gjonit, Taf Kaziut, Halil Lleshit e të Selim Noges, vendosi të veproje drejt për së drejti tue përdorë ushtrinë e saj të rregullt. Prandaj çoj në Arras të Dibrës oficerin e stacionit serbe që ishte përballë Arrasit me detyrë që të njoftonte komandën shqiptare në Arras se në rast se nuk lirohej Arrasi e gjithë katundet për rreth tij mbrënda 24 oreve, do të bombardonte dhe do të sulmonte për me i pushtue. Kur panë autoritetet Serbe se Shqiptarët nuk i dhanë asnji konsideracion notës verbale të saj dhe nuk liruen viset, me 18 shtator 1921 filluen me bombardue me topa e me msye me ushtri të rregullshme. Gjemimi i topave Serbe ndigjohesh deri në thellësit e Lurës. Elez Jusufi që ndodhesh në Lurë kur ndegjoj bubullimin e topave t’armikut që zbazeshin kah fronti i Dibres e kuptoj shkakun e vërtet të refuzimit që kishte ba Marka Gjoni për me hy në marveshtje.
Me nji here u çue Elez Jusufi dhe me nji fuqi që mbodh aty për aty u nis me shkue ne ndihme t’Arrasit. N’anë tjetër dhe pa humbë kohë e thirri të nipin Suf Xhelilin e kapiten Rizan që të vijshin në ndihme me fuqite që disponojshin. Ndër kohe, qiti kushtrimin edhe në Dardhe e në Reç.
Ne majë të kodrinave që janë në Lanë të Lures, Elezi u ndesh me nja 30 ushtarë e me Dibranet që ishin zbrapë nga Arrasi e pika tjera të kufinit, aty zu vend edhe Elezi. Kur arrini populli i Dardhes dhe i Recit, simbas kushtrimit të nxjerrun dhe batalioni i kapiten Ali Rizait e fuqija e Suf Xhelilit, u nis lufta e egër në mes të Shqiptarëve e të Serbëve.
Sigurohemi nga burime të besueshme se kësaj here serbët kishin sjell njiqind topa të vegjel e të mëdhej të cilët i përdoren në këtë levizje. Raportet zyrtare të dhanuna prej komandantëve të kufinit vërtetojnë se vetëm në ballin e Lurës janë përdor tridhjet topa. Sipermarsi i ushqimit të ushtrisë Serbe, Kadri Kellçishta, në Peshkopi që u ka dhanë bukë siguron se vetëm për ballë frontit të Dibrës serbët kishin përdorue regjimentet 12,17,18,19,25,27, dhe 28. Ushtrija serbe e ardhun nga Prizereni për tu përdore kundra ballit të Lures asht tjetër dhe asht jashte atyne regjimenteve që përmendëm ma naltë. Përballë kësaj mizorije serbe t’armatosun gjer në dhembë qendroi fuqia e dibraneve e perbame kështu: Nga njiqinde disa vete nga Arrasi, Sina e Eper, Sina e Poshme, Gryka Noke, Qidhna, Mustafaj dhe nja njiqind e disa vetë qenë nga Dardha, Reç e Lurë. E tanë fuqija e dibraneve kishte nji top dhe disa mitroloze që i muerr me vone prej serbeve.
Numri i kësaj fuqije pakësohesh dhe disa here shtohesh, për shkak se këta trima, që meritojnë të përjetësohen për heroizmin e tyne, femit e vet i kishin strukë e strehue ndër shpella, pyje e bjeshkët e nalta që vetëm me nji të pame të fusin tmerrin. Disa herë shkojshin me i pamë fëmit e vet që dergjeshin nga pa bukesija dhe dridheshin nga acarimi i ftoftit të madh ndër ato vise të nalta, mbasandej ktheheshin me lot në sy e me helm në zemër për gjendjen e mjerueshme të familjeve të veta dhe merrshin pjesë në luftë, e cila bahesh me të vërtetë nji luftë dëshprimi. Për këtë shkak ishte i ndryshueshem numërimi i fuqisë në Lanë të Lurës.
Ne juge të Lanes të Lurës dhe nja katër ore larg prej saj asht Sharra Zogollit. Këtu ishte vendos Kurt Kadija me nji fuqi të perbame prej matjanësh. Poshtë sharrës së Zogollit e ngjite me Qafen e Murrës ndodhesh maja e Korupit. Këtu pat zanë vend Dine Hoxha me nji fuqi Dibranësh Murrake e të tjerë. Serbija nuk u nepte rendësi këtyne dy pikave. Prandaj, n’ato anë nuk bahej lufte.
Përmbi katundin Sine e Epër e Sine e Poshtme të Dibres ngrihen do male të nalta, mbi këto male asht pozite e fort[Pllaj]. Këtu kishte pritë Murat Kaloshi me nji fuqi dibranesh, qidhnakesh e të tjerë. Këtu Murat Kaloshi i dha armikut prova të shqueme trimënije, kreshnike tue bamë betejë të shkelqyshme ashtu si i kish hije atij e trimave që kishte me vehte.
“Nga ana e Lurës, pa rreshtun, Serbët mësyjshin e luftojshin. Përveç trimënisë, me të cilën shumë dibrane, kishin edhe nji favor tjetër. Pozitat e forta natyrale ku kishin zanë vend. Pandaj, rrallë plagoseshin dhe rrallë ishte numri i dëshmoreve, kurse serbët pësojshin dame e humbje të medha si me të plagosur ashtu edhe në të vrame. Por e dyfishojshin dhe e tre fishojshin luftën me zell e tërbim të math.
Trimërija që treguen dibranët në këtë lufte asht shëmbullore, për shembull Suf Xhelili tue pasë ngjat vetëm njizet e shtatë trima e zbrapsi sulmin e nji fuqie serbe që përbahesh prej katërqind ushtarësh. Nuk mjaftoj me këtë por bani nji kundërsulm dhe i nxorr serbët n’anë tjetër të Drinit tue u shkaketue dame të mëdha dhe tue u marrë edhe nji top. Këto trimëni arrijnë të quhen të mrekullueshme dhe shumë kush, ndofta nuk i beson. Por këto janë realitet 1.
Por atë kohe u çue në Lurë Major Nazif Voshtima me nji fuqi të perbame prej pes a gjashtëqind vetësh. Edhe kjo ishte mbledhë në Shqipni të Mesme, veç nji pjesës së vogel, nuk vlejti fare, sepse nji pjesë e saj u arratis e u kthye në Tirane dhe pjesa tjetër-do të raskapitun që ishin zanë bedel me të holla-s’bante veçse e pakësoj municionin e miellin e mykun që çonte Dine Bej Maqellara me shokë nga depoja e Matit për dibranet.2
1. Na besojmë se ata oficera që aso kohe u ndodhën në Lanë të Lurës nuk do të mungojnë me na vërtetue heroizmin që treguen malësoret dibrane.
2. Tue e ndrue miellin që shkonte nga Tirana me miell misri të mykun. Këtë miell e kam pa vete me sy, se atëhere nji mostër e tij, tue u ankue me ndërmjetësim tim. Elezi ia çoj Bajram Fejziut i cili aso kohe ndodhesh Ministër i Mbrendshëm, ateher Ministri na tha: Kush do me e mbrojtë nderin sot, nuk duhet të marrë detyrë për sipër.
Oficerët Serbe tue pamë rezistencën e forte të dibraneve zunë me dyshur dhe nisën me thanë se ata ishin të ndihmuem edhe prej ushtrisë dhe oficerave italjane. S’dijmë se serbet ku i kanë gjetë italjanet aq trima e rezistuesa që kësaj rradhe u bajshin nji ndër kaq të math…..Edhe për Gani Diden nga Prizereni serbët pretendoshin se asht italjan për shkak se ai qëllonte fare mire me top.
Edhe zotësia e trimerija e komandant Ali Rizait ishte e mrekullueshme. Malësorët dibran e simpatizojshin tepër dhe arrinin deri në admirim. Ai e njifte fare mirë palcën e tyne dhe sillesh me nji mënyrë që ato i kishte magjepse. Ay u tregue edhe shume shpirt madh e bujar. Të hollat që i ndodheshin ua shpërndante dhe gjellën e vet ua pjestonte atyne. E ndante katërsh batanijen e vet dhe i sukullonte femijt lakuriq të malësorve që dridheshin prej të ftoftit. Me lot e syve dhe të fshamet e zemrës merrte pjesë plotësisht në mjerimin e atyne fatzinjëve. Për këtë arsye malesorët e simpatizojshin me të gjitha fuqitë e zemrës e të shpiritit. Në shenjën e vogel të dhanun prej tij, i bante këto malësore me u versulë me tërbimin e nji kuçedre mbi armikun, të cilin e shpartallojshin dhe e dërmojshin fare.
Në ditët e fundme serbet banë nji ofensive të rrepte. Kjo ofensive filloj me 26 Nentor 1921 dhe vazhdoj tri dite rresht. Dibranet, natyrisht dogjën gjithë fishekët që kishin për me e zmbrape armikun. Me qenë se u mbaruen fishekët dhe s’ kishin me se të luftojshin armikun, u banë si luan të tërbuar. Paraqiteshin para komandantit të tyne Ali Rizait dhe kërkojshin duke u lutë dhimshëm si me pas kërkue jete. Ali Rizai s’kishte fishekë. I dishpruem shprehesh me vaj dhe lotët i rrokulliseshin në mollzat e faqeve. Kur shifnin trimat se komandanti i tyne po u nepte kokra loti në vend të fishekve dhe ata shpërthejshin në vaj dhe qajshin me deshprim. Të dy palët mbeteshin të hutuem e të mërzitur për disa minuta. Kjo ngjarje i dha shkas që të ndryshohesh situata e luftës.
Dine Hoxha që ndodhesh në Korat, lajmërohet tinëzisht se Serbet ishin duke pergatitur nji sulme dhe mat ‘ane. Menjiherë i drejtohet komandantit të grupit, Toger Hysni Pejes në Mat për me i çue sa me parë nji fuqi ndihmuese. Por simbas thanies se Dines, ai nuk i nep rëndësi kërkeses së tij dhe nuk i çon fuqi. Serbet tue e çmue se pozita e Kurt Kadise ke Sharra e Zogollit nuk ishte e forcueme mire, e mesyn dhe mbasi i venë matjanet në t’ikun, e pushtojnë Sharrën e Zogollit dhe Shkallën e Deshes. Tue i pushtue serbet këto dy pika strategjike, e prenë rrugën prej kah i shkonte ushqimi e municioni fuqis në Lurë. Në këtë mënyrë pozita e Lurës gati mbet e rrethueme dhe e rrezikshme, mbasi nuk i shkonte ma as ushqim as edhe municion.
Për këto shkaqe ashtu edhe nga bora e madhe që binte, kreshnikët e ballit të Lurës u shtrënguen me u tërheqë deshprueshëm nga Lana e Lurës në vendin Nexhde. Me qenë se Maja e Nexhdit ishte nji vend tepër i ftohte mbasi e rrifte murrani për së tepermi, edhe mbasi trimat tanë s’kishin as fishekë për të luftue, as kapota e robe për t’u veshe as edhe çadra, lopata dhe vegla të tjera për të bame llogore e banesa mbetën keq. Për këtë arsye edhe nga shkaku i zbritjes së serbëve nga shkalla e Deshatit në katundin Macukull të Matit u pa e aryeshme, në pikpamje strategjike, që fuqia të terheqesh edhe prej Nexhdit. Prandaj me 8 Dhjetor 1921 u terhoq fuqia dhe erth në katundin Selitë dhe u vendos ke Lana e Kalosit.
Po në këtë kohe u tërhoq edhe Rexhep Shala me fuqinë e tij prej Mirdite dhe zu vend në nji kodër të Selitës. Midis fuqisë së Rexhep Shales dhe asaj të Elez Jusufit ndodhesh gryka e Selitës. Këto dy fyqi u muarën vesh me borizan. Rexhep Shala i dërgoi Elezit nji top nën komandën e toger Preng Previzit. Tash Ali Rizait ju banë dy topa.
Fuqit e mëdha tue gjykue se luftat e rrepta e të gjata që baheshin në Shqipni në mes të Shqiptarëve e Serbëve mund të bajshin reperkusion edhe ndër shtetet e tjera te Ballkanit, ndërhyne dhe i larguan serbët në kufirin e vitit 1913-tes. Ushtrit serbe me 8 Dhjetor 1921 u tërhoqën në kufinin e caktuem prej konferencës së ambasadorëve, në Londër dhe i liruen tokat shqiptare të Dibrës. Me 10 dhjetor 1921 fuqit tona kombëtare hynë në Diber, Peshkopi e në Lume si ngadhnjimtarë tue pasë në ballë komandantin e pergjithshëm Elez Jusufi dhe Kapiten Ali Rizain, dy burra të çmueshem që meritojne çdo nderim për trimëni, burrërine e atdhedashuni e tregueme kurdoherë e veçanarisht gjatë kohës kritike që vazhdoi lufta. Qofshin urue e nderue këta patriote të mirë dhe qofshin të mallkue ata tradhtarë të poshtëm.
Kopja e nji letrës se dergueme me shpjegime të plota mbi mbi këte lufte të Elez Jusufit ish deputet te Dibres Z.Kristo Dakos asht pershkue në fund të ketij libri.
Kur u zhvilluen ngjarejt e shemtueshme në 1920, serbët patën djegë shume shtepija në Reç, Dardhë, Gryk Noke, Qidhen, Mustafaj, Arras, Sine e në Muhurr dhe patën grabitë kafshe e bagëti. Kjo barbarizëm edhe asaj kohe u përsërit prej serbëve dhe banë damë tepër të mëdha. Për t’u ndihmue këtyne të mjeruemve Italia dhe disa shtete te tjera patën çue disa çadra e batanije. Nje pjesë e këtyne u shpërnda prej qeverisë ndër vise tjera dhe pjesa tjetër u kalb në depot e Durrësit. Sa punë e shemtueshme dhe e……

Nji çudi
Sa herë që luftojshin malësorët tanë në Lunë të Lurës, ngrihesh e fluturonte mbi ta nji shqipe, e cila tue u rrotullue gërthiste e egërsueme me zanin e saj t’ashpër dhe sulesh drejt frontit të serbëve. Kjo ngjarje e mrekullueshme, ndothte për ditë sa herë që bahesh luftë. Tue e pamë malsorët tanë këtë shqipe që fluturonte përmbi krenët e tyne, pa u drasht as nga plumbat e armikut as edhe nga zhurma e luftës përtriheshin në fuqi morale. E quejshin si dhenje ngadhenjimi fluturimin e saj dhe tue brohorit ‘besa-bese ashtë dita e jone’ dhe suleshin me tërbim mbi armikun, të cilin e thyejshin e shtypshin dhe e dërmojshin.
Mbasi u liruen tokat e Dibres deri ne kufi te 1913
Para se me u lirue viset deri në kufi të 1913-es, Suf Xhelili, Murat Kaloshi, Osman Lita dhe Ibrahim Gjoci erdhën në Tirane. Ma mire të kishin thye kembt e të mos vinin……
Nuk po i përmend emnat e atyne që rrenuen kabinetin e Pandeli Vangjelit dhe i dhanë shkas turbullimeve. Këto ngjarje, natyrisht historija do t’i hetoje dhe do t’a gjykoje, pamvarsisht ajo, q’e un dua ta prek këtu asht pjesa që u takon dibranëve në këtë çashtje.
Mos të pandehet se Suf Xhelili e shokët e tij qenë thirrë prej Tirane ose ata vet shkuen në Tiranë nergut, për këtë pune. Këta patën shkue në Tiranë për të marrë rrogat e prapambetuna të miliceve që kishin pasë në sherbim e nën komandën e tyne sa kohe që vazhdojë lufta me serbet. Kur Tirana ishte bamë skene e intrigave, Elez Jusufi ende ndodhesh në Lurë, tue përgatit me shkue në Diber, që u lirue prej serbeve mbas kaq sakrificash të bamë me gjakun e derdhun. Elezi i entuziasmuem nga gezimi i lirimit të Atdheut të dashtun, as e dinte as edhe e merrte vesh ç’po ndodhte në Tiranë. Ato që e përgatitën rrëzimin e Kabinetit të Pandeli Vangjelit përfituen nga padija e Suf Xhelilit e të shokëve të tij dhe i futën mbrënda asaj lodre me që ata nuk mund t’i kuptojshin dredhit e hollesinat e asaj aventure politike. Këtu vetvetiu vjen e del nji pyetje: Mbasi Suf Xhelili e shokët e tij qenkan esploativë verbenisht në çashtjen e rrëzimit të Kabinetit të Pandeli Vangjelit, përse marshoj ma vonë Elez Jusufi mbi Tirane dhe i dha shkak të dëmtohet arka e shtetit e të vriten e të mvaren aq njerez të pa fajshëm?
Po. Gjithkush e dinte se Kabineti i Hasan Prishtines pat dhënë dorëheqjen me konditë që të formohesh nji kabinet i pa anshëm e derisa të formohesh ky kabinet, të mos hynte në Tirane asnji fuqi civile kërcënuese.
Në raste se kërkonte me u fut në Tirane ndonji fuqi që të impozonte formimin e qeverisë simbas andjes së saj do të kundërshtohesh me armë prej te gjithve. Suf Xhelili dhe shokët e tjerë dhe parsija e Tiranës qenë besatue me relizue këtë qëllim. Gjithashtu edhe antarët e Kabinetit të përkohshem patën dhanë premtime të forta se nuk do të lejoshin me hy në Tirane ndonji fuqi civile.
Mënyra e të hymit të Ahmet Zogut në Tirane i dha shkak që dibranët ti ftojnë Tiranasit në bese, kurse tiranasit ashtu edhe antarët e kabinetit të përkohshem tue qenë edhe unë prezent u thanë dibraneve: ‘Ahmet Zogu s’mund me u fut në Tirane me fuqi, në rast se tenton me hy, na bashkë me ju do ta kundështojmë me armë. Lajmet e përhapme mbi marshin e Ahmet Zogut mbi Tirane s’jane të vërteta, me gjithë këtë për të hetue çështjen u çue Major Nazif Voshtina.’ Ju qetësohuni.
Me fjalë të tilla i gabuen dibranët që kishin vendosë të respektojnë besën dhe tiranasit ndejtën larg e ftofët.
Mbasi hyni Ahmet Zogu në Tirane u mblodh parlamenti dhe u formue kabineti pa i respektue konditat e parashtueme prej kabinetit dorëheqës të Hasan Prishtinës. Mbasi Suf Xhelili me shok duelen prej Tirane, atyne katundarëve Dibrane që ndodheshin në Tirane ua mblodhën armet tue i fye e tue i rrafe. N’anën tjetër qeverija tue u mbeshtetë në nene e ligjit që thotë se u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrës deputeteve të krahinave që janë të pushtueme prej ushtrinave të hueja në qoftë se nuk vërtetohet deputesia nga populli, mbasi të lirohen ato krahina, pushuen deputet e Dibrës mbas nji kërkese të pergatitun nga katër a pes veteve. Të gjitha këto ngjarje ashtu dhe rreptsija e veprimeve të kabinetit te ri kundrejt dibranëve, provokuan që të zhduket besimi i dibraneve kundrejt kabinetit dhe të ushqejnë nji farë urrejtje e qellim shpagimi mbasi ishin fye e përbuz tepër.
Ato dite pata shkue nga Tirana në Peshkopi. Elez Jusufi simbas ftesës së bame prej Bajram Currit, kishte shkue në Lume për me u takue me të. Kur u kthye prej s’andejmi e pyeta se ç’bani ke Bajram Curri.
U besatuem me Bajram Currin më tha që të marrshojmë mbi Tirane, për me kërkue që të mbidhet asambleja e përgjitheshme e të caktohet fati i popullit të ngratë. Gjithë parsia e Shqipnisë së Mesme ashtë bashkue me këtë mendim. Edhe Shqipnija e Jugut, përveç nenpunsave e disa të pakëve, deshiron që të bahet asambleja. Duam ta përdorim atë të drejte që u napin popujve gjithë ligjet. Gjendja e paqëndrueshme dhe e ngatërueshme e Shqipnisë, lipset të marrë fund ma.
- Mire, ndoshta ju do të shkoni në Tirane - i thashë - por ta dini se Shqiptarët e Jugut do të hiqen me nji anë. Vallë a do të bashkohen me ju dhe a do të qëndrojnë në fjalë ato që ju kanë dhënë besë? Edhe në qëndrofshin në besë me disa njerez si ata s’do të mundesh me bamë punë dhe atëhere do të fusish në rrezik Shqipninë, gjendja e së cilës asht kritike dhe delicate. Mendoju mire se edhe vetë do të bijesh në greminë.
- Herën e parë do te mbidhemi në Kruje, tha. E di shume mirë se na pa toskët s’mundem të bajmë asgjë. Prandaj prej Kruje do të merremi vesh me kabinetin e Tiranës dhe me krenët e Shqipnisë së Jugut. N’është se do të na pengojnë në realizimin e të drejtave tona të garantueme nga Kongresi i Lushnjes, atëhere do ta shtrëngojmë Tiranën. Mos u shqetësoni se s’bahet gja. Qëllimi i jonë është i shenjtë. Në qoftë se ti dhe Prefekti jonë Sali Vuçiterna don me i sherbye çështjes së bashku shkoni në Tirane mbasandej merremi vesht nga Kruja.
Takova Sali Vuçiternen dhe u fjalosa me të.
- Po na mundë ti shërbejme u përgjegj, por jo në atë mënyre që don Elezi tue hy në Tirane me armë, asambleja mundë të kërkohet nga Peshkopija tue i telegrafue Tiranes n’emen të popullit edhe prej tjera krahinave kështu veprohet.
Përgjigjen e Sali Vuçiternes, i a thashë Elezit.
- Mbledhja e asamblese kërkohet prej gjithë popullit, tha. Këtë dëshirë e njef edhe qeverija e sotme. Kam ndigjue se Kabineti i Hasan Prishtines kishte vendos me e bamë asamblene shpejt. Edhe disa nga antarët e Kabinetit të sotshëm përpara se bahen Ministra kanë qenë të këtij mendimi, por tash i burgosin ata që guxojnë me kërkue asamble. Prandaj kjo punë nuk asht nga ata që mund të kryet simbas kërkesës së Bashkive dhe Shqipnia, lypset dijtë se nuk ashtë pronë e këtynë pesë bejlereve e pashallarëve.
Kur u kthye Elezi prej Tiranes prap u takova me të dhe e pyeta se si u zhvilluen ngjarjet. Kur kishte qenë në malet e Krujës kishte marrë vesh se e thyen besën ata q’ishin besatue me ta, dhe Bajram Curri ishte kthye nga rruga, mbasi i kishin kundërshtue mirditasit, atëherë kthehet dhe u thotë trimave që kishte pasë me vehte.
- Ata që më dhanë besën për bashkëpunim e thyen fjalën ose u trembën e nuk vepruan simbas programit, prandaj neve na mbetet vetem dy rrugë. O të kthehemi në Dibër të turpnuem ose t’ua lemë turpin atyne që nuk qëndruen në besë tue e marrë në sy rrezikun të marrshojmë mbi Tiranë e të futemi mbrënda
- Të gjithë nji zani i përgjigjen:
- Ma mirë pranojmë të vdesim se sa të turprohemi e të lakojmë nga besa.
- Nisemi për në Tirane.
- Muarëm vesh se gjithë Ministrat kishin ikë për n’Elbasan dhe në Tirane s’kishte mbetë tjetër veç Ahmet Zogut.
- Mbasi qëndronte puna kështu pse nuk i pushtuet zyrat qeveritare e lagjet e Tiranes por i dhatë rasë qeverisë që të përgatitesh? Apo nuk ju mjaftonte fuqia?
- Ndeshjet e rrepta që u banë e provuen se sa e vlefshëm qenë ato 250 vetë që e përbajshin fuqin time. Kurgja s’më pengoi që t’i pushtoj zyrat qeveritare. Vetëm se unë kisha parasyshë e në mend se unë kisha shkue në Tiranë për me e përmisue qeverinë e tashme e jo me e rrëzue e me e shtie në rrezik atdheun. Tri dit prita në Tirane që të vijshin edhe beslidhunit e tjerë si Hamit Toptani me shokë. Por me kot prita se ata me gjithë që unë dërgova dhe i thirra nuk e mbajtën besën. Duket se dëshironin ta gjejnë gati gjellën prej meje. Kur e kuptova se u gabova e u tradhëtova burnisht hyna në marveshtje e me ndërmjetsin e Ministrit Englez dola me nder prej Tirane. Ata që nuk mbajtën besen le të turperohen. Mbas sodit nuk do të përzihem ma në punët e popullit. Do të merrem vetëm me punët e mija, sepse zemrat e padjallëzueme të malësorëve si ne nuk mundë të bashkohen me zemrat dredharake të njerëzve të mbëdhej. Tashti e mora vesht se qenkemi në kohën që bëhen heroizma për interesa e jo therorina për atdheun.
Mbas nji vjeti, d.m.th. kah mbarimi i shkurtit 1923 u takova me Elezin. Që të kuptoj gjendjen e tij mendore e shpirtnore i thashë:
- Prej nji viti e këndej asht formue nji komision prej 18 antarësh në Prefekturë dhe këta njerez, sikur nuk ka ndodhur kurrë marrin nga nandë apo dhjetë napolona në muej. Shumica e këtyne janë Esadiste ose serbofile dhe njerëz pa ndonji meritë ose rëndësi personale. Ne këtë komision asht dhe Selim Noka e Ali Tahiri që qenë shokët e Halit LLeshit e Taf Kaziut dhe bashkë me këta luftuen kundër fuqive kombëtare në Lure për llogari të të huajve. Në këtë mënyrë fati i Dibrës mbete në duart e disa njerëzve të njollosun me tradhëti, kështu vjen të vërtetohet fjala e popullit që thotë : “Besniku në burg e tradhëtari në pallat’. Mustafa Serdari asht ba krahinor në Reç dhe Ali Lika në Lume e në Muhurr. E dini që këta njerez jo vetëm që s’kanë ndonji influencë ose simpati, por edhe urrehen prej popullit, mbasi kanë qenë e janë partizanë t’Esatit e të Serbisë. Mizoritë e padrejtësinat që bajnë disa krahina nuk tregohen me gojë. Këta të pandërgjegjshëm që në vetvehte s’kanë as ndonji zotësi ose cilësi përfitojnë nga autoriteti qeveritar dhe i varen popullit në qafë. Këto paudhësi e pa drejtësi që bahen na japin të kuptojmë se prap po këndohet kënga e Mukes në dam të popullit. Këto ashtu dhe çështja e emerimit të deputeteve që ngjua vjet janë grushte të rënda që i sillen popullit e ndërgjegjes së tij. Nuk di se si e përse i duroni tue i pa këto të gjitha.
- E dini që vendosa njiherë të mos merrem ma me punët e popullit e me politike. Prandaj, heshti dhe nuk trazohem. Çeshtja e komisionit dhe të tjerat që numëruet janë të vogla sa s’meritojne me u marrë në gojë, por qëndrimi tolerant i qeverisë kundër vepruesve të tillë dhe mënyra e emnimit te deputeteve jane….. te themi vepra qeveritare për t’i çuditë të tjerët.


21 MARS 1923



REVOLICIONI I QESHORIT 1924
------------------------------------------------
Kujtoj se asht e tepërt me u zgjatë në përshkrimin e gjendjes s’administrarës kur ishte Ahmet Zogu Kryeminister e Minister i Punëve të mbendshëm, mbasi të interesuemit e dinë fare mirë.
Veprimet arbitrare dhe ilegale, provokuen që të bahesh antentati kundër Ahmet Zogut në parlament. Ahmet Zogu shpëtoi me nji plagë të vogël në dorë. Por përveç disa pak besnikeve të tij gjithë populli dhe ushtrija u çue kundër tij dhe banë revolucionin e Qeshorit i cili përfundoj me fitimin e kryengritësve dhe me ikjen jashtë Atdheut të Ahmet Zogut me shokët e vet.
Ditët e para të qeshorit 1924 Bajram Curri e Kapiten Ismail Korça me nji fuqi civile e ushtarake prej gati njimije vetesh u dukën në Kosove dhe mbasi pushtuen Krumen e Bicajt, arrinë ke kalaja e Dodës në Kalis, buzë kufinit me Dibrën. Ketyne u duel perballë nji fuqi pesë a gjashtëqind vetesh e përbarë prej civilesh e ushtarësh nën komandën e kryetarit te Bashkisë së Peshkopisë Sul Shehu. Mustafa Bej Serdari nga Deshati, Selim Nokes e Dervish Lushes nga Qidhna, Sheh Hajrullahut nga Brezhdani, Sherif Tafes nga Sohodolli, Dine e Shaqir Demes nga Homeshi e Dine Beut nga Maqellara. Me këto qenë edhe dhandri i Ahmet Zogut Ceno Kryeziu që kishte ikë nga ndjekja e Bajram Currit.
Lufta në mes të këtyne dy fuqive krisi dhe u ba afër lumit Veloshiç nè Kalis. Ndërkohe, Ahmet Zogu i drejtoi nji telegram Elez Jusufit dhe e pyeti se si asht gjendja. Ky i pergjigjet: Krenët e fuqis që kanë dalë kundër Bajram Currit, s’kanë me vehte vetem se nga dyzet e pesdhjet veta, kurse kanë deklarue se kanë nga dyqind vete. Lufta ende s’ka fillue. Nuk kujtoj se kjo fuqi ta perfundoj çështjen ashtu si dëshironi.
Në mes të fuqisë qe kishte shkue kundër Bajram Currit kishte marrë pjesë edhe Suf Xhelili me nja shtatëdhjet a tetëdhjet vete nga Reçi e Dardha.
Me 11-12 Qershor 1924 filloi lufta, e cila, mbasi vazhdoi nja pes ore, mbaroj me humbjen të partizanëve të Qeverisë. Si thyerja dhe ikja u ba katastrofale.
Ceno Kryeziu tue ike nëpër Peshkopi tentoi me e djegë depon e armëve dhe të municionit me qëllim që të mos bijshin në duert të kryengritësve, por gjindarmët në roje e kundërshtuen dhe nuk e lanë.
Mbas pak arrini toger Fiqiri Dinja dhe i dogj si me dashtë se po i mbeteshin armikut.
Ceno Kryeziu, Sul Shehu, Shaqir Dema, Dine Maqellara, Fiqiri Dinja, Muharem Bajaktari dhe Toger Hysni Dema tue ikë i prenë e i këputën telat e telegrafit dhe telefonit dhe prishën urën e Topojanit, sikur tu vinte mbrapa ushtria armike.
Thuhet se Suf Xhelili në këtë luftim u thye me dashjen e vet. Gjithashtu thohet edhe se Bajram Curri e Ismail Korca, qysh me parë ishin marrë vesh me Elez Jusufin edhe kësaj rradhe mbas nji letër kembimi që banë dhe ardhen ne Peshkopi. Mbas tri katër ditësh edhe Elezi erdhi në Peshkopi dhe bashkarisht filluen bisedimet.
Ahmet Zogu me qëllim që të shtypi kryengritjen dhe ta thynte fuqin e Elez Jusufit qe s’i nepte rendësi, i kishte sjellë në Tirane Dine Hoxhen e Murat Kaloshin me nji fuqi civile.
Kur e kuptoi Zogu se s’ishte i zoti me u ba balle sulmeve që i baheshin nga të katër anet, e liroj Tiranën dhe erth në Homesh, nji katund nja nji gysëm ore larg kufinit shqiptaro - Serbe ku qëndroj nja nji jave.
Në këto dit Elez Jusufi, përveç atyne që ishin në Homesh, me Ahmet Zogun, i mblodh të gjithë krenët e Dibrës nga katër a pes vete për çdo katund ke varret e Deliasanit dhe i lidhi nji besë se nuk do të bajnë e nuk do të lejojnë me u ba pushka mbrenda qytetit të Dibres. Me këtë far bese, Elez Jusufi s’desh me lejue Zogun që të shkilte në Diber, por të mbetesh i veçuem e pa ndonji influencë në Homesh.
Edhe Dine Hoxha e Murat Kaloshi kishin kthyer nga Tirana dhe ndodheshin ndër shtëpi të veta. Dy here me rradhë shkuen në Homesh dhe u takuan me Ahmet Zogun. Edhe me Elez Jusufin qenë hasë në shtepi të Murat Kaloshit. Simbas besës e zotnimit që dha Elezi me anën e Dine Hoxhes e të Murat Kaloshit, gjithë dibranët që kishin ndjekë Ahmet Zogu shkuen në shtepia të veta dhe qendruen të pa prekun prej kuj. Vetëm Shaqir Dema, Sul Dema, Dine Dema, Dine Maqellara, Toger Fiqeri Dine, Toger Hysni Dema dhe Toger Muharrem Bajaktari ikën dhe u futën në Jugosllavi.
Shtëpijat e mbëdha t’Elezit në Sllove dy herë qenë djegë prej Serbëve. Sa here që kishte ardhur rasa, Elezi kishte luftue me Serbet dhe disa here ishte arratise e emigrue. Për këto shkaqe Elezi qe dëmtue tepër, veç kësaj ai qe demtue shume nga shendeti, sepse te shumën e kohës ndër shpella mbasi ndronte nga ndonji sulm i pa pritur i stacioneve të serbeve që ishin vendosë mbi Korab, nja dy ore larg shtëpive t’Elezit dhe në nji pozicion qe fare lehte munde ta bombardojshion e ta digjnin.
Tue mendur, rrezikun e perhershëm që i kërcenohesh nga serbët atij e familjes se tij te përbërë prej 60-70 veteshat tue pasë para sysh mundësi se antarët e qeverisë se re nuk do t’ishin të zotët me e administrue vendin, tue peshue inteligjencën e zotësine e mrekullueshme t‘Ahmet Zogut dhe tue dashte që t’i shmanget ndonji rreziku eventual, me anën të Murat Kaloshit e të Dine Hoxhes i pat çue fjalë Ahmet Zogut, në Homesh e i pat thanë: “Koha ka me të kërkue, athere merruni vesh.”
Qendrimi i Bajram Currit dhe i Ismail Haki Korçes në Peshkopi po zgjatesh. Populli i varfer cingëronte nga shkaku se s’mundesh me e ushqye me ushqime gjatë atë rrëmujë. Ismail Haki Korça i shkroi Rexhep Shales qe ishte komandant i pergjithshem i fuqive kryengritëse të Veriut se n’asht se zotohet Elez Jusufi me e mbajte situatën e tashme të Dibres, fuqit e tyne mund te ngriheshin nga Peshkopija. Rexhep Shala i telegrafoj Elezit dhe ky ju përgjegj tue ju zotue që do ta mbante qetësinë në Diber dhe të mos lejonte me u fute në Diber fuqit e Ahmet Zogut q’ishin përqendrue në Homesh. Mbas nji jave që Ahmet Zogu pat ardhë në Homesh iku dhe u fut në Serbi bashke me ndjekesit e vet.
Major Shefqet Korça ishte nis prej Tirane për me e gjurmue Ahmet Zogun dhe po vinte tue u kadalit. Mbasi hyni Ahmet Zogu në Serbi, Shefqet Korça sosi në Zerqan. Detashmenti i Kapiten Ali Riza Topallit dhe ai i Kapiten Riza Cerovës u vendos ne Dare, në Dardhe, në Reç, në Muhërr e në Luzni, këto fuqi nisën me mbledhë armët. Ky veprim ishte i natyrshëm dhe i domosdoshëm, sepse ushtria s’mundte të shpallte rregjim ushtarak në nji vend t’armatosun. Por duhet të dijtë se edhe s’munde me pasë jetë të gjatë e fryt, nji veprim që bahet me urrejtje e me padrejtësi. Edhe mbledhja e armeve ka nji rregullte vetëm.
Nuk arrihet qëllimi tue i marrë armën nji populli ose nji njeriu por tue e bamë atë që të mos e përdori. Lupset me ju dhanë të kuptoje popullit se arma i ka hije vetëm ushtarit dhe me e bindë atë që ta hudhi ai vet.
Sa herë janë mbledhë armet por në sejcilin herë ashte vue re se prap populli ashtë armatosë dhe në vend të nji pushke që ka pasë tash ka pasë dy. Padija dhe vobeksija e shtyjnë malesorin tonë me e mbajtë armën. Malsori me pushkën e vret armikun dhe e mbron vehten prej tij. Ky ashtë nji zakon i egër që duhet të zhduket tue u deftue nji drejtësi shembullore prej gjykatoreve tona dhe t’arrijë populli me e kuptue se e drejta e tije sigurohet e shpërblehet prej shtetit. Prap malsori e don pushkën se me anë të saj siguron jetesën e familjes së vet, vjeth ose grabit dhe i ushqen, famijet mbasi asht i varfer dhe s’ka ndonji burim të ardhunash. Tue i gjetë punë lypset ti zhduket dhe ky ves. Pa u zhduke këto dy pengime kur nuk do mundet me i vue urdhni i sigurimit. Prandaj kemi nevoje për nji regjim diktatorial të rrepte, por të drejtë. Ndërkohe lypset të luftohet injoranca tue hape shkolla dhe të zhduket varfëria tue sigurue pune. Atehere vetvetiu katundarët do t’ lenë armët, përndryshe gjithë mundimi kanë për të na shkue kot. Na, me të vërtete, jemi nji shtet i ri, por s’jemi axhami d.m.th.s’jemi të pa stërvitun. Për shembull nji nënpunës civil ose ushtarak dijnë me u vesh shik e te stoliset me tualet, ashtu lypset të dije e të mendojë se çfarë përfundime e fryte do t’i api sot e nesër vepra e tij e bame mbi ato malsorë që prej shekujsh nuk e kanë shijue besimin e qeverisë dhe u ashtë ngacmue e cënue edhe sedra kombëtare prej saj. Kur t’i kërkohet pushka nji katundari lypset të mbahet parasyshe gjendja shpirtërore e ati që i kërkohet arma dhe nuk duhet fye e përbuzë tue e shamë e rrafë sidomos faqe grues e femijës se tij. Ndërgjegja e nenpunsave lypset të jetë e pastër dhe ta kryeje detyrën me nji mjeshtri të holle tue e zbatue ligjin, por edhe tue mos e preke shtefnin vetiake të atij që ka të bej me të. Asht nji fyemje e randë dhe e pa durueshme për malsorin shqiptar rrafja. Shqiptari preferon të vritet se sa të rrifet, mbasi ai e humbë sedrën e burrnise, prandaj ai s’vlen ma fare. Pushka ose revolja që i merret nji katundari s’lypset t’i falet ose shitet nji tjetri, mbasi nji punë e tillë jo vetem që ështe kundër ligjit e ndërgjegjes por e egërson dorëzuesin e armës i cili pa tjetër do ta quej si nji fymje dhe do të kërkoje ta vej në vend nderin e marrun nëpër kambë. Le të thonë ato që kanë ndergjegje e prestigj se a mundë t’api frute të dobishme dhe a munde të kenë qellime te mira veprimet e tilla?
Në Kallnuer e në Frror te vjetit 1922 Major Shefqet Korça kishte ardhë në Diber, për me bamë nji operacion. Atehere Majori bani njimijë të zeza e padrejtësi tue i thanë popullit sepse jeni kundër Ahmet Zogut e dojshit me e rrëzue nga pozita. Ai asht atdhetar dhe i ndershëm. Në këtë mënyrë ai kërkonte t’afrojë popullin e Dibres ke Ahmet Zogu, për shembull nji tetar ose rreshter me nji patroll kur shkonte në shtëpin e nji katundari kërkonte prej tij që të theri nga nji berr për sejcilin ushtar te tij. Nji katundar prej katundit Gjuras iu hangrën dyzetetri dele dhe ja çderuen gruen. Shume vetave pa drejtësisht iu dogjën shtepitë. Për shembull gjindarm Faik Ibrahimi nga Allajbegija, tue perfitue nga rasa i dogj shtëpinë Etehem Shemsudinit po nga ai katund që e kishte armik tue pretendue se ky paska shkue dikur n’Elbasan mbas Halil LLeshit. Ka gra q’ishin marrë prej gjindarmarisë. E shoqja e Jonuz Demes nga Homeshi kur mbahesh në zyrën te gjindarmarrisë polli djale. Sa foshnje t’atyne që internoheshin vdiqën në Qafë Murres prej të ftoftit. Shumë njerëz të arrestuem që përcilleshin për Tirane vriteshin rrugës tue pretendue se dojshin me u arratisë. Per shembull ish deputeti i Dibres Ramiz Daci i ngratë vetem e vetem se ishte kundërshtar i Ahmet Zogut e partisë së tij u vra prej gjindarmarisë në fushë të hapet ke ura e qytetit në kufi të Grykës së madhe në Bulqize. Kufoma e Ramizit të pafajshem, kundër zakonit shqiptar dhe kundër njerëzimit dhe qytetnimit u çvesh dhe ditë me rradhë u la ne rrugë të madhe.
Keni qenë së bashku me Halit Lleshin n’Elbasan ju thojshin shumë veteve ose në këtë mënyrë u mernin rushfet.
Tash Major Shefqet Korca që kishte bamë në Diber gjithë këto poshtërsina për me e favorizue Ahmet Zogun, kishte ardhë rishtaz dhe i thoshte popullit se Ahmet Zogu asht tradhëtar i Atdheut dhe pyette sepse e simpatizojshin. Edhe kësaj rradhe Shefqet Korça ushqente atë urrejtje dhe ato qëllime që kishte pasë me 1922 kundër banorve të Dibres. Prirja e dëshira për me e realizue rishtazi atë program, shfaqesh haptazi prej tij dhe sjelljet atë provoshin. S’marrim vesh se ç’kuptim i mbetet veprimit ushtarak që duket të këtë qëllim përmisimi kurse ai përfundon me djegje e rrënime, me vrasje e shnderime, me fyemje e internime, me padrejtësina dhe çnjerëzime?
Populli i Dibres që s’i kishte harrue paudhesit e padrejtësit e Shefqet Korçes me 1922, kur e muerren vesh se ka ardhe rishtazi zunë me u largue prej shtepijash dhe me ju ankue Elez Jusufit. Elezi i telefonoj Ministrit të Mrendshëm dhe i tha:
Me fuqin e Major Shefqet Korçes, që asht tue ardhe në Diber ka edhe civile. Mbledhja e armëve të popullit prej ketyre civileve, ka me shkaktue përfundime të rrezikshme për sot e neser. Veç kësaj, kjo fuqi në disa vise po sillet liksht e po ban paudhësina. Dibra s’asht kundërshtarja e rregjimit që me këtë mënyrë të sulmohet nga të katër anët prej fuqive ushtarake si t’ishte nji vend armiku, populli i trembun nga kjo situate e krijueme asht terhekë nëpër male. Mbasi unë, me qellim që të thyej fuqin e Ahmet Zogut, i kam dhanë besën popullit se s’ka me u nguce prej kuj deri sa ai të mos perkrahi atë dhe mbasi ky operacion i panevojshëm asht nji grusht dërmues kundër kësaj bese dhe me këtë mënyrë nji fyrje për mue, shtrengohem me u largue dhe unë nga Peshkopija.
Të nesërmen Elezit, muer nji telegram prej Bajram Currit dhe nji prej vellaut tim Azis Stazimirit që ndodhesh në Tirane. Në këto dy telegrame njoftohesh Elezi se Major Shefqet Korça ishte urdhenue prej Ministrise që të mos bante kurrfarë veprimi pa u këshillue me të. Mbas këtij njoftimi Elezi e priti Shefqetin në Peshkopi.
Nga të gjitha këto kuptohet se Elezi nuk lejonte me u bame gjë antarëve t’Ahmet Zogut, mbasi u kishte dhanë besë. Me këte far bese Elezi kishte për qëllim me nji anë me ja paksue fuqin Ahmet Zogut dhe me e bamë që të largohet sa ma parë nga Homeshi, dhe m’anën tjetër donte me e bashkue popullin e Dibres që, po të çfaqet nevoja, ta mbronte Atdheun nga çdo rrezik i mbrendshëm ose i jashtëm dhe t’u nepte fundë atyne ngjarjeve që ishin kah zhvillohen prej vjetesh në damë të interesave kombëtare, politike morale e materiale të vendit tonë vetëm e vetëm për të argëtue ambicjet e disa njerezve.
Major Shefqet Korca, mbasi i dogj shtëpinë Dine Demes, të Shaqir Demes e Dine Maqellares dhe mbasi mblodhi aty këtu disa armë, u kthye në Tirane.
Aso kohe kur Bajram Curri, po shkonte për në Tirane, edhe Elezin e thirrën prej Tiranes por ai nuk shkoi. Si përfaqësues i Dibrës u çue im vlla Aziz Strazimiri. Tue kalue nëpër Lure, i biri i bajraktarit të Lurës me disa te tjere qesin pushkë kundër tyne, por pa shkaktue ndonji dam. Shtëpijat e guximtarëve u dogjën dhe pasunija e tyne u plaçkitë.
Si prefekt i Dibres erth Qamil Kelqereja, kapiten dorëhekës nga ushtrija, si komandant i batalionit te dyte të regjimentit të dytë erth në Peshkopi Kapiten Ali Riza Topalli.
Me qenë se nuk i di mire dhe me hollësina veprat e papëlqyeshme, pakujdesinat e msheftësinat e kabinetit të Tiranes e sidomos ata të Ministris së Luftes dhe te Punve të mbrendëshme q’u banë shkak me e sjellë rishtazi Ahmet Zogun në fuqi mbas pes a gjasht muajsh nuk po e përshkruej.
Prandaj po e kaloj këtë pjesë e po merrem me çështjet e tjera.
Prefekti Qamil Kelqerja po sillej liksht, s’ishte i zoti dhe ma në fund tradhëtoj. Komandant Ali Riza Topalli, ndërhynte në punët e çdo zyre e perdorte egër e ftoftë popullin. Ky farë administrimi arrini n’atë shkallë sa populli nisi me kujtue me mall e adhurim regjimin e kohës s’Ahmet Zogut dhe dal nga dale zu me e kërkue mënyrën e mjetin për me e kthye rishtazi atë rregjim.
Sjellja brutale dhe e keqe e qeveritarve arrini në atë shkalle sa Fiqiri Dinja që me vonë erth nga Serbia në Shqipni me thoshte:
- Ma fort se napolonat që shërndamë në popull për me e rexue regjimin e mëparshëm na sherbeu sjellja e dobët e qeveritarve shqiptar kundër popullit.
Edhe i ati i Fiqiri Dines, Dine Maqellara me pat thanë:
Mbasi hyna në Serbi u mërzita tepër dhe nji kohe mu mbush mendja me kërkue falje e me u kthye në shtepi, por mora vesh se s’mbet njeri në Diber, pa u rrafë e pa u shnderue kotësisht e padrejtsisht dhe kur u lajmërova mbi veprat arbitrare, mbi përdhunimet nëpërmjet autoritetit zyrtar, hoqa dore dhe nuk u ktheva.
Sa fjalë të drejta.
Opinioni i popullit të Dibres nisi të pezmatohet e të tregoje shenja kundërshtare, mbasi populli qe pezmatue e mërzit për së tepërmi nga paudhësitë, padrejtësitë nga poshtërsinat e administratës. Përkrahësit e Ahmet Zogut e gjetën këtë rasë dhe nisën me propagandue tue thanë:
- Ndrrimi i regjimit t’Ahmet Zogut në vend që të përmisonte gjendjen e popullit, e përtëkeqi ma fort, gjithë krenët e Dibres, bashkë me Elez Jusufin janë bashkue me Ahmet Zogun kundër regjimit të sotëm.
Me nji ane zhvilloj kjo propagandë dhe n’anën tjeter Taf Kaziu, Shaqir Dema, Dine Maqellara, Sul Shehu e Fiqiri Dinja që ndodheshin në qytetin e Dibres së Madhe i ftojshin katundarët e kësaj ane të kufinit dhe u nepshin arme e nga tre napolona në dorë për rrogën e parë. Në këtë mënyrë e vejshin nën dispozicion dhe organizojshin kryengritjen që do të plaste mbas pak kohe. Të gjitha këto e lehtësuen dhe e ndihmuen nisjen e kryengritjes.
Programi i veprimit që do të bante Ahmet Zogu në Shqipni, qysh dy muaj ma parë se të pëlciste kryengritja erth, fjalë për fjalë, prefektit të Dibrës Qamil Kelqeres, komandantit Ali Riza Topulit, gjithashtu Ministrit të Mbrendshëm Rexhep Shales përsëri u njoftue por prefekti nuk e besonte dhe thoshte: “Na, më në fund në qoftë e vërtetë, dy duer janë për nji koke’ Ali Riza Topulli m’anën tjetër thoshte se po merren masat e nevojshme, kurse ne realitet te dy flejshin.
[Nji historian kur ta përshkrueje nji ngjarje, nuk duhet të mundet prej sentimenteve. Nuk lypset ti shkryej ndiesit e veta, por të përshkruej ngjarjen ashtu si asht e si e din dhe me nji pa anësi të plotë. Me qenë se unë e dij këtë rregull, ngjarjet i kam pershkrue ashtu si kanë ndodhë pa pjerrë as kendej dhe as andej. Me këtë mënyrë kam dashtë tu la si kujtim, në mos bijve t’atdheut, djemeve të mij, nji vepër të tillë, me gjithë se të pavleshme. E dij e se historiani për ngjarje të tilla ka me kërkue dokumenta e argumenta për me e besue, por mue me mungojnë dokumentat përkatese që do ta bindshin historianin në vërtetësine e këtyne kallezimeve. Për fat të keq ato u dogjën, kur ma dogjën serbët dy here me rradhë dhe pa pandehur. Por nuk di se a mund të dalë kush me e provue, makar pa dokumenta dhe vetëm me nji gjuhe arsyetuese e bindese, të kundërten e ketyne që une kam pershkrue në këtë vepër. Sigurisht kërkush s’do të këtë nji guxim të tillë, mbasi nuk do të mundet me e shtremërue të vërtetën, atë të vërtetë që dijne me mijra njerëz qe ende janë gjallë}
Kur erth Qamil Kelqerja si Prefekt i Dibres i pata thanë se me te vërtetë u ba revolucioni, por asht e veshtirë me gjetë njerëz të zotët me e administrue vendin. Ai, i dehun e i kënaqun dhe kryelartë nga posti i Prefekturës që okuponte e sidomos nga andërrimet që bante për me u bamë deputet. Ma vone, me tha:
- “Jeni gabim, njerëz të zotët që t’administrojnë kemi mjaft, për shembull Hasan Prishtina dhe Ramiz Bej Iljaz Pasha janë nga ata të rrallë që kanë cilësinat e meritat e lypune për nji administrator të mire.”
Më tregoj dy vetë që disa herë ishin peshue në ballancën e provës, për fat të keq, ai se kuptonte se tjetër asht qëllimi apo deshiri i mire dhe se tjetër asht zotësia dhe kultura. Nuk ishin në gjendje me e çmue se asht tjetër pune me i stervite e me i disiplinue ushtarët e nji batalioni dhe se tjetër asht me e mbarshtue nji popull e me u bamë nënpunësi përgjegjës tue i marrë në dorë frenat e fatit te tij. Natyrisht kjo asht arsyeja kryesore që programi i mësimit të shkollave ushtarake nuk asht i njëlloj me atë të shkollave civile.
Propaganda e zhvillueme kundër regjimit dhe në favor të Ahmet Zogut, gjithashtu napolonat e shpërndame që arrin me hy deri në duar të barinjve e luejtën rolin e duhun dhe antarët e Ahmet Zogut zunë me u shtue dita dites. Këtu meriton të shënohet se për herë të parë Esat Toptani e pat pezmatue moralin dibraneve tue i gabue në lloj lloj propagandash djallëzore e me të holla, vepra të cilat u përsëritën edhe tash.
Tue pamë Elez Jusufi se gjendja e Dibres po merte faza kritike, nja gjashtë javë përpara se të pëlciste kryengritja i thirri në nje bashkfjalim Dine Hoxhen e Murat Kaloshin, dy dhandrat e tij. Bashkfjalimi mbi situaten e krijueme dhe të vështirsueme, u zhvillue ne shtëpi të vëllaut tem Aziz Strazimirit në Peshkopi. Në këtë mbledhje u këndue nji letër me daten 24 Tetor 1924 dergue Elezit prej Ahmet Zogut. Në këtë letër Ahmet Zogu i thoshte Elezit, se ai, i sigurt nga besa që i kishte dhanë ma parë, pritte prej tij çfaqjen e besnikrisë së patundeshme dhe e këshillonte me i besue e me marrë shpjegime nga sjellesi i letres…
Mbledhja, mbas shume bisedimesh vendosi që të njoftohet Ahmet Zogu se në Diber, s’ka njeri që të kundërshtoje, por ti luten që edhe ai as të mos lejoj që të cënohet nderi e prestigji kombëtar i dibraneve dhe në rast se merret në konsideracion kjo lutje, edhe këta zotohen me e përkrah dhe me ja arri qëllimit. Me qenë se edhe Luma ishte i këtij mendimi u theksue që edhe kjo të shifet me ato sy. Që t’i paraqitesh Ahmet Zogut ky vendim u ngarkue vellaj i jem Bajram Strazimiri për me shkue në Beligrad këtë detyrë sepse Elezi kërkujt nuk i besonte. Vellaj u kthye në Diber të Madhe, por me qenë se ato dite Ahmet Zogu, për shkaqe të panjoftuna prej nesh, e kishte mbajtë të panjoftun vend banimin të vet, s’mundet me e takue dhe me anë të Abduraman Bej Dibres ia paraqit vendimin. Por me qenë se Ahmet Zogu e kishte perpilue programin e vet dhe me qenë se koha kishte kalue e veprimet kishin fillue prej kohësh ai nuk e pranoj propozimin e bamë sepse ai s’do mundesh me sulmue kah ana e Dibres, mirpo cila fuqi, po të mos ishte ajo e dibraneve do të mundesh me e çue Ahmet Zogun në Tirane mbrenda nji jave e me e ulë në nji front ma të nalte se atë që kishte ma parë?
Bajram Curri, mbas nji udhëtimi që kishte bamë n’ Europe, ishte kthye në Shqipni, por dëshironte me shkue rishtazi. Elezi tue ja shpjegue gjendjen kritike, i shkroj dy herë dhe nji herë i telefonoj prej Peshkopije që të mos shkoj ma në Europe dhe të vij në Kosove ku kishte influence. Por Bajram Curri shumë vonë shkoj nga Tirana në Kosove.
Me 10 Dhetuer 1924 ndërmjet katundeve Vërnice e Morin të Lumës duel Ceno Kryeziu, Bahri Begolli, Muharem Bajraktari e Alush Ag Luma me nja tre katërqinde veta dhe sa e kapërcyen kufinin e sulmuen stacionin e Morinës. Mbasi u shkatrue stacioni i Morines, Bahri Begolli msyni Krumn dhe tjerët Lumën. Në Lumë u dogjën shtepijat e katundarve të tyne Islam Spahise e të Xhafer Spahiut dhe përdoren forca e ashpërsi kundrejt çdo njeriu që ndeshën.
Mbas katër a pes ditesh Bajram Curri duket në Kukes me nji fuqi civile e ushtarake. Fillon lufta të cilën e fiton dhe u muar partizanëve të Ahmet Zogut nji top, disa mitraloze e shumë municion. I ndoq dhe e dëboj deri në Kala te Dodes. Por me qenë se Ahmet Zogu sulmoj nga Dibra me nji fuqi të madhe dhe me qenë se u pushtue krejt Dibra, gjithashtu Elezi u plagos randë dhe Suf Xhelili ra deshmor nuk qëndroi ma Bajram Curri dhe iku kah erth i deshpëruem e i helmuem fare.

Si u pushtue Dibra
--------------------------------
Në ditët e para të Dhjetorit 1924 krahinori i Maqellares Mehmet Skepi i telegrafoi Prefekturës në Peshkopi dhe i tha se në Diber e sidomos ndër malsina, dita ditës shifen shenja kundërshtimi që provojnë se asht afër koha e krisjes së kryengritjes, besim ky që përforcohej edhe me hymjen këto ditë të shumë katundarve në Serbi. Prandaj kërkonte ti çohet sa me shpejt nji fuqi për ti preme hovin çdo ngjarje që munde të ndothte.
Prefekti Qamil Kelqerja keti telegrami iu përgjegj tue thanë se në dashin të gjithë katundarët le të hynë mbrënda Serbisë. Në këtë fare përgjigje prefekti desh të thoshte se “ në qoftë se kanë për të hymë, kanë edhe për të pamë”. Me fjalë të tjera kërkonte burra në fushën e trimnise. Mbasi u takue me Ramiz Bej Iljaz Pashen që pat ardhë në Diber për varrimin e eshtnave të Ramiz Dacit, po e nxjerrte në shesh se kryekëput kishte ndrue mendim e qellim se e kishte njollosë nderin e ndëgjegjen dhe se kishte tradhëtue detyrën.
N’anën tjeter Ali Riza Topalli nuk u besonte lajmëtarimit të krahinarit. Ai besonte fjalës së komandantit të kufinit Toger Mujes e Aqif Lleshit. Disa herë ishte lajmerue Ali Rizai se Pellumb Lleshi e Aqif Lleshi shpëndajshin ndër katunde të holla që ua çonte Ahmet Zogu. Por ai s’besonte. Ma në fund shkoj Nazif Grezhdani e Jashar Zeneli nga Bllaca dhe ja forcuen lajmin. Bile Jashari i tha se e kishte pamë me syte e vet tue shperndame të holla. Kur pa Jashari se edhe atëhere nuk u bindë dhe nuk i besoi i tha se ndoshta ashtu me kanë pamë syte.
Mbas pak Ali Rizai, muarr vesht rrezikun, prandaj dha urdhen që ti digjeshin shtëijat e tyne që kishin hy ne Serbi. Por puna ishte vështirsue tepër, mbasi t’arratisunit ishin me mija, shtepitë e cillit do të digjnin ma pare? Veç kësaj nuk munde ti ndale hovi kryengritjes tue djegë shtepija. Plaga e mbushun me mikrobe të rrezikshëm po bëhesh kangrenë.
Me 15 Dhjetor 1924 i dogjën shtepin Rakip Tonuzit prej Allajbegije ish antar në komisionin e krahinës së Maqellares dhe të Ferit Asllanit po nga ai katund. Shtepis së serbofilit te njoftun. Sherif Tafes nga Sohodolli ia hoqën tjegullat dhe dogjën disa shtepija të tjera në atë katund. Me 16 Dhetuer 1924 tentuan me djegë shtepin e Izet Kurtulles në Pocest, por ky, Izeti, duel me nja njizet shokë në nji kodrinë të katundit dhe i vu pushkën gjindarmarisë ashtu dhe krahinarit që ishte me ta. Pushka vazhdoj gjith ditën,ma në funde shtëpija u dogj dhe Izeti u vra.
Elez Jusufi si thashë edhe ma naltë e çmonte delikatesën e gjendjes së turbullueme, prandaj herë pas here i shkruente dhe i terhiqte vrejtjen Ministrit të Mrendshëm Rexhep Shales ashtu dhe Bajram Currit.
Nga fundi i telegrafoj Rexhep Shales, tue i tregue se rreziku që i kercënohet sot Dibres, sigurisht nesër do ti kërcenohet Tiranes e gjithë Shqipërise. Me këtë kuptim i shkroj nji leter edhe Z.Kristo Dakos ish deputet i Dibres, i cili ia dëftoj letren Fan Nolit kryeministër i qeveris revolucinare.
E dij ishte përgjigjur Fan Noli, plaku nuk shkruan gënjeshtra dhe nuk gabohet, por sigurisht ka kalue koha për marrje masash.
Ish krahinori i Kalisit, Osman Lita kërkohesh prej qeverise. Me ndërmjetësimin e Suf Xhelilit ju dorzue autoriteteve të Peshkopise. Me qenë se Suf Xhelili dronte se mos e burgosnin Osmanin, Ali Riza Topulli u shtrengue me qendrue në Peshkopi ngjat Osmanit. Ndërkohë plasi kryengritja, e cila Suf Xhelilin e gjeti në Peshkopi.
Me gjithë që Suf Xhelili i matete dhe i çmonte perfundimet e kobeshme të situatës së nderlikueme nuk e kishte parapamë se kryengritja do të bahesh kaq e forte dhe e pa pritur. Tue sjelle nëpër mend fjalën që i kishte çue në Homesh, Ahmet Zogu, para se ky të futesh në Serbi dhe tue gjykue se rrëximi i qeverisë së Tiranes, ishte shumë i shpejtë u turbullue dhe u deshprue tue e pamë regjimin dhe vet veten në rrezik. Pak dite para se të pëlciste kryengritja Ahmet Zogu me anë të Dine Hoxhes e të Murat Kaloshit i kishte propozue Elezit shuma të mëdha dhe zotime me i permbushë deshirën mbasi të rrëzonte rregjimin e të merrte në dore frontin e shtetit. Por, thotë Dine Hoxha, me qenë se Murat Kaloshi s’dinte me e paraqit çështjen në atë hollësi mendje që meritonte u zemërue Elezi dhe s’u bind. Të gjithë këto arsye ashtu dhe thirrja zotnuese e ndërgjegjes kombëtare e shtunë me mos shikue asgjë me u hedh në rrezik me pezmatim e dëshprim të madhe. Mer me vetehe ja njiqinde vetë nga Reçi e nga Dardha dhe shkoj në Peshkopi nji dite përpara se të fillonte kryengritja.
Toger Hamza Reçi prej Shkodre, komandant i kompanise së tretë bat. i dytë regj. i dyti, njikohësisht dhe komandant i kufirit nga ana e qytetit të Dibres së Madhe. Muja nga Peja, n/toger i kësaj kompanije rrinte në Bllatë dhe Hamza në Homesh. Hamza dhe Muja me anë të Aqif Lleshit ishin marrë vesh me Ahmet Zogun. Sidomos Muja dy tre ditë para se të nisë kryengritja, tue thanë se do të shkonte në kufi me u takue me komandantin Serb, thuhet se shkoj brënda në qytet dhe takoi me Ahmet Zogun.
Hamza Reçi, nga Shkodra dhe Muja nga Peja tue u zotue se do ta lijshin të hapet kufinin, guxuen me e shitë dhe me njollosë nderin ushtarak.
Hamza e Muja e kishin lenë të lirë kufinin për ata që do të shkojshin në qytet për me hy ne shërbim të Ahmet Zogut. Aqif Lleshi pritet në katundin Reshan për me u bashkue me Taf Kaziun që do ta kapërcente kufinin nga qyteti.
Ali Riza Topalli e pyet Mujen në telefon se si qendronte situata. Muja ju përgjegj dhe i tha:
- Ahmet Zogu nuk asht shpend që ta kapëceje kufinin tue fluturue për mue vdekje ka por ikje….
Arritja deri në vdekje e Ali Riza Topallit dhe tradhëtija në detyrë e Qamil Kelqeres, e Hamza Kuçt dhe Mujes, na bejnë të skuqemi prej turpit dhe ndodhesh në Maqellarë. Si me e pasë përgjye vdekjen e nji tuberkulozit e pritshe versuljen që do banin kryengritësit nga ana e kufirit.
Ma në fund me 16 Dhjetur 1924 n’ora 8 para dreke shpërtheu.
Fuqit e Ahmet Zogut, dualën nga qyteti dhe pa ndeshë as dhe në ma të voglën kundërshtim e kapërcyen kufirin, u rrasën në Bllate, në Kllobçisht e në katundet e tjera q’ishin për rreth. Mujo me kohë e kishte pre mardhanjet me këtë anë dhe me ushtrine e vet kishte shkue në Homesh, ngjat shokut të vet Hamza Kuçit, mbasi kishte lanë në kufi nja dhet ushtar, kurse Nazif Grazhdani me shokët e vet kishin qenë tue flejtë.
Atë dite Ali Riza Topalli, për me i kundërshtue sulmuesat, çoi në Maqellare nja shtat a tetëdhjet vet nen komandën e Sheh Qazimit nga Brezhdani, të Tush Beut e të Sulejman Beut nga Dohashishti. Por atë mbrëmje telefonikisht ju dha urdhër që të kthehen e të zanë vend në Qenok. Në mëngjezin e asaj nate kjo fuqi, krahinari dhe nenpunsi i telegrafës në Maqellare e liruen qëndrën e krahinës. Mbas nji ore që u tërhoqen këta d.m.th.n mengjezin e datës 17 dhjetuer 1924 nisën me u ndëgjue aty këtu gjatë kufinit krisma pushkësh, këta pushkë zbrazeshin prej sulmuesave të Ahmet Zogut që e kishin kapërcye kufinin në shenjë gëzimi dhe hareje.
Dal ngadale zu me u shpeshtue krismat e pushkëve dhe gjemimi i topave të zbrazun, natyrisht kot, mbasi s’kishte ndonji fuqi që t’i përballojë.
Por krisma e pushkeve dhe gjemimi i topave të nepte frigën e nji lufte të rregullt. Nji grumbull gra e femij, të trembun prej kësaj zhurme tmerruese më rrethuen dhe tue me pyete me frige se ç’ngjante, kërkojshin ndihmë e perkrahje prej meje, luteshin që t’i mshefi e t’i mbroj. Gjendja e tyne shqetësuese me turbulloj fare, sepse nuk mundesha me i degjue klithmat gërvishtëse të foshnjave dhe s’mujsha me i pa fytyrat e zbeta të fmive që ulurishin vrazhd.

Si u përgatit spedita e sulmit
----------------------------------------------------------
Krahina e Maqellares përbahet prej 23-24 katundesh. Rruga që shkon nga qyteti i Dibres se Madhe për në Peshkopi, i ndan në dysh këto katunde. Për këtë shkak katundet e ndame në dy pjesë quhen “katundet mbi udhë” dhe ‘katundet nën udhë”. Katundet mbi udhë janë rreshtue ranzë malit që e ndan kufinin shqipetar me atë të serbise. Katundet nen udhe janë ndërtue gjatë buzës së Drinit. Nga të dy këto pjesë nji numër i math i popullësis ishin fut në qytet për tu vu në sherbim të Ahmet Zogut.
Simbas planit të pergjithshëm fuqit e Ahmet Zogut, në këtë mënyrë do të nisshin veprimin:
Fuqija e Aqif Lleshit, e Taf Kaziut dhe e Pellumb Lleshit do të suleshin në anën që quhen katundet nën udhë dhe fuqija e Dine Demes dhe Dine Maqellares do ti msynin katundet mbi udhë. Fiqiri Dineja me nji fuqi tjetër do të krefte rraxën e malit dhe mandej do të pushtonte gurin e Erebares që zotnon mbi Qenok. Major Gjilardi, Sul Shehu, Mustafa Bej Serdari dhe Sherif Tafa me nji fuqi të konsiderueshme do të dërgojshin nga maja e malit Skertec në mënyrë që tu mbajshin krahët fuqinave të përmenduna ma nalt dhe ti pranojshin në rast nevoje Dine Hoxhen, Murat Kaloshin dhe Selim Noka me fuqit e tyne do të rraseshin në katundin Pollozhan dhe do ti kercënohesh Peshkopisë e kazermës saj. Në të gjitha këto fuqi përpos atyne që komandonte Dine Hoxha, Murat Kaloshie Selim Nezha kishte oficera Rus, topa, mitrolozë dhe kafshë të ngarkuem me municion e ushqime.
Elez Jusufi, tue e pa gjendjen kritike dhe tue e çmue se fuqija e tyne e vogël nuk ishe gjendje me i perballue fuqit e mëdha të kundërshtarit thohet se i propozon Ali Riza Topallit që të tërhiqeshin në disa vende strategjike të malesisë, prej ku ta pengojshin Ahmet Zogun, në veprim e në marshin kundrejt Tiranes. Elezi deshironte që të mos derdhej gjaku kot, ta zgjoje qeverinë e Tiranës dhe t’i siguroj kohë kësaj për me marrë masa defensive. Por Ali RizaTopalli, për shkaqe të pa zbulueme, prej nesh nuk e pranoj propozimin e Elezit.
Fuqitë kryengritëse kur iu aviten Qenokut, ndeshën n’atë fuqi të vogël q’ishin zbrapë nga Maqellara dhe kishin zanë vend aty. Krisi pushka. Me qenë se mbi gur t’Erebares s’kishte ndonji fuqi qeveritare, Fiqiri Dinja e pushtoj pa ndonji pengim dhe Qenoku ra në dorë të kundërshtarëve pa ndonj vështirësi të madhe. Katër a pesë të vramë e të plagosur mbetën nga të dy palët.
Ushtria e rregullueshme që ndodhesh në Llasen, nji vend nja njezet minuta larg Peshkopise, luftonte me trimeni të jashtëzakonshme dhe la nja 15 deshmor. Fuqija e Major Gjilardit dhe e Sul Shehut që qe dërgue nga maja e Skertecit, e qëlloi ushtrin nga krahu i majtë dhe në këtë mënyrë e lehtësoj sulmin që bajshin kryengritësit në ballë t’ushtrisë. Natyrisht, në fund, fituen kryengritësit. Kur vazhdonte lufta në LLasen duel në Peshkopi, Suf Xhelili, dhe mbasi e konstatoj gjëndjen kritike u kthye e i tha Elezit e Ali Rizait e Oficerave të tjerë: “se po të qëndrojshin edhe ma në Peshkopi, do te bijshin rob në duart te kryengritsave ose do të vriteshin, mbasi situata ishte përtëkeq fare. „Kur pyetet Ali Rizai, e sa municion ka në depo, ai përgjigjet se s’kishte veçse katër arka. Kjo përgjigje i tronditi dhe i trembi të gjithë, në çrregullim të plotë….
Elezi i imponoj burnija e shtefnija që të mos largohet nga kazerma pa ardhë dhe ajo ushtri që ndodhesh në ballët e luftës dhe që ishte dhanë urdhni me u zbrape. Prandaj, priti i merzitun. Ndërkohe zunë me ra si breshën plumbat e kundërshtarëve n’oborr të kazermës, atëher u çue Suf Xhelili dhe duel jashtë kthinës, atë e ndoq mbasandej edhe Elez Jusufi.
U vra Suf Xhelili, tue zbrit nga nji mur i ulet i oborrit te kazermës kurse Elez Jusufi u plagos n’oborr. Ali Riza Topalli me shokët e vet duel nga kthina për t’ike, por tue e pamë Elezin që ishte rrëzue i plagosun, Ali Rizai e kapi kryet e vet me grushta dhe u kthye prap me gjithë shokët, u mbyllën mbrenda. Mbas nja pes minutash u futën ngadhnjyes në kazerma Fiqiri Dinja, Hysni Dema, Sul Shehu dhe Aqif Lleshi që disa ditë më parë këta të fundit i kishte armatosur Ali Rizai. Kështu Ali Rizai bashkë me shokët e tij oficera ra rob ne duert të kryengritsave dhe lufta mori fund.
Suf Xhelili u vra dhe vdiq në çast. Elez Jusufi i plagosun me dy plumba nën kthizë ndrroj jetë natën e 29 -30 Dhjetor 1924.
Vrasja e tyne s’qe aksidentale apo e rasës. Ishte përgatit nergut dhe u krye prej njerëzve të shënuem. Ndërkohe u vra Murat Qerrja dhe u plagosë Nesim Ahmeti, Osman Musai dhe Mehmet Kurti të gjithë nga Dardha besnikë t’ Elezit.




BIOGRAFIJA E ELEZ JUSUFIT
------------------------------------------------
Elezi leu ne katundin Sllove të krahinës Trojak në Diber të Vogel. I kishte kalue të gjashtëdhjet vjetët. Ishte trashaman e me shtat mesatar. S’kishte fuqi oratorike, as bukuri trupi e ligjërimi, fuqin mendore e kishte të pasun e të fortë. Gjithë jetën e kishte shkue ndër male e në mes të malsoreve. Në kohën e Turqisë kishte takue e bisedue me njerez të mëdhej. Pak flitte e shumë ndëgjonte. E kuptonte mendimin e folësit, por nuk e thoshte atë që mendonte.
Mpreftësija e mendjes dhe hollësija e gjykimit t’Elezit i kishin habitë edhe diplomatët e huaj. Si në t’ecun ashtu dhe në folun e në punë ishte i randë e i plogët. Ishte kokfortë dhe njeri me sedër. Sa qe gjallë kërkush s’mundi me e bamë vegël e deshirave të veta.
Në kohën e Turqise, simbas zakonit t’athershëm të malsorve ishte bamë dalë zotësi i pasanikëve dhe i pashallareve të mëdhej të nenprefekturës së Rekes që kishin kope të mëdhej delesh dhe i mbronte këta kundrejt të liqve dhe kusarve. Për këtë sherbim merrte prej tyne nji shperblim të caktuem dhe dhurata të mjafta, kesilloj, në krahasim me shoket, qe bamë mjaft i pasun.
Qe bamë prijsi i popullit të Dardhës e të Reçit që shquhen në trimni. Shtëpija e tij ishte streha e tyne. Influenca e shkathtësija e Elezit jo vetëm në Reç e në Dardhë por shtohesh edhe në të gjithë krahinat e Dibrës. Zotësija e influenca e Elezit në Dibër që dukej qysh në kohën e Turqise kur ishte kapter i gjindarmarisë, detyre kjo, gjatë kohës së ushtrimit të së cilës i pat bamë shumë shërbime qeverisë tue i preme hovin cubnive, kusarive e liksive të ndryshme që baheshin prej andej.
Imperatori i Austro –Hungarise, Franz Josifi e dekuroj me Frans Jozef-Orden me dekoration lufte së bashku me dekretin përkatës --Z292 1917 me datën 2 Fruer 1917 kur shkoj në Vjene, për të marrë pjesë si delegate i Dibrës në festën e datlindjes së tij.
Në Shqipeni Elezi në mënyra të ndryshme bani sherbime të çmueshme.
Në kohe të Turqise, 1912 kryengritja e madhe që u ba në Kosove, ma së pari ka fillue me guximin e Elez Jusufit. Kur qytetarët e Dibrës së Madhe dolën në mal, me përkrahjen e Elez Jusufit e mbasi u bashkue ky burrë me ta, arrinë qëllimit që patën. Prap në 1912 kur ushtrija Serbe marshoj për në Dibër nga ana e Prizerenit në Qafën e Kolosjanit të Lumës, Elezi bani nji luftë të rreptë kundra Serbeve që vijshin si dhunuesa dhe i shkaktoj dëme të mëdha.
Me 1915 kur ushtrit Serbe të thyeme prej fuqive Austro-Hungareze po ikshin nëpër Lumë, Elezi i priti ndërmjet Kalas së Dodes e Trojakut dhe në luftën e përgjakshme që u ba, lanë serbët përpara materialit luftarak të shumët, me mija të vramë ndër të cilët dhe shumë oficera me grada te nalta. Me 1921 tre a katër muaj me rradhë u qëndroj serbeve në malet e Lurës dhe nuk i la të rrasen mbrenda Shqipnisë. Me nji trimeni e rezistencë të jashtëzakonshme dhe tue qendrue në shi e debore i përballoj serbët dhe nuk u hoq s’andejmi deri sa u liruen kufit e 1913-es. Në këtë mënyrë Elezi i sherbeu Atdheut, për të cilin bani sakrifica të mëdha tue dhanë prova atdhe dashunie.
Kur u vra Elezi bashkë me nipin, me të marrë këtë lajme oficerët serbe që ndodheshin në qytetet të Dibres së Madhe, për gëzim të kësaj, gostitën të gjithë ato që qenë present me çaj e ambelsira, etj.
Shumë here nga shqiptarë e te huaj i qenë propozue me mija napolona, por ai nuk ndrroj menden, nuk e shiti ndërgjegjen dhe nuk e pezmatoi zemrën tue i vu vetehes nji njollë të pashlyeshme. Deri në vdekje qendroi besnik i Atdheut e i idealit kombtar.
Kur dergjesh i plagosun çova nji njeri për me e pyetë mbi gjendjen shendetësore. I thotë të birit, Cenit - falju me shendet Ismail Strazimirit dhe thuej se afrimi i vdekjes e trubulloka njerin, por në shpetofsha kësaj radhe nga thonjt e natyrës nuk do të përzihem ma me njerëz, kam me u ba bari bagëtish.
Me këtë mënyrë me nepte me kuptue se vdekja që po i kercënohesh kësaj radhe e kishte shtye të mos marrë masa paraprake sikundër duhesh, mbasi ajo qenka urdherue prej fatit. Veç kësaj, doshte me thanë: “Punova për komb e Atdhe.” Tue mos dasht që të mos i veçoj njerëzit në partizanë e në kundërshtarë u ndihmoj dhe ua mbrojti nderin dhe pasunin e tyne. Këta njerëz që unë u pata ba kaq nder me dhanë besën, por më tradhëtuen. Prandaj në shpëtofsha nuk do t’i baj ma kujt.
Edhe nipi Elezit, Suf Xhelili qe trim e i mençem. Permendesh për besën që kishte zakon me e mbajtë dhe ky si Elezi, ishte njeri me shtefni. Ky ishte i pervujtë, goj ambël, zemër bardhë, i pashëm dhe i hishëm, po të jetonte ky mund të zinte vendin e Elezit.
Si hynë në Peshkopi, fuqit kryengritëse Ahmet Zogu duel nga qyteti Dibrës se Madhe dhe erth në katundin Greve ku qendroj nji natë. Të nesërmen don me thanë me 18 Tetuer 1924 erth në Peshkopi, ku qendroj dy ditë. Mbasi i plotesoj mungesat e nevojat dhe mbasi muer me vehte edhe fuqin e Kryeziut që erth nga Luma u nisën për Mat, tue kalue nëpër katundin Selisht. Në krye të javës që filloj kryengritja, Ahmet Zogu u futë në Tirane.
Kur ishte Ahmet Zogu në Peshkopi shkova atje. Rrugës ndesha nja tridhe a dyzet ushtarë të çveshun e të armatosun që kishin qenë në Peshkopi dhe tash me nga nji shkop në dorë po shkojshin nëpër shtëpijat e tyne.
Sosa në Peshkopi. Peshkopija ishte mbushë plot me njerëz, dikuj i nepshin të holla dhe dikuj armë. Gjithë kjo pregatitje po bahesh për të rezue qeverin që kishte pësue aq kobe. Kjo gja me bani pershtypje të madhe me ngjau sikur i turren nji të smuri të mbushun me plagë.
Shkova për ngushullim ke djemt e Elezit. Kur dola prej andej rreshti vdore dhe bante nji ftofte i math, veç kësaj nji mjegull e dendun dhe e zezë e kishte mbulue horizontin. Ndërkohë, në rrugën e Trojakut pashë dy gra, nji plakë dhe nji e re që kishin hype mbi kuaj dhe po udhëtojshin të pezmatueme e të trishtueme. Plaka ishte e ama e Riza Drinit, ish nenprefekt i Lumës dhe tash i refugjuem n’Itali, e me e reja ishte bashkshortja e tij fatkeqe që ishte martue me të dy muej ma parë. S’kishte marrë me vetehe veçse dy valixhe dhe kishin ikë të tmerrueme për me u struke në shtepi t’Elez Jusufit, që të shpëtojshin shpirtin e nderin.
Pamja e Qenokut, e Peshkopise dhe e Trojakut m’i rreqethen edhe dejt me t’imta te shpirtit e të zemrës dhe më plagosën randë.
Po të mos e kishte lanë Elez Jusufi punën në duer të Prefektave, të komandantëve e të Ministrave dhe po t’i hidhesh në ballë ashtu sikur kishte bamë edhe ma parë tue nisë nga veprimi i tij i zakonshëm.
Po të kishte ardhe me kohë në Lumë Bajram Curri;
Po të mos kishte tregue aq mizori e mahnitje Ali Riza Topalli;
Po të mos kishte tradhetue detyrën Qamil Kelqerja, Hamza Kuçi e Mujo Peja, në asnjë mënyrë Ahmet Zogu nuk do mundesh të futesh në Shqipni nga ana e Dibres sepse në këtë rast nuk do të mundesh me i tërheqë kah vetja gjith ata dibrane që përbanë fuqinë e tij ose po të sulmonte me përkrajen e ushtrisë së rregullshme të Serbisë do të derdhesh gjak i math dhe s’mund të kalonte në Diber, por tue shkele mbi kufomat e dibraneve që kishin me e bamë jetën fli.
Prandaj me syrin tim Elezi dënohet për paftësinë që tregoj prej dëshprimit, Bajram Curri për plogështi që tregoj tue mos e çmue gjendjen, Ali Riza Topalli për qeverisjen e ligë e mizore dhe për mahnitjen e tij të pa kufizueme q’arrinte deri në vdekje. Qamil Kelqerja, Hamza Kuçi e Mujo Peja për tradhëtin e naltë që banë tue abuzue detyrën e tue mos i qendrue besnikë të regjimit, të cilit i kishin dhanë besën e fjalën e nderit.






PERFUNDIM
------------------


N’asht se dibranet në fushën kombëtare kanë bamë gabime ose faje, këto ju përkasin nenpunsave të parue, e jo atyne. Ngjarjet që përshkrova në këtë veper dhe mënyrën e zhvillimit të tyne, besoj t’i bindi lexuesit për me më dhanë të drejtë. Po ato ngjarje njikohësisht provojnë se sa sakrifica e sherbime kanë bamë Dibranet për Shqipni.
Tue gjykue mbi gabimet e Dibraneve s’duhet lanë mbas dore edhe këto:
1. Mbetjen e qytetit të Dibrës së Madhe nen zgjedhën serbe
2. Inorancën
3. Varfni dhe
4. Pozita gjeografike buzë kufinit shqiptar –serb.

Të gjitha këto, ashtu dhe nenpunsat e liq, e shtynë dibranin edhe në gabime. Këtu pyes, në viset tjera a nuk bahen të tilla faje e gabime ose lloj lloj felliqsina të ndryshme ?


FUND

Kopja e letrës së dergueme prej Elez Jusufit ish deputetit të Dibrës Z.Kristo Dakos në Tiranë.

LAMA E KOLECIT NË SELITË
Me 13 Nenduer 1921
Të ndershmit z. Kristo Dakos.


Deputet i Dibrës në Tiranë
---------
1. Ndermi e të fala të përzëmërta.
2. Kam deshirue me lajmërue z. Tuaj mbi situaten e kësaj ane, mjerisht që nuk na la armiku me e krye këtë punë.
3. Me gëzim të math mora letrën e z.s’uaj të datueme me 25 vjesht e II 1921 por kur këndova lajmet që po i sillen fatit t’Atdheut t’onë, m’u helmue tepër zemra e përvëlueme.
4. Nuk kam ç’me thanë, jam dëshprue tepër se na janë mbledhë tana të kqijat. Fuqit e mëdha po vendojnë liksht për ne, armiku po përdor tanë barbarinat edhe forcat për me na shtrengue që t’i bindemi çdo vendimi, sundimtarët e burrat e shtetit tone mendojnë vetëm se qysh të sigurojnë kulltukun, e populli i shkretë asht habite e ka ngele si bagëtija pa bari që shef ujqt e egër kundrejt duke u grind e kërcënue me rrëmbye jetën e ambël e lirin e dëshirueme.
5. Me largohet pak helmi dhe hidhnimi, kur mendoj se data e letrës se Z.suaj ishte pak e moçme, e deri sot, kur me ra në dorë, shpresoj që të jetë ndrrue situate politike e jona.
6. Këtu po ju shkruaj sa mundem disa lajme mbi ngjarjet luftarake të kësaj ane, të cilat mund t’ju lypsen për historinë tonë kombëtare ose për fletoret tona.
7. Para se t’i përshkruej këto ngjarje, dua të ju kallëzoj qëllimin që ka Serbia për Shqipninë me gjithe që z.Juej munde ta dini ma mirë.
8. Serbija qellon të sjellë bashkimin e popujve ballkanike ndër frenat politike të saj.
9. Këtë politikë kërkon ta vejë në veprim duke fillue se parit me kombin Shqiptar, mbasi e din që ky komb i mjerë asht ma i pafuqishëm ndër tjerët.
10. Për këtë ka shti në veprim të gjithë mjetet që ka pasë.
11. Së pari deri me sot ka derdhë dy milion dinarë mbrenda në Shqipni për me sjellë ngateresat e duhuna, që kështu ta pengoje qeverinë për mos u rregullue e me marrë fuqin e shendetin që i duhet.
12. Edhe për shpenzimet e mbas kendejshme që të mbahet gjallë kjo propaganda, sikur e kallëxoj vetë me gojë nji farë gospodin Puniça Rakiç, inspektorë i kufivet, para komandantit tonë z. Kapiten Ali Rizait me të cilin u poqën me 20. k. 1921 në Reç, rreth Drinit, ka da nji kredi të posaçme prej tre miljon dinaresh.
13. Me këtë politikë Serbija, a të themi me mirë sllavizma, kërkon të mbretëroj mbi gjithë buzën e Adriatikut.
14. Kështu e filloj punën me Marka Gjonit, se këtu u gjet nji shesh mjaft të gjanë që përgatiti qeverija e jonë me dorë të vet, mbasi nuk pranoj mënyrën e organizimit sundimtar që dëshironte populli i Mirditës që ky sundim dukesh se nuk ishte larg deshirës së qeverisë.
15. Serbija përgatiti nji fuqi prej 2000 vetesh civila nder komandant të Taf Kaziut e të Halil Lleshit me i dergue në ndihme të Mirditës.
16. Kjo fuqi u nisë për në Mirdit dhe tue kalue në Qaf të Kelqeres u pengue prej katundarve të Reçit të Dardhës e të Lurës, të cilët të betuem për nder t’Atdheut ja filluen luftës me dorë të vet me 31.Korrik 1921.
17. Kjo luftë vazhdoj gjith ditën dhe në natën që ngryste shpejtoi si rrufe në ndihmë Z.Kapiten Prenk Jaku me batalionin shëtitës e aspirant Z.Gani Dida me nji top, natën e errët me pisha në dorë si Kastrioti me shokët në kohë.
18. Në mengjezin që gdhini me 1.Gusht 1921 ushtrija kombëtare e vullnetarët e Reçit, të Dardhës e të Lurës e msynë fuqin e Halit Lleshit e Taf Kaziut e mbas dy sahat lufte të rreptë u shkaktrruen fuqit tradhëtare e mbasi lanë nja njiqind të vra, ikën e zunë vend në Arras.
19. Me 18. Korrik 1921 ushtrija kombëtare bashkë me vullnetarët msynë Arrasin dhe në luftën e rreptë që banë ato ditë mundën me e shkulë tradhetarët q’andejmi e me debue përtej Drinit në tokën shqiptare që mbante Serbia pa asnji të drejtë, duke e mbajtë dorën tepër për me mos kalue plumbat e gjylet përtej Drinite e ti binte ushtrisë Serbe në vijën ku ndodheshin që të mos dilte ndonji ngatëresë.
20. Mbasi u ndreqën rojet e kufinit rreth Drinit dhe ushtrija e jonë u muar vesh me ushtrinë Serbe e u sigurue qetësija e kufinit, u mblodhën vullnetarët e Reçit, të Dardhës e të Lurës dhe simbas urdhërit të Ministrit të Luftës, nen komandë të Kapiten Z. Ali Rizai shkuen me i ndihmue fuqit operative në Mirdit.
21. Me 27.Korrik 1921 populli i tej Drinit d.m.th. katundet Arni, Curroj, Ujmisht etj, disi ishin pergatit prej Serbise me ba nji levizje kundra fuqive kombëtare që ruejshin kufinin me atë anë deri te ura e Vezirit e për këtë shkak kapiten Ali Rizai me batalionin e Drinit që u formue prej vullnetarëve të Reçit të Dardhës e të Lurës mori urdhnin me dalë te ura e Vezirit e me i shtrue katundet e lart përmenduna.
22. Pa pritë e pa kujtue me 17. shtator 1921 komandanti serb i kufinit thrriti komandantin tonë të kufinit në Arras nentoger Z.Xhezmi Frasherit, të cilit i thotë se mbas urdhnit që kishte marrë prej komandës se vet kerkon që ushtrija e jone të liroje kufinin e vjetër.
23. Komanda tonë i përgjigjet se nuk kishte kështu ndonji urdhen dhe se nuk dinte se cili asht kufini i vjetër.
24. Komandanti serb i përgjigjet se mbas nji ore ka me i prue përgjigjen se cili asht kufini i vjetër e deri ky lypset me e lirue.
25. Mbas nji ore kthen komandanti serb dhe i nep komandës sonë ultimatum gojas qe mbenda 24 orësh lirohet kufini i vjetër d.m.th. katundet Muhurr, Arras, Dy Sinat, Mustafaj, Gryka e Nokes, Qidhna e Poshten, Dardha e Malet e Lures, në krye të 24 oreve në qoftë se s’lirohen keto vende do të përdorte forcën dhe kështu kishte për t’i shkelë.
26. Komanda e jonë me të shpejtë lajmëroi Ministrin e Luftës dhe mori urdhën që të mos shkaktonte asnji ngjarje nga ane e saj por në qoftë se armiku përdorte forcën ti bej ballë dhe të mos lirohet asnji pellamb vend.
27. Të nesermen d.m.th. me 19 shtator 1921 ora tetë porsa kaloi koha e ultimatumit Serbia filloj me bombardue llogoret tona dhe ushtrija e tij msyni ushtrinë tonë.
28. Fuqit tona që ishin të pakta, m.q.s. nuk kishin ku me ngritë pusi në rreth të Drinit u shtrënguen me u terheqe e me zanë vend në majat e nalta në vendet strategjike të Lurës të Pllajit përmbi Sinat.
29. Datën që u ngrys u lajmerue me të shpejt komanda e batalionit të Drinit që ndodhesh ke ura e Vezirit, e cila atë natë shkel me topin e aspirant Z.Gani Dides shpejtoi si rrufe dhe në mengjezin që gdhini u ndodh para fuqisë civile që kishte nxerrë Serbia në katundet e lartpërmenduna [19.shtator 1921].
30. Me 19 shtator 1921 fuqija e jonë në krah të djathtë e në ballë mbajti pozicionet që pati zanë dhe vetem u kundërshtue, e në krah të majtë bani ofensivë dhe u përpoq me armikun në Seric të Dardhës ku armiku u thye dhe mbasi la nja 15 te vra kaloj e iku pertej Drinit, nga t’anët veç dy veta u plagosën.
31. Me 20 shtator 1921 në krah të majtë, mbasi lamë nji pakicë sa për kundërshtim, bashkuem fuqit tjera e mesyem gurin e Sukës në ballë e kodrën e Pllumbit me të djathtë dhe me luftën e rreptë që u ba u thye ushtrija serbe, tue lane 30 të vra e dy robë, nji mitraloz të math dhe ca municione. Nji mitraloz të math dy kuaj e shtatë ushtar i vrau topi i jone.
32. Me 21 shtator 1921 msyni përsëri armiku krahun tonë të majtë ku fuqija e jonë qe fort e pakët, por me shpejtë vrapuen luftarët e krahut të djathtë në ndihmë dhe me Suf Xhelilin para bën yrysh mbi ushtrinë e armikut e thyen, dhe e shtrënguen me kapërcye Drinin e me dalë përtej tue lanë në fushë të luftës 230 serb të vra. Nga tanët nuk u vra asnji ushtar.
33. Në këtë dite nji shenje e çuditshme u duk……
Në të gjithë luftrat që u banë fluturonte nji shqiponje e madhe mbi ushtrinë shqiptare, e cila me kengën za trashë që këndonte dukej se kërkonte ti shtonte guximin bijve të saj e u nepte sihariqin se fitimi i luftës ishte i yne .
34. Me 22 shtator 1921 e deri me 25 tetor 1921 d.m.th. 35 dite nuk bani asnji anë ofencivë. Por në këto ditë Serbia po përgatitesh gjithënji duke sjellë fuqi të reja deri me 12 regjimente, 31 topa e shumë materiale lufte. N’anën tjetër s’prante tue shqyrtue anën tonë me aeroplana për ditë, veç kësaj bombardonte llogoret tona me top pa ba ofensivë.
35. Këto re të zeza si do që u banë të dituna qeverisë qendrore në Tirane e iu paraqiten lutje që të mereshin masat e nevojshme me dergue material lufte e me forcue kufinin me fuqi të reja që të ishin të përgatitun me i berë ballë armikut që po na kercënohesh, nuk u meren parasyshë ankimet tona, e kështu mbet kjo detyrë vetëm kësaj fuqije të pakët pa aspak municion.
36. Tue prite fuqi dhe municion, na vijshin lajme zyrtare se çështja e Shqipnisë vate shumë mire në konferencë e se armiku ka për të lirue shume shpejt kufinin [1913]. Në Tiranë në këtë kohe delikate mbretëronte kriza për sigurim kulltuqesh.
37. Me 26 Tetor 1921 natën filluen me ardhë raporte nga oficerët e llogoreve, me të cilat na u ba e ditur se fuqit të mëdha armike janë afrue rreth lumit Drinit e në mengjez duket se kanë me na msye.
38. Me të vërtet me 26 Tetor 1921, ditën e mërkure posa gdhini filloj bombardimi i armikut me topat e shumta, ushtimi i të cilave nuk na la me bisedue. Kështu u fillue lufta e madhe dhe e rrepte në gjithë llogoret tona.
39. Nga fuqia e mëdha që pat pru armiku në kufi, shtiu në Reç 600 vetë infateri, 600 civila e tre topa, në Reçin përtej Drini.
Në Seric të Dardhës shtiu 1500 vetë infanteri e 6 topa, në Shumbat, n’Arras shtiu 800 vetë infanteri e 400 civila e gjashtë topa në fushë të Qidhnës dhe nji top [12-] n-Astush kundër Arrasit. Në Muhurr shtiu Taf Kaziun me 1000 civila.
40. Fuqija e jone kishte 300 vete kompanija e kapiten Z.Suf Xhelilit dhe gjithë burrat e Reçit e të Dardhës. 200 vete kompanija e kapiten Z.Ibrahim Gjonit prej Lurje, 200 kompanija e Murat Kaloshit, 400 ushtar infanterije e 900 vete batalioni i Durrësit dy topa, nji mitraloz math e tre mitraloza dore, këta të fundit ja patën plaçkit armikut në luftat e para.
41. Fuqija e jone Fuqija e armikut
- 1400 infanteri - 5400 infanteri
- 2 topa - 31 topa
-1 mitraloz - [ ] te pa njohuna
- 3 mitraloz dore -[ ] te pa njohun, vetem ne
Arras ka pas 200 mitraloz dore.
42. Fuqit luftarake në këtë mënyrë ishin rradhes e regjimentet e tjera të armikut qendrojshin përtej Drinit, larg lamës së luftës si rezerve, e ne s’patëm rezervë në shpinë.
43. Me 26 Tetor 1921 ditën e merkur armiku mësyni rreptësisht në gjith këtë forcë llogoret tona.
44. Kjo lufte e rrepte vazhdoj tri ditë rresht deri me 28 Tetor 1921 ditën e premte në mbramje.
45. Kurdo që bante yrysh armiku ndodhesh para britmës shqiptare, a besa bese, me dorë ahahahahahahhahahahaaaaa……..e prej valës së pushkëve tona shtrengohesh me u zbrape tue lanë disa të vramë në tokë.
46. Në këtë luftë si dhe në atë ma të parat i dhanë shkelqim kësaj lufte dy oficera t’infanterise e nji artilerise. Këta të tre e diftuen vehten e tyne, me të vërtete se ishin të zotët me komandue ushtrinë shqiptare e me i dalë zot nderit Arbnuer.
47.- Këta oficera ishin nentoger z. Abdulla Tirana, Aspirant Munir Dibra infanteri e aspirant Z.Gani Dida n’artileri.
48. Mos kujtoni se u demoralizue fuqija e Lurës por u zmbrap vetëm nga mungesa e municionit t’armeve e të topave.
49. Me 29, 30, 31 Tetor 1921 qëndruem në Nexhde të Lurës që ku vend quhet edhe maja e Kunorës. Këtu me qenë se ishte tepër ftohtë ra vdore e ushtarët ishin çveshun e të mbathun dhe pa vegla d.m. th. pa kapota, pa çorape, pa velence, pa spata, pa kazma, pa lopata e tjerë, u shtrenguem me 2 Nentor 1921 me ra në Lame të Kolosit në Selit ku ndodhemi edhe sot.
50. Reçi e Dardha kanë mbete t’arratisun prej Serbisë nëpër male me gjithë familjen.
51. Batalioni i Durresit kanë shkue nëpër shtëpit e veta.
52. Këtu ndodhet vetem batalioni i Drinit, nji pakicë infanterie, nji pakicë vullnetarësh dibrane që rrine me mua dhe dy topa.
53. Luan të rreptë të kësaj lufte janë gjithë ushtarët e civilat, nuk mund të bahet asnji ankim për kerkend.
54. Këtu po shenojmë vete, emrat e oficerave.
Kapiten z. Ali Rizai, Kap. Suf Xhelili, Kap.Murat Kaloshi, Kap Ibrahim Gjeiqi, Kap.Haziz Pilafi, Tog.Mehmet Skepi, Tog.Derbish Treci, Tog.Nisim Ahmeti, Tog.Qazim Aziz Ndreu, Tog.Dervish Lusha, Tog. Haxhi Noka, Tog. Xhezmi Frasheri, Tog. Xhevdet Starova, N/Tog. Abdulla Tirana, N/Tog. Munir Tershana, N/Tog. Rrok Qafa, N/Tog.Hakik Mema, N/Tog. Demir Curri, Aspirant Gani Dida, Asp.Sali Doda, Asp.Dali Lami, Asp.Selman Ahmeti, Asp.Hasan Faliu, Asp.Bajram Lusha, Asp.Hysni Kaca, Asp.Xhetan Gjoni, Asp. Sadik Kercova, Asp. Sul Cani e tjerra……



FUND






ISMAIL STRAZIMIRI




TIRANE 25 NANDUER 1931