DIBRA E MADHE
-Fisniku Ismail Strazimiri -
Mbrojtës i paepur i pavarësisë shqiptare.
Nga Dr. Laurant BICA
Hyrje
Të thuash Dibër nuk mund ta përmëndësh pa apelativin e Madhe, jo me kuptimin e qytetit të Dibrës së Madhe, të Sheherit por për ndihmesën që ka dhënë në lëvizjen kombëtare shqiptare në shekuj.
Të thuash Dibër = Shqipëri
Të thuash Dibër = Komb Shqipëtar
Të thuash Dibër = Shqipëtari
Të thuash Dibër = Maqedoni, është zemra, nukli i saj.
Ndihmesa e Dibrës është e madhe për Ballkanin , Perandorinë Osmane e për mbarë Botën. Dibra është nga ato krahina që flasin e shkruajnë pak por bëjnë shumë. Vepra e tyre është e madhe. Të thuash Dibër do të thotë Histori. Dibra bëri histori, shkroi histori dhe mbeti në histori. Me të drejtë patrioti Ismail Strazimiri që është në thelb sinonim i shqiptarizmit shkruan se “Historia është baraz : Dje, Sot dhe Nesër”. Dibra për shembull ka nxjerre një figurë të madhe të rangut botëror si Riza Tefik Bylykbashi, i njohur ndryshe si Riza Tefik Dibrani, shok dhe mik i Ismail Qemalit, deputet në parlamentin turk në vitet 1909 – 1912, i njohur edhe si Filozofi Riza Tefik apo “Volteri” i Turqisë. Emrin e tij e kam gjetur në një histori të filozofisë botërore me pesë vëllime.Dibra është jo vetëm trevë e mençurisë po edhe e trimërisë. “Djemtë e Dibrës djemtë e malit, të luajnë kapakun e ballit!” Sa keq që brenda kufijve të Shqipërisë shtetërore mbeti 1/3 e tokave shqiptare dhe 2/3 mbetën jashtë saj ; qytetet më të mira e qëndrat më të mëdha si Shkupi , Manastiri, Selaniku e Janina etj. u lanë jashtë shtetit amë në përbërje të shteteve shoviniste fqinje. Krimi më i madh u bë në Kosovë me mbetjen e Gjakovës ,në Mal të Zi të Ulqinit dhe ne Maqedoni me lënien e Dibrës së Madhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar të 1913. Dibra nga ish kryeqendër sanxhaku në shekujt osmanë mbeti një zonë periferike e Maqedonisë së sotme dhe deri në ditët e tona erdhi e rrudhur, e zhvilluar ekonomikisht dobët dhe si një qytet i lënë pasdore me qëllim, i mbetur prapa, i margjinalizuar.
Por Dibra mbetet Dibër, Dibër e Madhe me tërë kuptimin e plotë të kësaj fjale, një Dibër fisnike e papërkulur nga sfidat e kohërave dhe një qëndër shpirtërore e atdhetarizmit te pamort.
1- Kur nisa të shkruaja këtë kumtesë pata disa frikëra :
Së pari kohën e shkurtër që pata në dispozicion.
Së dyti Ismail Strazimirin si figurë e njihja fare pak, të mos them aspak.
Së treti a do t`i justifikoja ato fjalë që m’i tha një miku im pasi fola për “Fisnikërinë dibrane” në një sesion shkencor për Dibrën, si “stërnip Dibre”;
Së katërti a do të arrija ta jepja në nivelin e figurave të tjera si Iljaz Pashë Dibra, Vehbi Dibra, Dom Nikoll Kaçorri, Elez Isufi etj. për të cilat në të kaluarën po edhe sot është shkruar gjërë e gjatë.
Për Ismail Strazimirin diçka kisha dëgjuar nga dibranë të moçëm si një figurë e shquar e Dibrës. Në një botim të muzeut të Dibrës 3 – 4 dekada më parë më dilte emri i këtij atdhetari, veçanërisht citoheshin “kujtimet” e tij. Në kërkimet e mija në Arkivin e Institutit të Historisë prapë nëpër skedat e tij më dilte ky njeri. Këto ditët e fundit më ra në ne dorë një Histori e Dibrës, e Prof. Dr. Kristo Frashërit. Nga mbi 600 faqe që ka libri rreth ¼, sidomos kapitujt për fundin e Rilindjes dhe periudhën e Pavarësisë i referohen vazhdimisht personalitetit të Ismail Strazimirit. Nga 34 kapituj që ka libri në 12 prej tyre, duke filluar prej kapitullit të XXIII e deri në fund, historiani ynë më i madh i sotëm, i referohet Ismail Strazimirit. Në mbyllje duke folur për një sërë figurash të ndritura të kësaj treve, ai bën një përcaktim lakonik të kësaj figure. Ai shkruan : “Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e monarkisë ishte Ismail Strazimiri(1868 - 1943). Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij “ Kujtime Historike mbi Lëvizjen Kombëtare në Qarkun e Dibrës”. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin që dha populli dibran në luftën për pavarësi, demokraci e përparim. Është dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare”. Ai vendoset nga historiani ynë krahas figurave të mëdha të Fuat Dibrës, Ramiz Dibrës (Çoku), Haki Stërmillit, Ramiz Varvaricës, Urfi Agollit etj. Nga kjo periudhë e gjatë e kontakteve edhe me literaturën për Dibrën, emri i Ismail Strazimirit më dilte kudo i pranishëm.Në mënyrë spontane për të kisha një përfytyrim të mjegulluar. Duhej të më vinte ky rast që unë të ulesha dhe me librin e kujtimeve të tij në dorë, botuar në 2010, të kthjellohesha se kush ishte atdhetari Ismail Strazimiri apo të them më mirë fisniku patriot Ismail Strazimiri. Përpara se të flas për të më duhet të them dy fjalë për trevën e Dibrës që e nxorri këtë burrë të fisëm. Si jehonë nga shekujt osmanë na vjen thënia për Dibrën që ka marrë gati – gati vlerën e një proverbi: “Të prishej Stambolli e bënte Dibra por të prishej Dibra nuk e bënte Stambolli”. Dikur sheheri i Dibrës ka qenë shumë më i madh se ç’është sot dhe me një zhvillim shumë të lartë ekonomik, tregtar, kulturor e politik. Ka qenë një qendër e madhe jo vetëm në kuadrin e tokave shqiptare por edhe në Ballkan dhe në kuadrin e Perandorisë Osmane. Ka qenë e famshme Dibra edhe për mjeshtrit e mëdhenj të ndërtimeve që punonin an’e kënd perandorisë e jashtë saj.
Kishte aq shumë prej tyre sa ata mund të ribënin nga e para edhe kryeqytetin e Perandorisë Osmane po të prishej. Por e kundërta nuk mund të ndodhte kurrësesi. Pra për nga rëndësia, e tillë qe Dibra e Madhe në periudhën e Osmanllinjve. Dibra ka edhe një dimension tjetër që s’e ka pasur asnjë krahinë tjetër në luftërat për liri e pavarësi. Dibra ka luftuar dhe ka dhënë ndihmesën e saj dhe ka paguar haraçe gjaku për çlirimin e të gjitha krahinave shqiptare. Ajo ka luftuar edhe për Nishin edhe për Selanikun edhe për Thesalinë edhe për Janinën edhe për Shkupin, Kosovën, për Podgoricën e Shkodrën si dhe për Sanxhakun e Tregut të Ri. Vetë Ismail Strazimiri e vë në dukje në kujtimet e tij, kontributin e jashtëzakonshëm të dibranëve për krejt kombin shqiptar. Ishte Iljaz Pashe Dibra ai që me Halit Frashërin e djalin e tij, Abdylin, luftuan me forcat vullnetare shqiptare edhe për Selanikun, për Thesalinë e për Çamërinë. Varre të dibranëve ka në tërë krahinat e Shqipërisë por varre të të tjerëvë për çlirimin e Dibrës në trevën e saj nuk gjen. Kulti i armëvë që ndizej dhe zhvillohej te fëmijët që në moshë të vogël, nuk ishte shprehje e instiktit të luftës, por pjesë e edukatës dhe e vetëdijes etnike për të mbrojtur trojet, jetën dhe lirinë. Duke vënë në dukje heroizmin e dibranëvë në luftime, përfaqësuesi francez në Janinë shkruante , më 14 dhjetor 1844 “Është luftuar pëllëmbë për pëllëmbë dhe me një vendosmëri të tillë, sa që edhe gratë e fëmijët qenë rreshtuar me luftëtarët”.
Ja ç’thotë një këngë e vjetër dibrane për ngjarjet e 1877 – 1878 me titull “ Lufta e Nishit”
Dervejsh Pasha ku ka mbetë?
Në Manasterj (Manastir LB) në vilajet
Hipi pamporit për Mitrovejcë (Mitrovicë LB),
Ximca (gjysma LB) e asqerit mbet në Nejsh (Nish LB),
Dervejsh Pasha çel tefterin ,
Shtat takame e xhet (gjeti LB)asqerin
Nji takam qi ishin dibranë
Ata hajshin çelik me dhamë (dhëmbë)
Kishe poushk (pushkë) en Tetova,
gjem ( djem LB) të mejr (mirë )kishte Gjakova ,
bajshin irish (sulm LB), hipshin mbi topa.
N’ato kodra, n’ato gropa
n’ato kodra, n’ato grika (gryka LB)
bajshin shiqir (shyqyr LB) çi (që) erdhi Dibra.
Kjo ishte Dibra që nxorri burra si Ismail Strazimiri. Vetë atdhetarët në fjalë e kishin merak kontributin e dhënë prej Dibrës në lëvizjen tonë kombëtare. Bile kujtimet e veta ai i fillon me ndihmesën e Dibrës e të dibranëve në Rilindje.
“Si frut të atij shërbimi që dëshirova por nuk munda me i ba Atdheut e Kombit aq sa desha, po e la këtë vepër ,ku kam provue se dibranët i kanë shërbyer çështjes shqiptare prej kohësh duke bashkëpunue me këta që vinin themelet e indipendencës sonë. Dihet se gati gjashtëdhjetë e sa vjet më parë, Fuqitë e Mëdha, sipas vendimeve të Traktatit të Berlinit patën pjestue tokën shqiptare ndër shtetet e Ballkanit. N’atë kohë në Dibër pikë së pari u bënë bisedimet paraprake dhe u morën vendimet themelore të Lidhjes së Prizerenit; t’atij kongresi të famshëm që i bëri Fuqitë e Mëdha të mendohen dhe i shtrëngoi me i ndërrue vendimet e dhanuna më parë për copëzimin e Shqipërisë së Rumelisë. Vetë Abdyl Frashëri i pat shkrue Iljaz Pashë Dibrës, tue thanë se vendimet e marra në Dibër u pritën me gëzim e kënaqësi të madhe prej parisë së Jugut;porse Mustafa Pashë Vlora, delegatët e Prevezës, të Gjirokastrës dhe viseve të tjera deklarojshin se nuk mund të shkojshin në Stamboll, po të mos shkonte edhe Iljaz Pasha. Prandaj kërkonte që dhe ai të nisej me shkue në Stamboll”.
Të flasësh në një kumtesë për figurën e Ismail Strazimirit pasi je njohur me kujtimet e tij të duket sikur ke veshur një kostum që të rri tepër i ngushtë. Ne do të përpiqemi të flasim shkurt, shumë shkurt për tre momente që e nxjerrin në pah figurën e shquar të këtij mendimtari e veprimtari të madh, sa të Rilindjes sonë Kombëtare, aq të shpalljes, të ruajtjes e të konsolidimit të Pavarësisë e të mëkëmbjes së shtetit të ri shqiptar, aq edhe të Luftës Nacional Çlirimtare.
Së pari Origjina fisnike e tij dhe vendi i tij në rilindjen shqiptare, duke parë dhe inkuadrimin e tij në lëvizjet përparimtare në rang perandorie.
Së dyti Shpallja e pavarësisë dhe raportet e tij me figurat si Ismail Qemali, delegatët e Dibrës, Ohrit e të ndonjë krahine tjetër me origjinë dibrane si Nikoll Kaçorri apo jo dibrane si Hajdar Blloshmi nga Starova e Pogradecit etj.
Së treti Ndihmesa e tij në krye të dibranëve qoftë në kryengritjen e 1910, 1912, të 1913, gjatë luftrave ballkanike, më 1915, kur ushtria serbe kaloi nëpër territorin shqiptar e mundur nga austrohungarezët, të lëvizjeve kryengritëse dibrane të 1920 e të 1922 që çuan në dëbimin e okupatorëve serbë nga Dibra (territore që u përfshinë në shtetin shqiptar, Dibra e Vogël) si dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm për ruajtjen e tërësisë së tokave të Shqipërisë bashkë me mikun e tij të pandarë, Elez Isufin. Pushkën Ismail Strazimiri si një roje besnike e atdheut të vet, ai nuk do ta hiqte nga supet e veta deri sa ra me armë në krah për liri në vitin 1943, gati shtatëdhjetë vjet më parë nga dita që po flasim sot. Ai ishte njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje dhe nuk arriti “ta shihte zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë..
Le t`i marrim me radhë.
Nga materialet e paraqitura në librin “Ismail Strazimiri Kujtime historike Lufta kundër Pavarësimit të Shqipërisë ” Tiranë 2010 të shtëpisë botuese “Naim” del se Ismaili e te parët e tij Strazimirë i kishin rrënjët nga dinastia princore shqiptare e mesjetës, nga Balshajt. Mbiemri i tyre lidhet me emrin e djalit të madh të princit shqiptar Balsha I, Strazimir ose siç thuhet në një vend lidhet me emrin e një gjenerali të Skëndërbeut, Pjetër Strazimiri, i cili rridhte nga Balshajt. Me djalin e Balshës I, Strazimirin ,principata balshiane siç na bën me dijeni Fan Noli, arriti kulmin e kufijve të saj, të zotërimeve të tyre.
E theksojmë këtë moment të origjinës së tyre sepse kalohet lehtazi. Fisnikët shqiptarë, familjet e mëdha, ishin ato që e bënë Shqipërinë, duke pasur popullin përkrah që i ka ndjekur pas e i ka respektuar në shekuj. Iljaz Pashë Dibra (Çoku) është nga dinastia princore Gropaj. Në krye të Lidhjes së Prizrenit, si kryetar i saj ka qenë një pinjoll, i kësaj dinastie fisnike, me një fjalë të tij ngriheshin në këmbë deri në 15000 veta. Ose të marrim kush qe në krye të Pavarësisë Shqiptare, Ismail Qemali, një pinjoll i myslimanizuar i princërve Aranitas. Pra në Lidhjen e Prizrenit në krye kemi një Gropaj, në Pavarësi në krye kemi një Arianitas, Ismail Strazimiri ishte një burrë i mençur ,pasardhës Balshaj dhe nuk ka rastësi, qoftë në personalitetin e tij, qoftë në rolin që ka luajtur si me mëndjen e tij dhe veprimtarinë e tij. Ai ka qenë “truri” i lëvizjes kombëtare në trevën e Dibrës, siç ka qenë dhe me detyra të nënprefektit pas shpalljes së Pavarësisë për Dibrën si dhe gjatë pushtimit austro–bullgar i cili përballë okupacionit e barbarisë sërbe u përjetua si një lloj “çlirimi” në vitet e rënda të Luftës së Parë Botërore. Duhet ta kishe në gen “fisnikërinë”, ta kishe “instikt” mbrojtjen e interesave të Atdheut që të ambientoheshe me “imbroglio-n” (rrëmujën)që krijoi Lufta e Parë Botërore, siç u orientua Ismail Strazimiri. Fisniku pati në krahë fisnikët.
Nuk është e rastit që ai flet me respekt për Iljaz Pashë Dibrën apo që bashkëpunoi me pasardhësit e tij si Shyqyri Dibra (Çoku), Ramiz Dibra (Çoku), Irfan Ohri (Çoku) po dhe Hamdi Ohri (Çoku) për të cilin shkruan në kujtimet e tij shprehimisht: “Iljaz Pasha asht gjyshi i Hamdi Bej Ohrit; ky i dyti i vuajtun e i përbluejtun nëpër burgje të Anadollit pse e kërkonte Shqipnin e i akuzuem me tradhëti politike nga disa t’ashtuqujtur besnikë të qeverisë, kundër të cillve ra grushti drejtësisë”. Me Hamdi Bej Ohrin kanë jetuar për dy dekada e më tepër në Tiranë dhe njiheshim shumë mirë me njëri tjetrin. Kurse me familjen tjetër fisnike të Elez Isufit Ismail Strazimiri përbënte një binom të pandarë gjatë tërë jetës së vet. Edhe kjo familje kishte rrënjë të thella që nga mesjeta. Mbiemri i saj Ndreu të kujton një emër shenjtori. Personalisht me djalin e Hamdi Ohrit, Mentor Çokun, jam njohur dhe kam pasur një miqësi tepër të ngushtë, me Remzi Ndreun, djalin e Isuf Elezit që erdhi nga Australia e largët, kam bashkëpunuar kur nxirrte gazetën “Patrioti” në Tiranë në fillim të viteve 90. Kurse Strazimirët pasaardhës ,nuk kam pasur rastin t`i njoh personalisht. Shpresoj t`i njoh sot në këtë sallë siç i takova p.sh. një prej tyre Xhetan Strazimiri. Pra nën këtë këndvështrim na rezulton se Ismail Strazimiri (Balshaj) ka qenë në bashkëpunim si në Rilindje e në Pavarësi me Hamdi Ohrin (Gropaj) dhe me fisnikët Elez Isufi, Suf Xhelili e pasardhësit e tyre që regjimi komunist u përpoq t`i zhbëjë nga faqja e dheut. Por fisniku sado baltë te hedhësh mbi të, ai prapë mbetet fisnik. Floriri edhe po të zhytet në baltë prapë flori mbetet...
Ismail Strazimiri mori pjesë në lëvizjet përparimtare që ndodhën në Perandori, siç ishte lëvizja “Bashkim e Përparim” (Itihat ve Terakki). Në këto lëvizje në krye ka qenë edhe plaku Ismail Qemali dhe dibrani tjetër, filozofi me emër në Perandori, Riza Tefiku. Kjo lëvizje synonte reformat përparimtare borgjeze. Në të në degët për Dibrën e Madhe u bë anëtar edhe Ismail Strazimiri por gjithmonë duke i parë në funksion të lëvizjes shqiptare. Në këtë lëvizje ishte themeluesi dhe drejtuesi faktik i saj matjani Ibrahim Temo Struga dhe shoku i tij i pandarë Ibrahim Naxhiu (Dervish Hima) nga Ohri. Një pjestar tjetër ka qenë pas shpalljes së kushtetutës osmane në 1908 ,“Hyrrietit”,miku i Strazimirit, Hasan Basri Beg Dukagjini, që ndonëse s’ishte dibran, po me punë në Dibër, drejtor i postës në Shehër. Këta kur xhonturqit i shkelën premtimet e bëra popujve të perandorisë, përfshi dhe shqiptarët më 1911 nën udhëheqjen e Ismail Qemalit krijuan partine e re “Hyrriet e Itilaf” (Liri e Marrëveshje) që synonte decentralizimin e perandorisë. Edhe këtu Ismail Strazimiri mori pjese krahas Riza Tefik Dibranit, Hasan Basriut, etj. Kur edhe kjo parti ju shmang kursit të lëvizjes kombëtare shqiptare, Ismail Strazimiri me atë nuhatjen e tij të hollë politike i ktheu shpinën. Si një hallkë tjetër lidhëse midis tij dhe Ismail Qemalit po përmend Said Islam Najdenin (Hoxhë Voka). Ja ç’thotë për të miku i tij Ismail Strazimiri: Hoxhë Vokri, emnin e vërtetë e ka Said Efendi Najdeni, ka qënë një dijetar i famshëm, me kulturë të mjaftë fetare, shkencore, filozofike e politike, i pajuem me nje karakter të fortë e moral të naltë idealist i vërtetë, shok e bashkëpunëtor i pandamun i Ismail Qemalit e i Rexhep Pashë Matit që ka qënë sundimtar i Tarabolosit (Libia) dhe mbrojtës i idealistëve të internuem në Fizan. Me këto cilësi Hoxhë Vokri e ndoq qëllimin e naltë të Lirisë Kombëtare, tue ba çdo sakrificë dhe tue i dhanë shqelmin çdo interesi të vet e të familjes. Çeli shkollën e parë në Dibër…
Dihet që Said Najdeni vdiq më 1903 por shokët e miqtë e tij si Ismail Strazimiri e Hamdi Ohri etj, punuan me mish e me shpirt për çeljen e shkollave shqipe në trevën e Dibrës e më gjerë pa reshtur. Hoxha Said Najdeni ose i quajturi ndryshe dhe Said Efendi Dibrani, qysh në fillim të vitit 1901 zhvilloi në Dibrën e Madhe një propagandë të dendur për një Shqipëri autonome. Në krah ai pati edhe Hamdi Ohrin, bashkëkohës e mik i ngushtë i tij, atdhetar tjetër i shquar, që gjithashtu ka zhvilluar një veprimtari të gjërë patriotike në favor të çështjes kombëtare. Ai hapi shkolla shqipe në Dibër të Madhe në vitet 1895-1899, bile edhe në burg u mësonte të dënuarve gjuhën shqipe. Për veprimtarinë patriotike siç shprehet Ismail Strazimiri, mik i të dyve u arrestua dhe u burgos disa herë nga autoritetet osmane. Nga ato që cituam më lart del se në vitin 1903 Said Najdeni ndërmori hapa për t`u lidhur me patriotët shqiptarë si Ismail Qemali, mik i afërt i tij ( i cili që në vitin 1900 ishte arratisur nga Turqia dhe ndodhej n’atë kohë në Itali), me Rexhep Matin etj., për të gjallëruar levizjen për pavarësi në luftë kundër Perandorisë Osmane, që tashti kishte marrë tatpjetën. Për këtë Saidi, si mandator i vilajeteve të Kosovës dhe Manastirit niset për në Tripoli të Libisë, për t`u takuar me Ismail Qemalin e Rexhep Matin, patriot shqiptar guvernator i Tripolitanisë. Ky i fundit në 1908 u helmatis nga sulltani në Stamboll si person i dyshimtë. Said Najdeni, ky pionier i arsimit kombëtar, mik dhe bashkëpunëtor i respektuar i vëllezërve Frashëri e Ismail Qemalit, Rexhep Matit, Dervish Himës, Hamdi Ohrit, Sermedi Seit Toptanit, Kristo Luarasit, Shahin Kolonjës, Josif Bagerit, P.N Luarasit, Nikolla Naços, Ismail Strazimirit e shumë atdhetarëve të tjerë shqiptarë, mbeti një figurë e shquar e dashur dhe e nderuar për të gjithë kombin shqiptar. Jo më kot në Kongresin e Dibrës 1909 gjithë delegatët, grumbull në shenjë nderimi vizituan varrin e këtij shqiptari “ të vleftë”…
Epope më vete është pjesëmarrja e Strazimirit në Kongresin e Dibrës më 1909, gjë që flet për atdhetarinë e qëruar të tij. Prania e pak njerëzve si Ismail Strazimiri në këtë kongres, që ndonëse pakicë në opozitë, u shpëtoi erzin organizatorëve të tij dhe historisë së kulturës shqiptare që u ndodh shumë afër hapit të kthimit prapa. Aty Ismaili bashkë me atdhetarë të tjerë u shpreh kundër rikthimit në përdorim të alfabeteve të gjuhëve orientale dhe pro alfabetit latin për shqipen. Në këtë kongres morën pjesë delegatë nga të 5 vilajetet, i Shkodrës, Shkupit (Kosovës), Manastirit, Janinës dhe i Selenikut. Ismail Strazimiri nga ato që thotë në kujtimet e tij, kuptojmë që është në të njëjtën rrjedhë me Naim e Sami Frashërin, Abedin Dinon, Mitat Frashërin, Kristo Luarasin e një takëm rilindasish të tjerë, që ndonëse zyrtarisht pranuan si vijë të lëvizjes kombëtare shqiptare, Shqipërinë me katër vilajete, në fakt ishin partizanë, i përmbaheshin Shqipërisë me pesë vilajete, duke përfshirë dhe vilajetin e Selenikut brenda.
2. A ishte Ismail Strazimiri në Shpalljen e Pavarësisë Shqiptare në Vlorë? Edhe jo edhe po! Fizikisht ai nuk qe, por mendërisht e shpirtërisht ai ishte aty. Ai ishte aty nëpërmjet shokëve e miqve të tij që përfaqësuan Dibrën, Strugën e Ohrin, po dhe disa delegatë të tjerë që ishin me origjinë dibrane apo kishin punuar ne treven e Dibrës dhe për Dibrën. Le t‘i shohim një nga një delegatët dibranë që morën pjesë në tubimin atdhetar të Pavarësisë në Vlorë me 28 Nëntor 1912 dhe lidhjet e tyre me Ismail Strazimirin. Në radhë të parë me plakun e Vlorës; ndofta direkt nuk njihej por rruga e tij në jetë qe po e njëjtë me atë të Qemal Vlorës. Familje apo prejardhje fisnike, pjesëmarrje në lëvizjet e mëdha kombëtare shqiptare si Lidhja e Pejës “Besa – Besën” e 1899 me në krye Haxhi Zekën; pjesëmarrje në lëvizjen xhonturke “Bashkim e Përparim”, pjesëmarrje në kryengritjet e mëdha shqiptare të 1910, 1912, po ashtu dhe ne organizatën “Liri dhe Marrëveshje” të krijuar nga Ismail Qemali dhe Riza Tefik Dibrani apo dhe Hasan Basri Beg Dukagjini etj. Sigurisht pjesëmarrja në këto dy organizata politike përparimtare për kohën në rang perandorie, qoftë edhe në trevën e Dibrës, i bën nder Ismail Strazimirit dhe është një sinjal pozitiv për përsonalitetin e tij me një frymemarje të gjerë dhe meriton kërkime të posaçme për aktivitetin e tij në to, krahas shokëve dhe miqve të tij. Ajo është dhe një tregues për nuhatjen e tij të hollë politike. Kur pa se ato filluan ta humbnin karakterin e tyre përparimtar, ai u largua menjëherë prej tyre. Për të në çdo kohë “nordi” orientues kanë qënë interesat e Shqipërisë, të kombit shqiptar në përgjithësi. Konstatojmë që është në një hap me plakun e Vlorës si dhe me një veprimtar tjetër që peshoi rëndë në pavarësinë shqiptare, Aqif Pashë Elbasanin, i cili e emëroi me inisiativën e vet, nënprefekt të Dibrës, Dibrës së Poshtme apo e thënë ndryshe Dibrës së vogël, Peshkopisë me nëntë malet e saj.
Ecim më tej. Një figurë madhore e pavarësisë është Vehbi Agolli (Dibra) që ishte zëvëndës i Ismail Qemalit dhe kryetar i Senatit. Vehbiu ishte përfaqësuesi kryesor i Dibrës në Kuvendin e Vlorës, figura e dytë madhore e Kuvendit famëmadh të shpalljes së Pavarësisë. Me Vehbi Dibrën ka pasur njohje të afërt, kanë qënë gati moshatarë. Në kujtimet e tij ai e përmend qoftë për Lidhjen e Pejës, si njeri që e njihte nga brenda këtë Lidhje dhe kryetarin e saj Haxhi Zekën, e përmend në Kongresin e Dibrës më 1909, të cilin e kryesoi në punimet e tij ,e përmend në krye të Parisë së Dibrës së Madhe në kryengritjen e vitit 1912 për marrjen e vendimit për shpërthimin e saj. I referohet në një rast në kohën e princ Vidit që i ishte drejtuar ai vetë (d.m.th Ismail Strazimiri) kryemyftiut Vehbi Dibra, më 1915 në kohën e serbëve me njëfarë rezerve e në ndonjë rast tjetër. Opinioni i Ismail Strazimirit për këtë burrë të Dibrës që qe figurë e dytë pas Ismail Qemalit në Vlorë qe përgjithësisht pozitiv. Kuptohet që midis tyre kanë ekzistuar marëdhënie të ngushta në emër të çështjes kombëtare, militantë të së cilës ishin që të dy.
Delegati i dytë i Dibrës në Vlorë ishte Hafiz Sherif Langu. Ka pasur aktivitet të gjerë patriotik. me Ismail Strazimirin ata kanë pasur lidhje të ngushta . Ai ishte nip i Selim Rusit, një nga figurat qëndrore të lëvizjes kombëtare në Dibër, krahas Iljaz Pashë Çokut. Bile nën hijen e gjyshit të vet të famshëm, zëmadh, u rrit e u burrërua. Ai është një nga figurat qëndrore të Dibrës dhe të lëvizjes mbarëkombëtare shqiptare, mik me atdhetarët e njohur si Hamdi Ohri, Zyhdi Bej Ohri, Hajdar Blloshmi, shok me Ibrahim Temon e Dervish Himën në Stamboll, në kontakte dhe me Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën e Mehmet Pashë Dërrallën që lanë gjurmë në jetën e tij. Ai mori pjesë në Kongresin e Dibrës të 1909. Kongresin e Dytë të Manastirit më 1910, në kryengritjen e 1910. Disa kohë me kërkesën e banorëve të Dibrës shërbeu si mësues i gjuhës shqipe. U përfshi dhe në kryengritjen antiosmane të vitit 1912, si luftëtar dhe organizator në rrethinat e kësaj krahine. Ismail Strazimiri shkruan: “Aso kohe bashkë me ne qenë Sadullah Strazimiri, Hafiz Sherif Langu, Shyqyri Bej – nip i Iljaz Pashës, Eqerem Cami…. e të tjerë nga qyteti i Dibrës së Madhe. Në peripecitë e ngjarjeve të luftës së parë botërore dhe më pas, të dy kanë qenë shpesh në krah të njëri tjetrit. Natyrisht Ismail Strazimiri sipas mendimit tonë dhe siç del nga faktet, përfshi kujtimet e tij, ka qenë dhe në lidhje e raporte të caktuara edhe me delegatët e tjerë të Strugës e të Ohrit si Zyhdi Bej Ohri që kish mbaruar “Robert Kolezhin” në Stamboll, me Dr. H. Myrteza, Nuri Sojliu, Mustafa Barutin e Dervish Himën. Po ashtu dhe me dibranin nga Lura, Dom Nikoll Kaçorri që qe delegat i Durrësit në Kuvendin e Madh të Vlorës. Po ashtu ai ka qenë në relata të caktuara me delegatin e Pogradecit, Starovës, Hajdar Blloshmin apo me Shefqet Daiun që në vitet 1911-1912 punoi si mësues në Dibër. Në Vlorë Shefqeti qe delegat i Elbasanit. Ai ka qenë në lidhje edhe me Hamdi Ohrin. Në një letër dërguar këtij në tetor 1911 i thotë se “Së bashku me Vehbi Efendinë po bëjmë përçapje për të marrrë fshehtas librat që na ka dërgue Josif Bageri i Rjekës prej Sofje por xhonët (xhonturqit L.B.) kanë ushtrue kontrolle të rrepta”. Në kujtimet e tija Ismail Strazimiri jep dhe caktimin e atdhetarit Shefqet Daiu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Dibrës së Madhe.
Unë nga kjo mori delegatësh do të veçoja për t’u ndalur Hamdi Ohrin , me të cilin Ismail Strazimiri, ka pasur relata shumë të mira dhe në kujtimet e veta e përmend disa herë, jo vetëm në vitet e nxehta, të para, gjatë e të pas pavarësisë por dhe më vonë. Ai ka ushqyer një respekt të madh dhe një nderim të veçantë për Hamdi Ohrin dhe aktivitetin e tij si djali i Allamanit dhe nip i Iljaz Pashë Dibrës (Qoku). Ismail Strazimiri i ka nderuar dhe respektuar dhe ka bashkëpunuar me të gjithë pasardhësit e Iljaz Pashë Dibrës si Shyqyri Çoku, Ramiz Çoku (Dibra), Hamdi Ohri (Çoku), etj. etj. Lidhjet e tij me fisin e Çokëve (apo Qokëve,njëlloj është LB) kanë qenë tepër të ngushta; në këtë suazë përfshi Hamdi Ohrin. Ai ka qenë organizatori kryesor i kryengritjes së Shtatorit të 1913 të Dibrës, apo siç quhet ndryshe të Petrinës, ku mori pjesë aktive dhe Ismail Strazimiri. Pas 1920, kur dhe Strazimiri u vendos në Tiranë, për dy dekada ata të dy kanë qenë krahas njëri tjetrit dhe i ka bashkuar një miqësi e vjetër, që gjithmonë mbeti e pastër si kristali në tërë peripecitë e kohërave. Hamdi Ohri siç tregon dhe mbesa e tij Valbona, e bija e Mentor Çokut, ka qenë në Vlorë ditën e dytë pas shpalljes së pavarësisë dhe firmosi aktin e saj. Ismail Qemali e pyeti se “Çfarë ministrie pranon të marrësh? Këtë punë t’jau lamë të rinjve, Ismail Bej. Gishti ynë është trashur nga përdorimi i pushkës, nuk bën për punë intelektuale”. Kështu patrioti i shquar shqiptar nuk pranoi asnjë nga portofolet ministeriale. Pyetja e Ismail Qemalit tregon sa e çmonte dhe ç’personalitet kish e ç’reputacion gëzonte Hamdi Ohri si atdhetar e si intelektual, si nip i Iljaz Pashë Dibrës midis atyre që shpallën Pavarësinë. Ai ish një rilindas i brezit të tretë , bashkëmoshatar me Ismail Strazimirin. Fakti që Ismail Strazimiri e ka njohur, ka bashkëpunuar me të, ka pasur miqësi deri sa mbylli sytë ky patriot me 24 nëntor 1938 në Tiranë etj. flet shumëçka dhe për lartësinë e vetë Strazimirit dhe aktivitetin e gjithanshëm atdhetar të tij.
3. Ismail Strazimiri ka qenë një punëtor i palodhur i Rilindjes Kombëtare. Në Kryengritjen e 1910 ai qe një nga organizatorët e saj në zonën e Dibrës. Pas dështimit të saj ai thotë plot mënçuri: Vërtet Kryengritja dështoi por lëvizja kombëtare shqiptare eci përpara.Dëshmi për këtë qenë kryengritjet shqiptare të 1911 dhe të 1912. Këtë të dytën Dibra ishte ajo që e filloi e para dhe e fundit që u tërhoq. Ismail Strazimiri si një nga burrat veprimtarë më në dukë të kësaj lëvizjeje luajti një rol tepër të rëndësishëm në mbarëvajtjen e saj. Ai qe një nga organizatorët e saj në Sheher në Dibrën e Madhe. Pas ngritjes së flamurit në Shkup në fillim të gushtit 1912 dhe kur Hasan Prishtina i njoftoi për plotësimin e kërkesave të kryengritësve, atëherë dibranët e ulën flamurin e kryengritjes. Pra Dibra e filloi e para dhe e mbylli kryengritjen e fundit. Pas vendimit barbar të Konferencës së Londrës të 1913, kur 2/3 e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit të sotëm shqiptar, dibranët prapë në shtator të 1913 ngritën flamurin e kryengritjes që u quajt e Petrinës dhe që përfshiu Dibrën, Strugën e Ohrin. Ismail Strazimiri qe një nga përkrahësit më aktivë të saj. Pas disfatave të para pushtuesit serbë sollën trupa të mëdha dhe e shtypën me zjarr e me hekur kryengritjen e shtatorit të 1913 të Dibrës. E kush më tepër se Gjakova në Kosovë Ulqini në Mal të Zi dhe Dibra e Madhe në Maqedoni kish të drejtë të bashkohej me shtetin amë. Ajo që u bë sidomos ndaj këtyre tre qyteteve shqiptare e vatra të shqiptarisë ishte një krim i pashembulltë. Në këto kushte Ismail Strazimiri dhe familjet e mëdha dibrane dhe dibranët në përgjithësi, përpara mizorisë serbe dhe shtëpive që u dilte flaka e tymi pasi u grabitën në mënyrë të paskrupullt, e mbajtën frymën si muhaxhirë në Tiranë e Elbasan.
Ismail Strazimiri prapë nuk ndenji rehat. Në kohën e pavarësisë ai u emërua nënprefekt i Dibrës së Vogël nga Aqif Pashë Elbasani.Më pas ai punoi në shërbim të Princ Vidit. Në kohën e pushtimit bullgar e austriak të Dibrës prapë qe Nënprefekt e gëzonte një emër të mirë në popull si krahinar. Populli e donte, e respektonte dhe e nderonte. Ndaj dhe të huajt që shkelën në Dibër u përpoqën ta shfrytëzonin influencën e tij. Por me pushtuesin serb ai nuk pati asnjë relatë. Edhe kur i detyruar nga rrethanat hyri në lidhje me autoritetet pushtuese serbe, manovroi me zgjuarsi dhe u theksoi se “Dibra e dibranët nuk pranojnë të hyjnë në zgjedhën e kurrkujt” .Më 1915 e mundur nga austrohungarezët hordhia serbe kaloi nëpër tokat shqiptare. Dibranët të prirë nga dyshja Elez Isufi dhe Ismail Strazimiri e shumë të tjerë, bashkë me lumjanët në brigjet e Drinit të Zi, duke shfrytëzuar terrenin dhe kohën e keqe u bënë varrin 12000 ushtarëvë serbë, duke u shpaguar për masakrat që kishin bërë më parë mbi popullin shqiptar të pambrojtur të atyre anëve serbomëdhenjtë. Në vitet më pas Ismail Strazimirin e shohim me mëndje e me zemër në krah të mikut e shokut të vet të pandarë Elez Isufit e nipit të tij Suf Xhelilit përballë ushtrisë serbe. Në kujtimet e tij s’ kanë të mbaruar ngjarjet që përshkruhen dhe bëmat e luftërat e përpjekjet me okupatorët barbarë serbë. Vetëm ai popull i Dibrës e di se ç’vuajtje hoqi e ç’barbari përballoi mbi shpatullat e tij. Dibra me luftën e saj jo vetëm u vuri pushkën pushtonjësve serbë, po sensibilizoi dhe opinionin e vendit e të huaj, qarqet diplomatike, derisa serbët pas kryengritjeve dibrane më 1920 e 1922 me hir apo me pahir u shporrën në kufijtë e 1913. Ishte heroizmi i pashoq dibran me në krye burra si Elez Isufi, “gjenerali me tirqe pa spaleta” dhe Ismail Strazimiri, i mençuri i padukshëm dhe i dukshëm dhe burrë i Dibrës me karakter të fortë që i shporri serbët. Dibra e Madhe megjithatë mbeti në atë pjesë që nga burrat e kombit të kohës u quajt Shqipëria e robëruar. Ismail Strazimiri mori pjesë gjallërisht dhe në Revolucionin e Qershorit 1924 me armë në dorë në krah të Bajram Currit e të Elez Isufit; përjetoi dhimbshëm vrasjen e këtij të fundit, mikut të tij më të mirë e kurrë s’u pajtua me regjimin zogist. Kur vendin e tij e zunë pushtuesit Italo – Gjermane në vitin 1943, Ismail Strazimiri, roje vigjëlente e pavarësisë dha jetën me armë në dorë në moshën 75 vjeçare, gjë e rrallë kjo dhe në historinë e botës. “Kujtimet” e tij janë një thesar për Dibrën dhe dibranët, janë një hymn që i këndohet Dibrës. Ai diku në to vlerëson Luftën e Vlorës që bëri populli shqiptar më 1920. Njëkohësisht thekson dhe të vërtetën e madhe se pati prapa qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes me në krye Sulejman Delvinën, pati mbështetjen materiale e morale të saj me njerëz, armatime dhe nga krahinat e tjera të vendit. Kurse dibrani me luftërat e tij kundër serbëve qe pothuajse i vetëm dhe u “tiganis me dhjamin e vet “. Kjo e bën luftën e dibranëve më heroike dhe më madhështore. Pikërisht kur fatet e Atdheut ishin “në teh të briskut” dhe në kurriz të popullit luheshin lloj - lloj intrigash, kësaj gjëndjeje sidomos për Dibrën, Ismail Strazimiri në librin e tij historik i referohet kështu:
“Drin, o lumi gjanë, plaku i malësisë
A ke me ia lënë Dibrën Serbisë?
Dibra do shpëtohet dera e Kastriotit,
Dibrani i nderue si ka qenë qëmoti?
Kurrë nuk durohet kjo robëri,
Dibra e Moisiut asht Shqipni!
Çohi burra çohi, gjithë me besë – besë,
Për Dibrën luftoni, për të madhen shpresë!,,
Ismail Strazimiri erdhi nga legjenda si pasardhës, si pinjoll i princërve Balshaj, u bë me tërë veprimtarinë e tij një legjendë e gjallë, dhe me vdekjen e tij heroike me armë në dorë në moshë të kaluar e lartësoi emrin e vet dhe të vatanit të vet, Dibrës, u bë një hero legjendar, hyri në legjendë dhe mbeti në legjendë…
Historia jo vetëm ka shkruar por shkruan e do të shkruajë më shumë në të ardhmen për BURRA të tillë me emër që ka nxjerrë krahina e lavdishme e Dibrës!
Referencat
1- Ismail STRAZIMIRI “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”. Shtëpia botuese “Naim” Tiranë 2010, 353 faqe.
2- Kristo FRASHËRI “Historia e Dibrës ” Tiranë 2012, 621 faqe.
3- Bardhosh GAÇE “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” Botimet Toena Tiranë 2012, 344 faqe.
4- Agron TUFA “Dibra me sytë e të huajve ” Tiranë 2008, 324 faqe.
5- Arjan KADIU “Dibra e Madhe ” Tiranë 1996, 344 faqe.
6- Sotir TEMO, Lulzim BILBILI, Petrit NAJDENI “Seit NAJDENI (Hoxhë Voka),, Shtëpia botuese “8 Nëntori” Tiranë 1980, 88 faqe.
7- Giuseppe Gelcich “ Zeta dhe Dinastia e Balshajve” Shtëpia botuese “55”, 367 faqe.
8- “Dibra dhe etnokultura e saj” Volumi I, 365 faqe, Volumi II,306 faqe Tetovë 1995 etj
Abstrakt (Përmbledhje)
Në këtë kumtesë jepet figura e mendimtarit dhe veprimtarit Ismail Strazimiri dhe sqarohet prejardhja e tij fisnike nga princërit Balshaj. Nënvizohet fakti se të tillë burra i nxjerr Dheu, Treva atdhetare e Dibrës. Hap pas hapi sqarohen në kumtesë tre momente:
Pjesmarrja e tij në lëvizjet atdhetare në Shqipëri e ato përparimtare në Perandorinë Osmane. Sqarohet më tej raporti i tij me figurat atdhetare të Dibrës e të mbarë kombit si Ismail Qemali e mbasandej të tillë si Vehbi Dibra, Dom Nikoll Kaçorri, Hamdi Ohri, Sherif Langu e të tjerë fisnikë të aktit të shpalljes së pavarësisë nga Dibra e Madhe , Struga e Ohri etj. Së fundi bëhet fjalë për luftën e tij të pandërprerë e të paepur në mbrojtje të pavarësisë së fituar dhe për konsolidimin e saj deri sa dha jetën me armë në dorë në moshën 75 vjeçare. Ai ishte dhe mbeti një pishtar i luftrave për liri të popullit tonë dhe një shembull frymëzues për brezat që do të vinë.
Biografi
Laurant BICA ka lindur në qytetin e Korçës më 18 mars 1951. Shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “ Themistokli Gërmenji ” ndërsa atë të lartën e kreu në Degën e Filozofisë të Fakultetit të Shkencave Politike Juridike në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nga 1973 – 1993 shërbeu si pedagog në po atë fakultet . Nga 1994 – 2005 jetoi e punoi në Stamboll në Republikën e Turqisë. Nga 2006 – 2012 është pedagog pranë Universitetit “Kristal”.
Ka një veprimtari të pasur botuese . Është autor i librave “ Prof. Hasan Tahsini” Tiranë 2009 3 vëllime 1750 faqe; “Naimi në Kostandinopojë” Tiranë 2009 në 2 vëllime , 750 faqe; dhe “Niko Stillo - Njeriu akademi” Tiranë 2008 ,220 faqe. Ka në proces libra të tjerë. Është autor i dhjetra e qindra artikujve publicistikë e studimorë në shtypin e përditshëm dhe atë periodik, brenda dhe jashtë vëndit. Ka marrë pjesë në konferenca , simpoziume e sesione shkencore në Shqipëri, Kosovë , Maqedoni , Turqi etj. Qysh prej vitit 1987 ka gradën shkencore” Doktor i Shkencave Filozofike”. Është baba i tre fëmijëve, dy djem dhe një vajze…